Të rinjtë pyesin . . .
Përse e kam kaq fiksim peshën?
«Kam një betejë të pakontrollueshme në kokë. Një pjesë e imja dëshiron të hajë, por pjesa tjetër s’pranon, pasi kam frikë se do të shëndoshem.»—Zhaime.
ÇFARË të tremb më shumë se çdo gjë tjetër? Pa më të voglin ngurrim, shumë vajza do të përgjigjeshin: shtimi në peshë. Në fakt, një sondazh ka zbuluar se të rejat e sotme kanë më shumë frikë nga shtimi në peshë, sesa nga lufta bërthamore, kanceri ose madje edhe nga humbja e prindërve!
Disa herë, shqetësimet në lidhje me peshën fillojnë në një moshë çuditërisht shumë të re. Akoma pa arritur adoleshencën, vëren dr. Katerina Shtainer-Adar, shumë vajza mblidhen bashkë për të bërë «muhabete shëndoshjeje», biseda gjatë të cilave ato i zbulojnë njëra-tjetrës përbuzjen që kanë për trupat e tyre. Por me sa duket, këto nuk janë thjesht muhabete. Nga një sondazh që u bë me 2.379 vajza, mosha e të cilave shkonte nga nëntë në dhjetë vjeçe, 40 për qind e tyre ishin për momentin duke u përpjekur të dobësoheshin!
Me kalimin e kohës, shumë prej këtyre të rejave mund të bien në grackën e manisë së dietave. Ca më keq akoma, disa mund të përfundojnë si Jena 20-vjeçare. Kjo vajzë e re, e gjatë 1 metër e 60 cm, peshon vetëm 40 kg! «Thjesht, s’kam dëshirë të ha,—pohon Jena.—E kam shumë problem, sepse pasi kam kaluar tre vjet duke u përpjekur që të dobësohem, nëse ha më duhet vetëm një muaj për t’u shëndoshur përsëri.»
Mbase arrin t’i kuptosh ndjenjat e Jenës. Ka të ngjarë që edhe ti të kesh dëshiruar të dobësohesh, për t’u dukur sa më mirë. Sigurisht, s’ka asgjë të keqe që të merakosesh për pamjen tënde të jashtme. Megjithatë, në rastin e Jenës, dëshira për të qenë e dobët për pak i kushtoi asaj jetën. Si?
Duke vdekur urije
Jena është duke luftuar me një çrregullim të rrezikshëm në të ngrënë, të quajtur anorexia nervosa (mungesa e oreksit). E po kështu edhe Zhaime, e cituar në fillim. Për njëfarë kohe, këto vajza ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës duke vdekur urije. Por ato nuk janë të vetmet. Është përllogaritur se 1 në 100 vajza vuan nga anoreksia. Kjo do të thotë se janë të prekura miliona vajza të reja, madje edhe ndonjë që ti e njeh!a
Anoreksia mund të zhvillohet në një mënyrë krejt të paqëllimshme e të padëmshme. Një vajzë e re mund të nisë një dietë në dukje të padëmshme, mbase thjesht për të humbur ca kile. Por, kur ia ka arritur qëllimit, ajo prapë nuk është e kënaqur. «Akoma jam tepër e shëndoshë!»,—thotë ajo, ndërsa e pakënaqur ia ngul sytë vetes para pasqyrës. E kështu vendos të humbë edhe ca kile të tjera. Pastaj edhe pak akoma, edhe pak akoma, derisa modeli është vendosur dhe farat e anoreksisë janë mbjellë.
Natyrisht, jo të gjithë që ndjekin një dietë janë me anoreksi. Disa kanë vërtet të drejtë të merakosen për peshën dhe për ta mund të jetë e dobishme të humbasin ca kile. Por shumë vajza kanë një pikëpamje të shtrembër për trupin e tyre. Një revistë (FDA Consumer) e krahason pasjen e një përshtypjeje të shtrembër për trupin me shikimin në një pasqyrë të deformuar. «Ti e shikon veten më të shëndoshë sa je»,—thotë revista.
Prandaj, kush është me anoreksi ngjethet nga frika se mos shton në peshë, edhe pse tashmë është kockë e lëkurë. Ajo mund të bëjë stërvitje si e marrë që të vazhdojë të humbasë kilet dhe të kontrollohet disa herë në ditë në peshore, për t’u siguruar se nuk po bën «prapa-kthehu». Ajo mund të hajë fare pak, ose mbase mund të mos hajë fare. «Çdo ditë që shkoja në shkollë merrja me vete drekën që mami më kishte përgatitur e pothuajse çdo ditë e hidhja tutje,—thotë Hether.—S’kaloi shumë kohë dhe u mësova kaq shumë që të mos haja, saqë edhe sikur të doja nuk haja dot. S’më merrte urija.»
Së pari, ato që janë me anoreksi, si në rastin e Hetherit, janë të lumtura tek shohin se po dobësohen. Por mungesa e ushqimit të duhur, herët a vonë kërkon haraçin e vet. Pacientja nis të bëhet e plogësht dhe e përgjumur. Ajo fillon të çalojë në mësime. Menstruacionet mund të ndërpriten.b Me kohë, të rrahurat e zemrës dhe presioni i gjakut mund të ulen në mënyrë të rrezikshme. Megjithatë, pacientja nuk është e vetëdijshme për asnjë rrezik. Në fakt, i vetmi rrezik që ajo percepton është shtimi në peshë, qoftë edhe vetëm një kilogram që më parë e ka humbur.
Megjithatë, anoreksia nuk është as e vetmja dhe as më e përhapura ndër çrregullimet në të ngrënë. Bulimia nervosa (pangopësia) është një tjetër e keqe që prek katër herë më shumë vajza se anoreksia. Është pastaj edhe mbingrënia e detyruar, që lidhet ngushtë me buliminë. Le t’u hedhim një vështrim më nga afër këtyre sëmundjeve.
Një e keqe e fshehtë
«Kohët e fundit, një shoqja ime më tregoi se merrte vjedhurazi ushqim dhe e hante fshehtas. Pastaj, e detyronte veten që të villte. Më tha se këtë gjë po e bënte që prej dy vjetësh.» Duke i shkruar një reviste në rubrikën e këshillave, një vajzë përshkroi me këto fjalë simptomat e zakonshme të një çrregullimi në të ngrënë, i njohur si bulimia.
Pacientja mund të dëndet ose të konsumojë një sasi të madhe ushqimi brenda një kohe të shkurtër. Pastaj, ajo e liron trupin nga ushqimi që ka ngrënë, shpesh, duke vetëprovokuar të vjella.c Normalisht, mendimi i boshatisjes së stomakut në këtë mënyrë mund të duket diçka e neveritshme. Megjithatë, punonjësja sociale, Nensi J. Kollodni, shkruan: «Sa më shumë që dëndesh dhe nxjerr, aq më e lehtë të bëhet. Ndjenjat fillestare të neverisë ose madje dhe të frikës zëvendësohen me të shpejtë nga fiksimi për të përsëritur këto zakone të bulimisë.»
Anoreksia dhe bulimia janë quajtur «faqe të kundërta të së njëjtës monedhë». Edhe pse kanë simptoma të kundërta, që të dyja çrregullimet janë të nxitura nga fiksimi për ushqimet.d Megjithatë, ndryshe nga anoreksia, bulimia është më e lehtë për t’u mbajtur sekret. Tek e fundit, ngrënia pa masë nuk e lejon pacienten të humbasë në peshë dhe nxjerrja nuk e lejon të shtojë. Prandaj, ka të ngjarë që kush vuan nga bulimia të mos jetë as tepër e shëndoshë, as tepër e dobët dhe në sy të të tjerëve zakonet e saj në të ngrënë duken krejt normale. «Për nëntë vjet,—thotë një grua e quajtur Linzi,—haja sa dëndesha dhe villja deri në katër-pesë herë në ditë. . . . Askush nuk e dinte se vuaja nga bulimia, pasi e mbajta të fshehur me kujdes prapa një dukjeje të jashtme kompetente, të lumtur dhe me një peshë trupore mesatare.»
Megjithatë, është disi ndryshe me njerëzit që vuajnë nga mbingrënia e detyruar. Ngjashëm me ata që kanë buliminë, këta persona hanë sasi të mëdha ushqimi në një vakt. Një libër vëren: «Meqë ky zakon i dëndjes në të ngrënë ndodh pa nxjerrë, pesha e atyre që vuajnë nga mbingrënia e detyruar mund të ndryshojë nga një mbipeshë ose dhjamosje e lehtë në një të tillë shqetësuese.»—The New Teenage Body Book.
Rreziqe për shëndetin
Që të trija çrregullimet në të ngrënë mund të kërcënojnë seriozisht shëndetin e dikujt. Anoreksia mund të shkaktojë një kequshqim të rëndë dhe në shumë raste, që disa e kanë përllogaritur deri në 15 për qind, ajo mund të jetë fatale. Dëndja në të ngrënë, qoftë e ndjekur ose jo nga nxjerrja, është e rrezikshme për shëndetin. Me kalimin e kohës, dhjamosja mund të çojë në sëmundje kardiovaskulare të rrezikshme për jetën, diabet e madje edhe në disa forma kanceri. Të vjellat e vetëprovokuara mund të çajnë ezofagun, ndërsa abuzimi me laksativët dhe diuretikët mund të çojë në rrethana ekstreme në pushime të zemrës.
Megjithatë, ekziston edhe një aspekt tjetër i çrregullimeve në të ngrënë që duhet shqyrtuar. Ata që vuajnë nga anoreksia, bulimia dhe nga mbingrënia e detyruar, janë përgjithësisht të palumtur. Kanë prirje të kenë pak respekt për veten dhe ka shumë të ngjarë të vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Qartë, ata kanë nevojë për ndihmë. Por, si mund të ndihmohen ata që kanë çrregullime në të ngrënë, që të çlirohen nga fiksimi për peshën? Kjo pyetje do të trajtohet në një nga artikujt e ardhshëm të kësaj serie.
[Shënimet]
a Anoreksia prek, gjithashtu, edhe meshkujt. Gjithsesi, meqë pjesa më e madhe e të prekurve nga anoreksia janë vajza, ne do t’u referohemi të prekurve në gjininë femërore.
b Klinikisht, një femër diagnostikohet se vuan nga anoreksia, kur ka rënë në peshë të paktën 15 për qind poshtë normales dhe kur nuk ka pasur menstruacione për tre ose më shumë muaj.
c Metoda të tjera pastrimi përfshijnë përdorimin e barnave laksative ose të substancave diuretike.
d Një numër pacientësh kanë në të ngrënë zakone që kalojnë herë në anoreksi dhe herë në bulimi.
[Kutia në faqen 14]
Një përshtypje e shtrembëruar për trupin
Shumica e vajzave që janë të merakosura për peshën e tyre, nuk kanë arsye për të qenë në merak. Sipas një studimi, 58 për qind e vajzave mes moshave nga 5 në 17 vjeçe, besonin se ishin mbi peshë, ndërkohë që vetëm 17 për qind e tyre ishin me të vërtetë. Sipas një studimi tjetër, 45 për qind e grave që faktikisht ishin nën peshë, mendonin se ishin tepër të shëndosha! Një sondazh i bërë në Kanada zbuloi se 70 për qind e grave në atë vend janë të shqetësuara për peshën e tyre dhe 40 për qind kanë nisur një dietë të quajtur yo-yo, një formë e rënies dhe më pas e shtimit në peshë.
Qartë, një përshtypje e shtrembëruar për trupin mund të shkaktojë që disa vajza të jenë tepër në merak për diçka që në të vërtetë nuk përbën ndonjë problem. «Kam një shoqe që merr doza të mëdha me pilula dietike dhe njoh disa vajza që janë me anoreksi»,—thotë Kristina 16-vjeçare. Pastaj shton: «Asnjëra prej tyre nuk është fare e shëndoshë.»
Me të drejtë, revista FDA Consumer rekomandon: «Në vend se të mbash dietë sepse ‘të gjithë’ mbajnë ose sepse nuk je aq e dobët sa do të deshe, konsultohu me ndonjë doktor ose me ndonjë specialist ushqimi nëse ke shumë më tepër peshë a dhjamëra trupore, në krahasim me moshën ose gjatësinë tënde.»
[Figura në faqen 15]
Shumë nga ata që merakosen për peshën e tyre, nuk kanë arsye për të qenë në merak