Ari: Magjepsja e tij
Ari: Që nga kohët e lashta ky metal i butë, me ngjyrë të verdhë të ndritshme është vlerësuar për cilësitë e tij të pazakonta. Ngjyra, lustra, petëzueshmëria dhe aftësia e tij për t’i rezistuar ndryshkjes e bëjnë atë të pazakontë ndër metalet. Për shkak të vlerës së tij në mendjen e atyre që e kanë kërkuar, ari ka një histori të ndryshme nga ajo e çdo metali tjetër.
«AR! ËSHTË ar të them! Ar!» Zbulimi i arit i ka bërë zemrat të rrahin fort, pulsin të shpejtohet dhe imagjinatën të ndizet. Atë e kanë kërkuar në tokë, nëpër lumenj dhe rrëke e madje mijëra metra nën sipërfaqen e tokës.
Ari i ka zbukuruar mbretërit dhe mbretëreshat në formën e bizhuterive të kushtueshme. Ka dekoruar fronet dhe muret e pallateve. Idhujt prej ari me formë peshku, zogu, kafshësh dhe objektesh të tjera janë adhuruar si perëndi. Kërkesa e pamëshirshme për ar ka qenë me një shtrirje të madhe, ashtu siç ka qenë ndikimi i tij mbi civilizimin.
Ari dhe historia
Në Egjiptin e lashtë faraonët i dërgonin tregtarët dhe ushtritë e tyre në vende të largëta në kërkim të arit, i cili konsiderohej si pronë absolute e perëndive dhe faraonëve të Egjiptit. Varri i Tutankhamenit, i zbuluar në vitin 1922, ishte i mbushur me thesare të paçmueshme ari. Madje edhe arkivoli i tij ishte i bërë prej ari të pastër.
Sipas disa historianëve, Aleksandri i Madh «fillimisht u tërhoq në Azi nga thesari i famshëm në ar i Persisë». Raportohet se mijëra kafshë barre u përdorën nga ushtria e tij për të mbartur arin që mori nga Persia për në Greqi. Si rezultat, Greqia u bë një komb i pasur në ar.
Një historian raporton se «perandorët e Romës e përdornin lirisht arin për të siguruar besnikërinë e zyrtarëve të tyre dhe për të ndikuar mbi funksionarët e lartë të vendeve të tjera. Ata u linin mbresa dhe shpesh i frikësonin njerëzit me madhështinë e pasurisë së tyre, që mund të shihej lehtë nga shfaqjet e zbukurimeve spektakolare prej ari». Një burim thotë se romakët fituan shumë ar nga pushtimi i Spanjës dhe nga marrja në dorëzim e minierave spanjolle të arit.
Mirëpo, tregimi për arin nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të gërrmonim në historinë e tij më gjakatare. Kjo është një histori pushtimesh, brutaliteti, skllavërie dhe vdekjeje.
Një histori që kullon gjak
Me përparimin e civilizimit, anije më të mëdha e më të fuqishme tregtare lundruan për të zbuluar vende të reja, për të vendosur koloni të reja dhe për të kërkuar ar. Gjetja e arit u bë fiksimi i shumë eksploruesve, duke përfshirë edhe lundërtarin nismëtar, Kristofor Kolombin (1451-1506).
Jeta e vendasve nuk kishte shumë rëndësi për Kolombin kur ishte në kërkim të arit. Duke ia treguar përvojat e tij në një ishull mbretit dhe mbretëreshës së Spanjës, të cilët kishin financuar ekspeditat e tij, Kolombi shkroi në ditarin e tij: «Që të sundojë këtu, një njeri vetëm sa duhet të vendoset dhe të ushtrojë autoritet mbi vendasit, të cilët do të kryejnë gjithçka që i urdhëron të bëjnë. . . . Indianët . . . janë të zhveshur e të pambrojtur, e prandaj janë gati që t’u jepen urdhëra dhe të vihen në punë.» Kolombi besonte se kishte bekimin e Perëndisë. Thesaret prej ari do ta ndihmonin Spanjën të financonte luftërat e saj të shenjta. ‘Perëndia me mëshirën e tij më ndihmoftë të gjej ar’,—tha ai njëherë pasi mori si dhuratë një maskë prej ari.
Konkistadorët spanjollë, të cilët lundruan nëpër dete në kërkim të arit, duke ndjekur gjurmët e Kolombit, u urdhëruan nga mbreti Ferdinand i Spanjës: «Më sillni ar! Merreni në mënyrë të njerëzishme, po qe e mundur. Por ma sillni, pavarësisht se çfarë mjetesh përdorni për ta marrë.» Eksploruesit e pamëshirshëm vranë mijëra vendas që takuan në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore e Jugore. Ari që u dërgua në Spanjë nga pushtuesit, në mënyrë të figurshme kullonte gjak.
Pastaj dolën piratët, të cilët nuk mbanin në anije flamurin e asnjë kombi. Në det të hapur ata sulmonin galerat spanjolle që ishin mbushur me ar dhe thesare të tjera të çmueshme. Galerat, shpesh me mungesa armësh e njerëzish, nuk haheshin dot me piratët e armatosur mirë. Në shekujt e 18-të dhe të 19-të, pirateria ishte tmerri i deteve, veçanërisht në Indinë Perëndimore dhe përgjatë bregut amerikan.
Vërshimi i arkërkuesve në shekullin e 19-të
Në vitin 1848 në Ultësirën Sakramento në Kaliforni u bë një zbulim shumë i madh ari. Fjala shpejt mori dhenë dhe një emigrim i vazhdueshëm kolonësh vërshoi për të marrë pronën e vet. Në vitin që pasoi Kalifornia u pushtua nga dhjetëra mijë «të dyzetenëntës», kërkues të fatit që erdhën aty nga të gjitha anët e botës. Popullsia e Kalifornisë u rrit nga rreth 26.000 banorë në vitin 1898 në rreth 380.000 në vitin 1860. Fermerët i braktisën tokat e tyre, marinarët braktisën anijet, ushtarët dezertuan nga ushtria, vetëm e vetëm për të bërë udhëtimin e mundimshëm në kërkim të fatit të tyre tek ari. Disa u përshkruan se ishin «batakçinj të etur për gjak». Me këtë rrëmujë njerëzish erdhi një valë krimi dhe dhune. Ata që i kishte kapur lakmia për ar, por nuk donin të punonin për ta gjetur, iu kthyen grabitjeve, duke plaçkitur karrocat e udhëtarëve dhe trenat.
Në vitin 1851, fill pas vërshimit të arkërkuesve në Kaliforni, erdhi lajmi se depozita të mëdha ari po zbuloheshin në Australi. «Rezultatet ishin vërtet fantastike»,—thoshte raporti. Në një kohë të shkurtër, Australia u bë prodhuesja më e madhe e arit në botë. Disa që kishin emigruar në Kaliforni shpejt mblodhën plaçkat dhe zbritën në Australi. Popullsia e Australisë u ngrit në qiell, nga 400.000 banorë në vitin 1850 në mbi 1.100.000 në vitin 1860. Punimi i tokës dhe punë të tjera gati-gati u pezulluan pasi shumë vërshuan për ta gjetur fatin e tyre tek ari.
Nga fundi i shekullit të 19-të, ikja e rrëmujshme dhe e çmendur për të gjetur ar u transferua në Jukon dhe Alaskë, pas zbulimit të arit në ato zona. Mijëra njerëz u drejtuan për në Veriun e Largët, në rajonin e Klondajkut dhe të Alaskës, duke luftuar me të ftohtin e hidhur për të marrë prona në tokën e pasur me ar.
Thesaret e fundosura
Në shekullin e 20-të, me zhvillimin e zhytjes në thellësi të detit, kërkuesit e arit e kthyen vëmendjen e tyre nga fundi i detit. Atje ata kërkuan nëpër anijet e mbytura për thesare të fundosura: bizhuteri të arta dhe vepra të tjera arti të bëra shekuj më parë.
Në 20 shtator 1638, galera spanjolle Concepción u fundos në Oqeanin Paqësor, në bregun e Saipanit, pasi moti i ashpër e kishte përplasur me shkëmbinjtë. Ajo mbante një ngarkesë ari dhe thesaresh të tjera që sot vlejnë dhjetëra milionë dollarë. Pjesa më e madhe e 400 njerëzve që ishin në anije vdiqën. Zhytësit kanë nxjerrë nga anija e mbytur 32 zinxhirë ari, ku secili është rreth 152 centimetra i gjatë dhe peshon disa kilogramë. Gjithsej, zhytësit kanë nxjerrë në sipërfaqe 1.300 pjesë bizhuterish të arta: zinxhira, kryqe, kopsa, karfica zbukurimi, unaza dhe tokëza.
Janë zbuluar edhe anije të tjera të mbytura. Në vitin 1980 zhytësit nga bregu i Floridës, në Shtetet e Bashkuara përcaktuan vendndodhjen e galerës spanjolle të shekullit të 17-të Santa Margarita që ishte fundosur. Në fundin e vitit pasues zhytësit kishin nxjerrë në sipërfaqe më shumë se 44 kilogramë shufra ari, bashkë me vepra të tjera arti prej ari.
Ari i luftës
Pas kapitullimit të qeverisë gjermane në vitin 1945 trupat aleate bënë një zbulim mahnitës në minierat e kripës të Kaiserodës në Thuringia, Gjermani. Sipas The Atlanta Journal, «minierat përmbanin një shumë tronditëse prej 2,1 miliardë dollarësh në shufra ari, vepra arti, monedha dhe letra me vlerë». U gjetën edhe çanta me këllëfë dhëmbësh në ar e argjend, disa prej tyre tashmë të shkrira, të cilat u ishin marrë viktimave të Holokaustit. Kjo depo e stërmadhe e fshehtë ari i ndihmoi kryekomandantët nazistë të financonin një luftë të gjatë. Një shumë e përllogaritur 2,5 miliardë dollarë në ar u është kthyer rreth dhjetë vendeve të pushtuara nga Hitleri, raporton Journal. Për shkak të një besimi të përhapur se nuk është gjetur i gjithë ari i fshehur nazist, kërkimet vazhdojnë.
Sigurisht, ari ka vlerë. Megjithatë, Bibla thotë se ari, ashtu si pasuritë e tjera materiale, nuk mund t’u japë jetën atyre që e kërkojnë atë. (Psalmi 49:6-8; Sofonia 1:18) Një fjalë e urtë biblike thotë: «Marrja e mençurisë është oh sa më e mirë se ari!» (Fjalët e urta 16:16, BR) Mençuria e vërtetë vjen nga Krijuesi, Perëndia Jehova dhe duhet gjetur në Fjalën e tij, Biblën. Duke studiuar fjalën e Perëndisë, kërkuesi i kësaj mençurie mund të mësojë ligjet, parimet dhe këshillat e Perëndisë e pastaj t’i zbatojë këto në jetën e tij. Mençuria e fituar në këtë mënyrë është më e dëshirueshme se i gjithë ari që është zbuluar ndonjëherë nga njeriu. Kjo mençuri mund të nënkuptojë një jetë më të mirë tani dhe jetën e përhershme në të ardhmen.—Fjalët e urta 3:13-18.
[Kutia në faqen 27]
Disa fakte për arin
• Ari është metali më i telëzueshëm dhe i petëzueshëm nga të gjitha metalet. Ai mund të rrihet deri në një trashësi 0,1 mikron. Një masë prej 28 gramë ar mund të rrihet për të mbuluar një zonë prej rreth 17 metrash katrorë. Po ashtu, kjo masë mund të telëzohet deri në një gjatësi prej 70 kilometrash.
• Duke qenë se ari i pastër është shumë i butë, zakonisht ai përzihet me metale të tjera për t’ia rritur fortësinë në përdorim në bërjen e bizhuterive dhe të sendeve të tjera prej ari. Përmbajtja e arit në përzierjet e tij metalike shprehet në të njëzetekatërta, të quajtura karatë, kështu, përzierja metalike e arit 12 karatësh përmban 50 përqind ar, ari 18 karatësh përmban 75 përqind ar dhe ari 24 karatësh është i pastër.
• Kombet kryesuese në nxjerrjen e arit janë Afrika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
[Burimi i figurës në faqen 25]
Aleksandri i Madh: Galeria e Arteve Walters, Baltimorë
[Figurat në faqen 26]
Pikturë që përshkruan mbërritjen e Kristofor Kolombit në Bahamat në vitin 1492 në kërkim të thesareve prej ari
[Burimi]
Me mirësjellje nga Muzeu Naval, Madrid (Spanjë) dhe me lejen e mirësjellshme të Don Manuel González López