BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 5/99 f. 5-9
  • A është i mundur pajtimi?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A është i mundur pajtimi?
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pyetje që duan përgjigje
  • Komunikimi jetësor
  • Duke punuar për faljen
  • Mësoni të keni përsëri besim
  • Kërkohet kohë
  • Si ta shmangësh «divorcin gri»?
    Ndihmë për familjen
  • Alternativa e divorcit
    Zgjohuni!—1999
  • «Martesa të nderohet»
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • Kur një miqësi kalon cakun
    Zgjohuni!—2013
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 5/99 f. 5-9

A është i mundur pajtimi?

«Është e lehtë të fillosh me rrëmbim procedurat e divorcit,—vëren libri ‘Couples in Crisis’,—e megjithatë duhet të jenë të shumta martesat që në thelb janë me vlerë dhe që mund të kishin qenë të suksesshme nëse do të ishin zgjidhur problemet.»

KJO vërejtje është në harmoni me një mësim të lashtë të Jezu Krishtit mbi divorcin. Ndonëse pohoi se ishte e lejueshme që një bashkëshort i pafajshëm të divorcohej mbi bazën e jobesnikërisë bashkëshortore, ai nuk tha se ishte e detyrueshme të veproje kështu. (Mateu 19:3-9) Një bashkëshorte besnike mund të ketë arsye që të përpiqet për ta shpëtuar martesën. Shkelësi mund ta dojë ende gruan e vet.a Ai mund të jetë një bashkëshort i kujdesshëm dhe një baba i devotshëm, që siguron me përpikmëri për nevojat e familjes së tij. Duke marrë parasysh nevojat e veta dhe ato të fëmijëve, bashkëshortja besnike mund të vendosë të pajtohet, në vend se të divorcohet. Cilët faktorë duhen shqyrtuar në këtë rast dhe si mund të përballohen me sukses sfidat e rindërtimit të martesës?

Në fillim duhet thënë se as divorci, as pajtimi nuk është diçka e lehtë. Veç kësaj, thjesht falja e bashkëshortit kurorëshkelës mund të mos i zgjidhë problemet thelbësore të martesës. Zakonisht kërkohet vetëshqyrtim i dhimbshëm, komunikim i çiltër dhe punë e palodhur për të shpëtuar një martesë. Çiftet shpesh e nënvlerësojnë faktin që për të rindërtuar një martesë të dëmtuar kërkohet mjaft kohë dhe përpjekje. Sidoqoftë, shumë çifte kanë ngulmuar dhe si rezultat kanë një martesë të qëndrueshme.

Pyetje që duan përgjigje

Për të marrë një vendim të peshuar, një bashkëshorte besnike ka nevojë të qartësojë ndjenjat e veta dhe alternativat që ka përpara. Ajo mund të shqyrtojë aspektet e mëposhtme: A dëshiron ai të kthehet? A i ka dhënë fund njëherë e mirë marrëdhënies kurorëshkelëse apo ngurron ta bëjë këtë gjë menjëherë? A ka kërkuar të falur? Nëse po, a është vërtet i penduar dhe a e bren sinqerisht ndërgjegjja për atë që ka bërë? Ose ka prirjen të ma vërë fajin mua për shkeljen e vet? A i vjen me të vërtetë keq për lëndimin që ka shkaktuar? Ose, përkundrazi, është i mërzitur vetëm ngaqë marrëdhënia e tij e paligjshme është zbuluar dhe është ndërprerë?

Ç’të themi për të ardhmen? A ka filluar t’i korrigjojë qëndrimet dhe veprimet që e çuan deri në tradhti bashkëshortore? A është fortësisht i vendosur që të mos e përsëritë fajin? Ose ka ende njëfarë prirjeje për të flirtuar dhe për të krijuar lidhje të papërshtatshme emocionale me seksin e kundërt? (Mateu 5:27, 28) A angazhohet plotësisht për rindërtimin e martesës? Nëse po, çfarë po bën për këtë gjë? Përgjigjet pozitive për këto pyetje mund të jenë një bazë për të besuar se rivendosja e marrëdhënies bashkëshortore është e mundur.

Komunikimi jetësor

«Planet prishen,—thotë një shkrimtar i Biblës,—aty ku nuk ka të folur me mirëbesim.» (Proverbat [Fjalët e urta] 15:22, BR) Ky është sigurisht rasti kur partnerja e pafajshme ndjen nevojën për të folur rreth jobesnikërisë me burrin e saj. Pa qenë nevoja të futen në detaje intime, ata mund të zhvillojnë një diskutim të ndershëm dhe të sinqertë që mund të zbulojë të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur dhe të sqarojë idetë e gabuara. Kjo gjë, nga ana e saj, mund të ndihmojë që të parandalohet ndarja e mëtejshme mes çiftit si pasojë e keqkuptimeve dhe mërive të gjata. Kuptohet, si për burrin, ashtu edhe për gruan, këto diskutime ka të ngjarë që të jenë të dhimbshme. Por shumë veta kanë zbuluar se ato janë një pjesë e rëndësishme e procesit të rikthimit të besimit.

Një hap tjetër i domosdoshëm drejt një pajtimi të efektshëm është të përpiqesh të identifikosh zonat problematike në martesë, domethënë gjërat rreth të cilave të dy bashkëshortët mund të kenë nevojë të punojnë. Zelda Uest-Mids këshillon: «Pasi keni biseduar gjerë e gjatë mbi situatën e dhimbshme, pasi keni përcaktuar se ajo marrëdhënie ka marrë fund përfundimisht dhe se e doni ende lidhjen tuaj bashkëshortore, ndreqni gjërat që kanë shkuar keq dhe ripërtërini martesën.»

Ndoshta ju e trajtonit shkujdesshëm njëri-tjetrin. Aktivitetet frymore mund të jenë lënë pas dore. Mbase nuk kalonit mjaft kohë së bashku. Ka të ngjarë që të mos i keni dhënë bashkëshortit tuaj aq dashuri, përzemërsi të butë, lavdërime dhe nderim sa kishte nevojë. Rishqyrtimi së bashku i synimeve dhe i parimeve që janë me vlerë për ju do të bëjë shumë për t’ju afruar dhe do të ndihmojë që të parandalohet jobesnikëria në të ardhmen.

Duke punuar për faljen

Me gjithë përpjekjet e sinqerta që bën, një bashkëshorte e lënduar mund të mos e ketë të lehtë ta falë burrin e saj e aq më pak gruan tjetër. (Efesianëve 4:32) Është e mundur, megjithatë, që të punohet hap pas hapi për ta larguar mërinë dhe hidhërimin. «Partnerja besnike duhet ta pranojë se vjen një kohë kur këto ndjenja duhen mënjanuar,—këshillon një vepër referimi.—Është e rëndësishme që të mos vazhdosh të përmendësh mëkatet e kaluara të partnerit tënd për ta ndëshkuar [atë] sa herë që ndodh një zënkë.»

Shumë bashkëshortë kanë zbuluar se duke u përpjekur të pakësojnë dhe të eliminojnë ndjenjat e mërisë së thellë, më në fund kanë pushuar së ndjeri armiqësi ndaj ofenduesit. Ky është një hap jetësor në rindërtimin e një marrëdhënieje bashkëshortore.

Mësoni të keni përsëri besim

«A do të jemi në gjendje ta kemi përsëri besimin e fillimit?»—pyeste me ankth një bashkëshorte e tronditur. Shqetësimi i saj është i drejtë, sepse mashtrimi i kurorëshkelësit e ka shkatërruar ose të paktën e ka dëmtuar rëndë besimin. Ashtu si një vazo e çmuar, besimi thyhet me lehtësi, por rindërtohet me vështirësi. E vërteta është që duhet të ekzistojë një besim dhe respekt reciprok, në mënyrë që një marrëdhënie jo vetëm të mbijetojë, por edhe të lulëzojë.

Zakonisht kjo gjë përfshin të mësosh të kesh përsëri besim. Në vend se të kërkojë në mënyrë të pandjeshme që ta besojnë, bashkëshorti fajtor mund të ndihmojë në rindërtimin e besimit duke qenë plotësisht i hapur dhe i ndershëm në lidhje me aktivitetet e tij. Të krishterët inkurajohen që ‘ta lënë mënjanë gënjeshtrën dhe t’i thonë të vërtetën’ njëri-tjetrit. (Efesianëve 4:25) Për ta rifituar besimin, në fillim mund «t’i jepni [bashkëshortes] tuaj itinerarin e saktë të vendeve ku ndodheni pikërisht,—thotë Zelda Uest-Mids.—Tregojini [bashkëshortes] tuaj ku po shkoni, kur do të ktheheni dhe sigurohuni se jeni atje ku thatë se do të ishit». Nëse planet ndryshojnë, vëreni vazhdimisht në dijeni.

Mund të duhet kohë dhe përpjekje që të rindërtohen ndjenjat e respektit për veten. Bashkëshorti fajtor mund të ndihmojë duke qenë bujar në përzemërsi dhe në lavdërime, domethënë duke i treguar shpesh gruas së tij se e çmon dhe e do. Një këshilluese e respektuar martese këshillon: «Jepini asaj meritën për gjithçka që bën.» (Fjalët e urta 31:31, Today’s English Version) Bashkëshortja, nga ana e saj, mund të punojë për rindërtimin e besimit te vetja duke u përqendruar në ato gjëra të jetës së vet që i bën mirë.

Kërkohet kohë

Duke pasur parasysh se dhimbja e shkaktuar nga jobesnikëria është e thellë, nuk është e çuditshme që pas shumë vitesh të jetë ende e mundur që të kesh kujtime të gjalla dhe të dhimbshme. Megjithatë, ndërsa plaga shërohet dalëngadalë, përulësia, durimi dhe qëndrueshmëria nga ana e të dyve do të ndihmojnë që të rindërtohet besimi dhe respekti.—Romakëve 5:3, 4; 1. Pjetrit 3:8, 9.

«Dhimbja e tmerrshme e atyre pak muajve të parë nuk zgjat,—siguron libri To Love, Honour and Betray (Ta duash,ta nderosh dhe ta tradhtosh).—[Ajo] më në fund fashitet . . . Përfundimisht ju zbuloni se mund të kaloni ditë, javë, muaj dhe madje vite të tëra pa menduar rreth kësaj gjëje.» Ndërkohë që vazhdoni të zbatoni parimet e Biblës në martesën tuaj e të kërkoni bekimin dhe udhëheqjen e Perëndisë, do të përjetoni pa dyshim ndikimin qetësues të ‘paqes së Perëndisë që ia tejkalon çdo mendimi’.—Filipianëve 4:4-7, 9, BR.

«Duke hedhur vështrimin mbrapa,—tregon Pedro,—shohim se kjo përvojë ka ndryshuar rrjedhën e jetës sonë. Kemi ende nevojë që herë pas here të bëjmë disa rregullime në marrëdhënien tonë bashkëshortore. Por e kemi mbijetuar situatën e rëndë. Jemi ende të martuar. Dhe jemi të lumtur.»

Por ç’të themi në rastin kur bashkëshortja e pafajshme nuk ka arsye për ta falur bashkëshortin jobesnik? Ose në rastin kur ajo e fal bashkëshortin e vet (deri në atë masë që largon mërinë) dhe prapëseprapë, për arsye të forta, zgjedh të shfrytëzojë masën biblike të divorcit?b Çfarë kërkesash mund të vendosë divorci mbi një individ? Ju ftojmë të shqyrtoni elementet që përfshin divorci, si edhe mënyrën se si e kanë përballuar atë disa individë.

[Shënimet]

a Për thjeshtësi, do të flasim në përgjithësi për bashkëshorten besnike. Sidoqoftë, parimet e trajtuara u aplikohen edhe bashkëshortëve të pafajshëm, gratë e të cilëve janë jobesnike.

b Të lutemi shiko artikullin «Pikëpamja e Biblës: Tradhtia bashkëshortore—Të falet apo të mos falet?» në numrin e Zgjohuni! të 8 gushtit 1995, anglisht.

[Kutia në faqen 6]

MBËSHTETJE DOMETHËNËSE

Duke qenë se faktorët që mund të shqyrtohen janë të shumtë, mund të jetë e dobishme të kërkohet ndihma e një këshilluesi me përvojë dhe të ekuilibruar. Dëshmitarët e Jehovait, për shembull, kanë mundësinë për t’iu drejtuar pleqve të përzemërt dhe të dhembshur të kongregacionit.—Jakovit 5:13-15.

Këshilluesit, miqtë dhe të afërmit janë të inkurajuar të mos e vënë theksin mbi opinionin e tyre personal ose të mos përkrahin a të dënojnë qoftë divorcin e bërë mbi baza biblike, qoftë pajtimin. Një grua e krishterë që përjetoi divorcin nxit: «Thjesht jepni shumë mbështetje dhe na lini të ndajmë mendjen se çfarë të bëjmë.»

Këshillat duhet të jenë fortësisht të bazuara në Bibël. «Mos u tregoni se si duhet ose se si nuk duhet të ndihen,—sugjeron një grua e divorcuar.—Në vend të kësaj, lërini të hapin zemrën.» Ndjenjat e përbashkëta, përzemërsia vëllazërore dhe dhembshuria e butë do të ndihmojnë që të lehtësohen plagët e thella të shkaktuara nga tradhtia bashkëshortore. (1. Pjetrit 3:8) Një këshillues me përvojë vërejti: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.»—Fjalët e urta 12:18.

«Kisha nevojë për mirëkuptim, për një fjalë ngushëlluese dhe për inkurajim,—kujton një bashkëshort besnik.—Veç kësaj, gruaja ime ishte e dëshiruar për një drejtim dhe lavdërim specifik për përpjekjet që po bënte, domethënë për një mbështetje konkrete që ta ndihmonte të vazhdonte në përmirësimin e saj.»

Në rast se pas një meditimi të kujdesshëm e me lutje një person vendos të divorcohet ose të ndahet për një arsye biblike, nuk duhen dhënë këshilla në një mënyrë që e bën atë të ndihet fajtor. Përkundrazi, ky person duhet ndihmuar që të kapërcejë ndjenjat e pajustifikuara të fajit.

«Nëse dëshironi të jeni burim i vërtetë ngushëllimi,—tha një viktimë,—mos harroni kurrë emocionet e thella njerëzore që përfshihen.»

[Kutia në faqen 7]

PËRSE DISA QËNDROJNË SË BASHKU?

Në shumë vende ka bashkëshorte që s’kanë mundësi tjetër zgjedhjeje, përveçse të qëndrojnë me bashkëshortin e papenduar kurorëshkelës. Për shembull, disa bashkëshorte të krishtere që jetojnë në zona të copëtuara nga konfliktet dhe me të ardhura të pakta kanë qëndruar me një bashkëshort jobesnik, i cili në aspektet e tjera vazhdon të kujdeset për shtëpinë, edhe pse mund të mos jetë një besimtar. Si rezultat, ato kanë një shtëpi, mbrojtjen e nevojshme, të ardhura të vazhdueshme dhe stabilitetin relativ të pasjes së një babai në shtëpi, edhe pse ai mund të jetë jobesnik. Ato kanë arsyetuar se fakti që kanë qëndruar, ndonëse jo i pëlqyeshëm ose i lehtë, u ka dhënë, në rrethanat e tyre të veçanta, një kontroll më të madh mbi jetën e tyre nga ç’do ta kishin nëse do të luftonin të vetme.

Pasi kanë duruar një situatë të tillë, ndonjëherë për shumë vite, disa prej këtyre bashkëshorteve kanë pasur bekimin e gëzueshëm që t’i shohin më në fund bashkëshortët e tyre të ndryshojnë rrugën dhe të bëhen bashkëshortë të krishterë të dashur e besnikë.—Krahaso 1. Korintasve 7:12-16.

Prandaj, ato që zgjedhin të qëndrojnë me bashkëshortin, megjithëse ai është i papenduar, nuk duhen kritikuar. Atyre u është dashur të marrin një vendim të vështirë dhe duhet t’u jepet e gjithë ndihma dhe mbështetja që u nevojitet.

[Kutia në faqen 8]

KUSH ËSHTË PËRGJEGJËS?

Vërtet, në disa raste, të metat e partnerit të pafajshëm mund të kenë kontribuar në acarimin e marrëdhënies. Sidoqoftë, Bibla pohon se «secili provohet duke qenë i tërhequr dhe i joshur nga vetë dëshira e tij. Pastaj dëshira, kur është bërë pjellore, lind mëkatin». (Jakovit 1:14, 15, BR) Ndonëse mund të ekzistojnë faktorë të ndryshëm kontribues, përgjegjës kryesor për kurorëshkeljen e një personi është «vetë dëshira e tij». Nëse të metat e një bashkëshorti shkaktojnë probleme martesore, kryerja e kurorëshkeljes patjetër që nuk është mënyra për t’i zgjidhur ato.—Hebrenjve 13:4.

Në vend të kësaj, problemet martesore mund të zgjidhen kur si burri, ashtu edhe gruaja ngulmojnë në zbatimin e parimeve të Biblës. Kjo përfshin ‘të durojnë njëri-tjetrin dhe të falin lirisht njëri-tjetrin’. Ata duhet, gjithashtu, të këmbëngulin në shfaqjen e cilësive të tilla si «përzemërsitë e buta të dhembshurisë, dashamirësisë, përulësisë së mendjes dhe të shpirtmadhësisë». Ç’është më e rëndësishmja, duhet të ‘vishen me dashuri, sepse ajo është një lidhje e përsosur bashkimi’.—Kolosianëve 3:12-15, BR.

[Figura në faqen 7]

Dëgjimi me kujdes i njëri-tjetrit mund ta ndihmojë një çift të rindërtojë martesën

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo