Si e mori emrin lulja e pasionit?
PËR çfarë pasioni e kemi fjalën? Me sa duket, jo për pasionin romantik.
Historia tregon se kohë përpara, në shekullin e 16-të, disa priftërinj katolikë i dhanë kësaj bime emrin e saj.a Ata thanë se ca pjesë të lules u kujtonin mundimet dhe vdekjen e Jezu Krishtit (të cilat, në disa gjuhë, përmblidhen me fjalën «pasion»). Vëreni me kujdes ilustrimin dhe mund të arrini ta ndiqni shpjegimin e tyre. Ata thanë se pesë petalet e lules dhe pesë nënpetlat ngjashëm petaleve paraqitnin të dhjetë apostujt besnikë që mbetën me Krishtin gjatë mundimeve të tij. (Për t’u përshtatur, ata përjashtuan Judën, tradhtarin, si edhe Pjetrin, që e mohoi Jezuin tri herë.) Madje ata panë kurorën me gjemba të Krishtit në zgjatimet si qime flokësh të kurorës së lules, që janë sipër petaleve. Pesë thekët (strukturat mashkullore të lules, që prodhojnë pjalmin) paraqitnin pesë plagët e imagjinuara të Jezuit. Tre pistilat, të cilët dalin mbi vezoren, përfundojnë me kreza si kopsa, që ngjajnë gati-gati si gozhdë kokëmëdha. Këto u mendua se paraqitnin gozhdët që u përdorën në ekzekutimin e Jezuit në shtyllë. Këtyre priftërinjve patjetër që nuk u mungonte fantazia!
Në kohën kur e zbuluan ata, kjo lule e bukur rritej në atë vend që tani e quajmë Amerika Latine. Sot ajo kultivohet në shumë pjesë të botës, përfshirë edhe mjaft kopshte botanike. Diametri i saj luhatet nga 13 deri në 150 milimetra dhe lulja shfaqet në një shumëllojshmëri të madhe ngjyrash.
Ekzistojnë afro 400 lloje lule pasioni, të cilat rriten normalisht në rajonet më të ngrohta të botës. Disa prej tyre madje nxjerrin një frut të ngrënshëm, që mund të jetë paksa i thartë ose shumë i ëmbël. Ky frut mund të përdoret për të bërë lëng frutash, marmelatë e madje edhe akullore. Një prej llojeve të lule pasionit ngjan si kungull uji dhe mund të peshojë të paktën tre kilogramë e gjysmë.
Siç mund ta kuptoni, një lule fsheh shumë më tepër gjëra nga ç’sheh syri. Në fakt, ekzistojnë rreth 250.000 lloje angiospermash ose bimësh lulëzuese! Tani ekziston një fushë studimi për studiuesit e pasionuar të florikulturës.
[Shënimi]
a Në shqip njihet edhe si lule sahati.
[Diagrami në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
NËNPETLAT
ZGJATIMET E KURORËS
PETALET
PISTILAT
THEKËT