«Sigurisht, qielli është i lirë»!
«DËSHIRA për të fluturuar është po aq e vjetër sa njerëzimi»,—vërejti historiani Bertold Laufer në botimin Prehistoria e aviacionit (The Prehistory of Aviation). Analet e mitologjisë së lashtë greke, egjiptiane, asiriane dhe orientale përmbajnë legjenda të shumta për mbretër, perëndi dhe heronj që u përpoqën të shfrytëzonin fuqinë e fluturimit. Pothuajse në çdo rast, historitë kanë të bëjnë me njerëz që imitonin fluturimin me krahë të zogjve.
Kinezët, për shembull, tregojnë për Perandorin e mençur dhe të guximshëm Shun, i cili thuhet se jetoi më shumë se 2.000 vjet përpara lindjes së Jezu Krishtit. Sipas legjendës, Shuni e pa veten të zënë në kurth në majë të një depoje drithi në flakë, u mbështoll me pendë dhe shpëtoi duke fluturuar. Një tregim tjetër thotë se ai u hodh nga një kullë dhe përdori si parashutë dy kapele të mëdha xunkthi për të zbritur në tokë shëndoshë e mirë.
Midis grekëve ekziston historia 3.000-vjeçare e Dedalit, një artist dhe shpikës i madh, i cili ndërtoi krahë me pupla, spango dhe dyllë, në mënyrë që ai dhe i biri, Ikari, të arratiseshin nga Kreta, ku po mbaheshin të syrgjynosur. «Sigurisht, qielli është i lirë dhe andej është rruga nga do të ikim»,—deklaroi Dedali. Në fillim, krahët funksionuan shkëlqyeshëm. Por Ikari, i magjepsur nga aftësia e vet për të fluturuar përmes qiejve, fluturoi gjithnjë e më lart, derisa nxehtësia e diellit e shkriu dyllin që mbante të bashkuara krahët e tij. Djali shkoi drejt vdekjes, duke rënë në detin që ndodhej poshtë.
Histori të tilla ndezën imagjinatën e shpikësve dhe filozofëve, që dëshironin me zjarr të realizonin fluturimin e vërtetë. Qysh prej shekullit të tretë të e.s., kinezët po ndërtonin dhe po eksperimentonin me balona letre, duke treguar njëfarë kuptueshmërie të disa parimeve të aeronautikës, madje shumë kohë përpara se eksperimentime të këtij lloji të fillonin në Evropë. Në shekullin e 15-të, Xhovani da Fontana, një mjek venedikas, bëri prova me raketa të thjeshta prej druri dhe letre, që u lëshuan me anë të një shpërthimi baruti. Aty rreth vitit 1420, Da Fontana shkruante: «Unë, në të vërtetë, nuk kam asnjë dyshim se është e mundur t’i vihen një njeriu krahë që mund të lëvizen në mënyrë artificiale, nëpërmjet të cilave ai do të jetë në gjendje të ngrihet në ajër, të lëvizë nga një vend në tjetrin, t’u ngjitet kullave dhe të kapërcejë ujërat.»
Në fillim të shekullit të 16-të, Leonardo da Vinçi, një piktor, skulptor dhe inxhinier i aftë mekanik, skicoi projekte jo të plota për helikopterë dhe parashuta, si edhe për avionë pa motor që rrahin krahët. Dëshmitë tregojnë se ai ndërtoi modelet e të paktën disa prej mjeteve fluturuese që sugjeroi. Megjithatë, asnjë prej projekteve të Da Vinçit nuk ishte vërtet praktik.
Prej dy shekujve që pasuan, vijnë tregime të shumëllojshme rreth përpjekjeve të njerëzve kokëkrisur që lidhën në trupat e tyre krahë artificialë dhe u përpoqën t’i lëviznin ato, ndërsa hidheshin prej shpateve të kodrave dhe kullave. Këta, më të hershmit ‘pilotë prove’, ishin një klasë njerëzish të guximshëm dhe disi aventurierë, por përpjekjet e tyre qenë krejtësisht të pasuksesshme.
Balona me flakë dhe «ajër të djegshëm»
Në vitin 1783, nëpër Paris dhe provincat e Francës u përhap lajmi për një zbulim të madh befasues në aeronautikë. Dy vëllezër, Zhozef-Mishel dhe Zhak-Etien Montgolfie, zbuluan se duke i fryrë me ajër të nxehtë balonat e vogla prej letre, mund të bënin që ato të ngriheshin shpejt dhe me lehtësi drejt qiellit. Balona e tyre e parë me flakë me përmasa të mëdha, siç u quajt, ishte ndërtuar prej letre dhe pëlhure liri dhe u fry me tymin me erë të rëndë që vinte nga një zjarr i madh. Në fluturimin e saj të inagurimit, balona pa ekuipazh u ngrit në një lartësi prej më shumë se 1.800 metrash. Më 21 nëntor 1783, balona mbarti dy pasagjerë, të cilët publiku i mbiquajti aeronautë, për një udhëtim 25-minutësh mbi Paris. Gjatë po atij viti, një shpikës tjetër, Zhak Sharl, shpiku balonën e parë të mbushur me gaz, e cila fryhej me hidrogjen ose «ajër të djegshëm», siç u bë i njohur në atë kohë.
Ndërsa teknologjia e balonave përmirësohej, qielli filloi të bëhej me shpejtësi «i lirë» për aeronautët aventurierë. Aty nga viti 1784, balonat ngjiteshin në lartësi prej më shumë se 3.400 metrash. Vetëm një vit më pas, Zhan-Pier-Fransua Blanshar kapërceu me sukses Kanalin e La Manshit me anë të një balone me hidrogjen, e cila transportonte letrat e postës së parë ajrore të botës. Rreth vitit 1862, aeronautët kishin bërë fluturime nëpër Evropë dhe kudo në Shtetet Bashkuara dhe ia kishin dalë të arrinin lartësi prej më shumë se 8 kilometrash!
Por aeronautët e hershëm ishin ende plotësisht në mëshirë të erërave; nuk ekzistonte asnjë mënyrë për të kontrolluar drejtimin ose shpejtësinë e fluturimeve me balonë. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, zhvillimi i aerostateve të drejtueshëm, që punonin me benzinë dhe elektricitet e bëri të mundur në një shkallë më të gjerë udhëtimin ajror. Por këta aerostatë të drejtueshëm në formë suxhuku dhe më të lehtë se ajri udhëtonin ngadalë, zakonisht me 10 deri në 30 kilometra në orë. Që njeriu të mund ‘të ngrihej në ajër dhe të lëvizte nga një vend në tjetrin’, siç kishte parathënë Da Fontana, nevojitej një metodë e re.
[Figura në faqen 4]
Dedali dhe Ikari mitik
[Figura në faqen 4]
Leonardo da Vinçi
[Burimi]
Nga libri Leonardo da Vinci, viti 1898
[Figura në faqen 4]
Vëllezërit Montgolfie projektuan balonën e parë me ajër të nxehtë që mbartte pasagjerë