Mbroni veten prej parazitëve!
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË HONDURAS
ZGJOHENI me një ndjenjë të vjelle. Lodheni më shpejt. Barkun e keni paksa të fryrë. Simptoma të shtatzënisë? Ndoshta. Por nëse jetoni në një pjesë tropikale ose gjysmëtropikale të botës, problemi mund të jetë fare mirë infektimi me ndonjë parazit të zorrëve. Ç’janë parazitët e zorrëve dhe si mund ta kuptoni nëse jeni bërë ose jo mbartës të këtyre mysafirëve të padëshiruar?
E thënë thjesht, një parazit është një organizëm i gjallë që siguron disa përfitime nga mbartësi i vet, domethënë nga organizmi i gjallë mbi të cilin ose në të cilin jeton. Dy lloje parazitësh të zorrëve janë protozoarët, ku përfshihen amebat dhe helmintët ose krimbat. Shkalla e dëmtimit të mbartësit varet nga lloji dhe numri i parazitëve të pranishëm, si edhe nga mosha e gjendja shëndetësore e mbartësit.
Femra e askaridit, për shembull, mund të lëshojë afro 200.000 vezë në ditë. Vetëm se, që të piqen, vezët duhen vendosur në tokë. Numri i askarideve që bart një person varet nga numri i vezëve të pjekura ose larvave që ka gëlltitur. Shumë njerëz janë mbartës të një numri të vogël askaridesh, pa qenë të vetëdijshëm për këtë gjë. Por një numër i madh i këtyre parazitëve mund të shkaktojë bllokim të rëndë të zorrëve.
Disa simptoma të zakonshme të infeksionit nga parazitët e zorrëve janë: dhimbje barku, përzierje, humbje oreksi, fryrje e barkut, lodhje, si edhe mostretje kronike, diarre ose kapsllëk. Humbja në peshë, gjumi i trazuar, kruarjet, marrja frymë me zor dhe temperatura mund të jenë, gjithashtu, shenja të pranisë së parazitëve. Natyrisht, këto simptoma mund të jenë tregues të një sërë sëmundjesh. Megjithatë, parazitët mund të diagnostikohen nëpërmjet disa analizave të jashtëqitjeve.
Diagnostikimi i saktë është thelbësor. Nëse një person ka, për shembull, edhe askaride, edhe disa lloje të tjera parazitësh, ato që duhen trajtuar të parët janë askaridet. Pse? Sepse disa ilaçe nuk i vrasin krimbat, por vetëm mund t’i irritojnë, kështu që ata migrojnë në organe të tjera të trupit, duke shkaktuar dëmtime serioze.
Parandalimi më i mirë se kurimi
Ndonëse trajtimi me ilaçe ka dalë i efektshëm në zhdukjen e parazitëve, është më mirë që në radhë të parë të shmanget infektimi prej tyre. Prandaj, si mund ta mbroni veten nga parazitët?
Mbrojtja më e mirë është pastërtia. Jashtëqitjet nuk duhen lënë të zbuluara. WC-të duhet të jenë në një distancë të sigurt nga burimi i ujit. Jashtëqitjet e njeriut nuk duhen përdorur si pleh. Higjiena e duhur është po ashtu thelbësore. Veç kësaj, mos i lini fëmijët të hanë me duar të pista. Nëse zbulohet se një fëmijë ka parazitë, do të ishte mirë që të kontrolloheshin të gjithë pjesëtarët e familjes.
Duhet treguar kujdes edhe në blerjen dhe përgatitjen e ushqimeve. Përpiquni të blini prodhime që janë rritur në një zonë të mirënjohur për kushtet higjienike. Mishi duhet gatuar mirë deri në thellësi. Mos hani asnjëherë mish të pagatuar. Frutat dhe perimet e freskëta duhen larë më përpara mirë e mirë. Kini kujdes, ama, që të mos e përdorni përsëri ujin, pasi mund të jetë i infektuar.
Uji që pini duhet zjerë mirë. Pasi të jetë ftohur, ai mund të gazohet, në mënyrë që t’i rikthehet oksigjeni. Shumica e filtrave që përdoren në shtëpi nuk arrijnë t’i eliminojnë të gjithë parazitët. Pastërtia e ujit që shitet varet nga shkalla e masave parandaluese higjienike që respektohen në fabrikën ku është prodhuar.
Udhëtimi dhe ngrënia jashtë kërkojnë masa të tjera parandaluese. Pijet në shishe ose në kuti kartoni zakonisht janë të sigurta nëse shërbehen pa akull. Duke qenë se disa parazitë u mbijetojnë temperaturave të ngrirjes, akulli nuk është më i pastër nga uji prej të cilit është bërë. Mund t’ju duhet të jeni të kujdesshëm kur zgjidhni ushqime që i blini tek shitësit ambulantë. Ananasët ose pjeprat e prerë në copa mund të duken joshës, por shpesh ata freskohen duke i spërkatur përsipër me ujë, ujë që mund të jetë i infektuar. Jini të kujdesshëm, por mos u bëni aq maniakë sa të mos arrini ta shijoni më udhëtimin. Duke marrë masa të arsyeshme parandaluese, ju mund të bëni shumë për ta mbrojtur veten nga parazitët.
[Figura në faqen 14]
Mbrojtja më e mirë është pastërtia
[Figura në faqen 15]
Akulli nuk është më i pastër nga uji prej të cilit është bërë
[Figurat në faqen 15]
Amebat dhe krimbat janë dy lloje parazitësh
[Burimi]
DPDx, the CDC Parasitology Website