BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/99 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Martesa është e shëndetshme
  • Heronj të dhunshëm
  • Ndihmë elektronike për zemrat e vetmuara
  • «Vrasësi nr. 1 i grave të reja»
  • Makinë pa ndotje
  • Alpe të ndotura
  • Dreka e familjes
  • Shurdhim nga kufjet
  • Duhani sponsorizon sportet
  • Fermerët e parë
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2003
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—1996
Zgjohuni!—1999
g 1/99 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Martesa është e shëndetshme

Martesa «zgjat jetën, në pjesën më të madhe i sjell dobi shëndetit fizik dhe emocional dhe rrit të ardhurat ekonomike» si për gratë, ashtu edhe për burrat, pohon një kërkues në The New York Times. Një punim shkencor nga profesoresha Linda J. Ueiti e Universitetit të Çikagos, kundërshtonte një raport të botuar në vitin 1972, në të cilin tregohej se gratë e martuara kalojnë më shumë strese psikologjike. Dr. Ueiti konstatoi se «martesa e ndryshon sjelljen e njerëzve në disa aspekte, që i bëjnë ata të ndodhen në një gjendje më të mirë» të tilla, si pirja më e paktë e alkoolit. Martesa duket se ul edhe depresionin. Në fakt, «në fillim të studimit, burrat beqarë si grup ishin në depresion dhe, nëse mbeteshin të tillë, binin edhe më shumë në depresion». Megjithatë, dr. Uilliam J. Doërti i Universitetit të Minesotës, vëren se këto të dhëna paraqesin mesatare dhe nuk nënkuptojnë se çdonjëri ndihet më mirë nëse është i martuar ose se njerëzit që martohen me personin e gabuar do të jenë të lumtur e të shëndetshëm.

Heronj të dhunshëm

Sipas një studimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, të kryer rreth ndikimit që ka dhuna e mediave, disa prej shembujve që fëmijët preferojnë më shumë t’i imitojnë janë heronjtë e filmave me aksion. Gazeta braziliane Jornal da Tarde vëren se nga pesë mijë 12-vjeçarët që u intervistuan në 23 vende, 26 për qind u jepnin këtyre heronjve të filmave «shumë më tepër përparësi sesa yjeve ose muzikantëve pop (18,5 për qind), udhëheqësve fetarë (8 për qind) ose politikanëve (3 për qind)» si modele të tyre të sjelljes. Profesori Jo Grobel, koordinator i studimit, thotë se fëmijët duket që i konsiderojnë heronjtë e dhunshëm kryesisht si shembuj të mënyrës se si mbijetohet në situata të vështira. Sa më shumë që fëmijët mësohen me dhunën, paralajmëron Grobel, aq më të aftë bëhen për të pasur një sjellje të egër. Ai shton: «Media propagandon idenë se dhuna është diçka normale dhe sjell dobi.» Grobel theksoi se prindërit luajnë një rol thelbësor në sigurimin e një drejtimi që i ndihmon fëmijët e tyre të bëjnë dallimin midis trillimeve dhe realitetit.

Ndihmë elektronike për zemrat e vetmuara

Në Japoni, mënyra më e fundit që një zemër e vetmuar të takojë një tjetër është përdorimi i «sinjalizuesit të dashurisë», thotë Mainichi Daily News. Sinjalizuesi ka ndarje për aktivitetet e preferuara: karaoke, miq dhe biseda. Shikoni rastin e një të riu që dëshiron të gjejë një vajzë për të biseduar. Ai e vë sinjalizuesin e tij elektronik të xhepit në ndarjen «biseda». Nëse ecën pak metra larg një vajze, e cila e ka, gjithashtu, një sinjalizues dashurie të vendosur te «biseda», aparatet fillojnë të lëshojnë sinjale dhe një dritë të gjelbër. Tashmë, 400.000 njerëz kanë blerë sinjalizues. Ata që janë të shqetësuar rreth llojit të personit me të cilin mund të hyjnë në lidhje, mund t’i shuajnë sinjalet me tinguj dhe të përdorin vetëm dritën sinjalizuese. Takeja Takafuji, drejtor planifikimi për prodhuesit, thotë: «Nëse ky burrë me moshë mesatare nuk është tipi që ju pëlqen ose nëse mendoni se nuk doni të flitni me të, atëherë thjesht largohuni.»

«Vrasësi nr. 1 i grave të reja»

Nando Times raporton se në vendet e zhvilluara ekonomikisht, tuberkulozi godet shpesh burrat mbi 65 vjeç. Por në një shkallë globale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tuberkulozi është bërë «vrasësi Nr. 1 i grave të reja», thotë raporti. «Bashkëshorte, nëna dhe gra që punojnë po priten në lulen e tyre të jetës»,—thoshte dr. Pol Dolin, i Programit Global të OBSH për Turbekulozin. Ekspertët që u mblodhën kohët e fundit në një seminar mjekësor në Gëteborg, Suedi, thanë se në mbarë botën më shumë se 900 milionë gra janë infektuar me turbekuloz. Rreth një milion prej këtyre do të vdesin çdo vit, pjesa më e madhe midis moshave 15 dhe 44 vjeç. Sipas gazetës braziliane O Estado de S. Paulo, një arsye për këtë shkallë vdekshmërie është fakti që shumë veta e ndërpresin trajtimin përpara se sëmundja të jetë kuruar.

Makinë pa ndotje

Në qytetet e mëdha kudo në botë, makinat janë një prej burimeve kryesore të ndotjes së ajrit. Për të zgjidhur problemin, një inxhinier francez ka krijuar një makinë që lëviz brenda qytetit, e cila nuk bën zhurmë, është pa erë dhe «funksionon vetëm me anë të ajrit që na rrethon», thotë The Guardian Weekly e Londrës. Inxhinieri projektues Gi Negrë ka ndërtuar një motor që funksionon me anë të ajrit të ngjeshur. Për të mbushur serbatorin e saj të ajrit të ngjeshur duhen më pak se dy dollarë elektricitet. Pas kësaj makina mund të ecë për dhjetë orë në kushte të qytetit, me një shpejtësi maksimale prej rreth 100 km në orë. Gjatë frenimit, makina tërheq brenda ajrin që ndodhet jashtë. Në sajë të sistemit të saj ajër-filtrues me karbon, substancat që nxjerr pas përdorimit janë më të pastra sesa ajri që thith ajo në brendësi. Pas kryerjes së shumë provave në automjete të tjera jo ndotëse, autoritet meksikane zgjodhën këtë makinë për të zëvendësuar 87.000 taksitë e qytetit të Meksikos.

Alpe të ndotura

Dymbëdhjetë vjet pas aksidentit të uzinës së energjisë bërthamore në Çernobil, Ukrainë, alpet e Evropës janë ende shumë të ndotura nga mbeturinat radioaktive. Gazeta franceze Le Monde thotë se një analizë e kohëve të fundit zbuloi nivele shumë të larta të izotopit radioaktiv cesium-137. Në disa vende, radioaktiviteti ishte 50 herë më i lartë sesa standardi evropian për mbetjet bërthamore. Mostrat më të ndotura vinin nga Parku Kombëtar i Merkanturit, në Francën Juglindore; nga Materhorni, në kufirin zvicero-italian; nga Kortina, në Itali dhe nga Parku Hohe Tauern, në Austri. Autoritetet po u kërkojnë vendeve të ndikuara prej kësaj gjëje që të matin nivelin e rrezatimit radioaktiv të ujit dhe të ushqimeve që preken nga rrezatimi, të tilla si kërpudhat dhe qumështi.

Dreka e familjes

Në një studim mbi 527 adoleshentë, ata që hanin drekë me familjet e tyre të paktën pesë herë në javë, sipas gazetës kanadeze Toronto Star, kishte «më pak të ngjarë që të abuzonin me droga ose që të binin në depresion, ishin më të motivuar në shkollë dhe kishin marrëdhënie më të mira me bashkëmoshatarët». «Adoleshentët e etiketuar si ‘të pashoqërueshëm’ hanin me familjet e tyre tri ose më pak ditë në javë.» Psikologu Brus Braiën pohon se ora e drekës së familjes është «tipar i një familjeje të shëndetshme». Raporti vërente se ngrënia së bashku ushqen lidhjen familjare, aftësitë e komunikimit dhe një ndjenjë afërsie, si edhe siguron një mundësi për të mësuar rregullat e mirësjelljes në tryezë dhe për të marrë pjesë në biseda, humor dhe lutje. Një vajzë e rritur e një familjeje ku hanin rregullisht së bashku, thotë se po të mos kishin bërë gjithmonë kështu, «nuk mendoj se do të isha kaq e afërt me ta sa ç’jam tani».

Shurdhim nga kufjet

Një kërkim i bërë nga Laboratori Akustik Kombëtar i Australisë, siç thotë The Courier-Mail e Brisbeinit, nxori në pah se edhe përdorimi normal i kufjeve të magnetofonit personal mund të shkaktojë dëmtim të ngadalshëm të dëgjimit. Kërkuesi dr. Erik LëPeixh tha se të rinjtë ngurrojnë t’i marrin seriozisht këto paralajmërime. «Ata mund të dëgjojnë vazhdimisht tinguj ose muzikë shumë të lartë për vite të tëra dhe mendojnë se kjo gjë nuk ndikon fare»,—tha ai. Një anketë tregoi se paralajmërimet «nuk bënin ndonjë përshtypje deri në momentin kur njerëzit fillonin të provonin me të vërtetë shurdhimin», thoshte gazeta. Kërkimi i ri përforcon disa studime gjermane që tregojnë se në atë vend rreth një e katërta e rekrutëve ushtarakë midis moshave 16 deri në 24 vjeç e kishin dëmtuar tashmë dëgjimin e tyre, duke dëgjuar muzikë me zë të lartë dhe se «gati 10 për qind e studentëve midis moshave 16 deri në 18 vjeç e kishin humbur kaq shumë dëgjimin, sa kishin vështirësi për të kuptuar disa biseda normale».

Duhani sponsorizon sportet

Përdorimi i gjerë i ngjarjeve sportive dhe zbavitjeve të tjera nga industria e duhanit për të reklamuar prodhimet e saj, krijon siç thotë Randë Galbëli, e Fondacionit për Përkrahjen e Shëndetit Viktorian të Australisë «një lidhje pozitive midis sporteve . . . dhe pirjes së duhanit». Si rezultat, reklamat e duhanit në sport, që shpesh janë tinëzare, mund t’i nxitin njerëzit që të pinë duhan. Fushata e Kërkimeve mbi Kancerin në Britani konstatoi se «djemtë, të cilëve u pëlqen të shikojnë në televizor garat me makina Formula Një, kanë dy herë më shumë mundësi që të fillojnë duhanin», thotë agjencia e lajmeve Panos. «Në mbarë Evropën, firmat e duhanit harxhojnë disa qindra milionë dollarë çdo vit vetëm në mbështetje të garave me makina.» Ndërkohë, makinat janë agjentë të lëvizshëm reklamash që shpesh shfaqen në televizor.

Fermerët e parë

Gazeta franceze Le Monde thotë se një skuadër shkencëtarësh evropianë, konstatoi që ADN-të e linjave të grurit të egër në zonën më pjellore të Lindjes së Mesme, ishin shumë të ngjashme me varietetet e kultivuara që përdoren kudo sot. Bashkë me grurin dhe të tjera «prodhime themeluese», edhe delet, dhitë, derrat dhe gjedhët e para shtëpiake duket se u rritën në këtë rajon. Shkencëtarët thonë se prej këtej u përhap në mbarë Evropën dhe Azinë përdorimi i prodhimeve të bimëve dhe kafshëve shtëpiake. Është interesante që disa prej fshatrave më të hershme bujqësore, ku është zbuluar grurë që daton mijëra vjet përpara, ndodhen në jugperëndim të liqenit Van dhe maleve Ararat.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo