BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 8/12 f. 16-17
  • Lulja më e madhe në botë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Lulja më e madhe në botë
  • Zgjohuni!—2012
  • Material i ngjashëm
  • Të bukura dhe të shijshme
    Zgjohuni!—2004
  • Një «kufomë» vjen në jetë
    Zgjohuni!—2000
  • Si e mori emrin lulja e pasionit?
    Zgjohuni!—1999
  • A keni qejf të provoni ca lule kungulli?
    Zgjohuni!—2004
Shih më tepër
Zgjohuni!—2012
g 8/12 f. 16-17

Lulja më e madhe në botë

«HAJDE pak, zotëri, hajde shpejt! Një lule shumë e madhe, e bukur, e mrekullueshme!»—i tha i emocionuar udhërrëfyesi Xhozef Arnoldit, një botanist britanik, që kishte shkuar në një ekspeditë për të mbledhur bimë në ishullin indonezian të Sumatrës. Arnoldi e ndoqi dhe para syve i doli diçka «vërtet mahnitëse», siç e quajti ai. Ishte një lule magjepsëse. Sot, gati 200 vjet më vonë, varieteti i lules që pa ai në ekspeditën e vitit 1818​—raflesia spektakolare—​njihet ende si lulja më e madhe në botë.

Ka me dhjetëra lloje raflesiash, e të gjitha rriten vetëm në xhunglat e Azisë Juglindore. Megjithatë, identifikohen vazhdimisht lloje të reja. Varieteti me lulen më të madhe është Rafflesia arnoldii, që e mori emrin nga Xhozef Arnoldi dhe shoku i tij i ekspeditës, sër Tomas Stamford Raflesi, themelues dhe guvernator i Singaporit. Por, me gjithë bukurinë që ka kjo lule, zor se do ta mblidhje për buqetë.

Së pari, është problemi i madhësisë. Raflesia mund të ketë një diametër deri në rreth 1 metër, pra sa një rrotë autobusi, dhe mund të peshojë afro 11 kile.a Lulja ka pesë petale të trasha, të tulta, me ngjyrë të trëndafiltë në kafe, plot me njolla të çelëta si xhunga të vockla. Petalet përfundojnë në një zgavër të madhe e cila ngjason si kusi që mund të mbajë deri në 6 litra ujë.

Së dyti, mendo pak për kundërmimin. Sipas një përshkrimi të sinqertë, raflesia bie erë si «kërma e një bualli në fazë të përparuar dekompozimi», ndaj edhe ka marrë emrat që i shkojnë për shtat: lulja kufomë ose zambaku kufomëkutërbues.b Pjalmuesit kryesorë të këtyre luleve janë insektet që ushqehen me kërma, pasi era e qelbur është një joshje e parezistueshme për to.

Lulja e raflesias nuk ka kërcell, gjethe a rrënjë dhe rritet përtokë në xhungël si parazite e disa bimëve kacavjerrëse. Kur raflesia lëshon syth në lëvoren e bimës mikpritëse, sythit i duhen rreth dhjetë muaj të rritet dhe shpesh bëhet sa një lakër e madhe. Pastaj, në një proces që zgjat disa orë, petlat e tulta hapen, duke shpalosur gjithë hijeshinë e tyre. Brenda zgavrës qendrore ka zgjatime si gjemba. Ende nuk dihet mirë ç’funksion kanë, ndonëse disa studiues mendojnë se mund të shërbejnë për të përhapur nxehtësinë, e kështu era e qelbur bëhet edhe më e rëndë.

Sidoqoftë, bukuria e pazakontë e lules është jetëshkurtër. S’kalojnë veçse pak ditë dhe lulja vyshket e zë të kalbet, duke lënë pas një masë veshtullore të zezë.

Rafflesia arnoldii është bimë e rrallë që rrezikon të zhduket. Pse? Lulet mashkullore e femërore duhet të çelin pranë e pranë që të bëhet pjalmimi i kryqëzuar, por shumica e sythave nuk e arrijnë kurrë pjekurinë ose nuk mugullojnë. Kjo ndodh ngaqë mjaft sytha mblidhen që të përdoren në mjekësinë tradicionale ose të serviren në tryezë si ushqim i zgjedhur. Si pasojë, është pakësuar goxha numri i bimëve që rriten në natyrë. Një kërcënim tjetër serioz është shkatërrimi i pareshtur i pyjeve të shiut, habitatit të lules.

Të shohësh një raflesia është përvojë e rrallë. Madhësia e saj të lë gojëhapur. Kundërmimi s’do mend që është i paharrueshëm. Forma dhe ngjyra janë mbresëlënëse. Natyrisht, lulja më e madhe në botë është veç një nga veprat e pafundme magjepsëse të Krijuesit tonë. Psalmi 104:24 thotë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»

[Shënimet]

a Lulet e disa lloje raflesiash e kanë diametrin vetëm 10 cm.

b Edhe lulja e arumit titanik (Amorphophallus titanum) është quajtur lulja kufomë dhe nganjëherë e ngatërrojnë me raflesian.​—Shih Zgjohuni! të 22 qershorit 2000, faqja 31.

[Harta në faqen 17]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

MALAJZI

SUMATËR

[Figura në faqen 17]

Syth i raflesias gati të çelë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo