Nga lexuesit tanë
Ankthi nga informacioni Po ju shkruaj që t’ju falënderoj për serinë e artikujve «Ankthi nga informacioni: Si ndikon te ju?» (8 janar 1998, angl.) Më pëlqen shumë të lexoj, por vetëm tani kam kuptuar se po bëhesha i fiksuar me dëshirën time për të ditur gjithçka që dihej për çdo gjë. Këta artikuj më ndihmuan të kem një pikëpamje të ekuilibruar.
M. E., Itali
Dëshiroj t’ju uroj për këta artikuj që shkojnë kaq thellë. Do t’ju isha shumë mirënjohës po të më jepej leja për të ribotuar artikullin hyrës në një buletin informativ për shoqërinë tonë të teknologjisë arsimore dhe të medias. Të ashtuquajturat superautostradat e informacionit janë të mbushura plot e përplot dhe përmes këtyre artikujve tuaj një person mund të informohet me ndershmëri dhe të jetë në gjendje të përballojë këtë epokë të informacionit.
G. D., Ganë
Leja u dha për ta ribotuar artikullin.—BOT.
T’i druhesh Perëndisë? Ndihem e shtrënguar të shpreh kënaqësinë time për artikullin «Pikëpamja e Biblës: Si mund t’i druhesh një Perëndie të dashurisë?» (8 janar 1998, angl.) Për njëfarë kohe kam qenë duke medituar mbi këtë pyetje. E kuptoja që t’i druhesh Perëndisë do të thotë të kesh një druajtje të shëndetshme se mos i shkakton pakënaqësi atij. Prapëseprapë, mendoja se më duhej ta kuptoja më plotësisht këtë subjekt. Pastaj lexova artikullin. Më në fund, një trajtim shumë i kënaqshëm i asaj që nënkupton t’i druhesh Perëndisë!
M. J. T., Shtetet e Bashkuara
Vënia në vend e drejtësisë Faleminderit për artikullin «Një gjykatë evropiane ndreq gabimin». (8 janar 1998, angl.) Kur lexova për vëllezërit, të cilët dilnin para gjyqit që të mos detyroheshin për të bërë shërbimin ushtarak, m’u kujtua se si vëllezërit fituan të drejtën për të predikuar shtëpi më shtëpi ditëve të diela. Këto tregime më ndihmojnë të mos e nënvlerësoj kurrë këtë privilegj.
S. V., Shtetet e Bashkuara
Inkasit Pasi lexova artikullin «Si e humbën inkasit perandorinë e tyre të artë?» (8 janar 1998, angl.), duhet të shpreh vlerësimin tim të thellë për një histori kaq ngjethëse e të ilustruar kaq bukur. Përpjekjet tuaja si Dëshmitarë për t‘ua sjellë mesazhin ngushëllues pasardhësve të inkasve, pa dyshim që do t’u sjellin shumë ngushëllim atyre. Faleminderit Zgjohuni!, sepse thua të vërtetën.
S. B., Nigeri
Jam dhjetë vjeç dhe dua t’ju falënderoj për artikullin. U mahnita kur lexova se sa shumë kilometra rrugë bënë inkasit. Më pëlqeu edhe mënyra se si dërgonin mesazhe.
F. K., Shtetet e Bashkuara
Kur fëmijët largohen Ju jam mirënjohëse për serinë e artikujve «Kur fëmijët largohen.» (janar 1998) Të mësohesha me largimin e fëmijëve të mi të dashur ka qenë e dhimbshme dhe e ngadaltë. Por, ju keni të drejtë. Të jetosh në folenë e zbrazët bëhet më e këndshme me kalimin e kohës dhe me rritjen e kuptueshmërisë. Ne prindërit mund të rinovojmë lidhjen martesore me bashkëshortin tonë.
A. E., Kanada
Artikujt ishin një përgjigje ndaj lutjeve të mia. Largimi i fëmijëve mund të jetë një burim hidhërimi dhe konflikti. Por me këshillat e mira në këtë artikull, paqja dhe dashuria mund të triumfojnë.
P. N., Francë
M’u duk sikur artikujt ishin shkruar veçanërisht për mua. Kohët e fundit u largova nga shtëpia për të shërbyer në një zonë ku ka nevojë për ungjillëzues në kohë të plotë. Këta artikuj më ndihmuan të kuptoj se si ndihen prindërit e mi dhe më ndihmuan të kapërceja ndjenjat e fajit që më vinin pasi isha larguar prej tyre. Për më tepër, do të ndjek këshillën e dhënë në pjesën «Një fjalë fëmijëve të rritur: Ndihmojini prindërit për të pranuar largimin». Edhe pse jam larg shtëpisë, do të gjej mundësitë për t’u ndier afër prindërve. Faleminderit për artikuj si këta që arrijnë gjithnjë në momentin e duhur.
G. U., Itali