Muskujt—Kryevepra projekti
JETA mbahet përmes lëvizjes. Kraharori juaj, për shembull, ngrihet e ulet në çdo frymëmarrje dhe zemra rreh në mënyrë ritmike, duke ju mbajtur gjallë. Ç’gjë i shkakton këto lëvizje? Muskujt!
Muskujt janë inde të forta dhe elastike, të cilat u japin mundësi pjesëve të trupit që të funksionojnë dhe të shprehin mendimet dhe ndjenjat tuaja me veprime. Pavarësisht nëse veprimi është buzëqeshje, qeshje, qarje, bisedim, ecje, vrapim, punë, lojë, lexim ose ngrënie, në të përfshihen muskujt. Vështirë të mendoni për ndonjë gjë që bëni, në të cilën nuk përfshihet një muskul.
Në trupin tuaj gjenden rreth 650 muskuj. Më të vegjlit prej tyre fiksohen tek eshtrat më të vockla, që gjenden në vesh. Më të mëdhenjtë janë muskujt gluteus në pjesën e vitheve, të cilët vënë në lëvizje këmbët. Muskujt, që përbëjnë gati gjysmën e peshës së trupit të burrit dhe gati një të tretën e peshës së trupit të gruas, janë projektuar për të punuar. Ata janë konsideruar «motorë biologjikë» dhe siç vërente Xherald H. Polak, profesor i inxhinierisë biologjike, muskujt ‘transformojnë çdo ditë në lëvizje më shumë energji sesa të gjithë motorët e krijuar nga njeriu të marrë së bashku, përfshirë makinën’.
Madje edhe ndërsa jeni duke pushuar, muskujt qëndrojnë në gjendje gatishmërie, me një fjalë gati për t’u futur në veprim. Në çfarëdo momenti dhe në secilin muskul disa fibra janë në gjendje të tkurrur. Pa këtë tkurrje të lehtë, nofulla do të varej e hapur dhe organet e brendshme të trupit tuaj nuk do të kishin thuajse asnjë mbështetje. Madje edhe kur jeni duke qëndruar në këmbë ose ulur, muskujt bëjnë disa rregullime të vogla për t’ju ndihmuar që të mbani pozicionin e trupit ose për t’ju ruajtur që të mos rrëzoheni nga karrigia.
Llojet e muskujve
Në trup gjenden tri lloje muskujsh. Secili prej tyre kryen një punë të veçantë. Një lloj është muskuli kardiak, i cili pompon gjakun në zemër. Muskuli i zemrës pushon gjysmën e jetës së tij, sepse pas çdo tkurrjeje ai duhet të lëshohet deri në tkurrjen pasuese.
Një lloj tjetër muskuli është muskuli i lëmuar. Muskujt e lëmuar mbështjellin shumicën e organeve të brendshme, përfshirë enët e gjakut. Ashtu si muskuli i zemrës, veprimi i të cilit është i pavullnetshëm, muskujt e lëmuar nuk kontrollohen në mënyrë të vetëdijshme. Ata kryejnë funksione jetësore të tilla, si: transportimin e lëngjeve përmes veshkave dhe fshikëzës, kalimin e ushqimit përmes aparatit tretës, rregullimin e rrjedhjes së gjakut përmes enëve të tij, ndryshimin e formës së kristalinëve të syve dhe përshtatjen e hapjes së bebëzave në varësi të dritës.
Pjesa më e madhe e 650 muskujve janë muskuj skeletikë. Këta kryejnë lëvizjet e vullnetshme. Ju mësoni t’i kontrolloni këta muskuj qysh nga lindja. Një bebe, për shembull, mëson të lëvizë krahët dhe këmbët, në mënyrë që të mund të ecë dhe të mbajë ekuilibrin. Me qëllim që të mund të realizojnë një lëvizje, muskujt skeletikë punojnë në çifte. Kur njëri muskul tkurret, tjetri lëshohet. Po të mos ekzistonte ky bashkëpunim, çdo herë që do të kruanit kokën do t’ju duhej forca e rëndesës për të ulur krahun poshtë. Por në vend të kësaj, trikrerëshi, muskuli që është partneri i dykrerëshit, tkurret, duke bërë të mundur që ta drejtoni menjëherë krahun.
Muskujt ndryshojnë në madhësi dhe në formë. Disa janë të gjatë dhe të hollë, të tillë si muskujt gjysmëdellorë të këmbës. Disa të tjerë janë të mbushur dhe të dendur, të tillë si muskujt gluteus në pjesën e vitheve. Të gjithë janë projektuar për t’ju dhënë mundësi të lëvizni. Kafazi i kraharorit do të ishte joelastik, po të mos ishin muskujt që mbushin hapësirat ndërmjet brinjëve. Këta muskuj bëjnë të mundur që paretet e kraharorit të lëvizin si fizarmonikë, duke ju ndihmuar të merrni frymë. Shumë ngjashëm fletëve të kompensatës, muskujt e barkut janë organizuar në shtresa të vendosura në kënde të ndryshme, për të mos lejuar që organet e brendshme të rrëshqasin.
Bashkëpunimi muskul-tendin
Muskujt, të cilët vendosen pranë kockave, fiksohen në to me anë indesh të forta, si kordona të bardhë, që quhen tendine. Tendinet shtrihen thellë në brendësi të muskujve dhe lidhen me indin lidhor që rrethon fibrën muskulore. Indi lidhor bën të mundur që forcat e prodhuara brenda muskujve të tërheqin tendinin dhe të vënë në lëvizje kockat. Tendini më i fuqishëm, tendini i Akilit, fiksohet në njërin prej muskujve më të fortë të trupit tuaj, në atë që ndodhet në pulpën e këmbës. Muskujt e pulpës veprojnë si amortizatorë të trupit. Kur ecni, vraponi ose hidheni ata përballojnë shtypje prej më shumë se një ton.
Zhdërvjelltësia e dorës është një shembull tjetër i bashkëpunimit muskul-tendin. Njëzet çifte muskujsh që gjenden në parakrah kapen në kockat shumënyjëshe të dorës dhe të gishtave me anë tendinesh të gjata, të cilat kalojnë nën një brez fijëzor në kyçin e dorës. Këta muskuj së bashku me 20 të tjerë që përshkojnë pëllëmbën e dorës dhe gishtat i japin dorës suaj shkathtësinë e habitshme që nevojitet për të montuar ingranazhet delikate të një ore të shkëlqyer ose për të shtrënguar bishtin e sëpatës që të pritni dru.
Më shumë se 30 muskuj në fytyrë
Fytyra, më shumë nga çdo tipar tjetër i trupit, shpreh personalitetin tuaj. Për t’ju pajisur me një shumëllojshmëri shprehjesh të fytyrës, Krijuesi ka vendosur në të një përqendrim të madh muskujsh: gjithsej më shumë se 30. Vërtet, vetëm që të arrini të buzëqeshni duhen 14 muskuj!
Disa muskuj të fytyrës janë të fuqishëm, të tillë si ata që fiksohen në nofull, të cilët ushtrojnë një fuqi prej 75 kilogramësh për të përtypur ushqimin. Disa të tjerë janë delikatë, por prapëseprapë rezistentë, si për shembull muskujt që kontrollojnë përpëlitjen e qepallave, duke i lagur sytë me lëng që largon papastërtitë dhe mikrobet më shumë se 20.000 herë në ditë.
Projekt i habitshëm
Çdo muskul është projektuar për t’u tkurrur me lehtësi. Muskujt skeletikë duhet t’i përshtatin tkurrjet e tyre, në mënyrë që kur ngremë një pupël të mos përdorim të njëjtën forcë si në rastin kur ngremë një peshë prej 10 kilogramësh. Si arrihet kjo gjë? Le ta shohim.
Të gjithë muskujt përbëhen nga qeliza. Ngaqë janë të zgjatura, qelizat muskulore quhen fibra. Disa fibra kanë ngjyrë më të çelët, disa ngjyrë më të errët. Ato me ngjyrë më të çelët janë fibra me tkurrje të shpejtë ose me dridhje të shpejtë. Këto fibra vihen në përdorim kur nevojitet një sasi e madhe energjie për një kohë të shkurtër, si në rastin kur ngremë një ngarkesë të rëndë ose kur bëjmë një garë vrapimi 100-metërshe. Fibrat muskulore me dridhje të shpejtë janë të fuqishme dhe burimi i energjisë që i furnizon është glikogjeni, një lloj sheqeri. Gjithsesi, ato lodhen shpejt dhe madje mund të pësojnë ngërçe ose të dhembin, për shkak të një grumbullimi të acidit laktik.
Fibrat muskulore me ngjyrë më të errët janë fibra me tkurrje të ngadaltë ose me dridhje të ngadaltë. Ato vihen në lëvizje me anë të metabolizmit të oksigjenit. Duke qenë se furnizohen më me bollëk me gjak dhe kanë më shumë energji aerobe sesa fibrat me tkurrje të shpejtë, fibrat me dridhje të ngadaltë «janë kordat e qëndrueshmërisë».
Një lloj tjetër fibre është pakëz më i errët nga fibrat ngjyrëçelët me tkurrje të shpejtë. Kjo fibër është e ngjashme me to, por i reziston lodhjes. Duke qenë se si lëndë djegëse shfrytëzon me lehtësi si sheqerin, ashtu edhe oksigjenin, ka të ngjarë që ky lloj përfshihet kur bëni punë të rëndë për një kohë të gjatë.
Në çdo person, brenda muskujve të ndryshëm, ekziston një përzierje e këtyre llojeve të fibrave. Vrapuesit e distancave të gjata, për shembull, mund të kenë mesatarisht 80 për qind fibra me dridhje të ngadaltë në muskujt e këmbës, ndërsa vrapuesit e distancave të shkurtra mund të kenë mesatarisht më shumë se 75 për qind fibra të llojit me dridhje të shpejtë.
Të aktivizuar nga nervat
Të gjitha fibrat muskulore aktivizohen nga nervat. Kur nervat dërgojnë impulse në muskujt tuaj, këta përgjigjen me një dridhje ose tkurrje. Megjithatë, jo të gjitha fibrat muskulore të një muskuli tkurren menjëherë. Përkundrazi, fibrat muskulore janë të organizuara në njësi lëvizore. Në një njësi lëvizore fiksohet një nerv i vetëm që kontrollon shumë fibra.
Disa njësi lëvizore, të tilla si ato në muskujt e këmbës, përbëhen prej më shumë se 2.000 fibrash që kontrollohen nga një nerv i vetëm. Por njësitë lëvizore që ndodhen në sy kontrollojnë vetëm tri fibra secila. Pasja e një grupi më të vogël fibrash në një njësi dhe e më shumë njësive për çdo muskul jep mundësi për lëvizje më të koordinuara dhe më të përpikta, të tilla si ato që nevojiten për të shkuar perin në gjilpërë ose për të luajtur në piano.
Kur ngrini një pupël, tkurren vetëm disa njësi lëvizore. Kur ngrini një objekt të rëndë, disa pjesë të veçanta ndjesore dërgojnë në tru një sinjal me shpejtësinë e dritës dhe nxitin për veprim njësi të tjera lëvizore, duke rritur kështu forcën që përdorni për të ngritur ngarkesën. Kur ecni ngadalë, aktivizohen vetëm disa njësi lëvizore. Ndërsa kur vraponi, stimulohen shumë më tepër njësi dhe me një frekuencë më të madhe.
Muskuli i zemrës ndryshon prej muskulit skeletik nga fakti që tkurret sipas ligjit të gjithçkasë ose asgjësë. Kur stimulohet një qelizë e muskulit të zemrës, sinjali përhapet në të gjitha qelizat dhe ato nxiten të tëra menjëherë, duke bërë që krejt muskuli të tkurret dhe pastaj të lëshohet, gjë që ndodh rreth 72 herë në minutë.
Muskujt e lëmuar veprojnë në një mënyrë shumë të ngjashme me atë të muskulit të zemrës, domethënë sapo fillon tkurrja, tkurret krejt organi. Por muskujt e lëmuar mund të mbeten të tkurrur pa u lodhur për një kohë më të gjatë sesa muskujt e zemrës. Muskujt e lëmuar vështirë se e bëjnë të ditur praninë e tyre, me përjashtim të rasteve kur përjetohen dhembjet e urisë ose tkurrjet e forta të lindjes.
Mbajini muskujt në formë
«Stërvitja ndihmon tërë trupin, brenda dhe jashtë. . . . Muskujt e stërvitur rregullisht kryejnë një punë më të mirë në çdo drejtim»,—pohon libri Muskujt: Magjia e lëvizjes (Muscles: The Magic of Motion). Stërvitja krijon një dinamizëm të mirë muskulor, i cili përforcon më mirë organet e brendshme dhe i ndihmon muskujt që t’i rezistojnë lodhjes.
Për muskujt janë të dobishme dy lloje stërvitjesh. Stërvitja anaerobe, gjatë së cilës ngrihen çdo ditë pesha për një kohë të shkurtër, forcon muskujt. Muskujt më të fortë jo vetëm që lënë rezervë më shumë sheqer dhe acide yndyrore, por edhe i konsumojnë këto lëndë djegëse me më shumë efektshmëri, gjë që i ndihmon muskujt t’i rezistojnë lodhjes.
Format aerobe të stërvitjes të tilla, si: vrapimi i lehtë, noti, ngarja e biçikletës ose ecja sportive ndihmojnë për të mbajtur në formë gjithë trupin. Kjo lloj stërvitjeje qëndrueshmërie shton rrjedhjen e gjakut drejt muskujve dhe rrit numrin e mitokondrive, të cilat prodhojnë ATP-në, komponimin e energjisë, që nevojitet për të realizuar tkurrjen e muskujve. Zemra përfiton në mënyrë të veçantë nga kjo lloj stërvitjeje, e cila mund të ndihmojë madje edhe që të parandalohet një atak në zemër.
Mbledhja dhe shtrirja e muskujve para se të bëni stërvitje energjike mund të ndihmojë që të parandaloni ndrydhjen ose dëmtime të tjera të muskujve. Ushtrime të tilla nxehjeje bëjnë që të qarkullojë më shumë gjak në muskuj, ngrenë temperaturën e muskujve, gjë që, nga ana e saj i ndihmon enzimat të prodhojnë më shumë energji, duke u dhënë mundësi muskujve të tkurren më mirë. Qetësimi me të njëjtat ushtrime me të cilat bëtë nxehjen ndihmon të parandalohen dhembjet dhe ngurtësimi i muskujve duke larguar acidin laktik që është grumbulluar.
Megjithatë, duhet vërejtur që me anë të ushtrimeve tepër energjike mund të dëmtoni muskujt skeletikë, sidomos nëse nuk jeni të stërvitur. Gjithashtu, nëse ushtroni një presion shumë të madh në muskuj me anë të shtrirjeve të përsëritura zgjatëse, siç mund të ndodhë kur ulni me ngadalë një ngarkesë të rëndë ose kur vraponi teposhtë, mund të këputni fibrat muskulore. Edhe një këputje e vogël që vjen si pasojë e tendosjes mund të shkaktojë spazma të dhimbshme muskulore dhe mahisje.
Tregoni kujdes për muskujt tuaj. Jepuni atyre sasinë e duhur të stërvitjes dhe të çlodhjes, në mënyrë që të mund të vazhdojnë t’ju shërbejnë si një pajisje e projektuar mirë, ‘motori më i mirë’ i trupit tuaj.
[Diçitura në faqen 20]
Në trupin tuaj gjenden rreth 650 muskuj. Më të mëdhenjtë janë muskujt gluteus në pjesën e vitheve, të cilët vënë në lëvizje këmbët
[Kutia në faqen 24]
Muskujt dhe të ushqyerit
Të ushqyerit e mirë është një faktor kyç për t’i mbajtur muskujt të shëndetshëm. Ushqimet e pasura me kalcium, si për shenbull bulmetrat dhe me kalium, të tilla si bananet, agrumet e frutat e thata, si edhe perimet me ngjyrë të verdhë të mbyllur, arrat, bajamet, lajthitë dhe farërat ndihmojnë në rregullimin e tkurrjeve muskulore. Buka e zezë dhe drithërat sigurojnë hekur dhe vitamina B-kompleks, veçanërisht vitaminë B1, e cila është thelbësore për shndërrimin e karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave në karburantin e energjisë të nevojshëm për muskujt. Pirja e një sasie të madhe uji jo vetëm që ju ndihmon të ruani ekuilibrin elektrolitik, por edhe largon acidin laktik e produkte të panevojshme që mund ta vështirësonin funksionimin e muskulit.
[Kutia dhe diagrami në faqet 22, 23]
MREKULLIA E TKURRJES MUSKULORE
Funksionimi i një muskuli mund të duket i thjeshtë. Por mekanizmi i tkurrjes është i mahnitshëm. Profesor Xherald H. Polak thotë: «Nuk kam mundur veçse të ndalem i mahnitur përpara artit të projektit të natyrës. Shndërrimi i energjisë kimike në energji mekanike kryhet në një mënyrë kaq mjeshtërore, madje të vjen të thuash në një mënyrë kaq inteligjente, sa njeriu mbetet i mrekulluar.»
Le të përdorim një mikroskop elektronik për të parë veprimin e ndërlikuar të tkurrjes muskulore dhe të mësojmë më shumë rreth kësaj kryevepre të projektit të bërë nga Krijuesi ynë.
Çdo qelizë muskulore ose fibër është në të vërtetë një tufë fibrash më të vogla që quhen miofibrile, të cilat vendosen në mënyrë paralele. Çdo miofibril përmban mijëra miofilamente më të holla. Disa miofilamente janë më të trasha, disa më të holla. Miofilamentet më të trasha përmbajnë miozinë, ndërsa më të hollat përmbajnë aktinë, proteina që ndihmojnë në tkurrjen e qelizës muskulore.
Në sipërfaqen e secilës fibër muskulore ndodhet një zgavër. Atje përfundon dhe zë vend fija nervore, e cila degëzohet prej shtyllës kurrizore. Muskujt tanë hidhen në veprim kur truri jep urdhrin dhe kur sinjali, i cili transmetohet përmes miliona qelizash nervore të sistemit nervor qendror, arrin në mbaresën nervore. Pas nxitjes së çdo mbarese nervore çahen më shumë se 100 fshikëza të vockla, duke derdhur jashtë një substancë kimike, e cila kur bie në kontakt me membranën e qelizës muskulore, përforcon impulsin nervor. Kjo gjë vë në veprim një varg veprimtarish elektrike që stimulojnë krejt qelizën muskulore, duke bërë që membrana qelizore të çlirojë jone kalciumi me ngarkesë elektrike, të cilat i japin shtysë procesit mekanik të tkurrjes.
Jonet e kalciumit përhapen tani nëpërmjet një rrjeti tubthash të hollë në krejt fibrën muskulore dhe lidhen me proteina të ndryshme. Në njëfarë mënyrë, veprimi i kalciumit mbi këto proteina bën që disa qendra të mbrojtura të proteinës përgjatë boshtit të filamentit të hollë të aktinës të mbeten të pambrojtura ose të zbuluara.
Në të njëjtën kohë vihen në lëvizje çifte kokash të rrumbullakëta, të kurorëzuara me një komponim me energji të lartë që quhet ATP, të cilat zgjaten prej filamenteve më të trasha të miozinës. Njëra kokë e filamentit të miozinës lidhet me njërën prej qendrave aktive tashmë të zbuluara të filamentit të aktinës, duke formuar një urë bashkimi. Koka tjetër zbërthen ATP-në dhe liron energji të mjaftueshme që ura e bashkimit ta tërheqë a ta rrëshqasë filamentin e aktinës përgjatë ose mbi filamentin e miozinës. Ashtu si një skuadër që vepron dorë pas dore për të tërhequr një litar, kokat e miozinës shkëputen dhe fiksohen përsëri më tej në boshtin e aktinës, duke e shtyrë gjatë gjithë kohës filamentin e aktinës drejt qendrës së filamentit të miozinës. Ky veprim përsëritet derisa realizohet tkurrja. Të tëra veprimet zinxhir ndodhin brenda vetëm pak të mijëtave të sekondës!
Me realizimin e tkurrjes, kalciumi tërhiqet drejt vendburimit të vet në membranën e qelizës muskulore, qendrat e zbuluara në boshtin e filamentit të aktinës mbulohen edhe një herë dhe fibra muskulore lëshohet derisa të marrë përsëri nxitje. Vërtet, ‘jemi bërë mrekullisht në një mënyrë që të ngjall frikë’!—Psalmi 139:14, BR.
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Muskujt tanë janë në të vërtetë shtresa tufash fibrash njëra mbi tjetrën
Miofilamente të trasha dhe të holla (shumë të zmadhuara)
Miofibril
Tufë miofibrilesh
Muskul
Fibër muskulore
[Figura në faqen 21]
(I zmadhuar 2X)
Muskujt më të vegjël fiksohen tek eshtrat më të vockla, që gjenden në vesh
[Figura në faqen 21]
Vetëm që të arrini të buzëqeshni duhen 14 muskuj!
[Figura në faqen 21]
Muskujt bëjnë të mundur që t’i përpëlitni qepallat më shumë se 20.000 herë në ditë
[Figura në faqen 24]
Muskuli i zemrës tkurret dhe lëshohet rreth 72 herë në minutë ose 2,6 miliardë herë gjatë një jetëgjatësie mesatare
[Figura në faqen 24]
Stërvitje anaerobe
[Burimet e figurave në faqen 20]
Njeriu, f. 20; syri, f. 21; zemra, f. 24: The Complete Encyclopedia of Illustration/ J. G. Heck