BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/99 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një «prirje mosbesimi»
  • Nuk është kurrë tepër vonë për ta lënë
  • Martesa mund të sjellë lumturi
  • Gjak i infektuar?
  • Kanceri shpesh diagnostikohet gabim
  • Paraziti rezistent
  • Shenja paralajmëruese për hemorragjinë cerebrale
  • Djegia e «letrave zinxhir»
  • Të drejtat e elefantëve
  • Drejt një gjuhe universale?
  • Si mund të ngasësh një elefant?
    Zgjohuni!—2009
  • Fildishi: Sa e madhe është vlera e tij?
    Zgjohuni!—1998
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2001
  • Kanceri i gjirit​—Për çfarë të shpresosh? Si ta përballosh?
    Zgjohuni!—2011
Zgjohuni!—1999
g 4/99 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Një «prirje mosbesimi»

«Në zemër të Këshillit Botëror të Kishave ka plasur një krizë»,—vëren gazeta franceze Le Monde. Këshilli, i cili në gusht të vitit të kaluar kremtoi 50 vjetorin e tij, u formua për të bashkuar besimet e krishtere në mbarë botën. Por, vitet e fundit është zhvilluar një «prirje mosbesimi» që «kërcënon pjesëmarrjen» e feve ortodokse në këtë organizatë. Një prej ankesave të bëra nga kishat ortodokse, ishte se disa vende të Lindjes janë bërë «viktima të prozelitizmit» nga misionarët katolikë e protestantë. Një prej tyre, Kisha Ortodokse e Gjeorgjisë, tashmë është tërhequr nga këshilli prej 330 anëtarësh. Kështu, gazeta thotë se «largimi i Kishave Ortodokse nga Këshilli Botëror në Gjenevë nuk është më një hipotezë absurde».

Nuk është kurrë tepër vonë për ta lënë

Daily Telegraph e Britanisë raporton se një studim që ka zgjatur 40 vjet, zbuloi se njerëzit që lënë duhanin, edhe sikur kjo të ndodhë kur janë 60-vjeçarë, e zvogëlon së tepërmi rrezikun e zhvillimit të kancerit. Profesori Julian Peto, i Institutit të Kërkimeve për Kancerin në Suton, Angli thotë: «Vetëm në vitin e kaluar arritëm të shohim tmerret e vërteta që shkakton duhani, i cili vret gjysmën e duhanxhinjve në vend se çerekun e tyre, siç mendonim ne, por arritëm të shohim edhe se sa të mëdha janë dobitë që vijnë nga lënia [e duhanit], edhe sikur kjo të bëhet në moshë të thyer.» Fëmijët paralajmërohen gjithnjë mbi rreziqet që vijnë nga duhani. Megjithatë, Peto thotë se edhe njerëzit e moshuar duhet ta dinë se lënia e duhanit mund ta zvogëlojë së tepërmi rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive.

Martesa mund të sjellë lumturi

Disa njerëz akuzojnë që martesa është shtypëse dhe telefilmat komikë shpesh e paraqesin atë krejtësisht si një modë e vjetër. Por, çfarë tregojnë faktet? A kanë medoemos më shumë avantazhe njerëzit e pamartuar? Jo, sipas një sociologeje që citohej në Philadelphia Inquirer. Ajo thotë se njerëzit e martuar janë «në përgjithësi më të lumtur, më të shëndetshëm e më të pasur». Si grup, ata që martohen përjetojnë, gjithashtu, më pak stres, ka më pak të ngjarë të kryejnë krime ose të përdorin droga të paligjshme dhe kanë më shumë mundësi të dalin nga asistenca sociale. Nuk habitemi që ekspertët thonë se njerëzit e martuar jetojnë edhe më gjatë.

Gjak i infektuar?

Kohët e fundit, nëntë gazeta të përditshme të qytetit Nju Jork kishin një reklamë me titull «Të gjithë atyre që morën gjak në një nga spitalet e Nju Jorkut ose Nju Xhersit nga janari 1991 deri në dhjetor 1996». Edhe pse sponsori i reklamës, Qendra e Gjakut në Nju Jork, thotë se synimi i reklamës ishte të sigurohej kushdo që kishte bërë transfuzion gjaku në fillim të viteve 90 se gjaku që kishte marrë ishte i pastër, kjo reklamë mund të ketë pasur efektin e kundërt. Pse? Pa dyshim, një shkak për shqetësim ishte paralajmërimi që jepej në reklamë: «Ata që kanë marrë produktet e dhuruara gjakore gjatë asaj periudhe mund të përballohen me një rrezik të madh të infeksioneve të transmetuara nga transfuzionet, si HIV dhe hepatit.»

Kanceri shpesh diagnostikohet gabim

«Statistikat zyrtare mbi shkakun e vdekjeve mund ta nënvlerësojnë numrin e madh të viktimave nga kanceri»,—raporton revista New Scientist. Dr. Elizabet Bërtën, e Qendrës Mjekësore të Luizianës në Nju Orlins, ekzaminoi regjistrimet e 1.105 pacientëve, të cilëve u ishte bërë autopsia mes viteve 1986 dhe 1995, për të krahasuar shkallën e diagnozave klinike të kancerit me diagnozat e autopsive. Sipas Bërtën, në 44 përqind të pacientëve, kanceri ose nuk ishte diagnostikuar, ose lloji i tij ishte diagnstikuar gabim. Revista thotë se duke qenë që tani vetëm 10 përqind të të vdekurve u bëhet autopsia, krahasuar me 50 përqind në vitet 60, «shumë gabime të bëra mund të mos vërehen kurrë».

Paraziti rezistent

Taenia solium, një parazit që shkakton sëmundjen e cisticerkozës te njerëzit, është ende një problem në vendet e pazhvilluara. Sëmundja zakonisht vjen nga ngrënia e mishit të infektuar të derrit që nuk është gatuar aq sa duhet ose ngrënia e ushqimit të infektuar me larvat e parazitit. Sipas gazetës Excélsior të qytetit Meksiko, paraziti «diktohet me vështirësi» e prandaj «mund të zhvillohet në trupin e njeriut për vite të tëra dhe mbartësi të mos jetë fare në dijeni të kësaj». Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, të dridhura dhe probleme shikimi. Gazeta thotë se për të eliminuar parazitin, kërkuesit e Universitetit Kombëtar Autonom në Meksikë po punojnë për të nxjerrë një vaksinë për derrat.

Shenja paralajmëruese për hemorragjinë cerebrale

«Shumë njerëz nuk identifikojnë dot as edhe një simptomë të vetme të hemorragjisë cerebrale»,—raporton FDA Consumer. Revista shton: «Vetëm pak më shumë se gjysma e atyre që u anketuan përmendën të paktën një simptomë të hemorragjisë cerebrale dhe vetëm 68 përqind e njerëzve përmendën një faktor rrezikshmërie për hemorragjinë cerebrale.» Kjo ndodh pavarësisht nga fakti se hemorragjia cerebrale është një shkak kryesor vdekjeje dhe shkaku kryesor i paralizës në botën e industrializuar perëndimore. Për të zvogëluar dëmet e shkaktuara nga hemorragjia cerebrale, është e rëndësishme të kërkoni ndihmën e parë mjekësore sapo të shihni shenjën e parë paralajmëruese. Simptomat më të zakonshme të hemorragjisë cerebrale janë dobësia e menjëhershme, mpirja ose paraliza e fytyrës, e krahëve apo këmbëve; turbullimi i papritur i shikimit ose humbja e shikimit, veçanërisht në njërin sy; vështirësi për të folur ose për të kuptuar atë që thonë të tjerët dhe një dembelizëm i pashpjeguar ose humbje e ekuilibrit, veçanërisht kur kombinohet me shenja të tjera paralajmëruese.

Djegia e «letrave zinxhir»

Që nga viti 1992 në qytetin e Nagojës, Japoni, është mbajtur një ceremoni vjetore budiste e djegies së letrave, për të eliminuar «letrat zinxhir». Autoritetet postare kanë instaluar në zyrat postare të qytetit kuti mbledhjeje për letrat e padëshiruara dhe i kanë kërkuar një tempulli budist që të mbante një ceremoni për t’i djegur ato. Asahi Evening News shpjegoi se ky shërbim është siguruar «për marrësit më besëtytë, të cilët kishin frikë t’i refuzonin ose t’i digjnin vetë letrat». Pse kishin frikë? Këto letra nuk u premtojnë vetëm bekime atyre që ndjekin udhëzimet e gjendura brenda tyre. Ato, gjithashtu, kërcënojnë se kushdo që thyen zinxhirin e letrave do të ketë fat të keq. Për shembull, një letër paralajmëronte se një person në Tokio që e theu zinxhirin e letrave ishte vrarë.

Të drejtat e elefantëve

Në shumë pjesë të Indisë, elefantët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të forcës punonjëse. Revista The Week raporton se në shtetin verion indian të Utar Pradeshit, elefantët renditen në listën qeveritare të pagave si punonjës me të drejta të plota. Duke filluar punën rreth moshës 10 vjeç, një elefant mund t’u shërbejë punëdhënësve të tij deri në 50 vjet. Kur del në pension, një elefant merr pensionin ashtu si punonjësit e tjerë shtetërorë dhe i caktohet një mahout, një stërvitës dhe mbajtës elefantësh, për t’u kujdesur që elefanti të marrë ushqimin dhe kujdesin e duhur. Elefantët femra gjatë jetës së tyre të punës përfitojnë edhe një vit leje lindjeje në rehatinë e një kopshti zoologjik, para se të kthehen në punën e rëndësishme të shkuljes së drurëve, kapjes dhe zbutjes e elefantëve të egër dhe në patrullimin e parqeve kombëtare e të zonave pyjore të mbrojtura.

Drejt një gjuhe universale?

«Në një vend afrikano-qendror ku gjuhët perëndimore fliten rrallë», një djalë tetëvjeçar i thotë babait se i duhet të mësojë anglishten. Babai e pyet përse. «Sepse kompjuteri komunikon në anglisht, babi.» Revista Asiaweek vëren se ky tregim «ilustron atë që shumë njerëz e konsiderojnë një efekt anësor tinëzar i «superstradave» të informacionit . . . potencialin për të shpejtuar një zhvendosje tashmë të shpejtë drejt një gjuhe mbizotëruese globale, anglishtes». Revista shton: «Kjo nuk vjen nga ndonjë lëvizje drejt një vëllazërie mbarëbotërore. Thjesht është praktike. Nëse do të bëjmë ndonjë bisedë dhe tregti elektronike nëpërmjet Internetit, për të bërë më me lehtësi këmbimet duhet një ndërmjetës i përbashkët.» Por përse anglishtja? Sepse «biznesi i PC-ve lindi në Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe Interneti. Rreth 80 përqind e përmbajtjes së kompjuterëve sot është anglofonike». Në disa raste përdorimi i gjuhëve të tjera ngadalësohet për shkak të vështirësisë për t’i përshtatur këto gjuhë me tastierën e kompjuterëve të bazuar në anglishten. «Do të na duhet të paguajmë një çmim,—thotë Asiaweek.—Linguistët parashikojnë se nga fundi i shekullit tjetër gjysma e rreth 6.000 gjuhëve të folura sot nuk do të përdoren më, ndoshta edhe brenda 20 vjetëve të ardhshëm.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo