BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 7/99 f. 14-19
  • Sidnei: Një qytet-liman plot jetë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sidnei: Një qytet-liman plot jetë
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Nga një koloni ndëshkimore në një qytet të begatë
  • Një qytet fillon të marrë formë
  • ‘Limani i madh dhe mbresëlënës’ i Sidneit
  • Ura Sidnei Harbour: Një kryevepër inxhinierike
  • Xhevahiri i limanit të Sidneit
  • Një vështrim në brendësi të Pallatit të Operës
  • Mos harroni kopshtin zoologjik!
  • Të rinjve katolikë u bëhet thirrja të japin dëshmi
    Zgjohuni!—2009
  • Leksion për operën
    Zgjohuni!—2008
  • E moshuar dhe e ngopur me vite
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Urat: Si do t’ia bënim pa to?
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 7/99 f. 14-19

Sidnei: Një qytet-liman plot jetë

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni fjalët «Sidnei, Australi»? A mendoni menjëherë për Pallatin unik të Operës në buzë të detit, me çatitë e tij të valëzuara që ngjajnë si velat e një jahti ose si guaska deti gjigante? Në varësi të asaj që ju tërheq më shumë, ky mund të jetë imazhi që ju vjen ndër mend.

Sidnei, porta e Australisë, është vlerësuar nga shumë njerëz si një nga qytetet më tërheqëse të botës. Ai është kryeqyteti i Uellsit të ri Jugor, shtetit më të populluar të kontinentit. Megjithatë, kryeqyteti kombëtar është Kanberra, i cili gjendet afërsisht në mes të distancës midis Sidneit dhe Melburnit.

Sidneasit, siç u pëlqen banorëve të qytetit të quhen, në përgjithësi janë miqësorë dhe të qetë. Shpesh i përmendur në këngët popullore me emrin «Qyteti Sidnei», Sidnei dallohet të paktën për tri elemente karakteristike që spikatin: (1) një liman natyror i futur thellë në kontinent, (2) një urë mbresëlënëse me një hark, mbi liman dhe (3) një Pallat unik Opere.

Klima është e butë, me një temperaturë mesatare në shkurt, që është muaji më i ngrohtë, prej 22°C, ndërkohë që në muajin më të freskët, në korrik, ajo vërtitet rreth vlerës mesatare prej 12°C. Reshjet e Australisë si karakteristikë janë të çrregullta dhe të paparashikueshme, por mesatarja e reshjeve në Sidnei është 1.140 mm në vit, shumica e të cilave bien gjatë muajve të verës (dhjetor-mars).

Në muajt e ardhshëm do të dëgjoni shumë më tepër për Sidnein, sepse ai është zgjedhur si qyteti që do të presë Lojërat Olimpike për vitin 2000.

Nga një koloni ndëshkimore në një qytet të begatë

I krahasuar me shumë qytete të tjera të famshme të botës, Sidnei është një qytet i ri, sepse historia e tij zë fill vetëm pak më shumë se 200 vjet më parë, në vitin 1770, kur eksploruesi britanik, kapiteni Xheims Kuk, kreu zbarkimin e tij historik në gjirin e Botanisë. (Bregu verior i gjirit të Botanisë, tani është vendndodhja e aeroportit ndërkombëtar të Sidneit.) Duke lundruar për disa milje në drejtim të veriut, ai kaloi anash një limani natyror të futur thellë në kontinent, të cilin e quajti Port Xhekson. Kështu, ai nuk hyri midis dy kepeve që të çonin në liman.

Më pas, në vitin 1788, mbërriti nga Anglia guvernatori Artur Filip me Flotën e Parë dhe me ngarkesën e saj me të dënuar britanikë. Ai ankoroi në breg, për të ngritur një koloni në gjirin e Botanisë, por arriti në përfundimin se ishte i papërshtatshëm. Atëherë, mori tri barka të hapura dhe lundroi në drejtim të veriut për të parë nëse mund të gjente një vend më të mirë.

Në fakt, vetëm pak milje më larg, ai zbuloi gjirin çuditërisht të futur dhe të madh, të cilin Kuk e kishte anashkaluar. Me anë të një mesazhi të famshëm dërguar me të shpejtë Lordit Sidnei, Sekretarit të Shtetit të Anglisë, Filipi i përcolli atij përshtypjet e tij mbi Port Xheksonin: «Ne . . . kemi kënaqësinë e zbulimit të limanit më të mirë në botë, në të cilin mund të lundrojnë në rresht me sigurinë më të madhe një mijë anije të rënda lufte me vela.» Për nder të Lordit Sidnei, Filipi e quajti limanin Limani Sidnei dhe ngriti atje koloninë e parë. Emri Sidnei ka mbetur deri sot e kësaj dite.

Të gjithë të dënuarit meshkuj u zbritën në tokë dhe menjëherë filluan të pastronin vendin dhe të ndërtonin strehë primitive. Flota kishte sjellë shumë të dënuar dhe po ashtu edhe një numër grash e fëmijësh, të cilëve iu desh të bënin ç’është e mundur që të përshtateshin në këtë «shtëpi» të re të detyrueshme mijëra kilometra larg vendlindjes së tyre. Për 20 vjetët pasues, kolonia përbëhej nga tenda të improvizuara dhe në banesa të përkohshme, shumica e të cilave s’ishin gjë tjetër veçse kasolle dhe kolibe, sepse fillimisht ajo duhej të ishte thjesht një koloni ndëshkimore. Megjithatë, në vitin 1810, në Sidnei erdhi guvernatori Laklan Makuari dhe gjatë qëndrimit të tij 11-vjeçar në post, kolonia pësoi një transformim të shpejtë.

Një qytet fillon të marrë formë

Nën drejtimin e Makuarisë, një arkitekt që e kishte shoqëruar atë që nga Anglia, i ndihmuar edhe nga një i dënuar i liruar që, gjithashtu, ishte arkitekt, projektuan shumë ndërtesa brenda dhe përreth Sidneit. Kjo i dha menjëherë kampit të të dënuarve atmosferën e qëndrimit të përhershëm. Sigurisht, krahu i punës nuk ishte problem, sepse të dënuar kishte plot. Veç kësaj, ekzistonte një sasi e bollshme gurësh ranorë që ishte i përkryer për të ndërtuar.

Autorja Portia Robinson, në librin e saj Gratë e gjirit të Botanisë, përshkruan transformimin e shpejtë të kolonisë: «Vizitorët, kolonët e lirë, zyrtarët, ushtarët dhe vetë të dënuarit që erdhën në Uellsin e ri Jugor në vitet e fundit të dekadës së Makuarisë [1810-1821], ndërsa pritnin të gjenin orgji, dehje dhe paligjshmëri, të cilat në Angli mendohej të ishin karakteristikat e kolonisë, u habitën nga ‘civilizimi’ i saj. Në vend të kasolleve dhe të kolibeve ata panë vila që ‘do të zbukuronin edhe Sheshin Hanover . . . , rrugë po aq të gjata sa edhe Rruga Oksford’, kisha dhe ndërtesa publike madhështore, rrugë dhe ura, dyqane dhe biznese të të gjitha llojeve, shtëpi të pastra për punëtorët dhe karroca të bukura për të pasurit . . . , ‘gjithçka fliste kundër faktit që ajo ishte një koloni të dënuarish’.»

Kështu, në vitin 1821, kur u largua guvernatori Makuari, përveç shtëpive në pronësi të shtetit dhe ndërtesave publike, Sidnei kishte tashmë 59 ndërtesa me gurë ranorë, 221 me tulla dhe 773 shtëpi prej druri. Sot, qyteti i Sidneit, me një popullsi prej afro katër milionë banorësh, qëndron si një dëshmi e mjeshtërisë së të dënuarve, kolonëve të lirë dhe familjeve të tyre dhe e largpamësisë së guvernatorëve të hershëm të kolonisë.

‘Limani i madh dhe mbresëlënës’ i Sidneit

Ndonëse në të folurin e përditshëm sidneasit i referohen Port Xheksonit si Limani Sidnei, limani në kuptimin e ngushtë të fjalës përbëhet në të vërtetë nga tri zona: Limani Qendror, Limani Verior dhe Limani Sidnei. Nga limani drejt periferisë shtrihen lumenjtë Parramatta dhe Lane Cove.

Limani Sidnei është një nga limanet natyrore më të bukura të botës, me një bregdet me gurë ranorë maja-maja, që shtrihet në një gjatësi prej 240 kilometrash. Largësia reale në vijë të drejtë që nga hyrja e limanit deri aty ku bashkohet me lumin Parramatta është 19 kilometra dhe sipërfaqja e përgjithshme ujore është 54 kilometra katrorë. Thellësia e limanit afër bregut është një nga elementet e spikatshme të tij dhe pika më e thellë llogaritet të jetë rreth 47 m. Hyrja mbresëlënëse nga Oqeani Paqësor gjendet mes dy kepeve të ngritur thikë, Kepit Verior dhe Kepit Jugor. Kepet janë vetëm 2 kilometra larg njëri-tjetrit, prandaj shtrirja e plotë e limanit nuk kuptohet deri sa hyn mirë brenda tij. Kjo mund të shpjegojë faktin se përse kapiteni Kuk nuk e eksploroi më plotësisht atë që iu duk se ishte thjesht një gji si gjithë të tjerët.

Duke u kthyer pas në vitin 1788, guvernatori Filip citohet të ketë thënë për Limanin Sidnei: ‘Për sa i përket shtrirjes dhe sigurisë, ai ia kalon gjithçkaje që kam parë dhe detarët më me përvojë që ishin me mua qenë plotësisht të mendimit se ai ishte një liman i madh dhe mbresëlënës, me një thellësi të mjaftueshme edhe për anijet më të mëdha dhe me një hapësirë për të mbajtur në siguri të plotë një numër çfarëdo anijesh që do të mund të grumbulloheshin.’

Ura Sidnei Harbour: Një kryevepër inxhinierike

Në vitin 1815, nevoja për një urë mbi liman, me shtrirje nga veriu në jug, u mor në konsideratë seriozisht, por asnjë projekt ure nuk u hodh në letër para vitit 1857. Ashtu siç është sot, ura shtrihet nga kepi Daues në anën jugore të limanit, në kepin Milsons në bregun verior, pikërisht në atë vend ku ishte propozuar fillimisht. Ndërtimi i kësaj ure me një hark, një nga më të gjatat në botë të këtij lloji, kërkoi nëntë vjet dhe kushtoi afërsisht 20 milionë dollarë australianë, një shumë e jashtëzakonshme për periudhën e depresionit në fillim të viteve 30. Zyrtarisht për trafikun ajo u hap më 19 mars të vitit 1932.

Harku masiv qendror është 503 metra i gjatë dhe pika më e lartë e tij ngrihet 134 metra mbi nivelin e detit. Hapësira poshtë urës është afërsisht 50 metra, gjë e cila bën të mundur që edhe anijet më të mëdha oqeanike të kalojnë nën të pa problem. Vetë ura është e gjerë 49 metra dhe fillimisht kishte një hekurudhë të dyfishtë, dy palë shina tramvaji, një rrugë me gjashtë korsi dhe dy rrugë këmbësorësh. Në vitin 1959, Sidnei i zëvendësoi tramvajet me autobusë, kështu që shinat e tramvajit u kthyen në korsi për trafik rrugor. Tani ura ka tetë korsi për makina, autobusë dhe kamionë. Gjatësia e përgjithshme e urës, duke përfshirë edhe zgjatimet në të dyja skajet e harkut, është 1.149 metra.

Në vitet 80, trafiku rrugor ishte kaq i rënduar, saqë u shqyrtua mundësia e hapjes së një kalimi tjetër përmes limanit. Kësaj radhe ishte më praktike të kalohej nën ujë. Kështu, në gusht të vitit 1992, në liman u hap një tunel me katër korsi.

Një shëtitje me nge mbi urë ofron pamje panoramike të Sidneit. Në anën veriore të limanit, ngritur mbi një shpat pyjor, gjendet kopshti zoologjik Taronga. Në anën e kundërt të limanit, pak më tutje urës, në kepin Benelong, gjendet Pallati i Operës i Sidneit që nuk mund të ngatërrohet.

Xhevahiri i limanit të Sidneit

I përshkruar si «xhevahiri i kepit Benelong», Pallati i Operës i Sidneit rrethohet në tri anë nga ujërat e kaltëra të limanit Sidnei. Nën dritën e shkëlqyeshme të diellit ai duket tamam si një xhevahir. Natën, guaskat e stilit gotik vezullojnë ndritshëm nën dritat e Pallatit të Operës.

Parathënia e librit Një vizion vihet në jetë bën një përshkrim të efektit pamor të Pallatit të Operës: «Pallati i Operës i Sidneit është një nga ato ndërtesa që fitojnë karakteristika krejt të reja me ndryshimin më të vogël të këndit të vështrimit ose të dritës . . . . Mjafton një mjegull herët në mëngjes ose drita e dobët e një dielli në perëndim për t’u dhënë guaskave pamjen e helmetave në sagat e gjigantëve legjendarë.»

Projekti i Pallatit të Operës u ideua nga arkitekti danez Jorn Utson dhe u zgjodh më në fund midis më shumë se 200 punimeve në një konkurs projektesh ndërkombëtar. Por disa aspekte të projektit të tij u vlerësuan si jopraktike dhe kërkuan modifikime thelbësore.

Architects’ Journal e Londrës e përshkroi atë si «shembulli ideal i një skulpture romantike të shkallës së lartë». Megjithatë, shndërrimi i kësaj ëndrre romantike në realitet paraqiti vështirësi të mëdha inxhinierike. Dy nga inxhinierët, sër Ove Arup dhe Xhek Zuns, thanë: «Pallati i Operës së Sidneit është . . . një aventurë për sa i përket ndërtimit . . . . Për shkak të rrethanave kaq të pazakonta në të cilat po ndërtohet dhe problemeve të tij kaq të vështira, ai ka krijuar mundësi të rralla . . . për zhvillimin e teknikave të reja. Shumë prej tyre janë përdorur vetëm në ndërtime urash dhe ndërtesash më tradicionale.»

Kostoja e vlerësuar fillimisht e Pallatit të Operës ishte 7 milionë dollarë australianë, por në përfundim të tij në vitin 1973, ajo kishte arritur shifrën astronomike prej 102 milionë dollarësh!

Një vështrim në brendësi të Pallatit të Operës

Ndërsa hyjmë në sallonin e hyrjes, vërejmë që drita e diellit depërton përmes dy shtresash xhami në gojën me formë konike të guaskave. Ndërtesa rrethohet nga një sipërfaqe e habitshme prej 6.225 metrash katrorë xhami special të prodhuar në Francë. Më pas hyjmë në sallën e koncerteve. Ndërsa qëndrojmë në fund të saj, duke i hedhur një vështrim 2.690 vendeve që janë para skenës, mbetemi të mahnitur tek shohim organon më të madhe në botë me sistem tracker, me 10.500 gypat e saj muzikorë.a Tavani ngrihet në një lartësi prej 25 metrash, duke krijuar kështu një vëllim prej 26.400 metrash kub. Kjo, sipas një broshure udhëzuese zyrtare, «bën që koha e kumbimit të jetë afërsisht dy sekonda, duke lejuar kështu që muzika simfonike të dëgjohet me një ton të plotë, të pasur dhe të ëmbël».

Po kaq mbresëlënës janë edhe tre auditorët e tjerë, të cilët janë projektuar për opera, koncerte simfonike, balete, filma, koncerte recitale, drama, muzikë dhome, ekspozita dhe kongrese. Gjithsej, Pallati i Operës ka 1.000 dhoma, përfshirë restorante, dhoma veshjeje dhe mjedise të tjera.

Mos harroni kopshtin zoologjik!

Nëse po planifikoni të vizitoni Sidnein, mos harroni të përfshini një shëtitje me anije përreth limanit. Nuk do të pendoheni! Bëni një shëtitje në kopshtin zoologjik Taronga. Jo të gjithë vizitorët që vijnë në Australi kanë kohë të shikojnë shkretëtirën australiane dhe botën e saj shtazore. Prandaj, një ditë në kopshtin zoologjik mund të jetë një aventurë e volitshme nëpër «zonën rurale» australiane. Kopshti paraqet botën unike shtazore të Australisë, nga kangurët te koalat dhe nga ornitorinkët te dingot. I ndodhur vetëm pak minuta larg me anijen shëtitëse të limanit nga stacioni i fundit i itinerarit pranë Pallatit të Operës, kopshti zoologjik gjendet pothuajse në zemër të Sidneit. Ai renditet ndër më të mirët e botës. Gjatë kohës që do të jeni në zonën e limanit, gëzoni zbavitjen falas të siguruar nga një larmi artistësh që luajnë në rrugë, të tillë si: akrobatë, indigjenë që i bien didgeridoo-s (një instrument frymor tipik indigjen) ose ndonjë grup i muzikës xhaz.

Jemi të bindur se do ta gëzoni plotësisht qëndrimin tuaj në Sidnei, në këtë qytet vërtet plot jetë, të vendosur në një liman të jashtëzakonshëm në hapësirën e kaltër të oqeanit Paqësor. Dhe kushedi, mbase mund të shtojmë madje edhe një tjetër karkalec deti në skarë për ju.

[Shënimi]

a Funksioni tracker është një sistem mekanik që e çon ajrin në gypat muzikorë dhe i jep mundësi organistit të luajë më me ndjenjë.

[Hartat në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Sidnei

Plazhi Manli

Port Xhekson

Ura Sidney Harbour

SIDNEI

Gjiri i Botanisë

[Figura në faqen 15]

Zona qendrore tregtare e Sidneit

[Figura në faqen 15]

Riprodhim i ishujve «Bunti» në gjirin e Botanisë

[Figura në faqen 15]

Tren ajror në qendër të Sidneit

[Figura në faqet 16, 17]

Pallati i Operës i Sidneit dhe ura mbi liman

[Burimi]

Me mirësjelljen e Pallatit të Operës të Sidneit (Fotografi nga Tracy Schramm)

[Figura në faqen 17]

Pamje e brendshme e Pallatit të Operës, me organon e saj që ka 10.500 gypa muzikorë

[Burimi]

Me mirësjelljen e Arkivit të Australisë në Kanberrë, A.C.T.

[Figura në faqen 18]

Plazhi Manli, Sidnei

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo