Urat: Si do t’ia bënim pa to?
«Lavdëro urën që të çoi në anën tjetër.»—Xhorxh Kolman, dramaturg anglez i shekullit të 19-të.
KUR ishte hera e fundit që kaluat mbi një urë? A e vutë re atë? Miliona njerëz kalojnë mbi ura çdo ditë. Ne thjesht i konsiderojmë ato si diçka të zakonshme. Ecim, shëtisim ose i japim makinës mbi ose nën to, ndoshta pa e vrarë fare mendjen. Por çfarë do të ndodhte sikur ato të mos ishin?
Falë gjithë llojeve të urave, për mijëra vjet njerëzit dhe kafshët kanë mundur të kalojnë shtigje që përndryshe do të ishin të pakalueshme, qoftë lumë, humnerë ose grykë mali. Vështirë të imagjinojmë pa urat e tyre disa qytete të tilla, si: Kairon, Londrën, Moskën, Nju Jorkun, Sidnein dhe shumë të tjera. Po, urat kanë një të kaluar të lashtë.
Urat e së kaluarës
Rreth 2.500 vjet më parë, mbretëresha Nitokris e Babilonisë ndërtoi një urë mbi lumin Eufrat. Pse? Historiani grek Herodoti përgjigjet: «[Babilonia] ishte ndarë nga lumi në dy pjesë të veçanta. Nën sundimin e mbretërve të mëparshëm, nëse një njeri donte të kalonte nga njëra pjesë te tjetra, ai duhej ta përshkonte lumin me një varkë, e cila, nga ç’më duket mua, duhet t’u ketë nxjerrë shumë telashe.» Duke përdorur lëndë drusore, tulla të pjekura e blloqe guri për materiale ndërtimi dhe hekur e plumb për llaç, Nitokris ndërtoi një urë mbi një prej lumenjve më të famshëm të kohëve të lashta.
Nganjëherë urat kanë ndikuar në rrjedhën e historisë. Kur mbreti Dari i Madh i Persisë nisi fushatën e tij ushtarake kundër skithëve, ai donte të merrte rrugën tokësore më të shpejtë që ekzistonte nga Azia në Evropë. Kjo do të thoshte të udhëhiqte ushtrinë e tij prej 600.000 burrash nëpër ngushticën e Bosforit. Për shkak të mjegullës së dendur dhe rrymave mashtruese të ujit, ishte e rrezikshme të përshkoje ngushticën me varkë, kështu që Dari i lidhi varkat së bashku me litar derisa bëri një urë lundruese 900 metra të gjatë. Për të kaluar sot ngushticën, ju nuk duhet të bëni kaq shumë përpjekje sa bëri Dari. Nëse përdorni urat e Bosforit në Stamboll, Turqi, ju mund të bëni një udhëtim me makinë në më pak se dy minuta.
Nëse jeni një student i Biblës, mund të jeni në gjendje të mendoni për një rast kur mungesa e një ure ndikoi rrjedhën e historisë. Kujto se ç’ndodhi kur mbreti Nabukodonosor i Babilonisë rrethoi qytetin ishullor të Tirit. Për 13 vjet ai u përpoq ta pushtonte qytetin, por nuk mundi në një farë mase, sepse nuk kishte asnjë urë ndërmjet ishullit dhe kontinentit. (Ezekieli 29:17-20) Qyteti ishullor nuk u pushtua edhe për treqind vjet të tjerë, kur Aleksandri i Madh ndërtoi një rrugë të ngritur nga kontinenti tek ishulli.
Në shekullin e parë, «të gjitha rrugët të çonin në Romë», por romakët, për të lidhur mbretërinë së bashku, përveç rrugëve kishin nevojë edhe për ura. Duke përdorur gurë që peshonin rreth tetë tonë secili, inxhinierët romakë ndërtuan ura me harqe që ishin projektuar aq me mjeshtëri, saqë disa prej tyre ekzistojnë edhe pas më shumë se dymijë vjetësh. Ujësjellësit dhe viaduktet e tyre ishin, gjithashtu, ura.
Në Mesjetë, urat shërbyen në ndonjë rast si fortifikata. Në vitin 944 të e.s., për të mënjanuar sulmin e danëve, saksonët ndërtuan një urë druri mbi lumin Tamiz, në Londër. Gati treqind vjet më vonë, kjo urë druri u zëvendësua nga Old London Bridge, e njohur në histori dhe në vargje.
Nga koha kur Mbretëresha Elizabeta I hipi në fronin e Anglisë, Old London Bridge nuk ishte më vetëm një fortifikatë guri. U ndërtuan ndërtesa drejtpërdrejt mbi urë. Në katin e parë kishte dyqane. Po katet e sipërme? Ato shërbyen si vendbanime për tregëtarët e pasur, madje dhe për anëtarët e oborrit mbretëror. London Bridge u bë një qendër e jetës sociale londineze. Marrja e qirave të dyqaneve dhe rezidencave, ndihmoi për të paguar mirëmbajtjen e urës dhe ja, Ura e Londrës ishte një urë tarifore!
Ndërsa evropianët ishin të zënë në ndërtimin e urave prej druri dhe guri, inkasit e Amerikës Jugore po i ndërtonin ato me litarë. Një shembull i famshëm është ura e San Luis Rei, e cila lidhi dy brigjet e lumit Apurimak në Peru. Inkasit merrnin fibrat e një bime dhe i thurnin ato së bashku për të bërë kabllo të trasha sa trupi i një njeriu. I vendosnin kabllot mbi shtyllat prej guri dhe pastaj i zgjatnin ato përgjatë lumit. Pasi i siguronin kabllot në të dy skajet, për të bërë një rrugë, ata varnin një platformë të bërë me dërrasa. Grupet e mirëmbajtjes i rinovonin kabllot çdo dy vjet. Këto ura ishin ndërtuar dhe mirëmbajtur aq mirë, saqë kanë qëndruar në këmbë për pesëqind vjet!
Urat dhe nevojat tona në ndryshim
Urat duhet të jenë në gjendje t’u rezistojnë tërmeteve, erërave të forta dhe ndryshimeve të temperaturës. Siç kemi parë, inxhinierët, pothuajse deri tani vonë kanë përdorur lëndë drusore, tulla ose gurë për të ndërtuar ura. Kur filloi të përdorej makina, në fund të shekullit të 19-të, urat që ekzistonin duhej të përmirësoheshin dhe të zgjeroheshin për të mbajtur një trafik më të rënduar.
Projektimit dhe ndërtimit të urave u dha një shtysë edhe shpikja e lokomotivës me avull. Për të qenë të përshtatshme, pjesa më e madhe e hekurudhave, shpesh zgjaten përgjatë një ngushtice të gjerë ose një humnere të thellë. A mund të ndërtohej një urë për të kaluar hendekun dhe për të përballuar peshën, ndërsa i shtoheshin gjithnjë e më shumë vagonë mallrash? Nevojat, për një farë kohe, i plotësuan urat prej gize. Një nga urat më të famshme të fillimit të shekullit të 19-të, është ura e varur mbi ngushticën e Menait në Uellsin Verior, e projektuar nga inxhinieri skocez Tomas Telford dhe përfunduar në vitin 1826. Është e gjatë 176 metra dhe është akoma në përdorim! Por urat prej gize kishin prirje të ishin të brishta dhe rënia e tyre ishte e zakonshme. Përfundimisht, në fund të shekullit të 18-të, filloi të prodhohej çeliku. Ky material kishte veti që ishin të përshtatshme për të ndërtuar ura më të gjata dhe më të sigurta.
Lloje struktura urash
Ka shtatë lloje kryesore urash. (Shiko kutinë poshtë.) Këtu do të shqyrtojmë shkurtimisht dy prej tyre.
Urat me konsol kanë dy shtyllëmbajtëse masive përballë dy anëve të lumit. Në secilën shtyllëmbajtëse është mbërthyer nga një tra, si një trampolinë e fiksuar në bordurën e një pishine. Për të përfunduar urën, trarët bashkohen në mes me një kapriatë.
Kur ka një lumë të rrëmbyeshëm ose shtrati i tij është tepër i butë, preferohet shpesh struktura konsol, pasi nuk ka nevojë që këmbët e urës të zhyten në mes të shtratit të lumit. Për shkak të ngurtësisë së tyre, urat konsol janë ideale për të mbajtur një trafik të rëndë si trenat.
Ndoshta keni parë një akrobat cirku që ecën mbi një tel të tendosur. A e kuptoni që ai faktikisht po ecën mbi një urë: një urë të varur? Disa ura të varura që përdoren sot, nuk janë më shumë të ndërlikuara se një tel i tendosur. Ato mund të përbëhen nga një kabllo e mbërthyer në të dy skajet, me një kosh të varur në të. Pasagjeri ulet në kosh dhe lëviz në një pjerrësi të lehtë teposhtë, derisa arrin anën tjetër. Njerëzit përreth botës përdorin gjithmonë ura kablloje të thjeshta.
Sigurisht, vështirë se do t’ju shkonte nëpër mend t’i jepnit makinës mbi një urë të bërë me tel. Pas shpikjes së zinxhirave të hekurit dhe kabllove me fije çeliku, u mundësua ndërtimi i urave të varura që mund të mbanin pesha të rënda. Urat e varura moderne mund të kenë një hapësirë kryesore që zgjatet 1.200 metra ose më shumë. Një urë e varur përbëhet zakonisht nga dy këmbë të bëra me çelik ku secila mban një shtyllëmbajtëse. Kabllot e çelikut, të bëra nga mijëra fije, janë fiksuar te shtyllëmbajtëset dhe në rrugën poshtë. Kabllot janë mbështetja kryesore për peshën e trafikut dhe për rrugën. Kur është ndërtuar siç duhet, ura e varur është një nga urat më të sigurta në botë.
Në të kaluarën mund t’i keni konsideruar urat si diçka e zakonshme. Megjithatë, kur të kaloni herën tjetër mbi një urë që e përshkoni shpesh, pyetni veten: ‘Çfarë di për këtë urë? Kur u ndërtua?’ Shikoje atë nga afër. Është një urë konsol, e varur apo ndonjë lloj tjetër? Pse është zgjedhur ky projekt i veçantë?
Pastaj, ndërsa kalon, shiko poshtë dhe pyet veten: ‘Si do t’ia bëja pa të?’
[Kutia dhe figura në faqen 12]
PROJEKTE URASH
1. URAT ME TRARË janë përdorur shpesh në autostrada. Trarët fiksohen te këmbët e urës ose te mbështetëset. Këto ura mund të zgjaten deri në 300 metra.
2. URAT ME KAPRIATË janë përbërë nga kapriata në formën e trekëndëshave. Këto ura, që shpesh përdoren për hekurudhat, janë ndërtuar për të përshkuar kanione, lumenj dhe pengesa të tjera.
3. Në URAT ME HARQE çdo hapësirë ure formon një hark. Kjo është një nga llojet më të vjetra të urave. Romakët e ndërtuan këtë lloj harku në ujësjellsat e viaduktet e tyre dhe përdorën një gurkyç për të fiksuar harkun. Ekzistojnë akoma shumë edhe sot.
4. URAT ME KABLLO TENDOSËSE janë të ngjashme me urat e varura, vetëm se kabllot janë të lidhura drejtpërdrejt te shtyllëmbajtëset.
5. URAT E LËVIZSHME mund të ngrihen ose të rrotullohen për të lejuar anijet që të kalojnë përmes. Tower Bridge e Londrës është një shembull i mirë.
6. URAT ME KONSOL janë shpjeguar në tekstin kryesor.
7. URAT E VARURA janë shpjeguar në tekstin kryesor.—World Book Encyclopedia, 1994.
[Tabela në faqen 13]
DISA URA TË FAMSHME
TË VARURA
Storebaelt Danimarkë 1,624 m
Bruklin SHBA 486 m
Golden Gate SHBA 1,280 m
Jiangyin Yangtze Kinë 1,385 m
KONSOL
Fort (dy hapsira) Skoci 521 m secila
Kuebek Kanada 549 m
Lumi i Misisipit SHBA 480 m
ME HARQE ÇELIKU
Sydney Harbour Australi 500 m
Birchenough Zimbabve 329 m
ME KABLLO TENDOSËSE
Ura e Normandisë Francë 856 m
Skarnsundet Norvegji 530 m
[Figura në faqen 10]
Urë moderne me trarë sipër urës së lashtë me harqe në Almeria, Spanjë
[Figura në faqen 13]
Ura e Bruklinit, Nju Jork, SHBA (e varur)
[Figura në faqen 13]
Tower Bridge, Londër, Angli (e lëvizshme)
[Figura në faqen 13]
Ura Sydney Harbour, Australi (me hark)
[Figura në faqen 13]
Seto Ohashi, Japoni (me kabllo tendosëse)