Cili është qëllimi i Perëndisë?
SHUMË njerëz që dyshojnë për ekzistencën e një Perëndie të gjithëfuqishëm dhe të dashur pyesin: Nëse Perëndia ekziston, përse ka lejuar kaq shumë vuajtje dhe ligësi përgjatë historisë? Përse lejon gjendjen e mjeruar të gjërave që shohim sot rreth nesh? Përse nuk bën diçka për t’u dhënë fund luftërave, krimeve, padrejtësive, varfërisë dhe vuajtjeve të tjera, të cilat po rriten në një shkallë alarmuese në kaq shumë vende të tokës?
Disa mendojnë se Perëndia krijoi universin, vendosi njerëzit mbi planetin Tokë dhe pastaj i la që t’i drejtonin vetë punët e tyre. Sipas kësaj pikëpamjeje, Perëndia nuk duhet fajësuar për hallet dhe vuajtjet që njerëzit i shkaktojnë vetvetes, për shkak të lakmisë së tyre ose të drejtimit të tyre të gabuar.
Megjithatë, disa të tjerë e hedhin poshtë këtë teori. Kështu, profesori i fizikës Kaniërz Hering, i cili pranon besimin te Perëndia, thotë: «Unë nuk e pranoj idenë e një Perëndie, i cili shumë kohë më parë vuri në lëvizje një mekanizëm madhështor dhe qysh prej asaj kohe është tërhequr në pasivitet si një spektator, ndërkohë që njerëzimi lufton me pështjellimin. Një shkak për mospranimin tim është që përvoja ime shkencore nuk më jep asnjë arsye për të besuar se ekziston ndonjë model ‘mekanizmi’ i universit, që është kategorikisht dhe përfundimisht ai i sakti. Teoritë tona shkencore . . . do të kenë përherë vend për një rafinim gjithnjë e më të madh, por jam i sigurt se ato do të rezultojnë gjithmonë të papërsosura. Është më e dobishme, mendoj, që të kemi besim në forcën e gjallë që e bën gjithmonë të mundur këtë përmirësim.»
Perëndia ka një qëllim
Qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që planeti Tokë të banohej nga njerëz të drejtë dhe të përsosur. Profeti Isaia shkroi: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai, Krijuesi i qiejve, Ai, Perëndia i vërtetë, Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e vendosi atë në mënyrë të patundur, që nuk e krijoi thjesht për asgjë, që e formoi madje për të qenë e banuar.»—Isaia 45:18, BR.
Në vend që ta popullonte tokën përmes krijimit të drejtpërdrejtë të qenieve të veçanta njerëzore, Perëndia pati për qëllim që ta mbushte tokën me anë të lindjes njerëzore. Fakti që Adami dhe Eva u rebeluan kundër Perëndisë nuk e pengoi qëllimin e tij fillestar, por solli një rregullim të nevojshëm të disa hollësirave, me qëllim që të përmbushej qëllimi i tij në lidhje me njerëzit dhe tokën.
Për gati 6.000 vjetët e parë të kësaj periudhe, Perëndia e ka lejuar njerëzimin që të veprojë i pavarur prej udhëheqjes së tij të drejtpërdrejtë. Kjo është ajo që zgjodhën prindërit tanë të parë me vullnetin e tyre të lirë. (Zanafilla 3:17-19; Ligji i përtërirë 32:4, 5) Ky lejim i pavarësisë prej udhëheqjes së Perëndisë dhe sundimi i mëpasshëm prej njerëzve në vend se prej Perëndisë do të nxirrte në pah paaftësinë e njeriut për të drejtuar hapat e veta dhe paaftësinë e tij për të qeverisur me sukses njerëzit e tjerë.
Jehovai, pa dyshim, e kishte ditur që më përpara këtë rezultat. Ai frymëzoi disa shkrimtarë të Biblës që ta shprehnin këtë me fjalë. Profeti Jeremia, për shembull, shkroi: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e tij.»—Jeremia 10:23, BR.
Burri i mençur Solomon foli rreth rezultateve shkatërrimtare që vijnë kur njerëzit përpiqen të sundojnë mbi njerëzit e tjerë, siç kanë bërë përgjatë shekujve. «E pashë tërë këtë gjë dhe vura mend për të gjitha gjërat që bëhen nën diell; ka një kohë kur një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.»—Predikuesi 8:9.
Megjithatë, duke mos ‘u tërhequr aspak në pasivitet si një spektator, ndërkohë që njerëzimi lufton me pështjellimin’, Perëndia i Plotfuqishëm ka pasur arsye të forta që ka lejuar kalimin e këtyre mijëra viteve pa ndërhyrë drejtpërdrejt në jetën e shumicës së njerëzimit.
I shërbehet një qëllimi të mirë
Këta 6.000 vjet të shkuar të historisë njerëzore mund të duken një periudhë e gjatë kur krahasohen me jetëgjatësinë tonë mesatare prej më pak se 100 vjet. Por, sipas orarit të Perëndisë dhe pikëpamjes së tij mbi kalimin e kohës, këto mijëra vite janë si gjashtë ditë, më pak se një javë! Apostulli Pjetër shpjegoi: «Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.»—2. Pjetrit 3:8.
Më pas Pjetri vazhdon të hedhë poshtë çfarëdo akuze për lënie pas dore ose për vonesë nga ana e Perëndisë, duke shtuar: «Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.»—2. Pjetrit 3:9.
Kështu, kur vitet e caktuara të kenë përfunduar, Krijuesi do t’i japë fund keqadministrimit të planetit tonë të bukur. Ai do të ketë lënë mjaft kohë që njeriu të demonstrojë paaftësinë e tij për të qeverisur ose për t’u dhënë fund luftërave, dhunës, varfërisë, sëmundjeve dhe shkaqeve të tjera të vuajtjeve. Kjo do të vërtetojë nëpërmjet përvojës reale atë që Perëndia u tregoi në fillim njerëzve, domethënë që ata duhet të ndjekin udhëheqjen hyjnore për të pasur sukses.—Zanafilla 2:15-17.
Sipas përmbushjes së profecive të Biblës, ne jetojmë tani në pjesën përfundimtare të ‘ditëve të fundit’ të këtij sistemi të paperëndishëm gjërash. (2. Timoteut 3:1-5, 13; Mateu 24:3-14) Tolerancës së Perëndisë ndaj sundimit njerëzor të pavarur prej tij si edhe ndaj ligësisë dhe vuajtjeve, po i afrohet fundi. (Danieli 2:44) Së shpejti, mjerimi më i madh që ka parë ndonjëherë kjo botë do të bjerë mbi ne, duke arritur kulmin në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16) Kjo luftë e drejtuar nga Perëndia nuk do të shkatërrojë punën e duarve të Perëndisë, tokën, por do të ‘shkatërrojë ata që shkatërrojnë dheun’.—Zbulesa 11:18.
Mbretëria Mijëvjeçare e Perëndisë
Kur Harmagedoni të ketë përfunduar, mbi tokë do të ketë miliona të mbijetuar. (Zbulesa 7:9-14) Profeca në Fjalët e urta 2:21, 22 do të jetë përmbushur: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»
Qëllimi i Perëndisë është që një periudhë e veçantë prej një mijë vjetësh të pasojë luftën e drejtë të Harmagedonit. (Zbulesa 20:1-3) Kjo do të përbëjë Mbretërimin Mijëvjeçar të Birit të Perëndisë, Krishtit Jezu, si Mbret të Mbretërisë qiellore të Perëndisë. (Mateu 6:10) Gjatë këtij sundimi gëzimsjellës të Mbretërisë mbi tokën, miliona të panumërt do të ringjallen prej gjumit të tyre të vdekjes, për t’u bashkuar me milionat e të mbijetuarve të Harmagedonit. (Veprat 24:15) Së bashku ata do të rikthehen në përsosmëri, dhe atëherë, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, toka do të jetë mbushur më në fund me burra dhe gra të përsosur, të gjithë pasardhës të Adamit dhe Evës. Qëllimi i Perëndisë do të jetë kryer në mënyrë të lavdishme dhe me sukses.
Po, qëllimi i Perëndisë është të « ‘thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’ Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ‘Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.’» (Zbulesa 21:4, 5) Është e sigurt që ky qëllim do të përmbushet në një të ardhme shumë të afërt.—Isaia 14:24, 27.
[Figura në faqen 5]
Në botën e re të Perëndisë, njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në lumturi