A duhet ta bëni këtë lloj analize?
Shoqata Watch Tower nuk jep sugjerime dhe as nuk bën vendime lidhur me praktikat mjekësore dhe diagnostike të personave. Megjithatë, kur disa praktika kanë aspekte që janë të diskutueshme nën dritën e parimeve biblike, mund ta drejtojë vëmendjen tek ato. Kështu, gjithkush mund ta mendojë mirë çështjen dhe të vendosë se si të veprojë.
Të dashur vëllezër: Do të doja të merrja mendimin tuaj lidhur me një çështje. Një [grua] që shëron duket se ka sukses kur bën shërime, por metoda që ajo përdor disi më bën të dyshoj. . . . E viziton pacientin dhe përcakton sëmundjen. Pastaj, për të gjetur llojin e ilaçit dhe në ç’dozë duhet përdorur, ajo vë një shishe ilaçi ngjitur me lëkurën pranë një gjëndre apo një organi. Ia ngre krahun lart pacientit dhe përpiqet ta ulë. Lloji i ilaçit dhe doza përcaktohet në bazë të forcës që i duhet asaj për të ulur krahun. Kjo teori lidhet me elektronet, të cilët ngjashëm një rryme elektrike kalojnë përmes kapakut metalik të shishes nga ilaçi në një pjesë të trupit, duke e forcuar atë. A është e ngjashme me kërkimin e ujit në mënyrë magjike?
KJO letëra vjen nga Oregoni, SH.B.A. dhe bën fjalë për një praktikë që përdorin disa për të përcaktuar nevojat ushqimore, për të vlerësuar gjendjen emocionale, kujtesën dhe për të zgjidhur problemet e jetës së përditshme. Pavarësisht se sa e zakonshme është kjo praktikë, a janë të justifikueshme dyshimet e atij që na ka shkruar?
Shëndeti—Me çfarë çmimi?
Që në kohët e lashta, njerëzit janë përpjekur të kuptojnë përse sëmuren dhe si të shërohen. Izraelitët kishin një përparësi, sepse e dinin se ishin mëkatarë dhe Perëndia u kishte dhënë ligje për të parandaluar prekjen nga këto sëmundje dhe përhapjen e tyre. (Levitiku 5:2; 11:39, 40; 13:1-4; 15:4-12; Ligji i përtërirë 23:12-14) Megjithatë, edhe shërbëtorët e Perëndisë u drejtoheshin për ndihmë mjekëve të kualifikuar të kohës së tyre.—Isaia 1:6; 38:21; Marku 2:17; 5:25, 26; Luka 10:34; Kolosianëve 4:14.
Çfarë ndryshimi me popullin e Babilonisë dhe Egjiptit të lashtë! «Mjekët» e tyre kishin disa mënyra shërimi bazuar në elemente natyrore. Megjithatë, shumë prej «kurave» të tyre, në ditët tona do të përshkruheshin si palaçollëqe. Një hieroglif egjiptian flet për një mjek që kuronte verbimin me një ilaç të ndyrë të përgatitur me sy derrash, antimon, okër të kuqe dhe mjaltë. Më pas, përzierja hidhej në veshin e të sëmurit! Një dëshmi e lashtë pohonte se kjo kurë ishte «vërtet e mrekullueshme». Çudia dhe misteri i kësaj kure e bënin akoma më tërheqëse atë.
Shpesh babilonasit dhe egjiptianët thërritnin për ndihmë fuqitë e mbinatyrshme.b Një prift-mjek mund t’i kërkonte pacientit të frynte në vrimat e hundës së një deleje, me mendimin se ndonjë forcë apo energji do të kalonte nga pacienti tek kafsha dhe të linte ndonjë pasojë. Delja vritej dhe mendohej se mëlçia e saj zbulonte sëmundjen e pacientit dhe të ardhmen e tij.—Isaia 47:1, 9-13; Ezekieli 21:21.
Sigurisht, në Izraelin e lashtë një mjek me frikë Perëndie nuk do përdorte praktika spiritiste. Me mençuri Perëndia kishte urdhëruar: «Të mos gjendet midis teje . . . as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji . . . sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.» (Ligji i përtërirë 18:10-12; Levitiku 19:26; 20:27) E njëjta gjë aplikohet edhe sot me shërbëtorët e krishterë të Perëndisë. Prandaj, është mirë të tregohet kujdes.
Vitet e fundit, shumë njerëz e kanë kthyer vëmendjen drejt teknikave diagnostike dhe kurave «alternative». Në themel kjo ka të bëjë me një vendim personal. (Mateu 7:1; krahaso Romakëve 14:3, 4.) Por, pa dyshim, duhet thënë se nëse një i krishterë shqetësohet kaq shumë për çështjet e diskutueshme të shëndetit, mund të zbehë shërbimin që është e vetmja mënyrë e sigurt për të shpëtuar jetën. (1. Timoteut 4:16) Bibla nuk thotë se në botën e re sëmundjet do të shërohen dhe shëndeti i mirë do të arrihet me mjete mjekësore, barëra, dieta dhe regjime kurative. E vërteta është se shëndeti i plotë do të sillet vetëm përmes faljes së mëkatit në bazë të sakrificës shpërblerëse të Jezuit.—Isaia 33:24; Zbulesa 22:1, 2.
Cilat forca përfshihen?
Çfarë duhet të ketë parasysh një i krishterë, para se të vendosë personalisht lidhur me provën muskulare të përmendur më parë?
Disa mënyra të matjes së fuqisë apo reagimit të muskujve, janë pjesë e mjekimit tradicional dhe pak njerëz do ta vinin në dyshim vlerën e tyre. Për shembull, poliomieliti mund t’i dobësojë muskujt dhe terapia përkatëse mund lidhet me atë që quhet kinesiologji—«studimi i muskujve dhe i lëvizjeve muskulare». Kjo kinesiologji përdoret edhe në terapinë e riaftësimit të viktimave nga hemoragjia cerebrale. Shumica e njerëzve do të arrinin ta kuptonin se ç’do të thonë kura të tilla.
Por, ç’mund të themi për analizën muskulare të përmendur në letrën në fillim të artikullit? Kjo lloj «kinesiologjie» është përdorur në një përpjekje për të kuptuar nëse disa ushqime, barëra dhe vitamina e ndihmojnë apo e dëmtojnë mirëqenien e një personi. Siç praktikohet shpesh, personi shtrin krahun dhe shëruesi e shtyn me forcë poshtë për të parë forcën e muskujve. Pastaj, personit i vihet një substancë ushqyese apo diçka tjetër në gojë, në bark ose në dorën e tij. Pastaj, provohen përsëri muskujt. Thuhet se po të ketë nevojë për këtë ushqim, krahu i tij do të bëhet më i fortë; nëse i bën keq, muskujt do të dobësohen.c
Disa që e kanë provuar këtë metodë mendojnë se vepron dhe se pasoja bazohet në forcat e brendshme të trupit. Ata mendojnë se ka shumë gjëra që shkenca moderne nuk mund t’i shpjegojë, por që ndodhin ose mund të vërehen. Kështu, ata mendojnë se mund të ketë kanale energjie ose bashkëveprimi ndërmjet forcave dhe substancave, megjithëse mjekët akoma nuk i kanë zbuluar apo pranuar ato.
Nga ana tjetër, libri Applied Kinesiology deklaron: «Shpeshherë [librat] mësojnë se substancat kimike si ato ushqimore mund të peshohen duke i mbajtur në dorë dhe duke provuar muskulin. Nuk ka asnjë dëshmi që sugjeron ndonjë besueshmëri në këtë lloj prove. . . . Një qëndrim filozofik i bindjeve të shëruesit mbi meritën e një substance të caktuar ushqimore mund të jetë kaq e fuqishme, saqë paragjykimet e tij mund të pengojnë marrjen e informacionit të saktë përmes analizës.» «Një ekspert me përvojë në analizën udhëzuese të muskujve, fare lehtë mund të bëjë vetë që muskuli i pacientit të duket i dobët apo i fuqishëm, thjesht duke e ndryshuar . . . analizën fare pak.»
Kujdes!
Megjithatë, disa prova mbi muskujt përfshijnë edhe aspekte të tjera. Vëre atë që quhet «analiza zëvendësuese». Kjo metodë mund të praktikohet në rastin e një të moshuari apo një bebeje shumë të dobët për të përballuar analizën. Ndërkohë që një person ndërmjetës prek beben, shëruesi mat krahun e ndërmjetësit. Kjo provë është përdorur edhe tek kafshët shtëpiake; provohet krahu i ndërmjetësit ndërkohë që ai e mban dorën mbi një qen stani skocez, qen gjerman ose ndonjë kafshë tjetër të sëmurë.
Nuk na takon neve të japim mendimin tonë për këto veprime, por mund të pyesësh: «A qëndrojnë forcat e trupit pas gjithë këtyre pasojave?» Shkencëtarët kanë vërtetuar ekzistencën e rrezeve kozmike, mikrovalëve dhe llojeve të ndryshme të rrezatimit elektromagnetik. Por, a kanë të gjitha krijesat, madje edhe fëmijët dhe kafshët shtëpiake forca brenda tyre që mund të dalin nga trupi e t’i lënë pasojat e analizës në një person të dytë? Babilonasit mendonin se forcat mund të dilnin nga trupi e t’i linin pasojat në një dele. Kështu, mund të pyesësh veten: «A besoj se e njëjta gjë mund të ndodhë me njerëzit dhe kafshët sot? Apo këto pasoja mund të shpjegohen ndryshe?»
Disa shërues thonë se mund ta matin «forcën» e një personi me mjete të tilla, si spiralet metalike ose me lavjerrës. Mendohet se ato lëvizin, kur «fusha energjitike» e shëruesit bashkëvepron me atë të pacientit. Një shëruese dhe autore në këtë fushë, që më parë merrej me kërkimet shkencore, e përcakton diagnozën duke përdorur lavjerrësin. Ajo thotë, gjithashtu, se mund të shohë «fushën energjitike të njeriut» dhe flladin me ngjyrë që mund të rrethojë individët. Ajo thotë se përdor «shikimin në brendësi» për të parë në brendësi të trupit tumoret, qelizat e gjakut apo mikrobet dhe për të lexuar të kaluarën.d
Siç kemi thënë më parë, forcat matëse përmes fuqisë së krahut janë përdorur edhe si analizë për ndjenjat. Një libër shumë i përhapur, thotë: «Nëse dëshironi të bëni një analizë të vogël mbi ndjenjat në të njëjtën kohë, pyetni me zë: ‘A ke ndonjë problem’ dhe përsërit analizën. Ndonjëherë krahu do të rezultojë i dobët, kur ushqimi i përdorur për t’i bërë analizën pacientit është i varfër.» Disa e përdorin këtë analizë «për të përcaktuar moshën në të cilën do të ndodhin traumat fizike, emocionale dhe frymore». Përdoret edhe për të vendosur «po apo jo» në çështjet e përditshme.
Ndoshta, shumë njerëz që e bëjnë këtë lloj analize (kinesiologjinë) do të thoshin se praktika e tij ndryshon nga ajo që përshkruhet zakonisht, se nuk ka të bëjë me spiritizmin apo se nuk bëjnë analiza në lidhje me ndjenjat. Megjithatë, a bazohet ajo që ata bëjnë tek besimi në forcat e brendshme të trupit të njeriut të cilat mund të provohen apo të shihen vetëm nga disa njerëz, të cilët pohojnë se kanë fuqi të jashtëzakonshme?
Të krishterët nuk i nënvlerësojnë këto faktorë. Perëndia e këshilloi Izraelin: «Nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.» (Isaia 1:13) Kur ky komb u bë apostat, ata ‘praktikonin shortarinë dhe interpretuan shenjat e këqija’. (2. Mbretërit 17:17; 2. Kronikat 33:1-6) Me sa duket kërkonin informacion përmes riteve të veçanta dhe pastaj thoshin «atë që ishte magjike».—Zaharia 10:2, BR.
Disa analiza muskulare mund të jenë të parrezikshme dhe nuk paraqesin asnjë dëm, as për pacientin dhe as për shëruesin. Megjithatë, është e qartë se disa mund të kenë aspekte magjike apo të mbinatyrshme të tilla, si shikimi në brendësi të diçkaje dhe të flladit misterioz apo përdorimi i lavjerrësit. Të krishterët nuk duhet të ushtrojnë fuqi magjike. Ata as nuk duhet t’i eksperimentojnë gjëra të tilla, sepse nuk janë kureshtarë për gjërat e thella të Satanait. (Zbulesa 2:24) Përkundrazi, ka arsye të forta për të patur kujdes lidhur me çdo gjë që mund të duket se ka të bëjë me praktika spiritiste, të cilat Fjala e Perëndisë i dënon.—Galatasve 5:19-21.
Për çdo gjë që bën, shëruesi e mban përgjegjësinë vetë dhe nuk na takon neve të analizojmë apo gjykojmë çdo gjë që dikush thotë apo bën. Edhe nëse mendon se disa nga këto praktika kanë të bëjnë me fuqi magjike, është e qartë se shumë i provuan ato pa e ditur dhe pa u rënë ndër mend se mund të përfshiheshin në spiritizëm. Mund të ketë qenë vetëm një shfaqje e dëshirës së tyre të dëshpëruar për shëndet të mirë. Megjithatë, disa që janë përfshirë në këto praktika, kanë kuptuar më vonë se çdo përfitim fizik nuk ia vlente duke pasur parasysh rrezikun frymor.
E përsëritim prapë se çdo individ duhet të vendosë vetë se ç’duhet të bëjë në lidhje me çështjet e tij personale. Megjithatë, të krishterët duhet të kujtojnë këshillën e Perëndisë: «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Kjo vlen edhe për disa terapi apo teknika diagnostike lidhur me shëndetin.
Satanai mezi pret rastin për të larguar shërbëtorët e Perëndisë nga adhurimi i vërtetë. Djalli do të ishte shumë i gëzuar sikur t’ia arrinte këtij qëllimi duke i kënaqur të krishterët me interesa të tjera. Ai do të jetë akoma më i gëzuar, po të kënaqeshin me gjëra që janë apo duken se janë praktika magjike që mund t’i tërheqin në spiritizëm.—1. Pjetrit 5:8.
Megjithëse të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, qëndrimi i Perëndisë Jehova ndaj praktikave të mbinatyrshme nuk ka ndryshuar. Siç vërehet më lart, Perëndia i urdhëroi izraelitët që «as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji» të mos gjendej midis tyre. «Të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti . . . Ti do të jesh i përkryer para Zotit, Perëndisë tënd.»—Ligji i përtërirë 18:10-13.
Prandaj, sa e mençur është që të krishterët sot të veshin «gjithë armaturën e Perëndisë . . . sepse beteja jonë [është] . . . kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore»!—Efesianëve 6:11, 12.
[Shënimet]
a Pyetja në lidhje me kërkimin e ujit, bën fjalë për një praktikë magjike sipas së cilës kërkohen burimet e ujit me anë të një shkopi të shtrirë përpara.
b Shumë njerëz edhe sot e kësaj dite konsultohen me shtriganë, doktorë magjistarë dhe shërues të tillë. Një shtrigan është «një prift që përdor magjinë për të kuruar të sëmurët, për të zbuluar të fshehtat dhe për të pasur nën kontroll ngjarjet». Një shtrigan apo një magjistar mund të ndërthurë përdorimin e barërave me praktika spiritiste (duke iu lutur fuqive misterioze). Një i krishterë i kujdesshëm dhe besnik duhej ta ruante veten që të mos përfshihej në spiritizëm, madje edhe nëse dukej se mund të shërohej.—2. Korintasve 2:11; Zbulesa 2:24; 21:8; 22:15.
c Ky është një përshkrim i përgjithshëm, por procesi i analizës mund të ndryshojë. Për shembull, pacientit mund t’i kërkohet të bashkojë gishtin e madh të dorës me gishtin tregues dhe shëruesi përpiqet t’i ndajë.
d Kjo grua shkruan: «Si ndodhin këto ngjarje në dukje të mrekullueshme? Procesi që unë përdor quhet vënia e duarve, shërim nga besimi dhe shërim frymor. Nuk është aspak diçka misterioze, por përkundrazi diçka e drejtpërdrejtë . . . Gjithsecili ka një fushë energjitike apo një fllad që e rrethon dhe depërton në brendësi të trupit fizik. Kjo fushë energjitike shoqërohet në mënyrë intime me shëndetin. . . . Perceptimi i lartë i ndjenjave është një lloj ‘shikimi’ që të lejon të dallosh një imagjinatë në nivel mendor, pa përdorur shikimin normal. Nuk bëhet fjalë për imagjinatë. Shpesh quhet shikim i mprehtë.»