Disfatë e hidhur për Kserksin
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GREQI
UDHËTARI që nuk e di historinë e vendit, magjepset nga burimet e ujërave termale dhe nga gejzerët që nxjerrin gaze squfuri. Ai mund të çuditet kur të mësojë se rrafshnalta bregdetare, e cila në këtë pikë ku ndodhemi quhet Termopile, që do të thotë «Portat e Nxehta», një herë e një kohë ishte një rrip toke pothuajse i pakalueshëm. Por ai mund të magjepset edhe më shumë kur të kuptojë se në këtë vend, si edhe pak më në jug, në ishullin e Salaminës, mund të gjejë dëshmi konkrete të saktësisë së dallueshme të profecive të Biblës.
Vërtet, po të shihen në retrospektivë dhe duke pasur parasysh përmbushjen e tyre, hollësitë e disa profecive që gjenden në librin biblik të Danielit, të cilat lidhen me këto zona, janë thjesht mahnitëse. Ato sigurojnë një provë bindëse se Bibla është Fjala e Perëndisë. Në kapitullin 11 të Danielit, gjejmë një shembull që të lë mbresë. Informacioni profetik iu dha Danielit «gjatë vitit të parë të Darit, medasit», rreth vitit 538 p.e.s. (Danieli 11:1) Por përmbushja e asaj që u zbulua në atë kohë, përfshiu një periudhë prej shumë shekujsh.
Në Danielin 11:2 profetizohet lidhur me njëfarë mbreti pers: «Ja, në Persi do të dalin akoma tre mbretër, por i katërti do të bëhet shumë më i pasur se të gjithë të tjerët; kur të jetë bërë i fortë për shkak të pasurive të tij, do të ngrejë të tërë kundër mbretërisë së Javanit [Greqisë, BR].»
Pas Kirit II, Kambisit II dhe Darit I, ‘mbreti i katërt’ në fakt ishte Kserksi I, që nga sa duket, është Asueri i përmendur në librin biblik të Esterës. A ndodhi vërtet që ai ‘i ngriti të tërë kundër mbretërisë së Greqisë’ dhe nëse po, cili qe rezultati?
Kserksi: Një pushtues i vendosur
Kserksit iu desh të përballonte pasojat e disfatës së forcave ushtarake të babait të tij, Darit, në Maratonë.a Kështu, vitet e para të mbretërimit të tij Kserksi i kaloi duke shtypur revoltat në perandorinë e tij, si edhe duke u bërë «i fortë për shkak të pasurisë së tij».
Gjithsesi, Kserksit nuk i shqitej nga mendja pushtimi i Greqisë, për të cilin e kishin nxitur oborrtarët e tij ambiciozë. Prandaj, duke filluar në vitin 484 p.e.s., për tre vjet ai mblodhi nga të gjitha krahinat e satrapëve dhe shtetet nën kontrollin pers, një nga ushtritë që thuhet se ka qenë më e madhja mbi tokë. Sipas historianit grek, Herodotit, po të mblidhej së bashku potenciali i forcave tokësore dhe detare të Kserksit, dilte një shifër e pabesueshme prej 2.641.610 luftëtarësh.b
Ndërkohë, grekët filluan të përgatiten sipas mënyrës së tyre. Edhe pse ishin njerëz të detit, atyre u mungonte potenciali detar. Por tani, duke iu përgjigjur kërcënimit të sulmit të furishëm të persëve dhe orakullit nga Delfi që i kishte udhëzuar të mbroheshin me «mure të drunjta», athinasit filluan të ndërtonin një flotë luftimi.
Në minierat shtetërore të Lauriumit ishte zbuluar një shtresë e pasur argjendi dhe Themistokliu, një politikan i shquar athinas, e bindi kuvendin e popullit që i gjithë fitimi nga këto miniera të përdorej për të ndërtuar një flotë me 200 trirema. Pas njëfarë ngurrimi fillestar, Sparta udhëhoqi formimin e Lidhjes Helenike, të përbërë nga 30 qytet-shtete greke.
Ndërkohë, Kserksi po i drejtonte forcat e tij agresive e shkatërrimtare për në Evropë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë. Ushqimi do të sigurohej nga qytetet përgjatë rrugës, me një kosto prej 400 talentash ari në ditë vetëm për një vakt që hante e gjithë ushtria. Muaj më përpara ishin dërguar zyrtarë që të përgatitnin drithëra, gjedhë dhe pula për tryezën mbretërore. Vetëm Kserksi kishte tendë, kurse pjesa tjetër e ushtrisë flinte përjashta.
Fillimisht ushtrisë gjigande iu desh të kapërcente Helespontin (që tani quhet Dardanelet), një ngushticë që ndan Azinë prej Evropës. Pasi disa ura të bëra me anije u prishën gjatë një furtune, Kserksi në një shpërthim zemërimi, urdhëroi që ujërat e Helespontit të goditeshin 300 herë me kamxhikë, të damkoseshin me hekur të nxehtë dhe të lidheshin me zinxhira. Ai, gjithashtu, u preu kokën inxhinierëve. Kur u ndërtua një çift i dytë urash mbi Helespont, ushtrisë iu desh një javë e plotë për ta kapërcyer ngushticën.
Termopilet: Një rrip i ngushtë toke që kushtoi shtrenjtë
Aty nga mesi i vitit 480 p.e.s., ushtria perandorake perse e shoqëruar nga flota, marshoi deri në bregun e Tesalisë. Forcat aleate greke më në fund kishin vendosur t’u bënin ballë forcave armike në Termopile, një rrip i ngushtë toke, ku në atë kohë malet e kontinentit binin të thepisura jo më larg se 15 metra nga bregu i detit.c
Persëve do t’u duhej të kalonin nëpër këtë rrip toke në një kolonë kaq të ngushtë, saqë një grup i vetëm ushtarësh të sprovuar mund t’i ndalte. Një forcë ushtarake pararojë, e përbërë prej 7.000 grekësh nën mbretin Leonida të Spartës, morën pozicionin e tyre në ngushticat afër Termopileve. Ndërkohë, flota greke e përbërë nga 270 anije lufte, iu afrua bregut të Artemisiumit, duke luajtur si macja me miun me flotën perse.
Kserksi arriti në Termopile në fillim të gushtit, i sigurt se përmasat e forcave të tij ushtarake do t’i shpartallonin grekët. Kur grekët qëndruan të palëkundur, ai dërgoi medët dhe cisianët për t’i shfarosur, por këto forca pësuan humbje të rënda dhe Të Pavdekshmit (një trupë luftuese e pathyeshme), të cilët Kserksi i dërgoi nën satrapin Hidarnes, patën të njëjtin fat me të tjerët.
Efialtisi, një makth
Pikërisht kur dukej se persët ishin mundur, Efialtisi (greqisht për «makth»), një fermer lakmitar nga Tesalia, u ofroi persëve që t’i udhëhiqte nëpër kodra, për t’u dalë forcave greke prapa krahëve. Mëngjesin vijues persët po përgatiteshin t’i sulmonin grekët nga pas. Duke kuptuar se s’kishin rrugëdalje, spartanët u mbrojtën me trimëri të tërbuar. Shumë prej sulmuesve të tyre, të detyruar për të sulmuar nën goditjet e kamxhikut, vdiqën nga të shkelurat ose ngaqë i shtynin me forcë në det. Përfundimisht, mbreti Leonida dhe të gjithë ata që ishin me të, rreth 1.000 burra, u vranë. Hidarnesi arriti prapavijën spartane.
Ushtria perse bashkë me mbetjen e flotës së saj, i ndoqën athinasit deri në shtëpitë e tyre. Kserksi marshoi në Atikë, duke plaçkitur e djegur çdo gjë që gjente përpara. Athinasit u shpërngulën për në ishullin e afërt të Salaminës. Flota greke mbeti mes Athinës dhe Salaminës. Akropoli i Athinës ra pas dy javësh. Mbrojtësit e tij u vranë që të gjithë dhe shenjtëroret u prishën, u dogjën dhe u plaçkitën.
Salamina: «Muret e drunjta» në punë
Anijet greke të luftës u ndeshën me flotën perse në disa beteja të ashpra, por jo vendimtare, afër Termopileve. Pastaj, kur grekët u zmbrapsën në tokë, flota greke u tërhoq në jug. Tani ajo u mblodh përsëri në gjirin e Salaminës, ku Themistokliu filloi të hartonte një plan beteje.
Ai e dinte se të 300 anijet e luftës të fenikasve, që formonin bërthamën e flotës perse, ishin më të mëdha e prapëseprapë më të manovrueshme sesa triremat greke, që ishin më të vogla e më të forta. Flota perse kishte rreth 1.200 anije, kurse forcat greke kishin 380. Po ashtu, marinarët grekë nuk ishin po aq me përvojë sa marinarët e anijeve perse të luftës. Por kanali mes Salaminës dhe bregut të Atikës ishte i ngushtë, me një gjerësi sa për të kaluar 50 anije krah për krah. Nëse grekët do të mund t’i mashtronin persët në këtë hinkë natyrore, avantazhi i persëve në numrin dhe në aftësinë e manovrimit të anijeve të tyre nuk do të ekzistonte më. Thuhet se Themistokliu e përshpejtoi luftën, duke i dërguar Kserksit një mesazh mashtrues, duke i thënë që të sulmonte para se flota greke të kishte mundësi për të ikur.
E kështu ndodhi. Flota perse, me secilën anije të armatosur tamam për betejë, me radhët e vozitësve dhe me forcat luftuese të heshtarëve dhe të shigjetarëve, i ranë rreth e përqark cepit të Atikës dhe lundruan drejt kanalit. I sigurt për fitoren, Kserksi e kishte vendosur fronin e tij mbi një mal, ku mund ta shihte betejën rehat.
Disfata e hidhur
U bë një rrëmujë e madhe kur persët u mblodhën turmë në kalimin e ngushtë. Papritur, nga kodrat e ishullit të Salaminës u dëgjua një bori dhe anijet greke u dyndën përpara në radhë të rregullta. Triremat u përplasën me anijet perse, duke dërrmuar trupin e anijeve dhe duke i shtyrë njëra drejt tjetrës. Luftëtarët grekë u vërsulën me shpata në duar mbi anijet armike të shpartalluara.
Rëra e brigjeve të Atikës u mbush me dërrasa të thyera dhe me trupa të gjymtuar. Si pasojë e kësaj katastrofe, Kserksi i mblodhi anijet që i mbetën dhe u nis për në shtëpi. Fushata e tij luftarake për atë vit kishte mbaruar. Por ai la një ushtri të konsiderueshme për të dimëruar atje, nën komandën e kunatit të tij, Mardonit.
Për studiuesit e zellshëm të Biblës, disfata në Salaminë ishte një tregues, shumë kohë më përpara i epërsisë së ardhshme të «cjapit» grek të profecisë së Danielit mbi «dashin me dy brirë» të Medo-Persisë. (Danieli 8:5-8) Por ç’është më e rëndësishme, profecitë e Biblës i sigurojnë shërbëtorët e Perëndisë se luftës së kotë të njerëzve për sundim do t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë nga sundimi i Mbretit Jezu Krisht.—Isaia 9:6; Danieli 2:44.
[Shënimet]
a Për hollësi të mëtejshme, shiko artikullin «Beteja e Maratonës: Poshtërimi i një fuqie botërore», në Zgjohuni!, 8 maj 1995, anglisht.
b Ashtu siç ndodh me shumë beteja të lashtësisë, numri i ushtrisë perse është i diskutueshëm. Historiani Uill Durant citon përllogaritjen e Herodotit, kurse vepra të tjera referimi zgjedhin numra që shkojnë nga 250.000 deri në 400.000 burra.
c Depozitimet e aluvioneve e kanë ndryshuar vijën bregdetare, kështu që sot ajo është një rrafshnaltë e gjerë moçalore, nga 2,4 deri në 4,8 kilometra e gjerë.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
Trirema: Një anije vdekjeprurëse
Forca që fshihej pas sundimit detar të athinasve në Egje, në shekullin e pestë p.e.s., ishte trirema, një anije e vogël që zakonisht udhëtonte me vela për në destinacionin e saj, por gjatë betejave detare fuqizohej nga rremat. Çdo galerë mbante një grup të vogël ushtarësh. Por synimi i tyre nuk ishte që të sulmonin anijet armike, por që t’i gjymtonte me bashin e veshur me metal të triremës, e cila shtyhej drejt shënjestrës së saj nga 170 vozitës.
[Burimi]
Muzeu i Marinës Helene/ Fotografi: P. Stolis
[Harta në faqen 26]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FORCAT USHTARAKE TË KSERKSIT
HELESPONTI
TESALIA
ARTEMISIUMI
TERMOPILET
ATIKA
ATHINA
MARATONA
LAURIUMI
SALAMINA
SPARTA
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.