Nga lexuesit tanë
Një vështrim rreth botës Jam një gazetar dhe shumë prej kolegëve të mi u pëlqen të lexojnë rubrikën «Një vështrim rreth botës», për të marrë ide për punën e tyre. E pranoj se edhe unë vetë jam frymëzuar nga disa artikuj. Veçanërisht admiroj përkthyesit dhe redaktuesit tuaj. Standarde të tilla kaq të larta për sa i përket gjuhës nuk janë të zakonshme në mjetet e medias.
J. B., Çeki
Vite më parë kur fillova të lexoja revistën Zgjohuni!, «Një vështrim rreth botës» ishte pjesa që më pëlqente më pak. Tani e konsideroj tepër informative. Në fakt, shumë ngjarje botërore që nuk i kam parë në emisionet e lajmeve në televizor janë trajtuar në «Një vështrim rreth botës». Vazhdoni ta bëni këtë punë të shkëlqyer!
I. K. M. K., Brazil
Murtajat Seritë e artikujve «Murtajat: a do të mbarojnë ndonjëherë?» (22 nëntor 1997, angl.) pohonin: «Sëmundjet infektive mbeten shkaku kryesor i vdekjeve, duke vrarë më shumë se 50 milionë njerëz vetëm në vitin 1996.» Megjithatë, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se nga më shumë se 52 milionë vdekjet në vitin 1996, mbi 17 milionë ndodhën për shkak të sëmundjeve infektive ose parazitare.»
B. B., Shtetet e Bashkuara
Burimi ynë për këto komente ishte gazeta gjermane “Nassauische Neue Presse”. Me sa duket në këtë artikull gazete nuk ishte cituar siç duhet raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kështu që e vlerësojmë këtë qartësim.—BOT.
Belbëzimi Ju faleminderit për artikullin «Të kuptojmë frikën e belbëzimit». (22 nëntor 1997, angl.) Në kongregacionin tonë kemi disa të rinj me këtë problem dhe unë jam ndier gjithnjë në siklet në lidhje me shoqërimin me ta. Prandaj, u gëzova kur lexova sugjerimet praktike që jepnit për të na ndihmuar që t’i kuptojmë belbëzuesit. Ju na motivuat t’u jepnim mbështetje këtyre të rinjve dhe na bëtë të ditur si ta bënim këtë.
Y. N., Japoni
Në klasën time në shkollë ka dy nxënës që belbëzojnë. Ata nuk japin pothuaj kurrë përgjigje në klasë dhe siç përmendte artikulli juaj, kur u kërkohet që të lexojnë me zë të lartë, janë tepër nervozë. Falë artikullit tuaj, mund ta kuptoj më mirë frikën që duhet të kapërcejnë ata për të folur në klasë.
S. L., Gjermani
Jam 16 vjeç dhe belbëzoj. Dua t’ju falënderoj me gjithë zemër për inkurajimin që mora kur lexova artikullin. Disa herë ne ndihemi të shkurajuar, sepse nuk mund të bëjmë të gjitha ato që do të na pëlqente të bënim. Prandaj, është e mrekullueshme të shohim se si mendon Jehovai për ne dhe se si na inkurajon. Shpresoj që gjithkush që lexon këtë artikull të ndihmohet për të vlerësuar përpjekjet që bëjnë belbëzuesit.
S. D. A., Itali
Artikulli më risolli në mend kaq shumë kujtime të dhimbshme. Por më bëri të kuptoj se sa shumë kujdeset Jehovai dhe sa shumë më ka bekuar përgjatë viteve. Kur u pagëzova në moshën 11-vjeçare, dëshira ime më e zjarrtë ishte ta lavdëroja Jehovain si një orator publik. Mendova se do të më duhej të pritja botën e re të Perëndisë për ta arritur atë synim. Por, përgjatë 37 vjetëve të kaluara kam pasur privilegjin të mbaj fjalime të shumta publike, si edhe fjalime para auditorit nëpër kongrese krahinore dhe asamble qarkore.
R. F. D., Angli
Për shkak të frikës se mos belbëzoj, rrallëherë komentoj në mbledhjet e kongregacionit. Shqetësohem edhe për belbëzimin në veprën e predikimit shtëpi më shtëpi, sidomos kur punoj me dikë që flet rrjedhshëm. Ky artikull më ndihmoi të shihja se Jehovai i kupton problemet e mia.
K. C. L., Brazil