BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 9/99 f. 15-19
  • Pantanali: Një rezervat magjepsës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pantanali: Një rezervat magjepsës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Aligatorë dhe anakonda!
  • Jeta e pantaneiros
  • Një kopsht zoologjik pa kafaze
  • Një rezervat ekologjik ndotet
  • Kthimi në xhunglën reale
  • «A e keni parë ndonjëherë bolivianitën?»
    Zgjohuni!—2005
  • I mahnitshmi makao!
    Zgjohuni!—2016
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—2001
  • Nga lexuesit tanë
    Zgjohuni!—2000
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 9/99 f. 15-19

Pantanali: Një rezervat magjepsës

NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRAZIL

TURISTI u zemërua kur Zheronimu i kërkoi që të mos e hidhte kanoçen e birrës në lumë. «I yti është ky lumë?»—e pyeti ai. «Jo,—u përgjigj Zheronimu,—është yni. Por nëse ju vazhdoni të hidhni mbeturina në të, së shpejti asnjëri prej nesh nuk do të mundë të peshkojë këtu.»

Ky episod zbulon vetëm njërën nga mënyrat në të cilat po kërcënohet sot Pantanali, një hapësirë e gjerë që përfshin pjesë të Brazilit, Bolivisë dhe Paraguajit. Fjala portugeze pântano do të thotë «kënetë ose moçal». Por Pantanali nuk është i sheshtë, kështu që ujërat e tij nuk rrinë amull. Përkundrazi, ato rrjedhin ngadalë e qetë-qetë, duke bërë që rrafshina pjellore të mbulohet me një shumëllojshmëri barërash. A ju pëlqen të dini më shumë për këtë rajon të paanë? Bashkohuni me mua, ndërsa udhëtoj me një grup turistësh në njërin nga rezervatet ekologjike më magjepsëse të botës.

Aligatorë dhe anakonda!

Duke u larguar nga San Paulo, drejtohemi me autobus drejt perëndimit, për në Korumbë, një distancë prej rreth 1.200 kilometrash. Ndërsa hyjmë në zonën e Pantanalit, disa zogj të stërmëdhenj fluturojnë mbi kokat tona, si për të na uruar mirëseardhjen. Janë jabiru (ose tuiuiú), me një gjatësi të krahëve të hapur prej më shumë se dy metrash e gjysmë. Këtij zogu i duhet gati një pistë e tërë që të ngrihet në fluturim! «Lëvizja e fuqishme e krahëve krijon një fërfërimë nga fërkimi me ajrin,—shkruan Aroldu Palu i Riu, i cili kaloi dy vjet në Pantanal.—Gjatë riteve të çiftimit [të jabiruve],—shton ai,—dy a tre meshkuj ngrihen në fluturim së bashku . . . , duke dhënë një shfaqje pikiatash spektakolare, që mund të shihen prej së largu.»

Stina e thatë ka ardhur dhe niveli i ujit është i ulët. Prandaj peshqit janë një pre e lehtë për zogjtë. Pa shikoni! Një jabiru dhe një çafkë po peshkojnë në mes të aligatorëve! Aligatorët kanë shtruar gosti me peshkun e lig piranë. Siç mund ta dini, piranat kanë dhëmbë jashtëzakonisht të mprehtë dhe ato tërhiqen nga një pre së cilës i rrjedh gjak. Ndërkohë që ne patjetër nuk do të donim të ishim afër ndonjërit prej këtyre peshqve, aligatorët duket se nuk u kushtojnë vëmendje rreziqeve dhe se janë të përjashtuar nga to.

Pasi kalojmë një lumë me traget, ne marrim një automjet për të shkuar në një fermë. Papritur, shoferi ndalon dhe na tregon një gjarpër jashtëzakonisht të madh që po kalon mespërmes rrugës me pluhur. «Është një anakondë,—thotë ai.—Më mirë të bëni shpejt një fotografi. Këta nuk i shikon shumë shpesh kaq afër!» Thjesht pamja e tij bën të më dridhet zemra, pasi anakonda, që arrin një gjatësi deri në 9 metra, është një nga më të mëdhenjtë e gjithë gjarpërinjve. Ndërkohë që zhduket në kaçube, kuptoj që anakonda është edhe e shpejtë. Aq më mirë. Vërtet, nëse anakonda nuk do të ishte larguar, jam i sigurt se duart e mia që dridheshin do të bënin që fotografia të dilte e turbullt!

Jeta e pantaneiros

Pantanali është vendi i tufave mjaft të mëdha të bagëtive. Kujdesja për to është punë e pantaneiros. Ai është në të vërtetë një përzierje e lopçarit me fermerin, një pasardhës i banorëve indianë, afrikanë dhe spanjollë. Pantaneiro zbut kuaj dhe e kullot bagëtinë nga njëri skaj i fermës në tjetrin. Ne shohim disa tufa, çdonjëra prej të cilave përbëhet nga rreth njëmijë kokë bagëti. Secila tufë drejtohet nga gjashtë burra. Në ballë shkon kuzhinieri, që pasohet nga një bari me bori të bërë nga një bri demi. Mbrapa ka lopçarë të tjerë. Njëri është pronari i tufës, ndërsa të tjerët mbledhin dhe vënë përpara kafshët që mbeten prapa dhe ato që humbasin rrugën.

Zheronimu, i përmendur në fillim, është një pantaneiro. Ndonëse është më e lodhshme, ai po vozit përgjatë lumit Abobral, në vend që të përdorë një motoskaf, sepse zhurma e motorit mund t’i trembë zogjtë. Toni plot nderim i zërit të tij pasqyron dashurinë dhe merakun që ka për shtëpinë e tij, Pantanalin. «Shikoni! Atje në bregun e lumit, një aligator që po ngrohet në diell»,—thotë Zheronimu. Pak më tej, na tregon strofkën e një çifti lundërzash. «Është shtëpia e tyre,—thotë ai.—I shikoj gjithmonë atje.» Herë pas here Zheronimu e mbush gotën e tij me ujë nga lumi, për të shuar etjen. «Nuk është i ndotur uji?»—e pyesim ne. «Ende jo,—përgjigjet ai.—Edhe ju mund të pini pak nëse dëshironi.» Ne s’jemi krejtësisht të bindur.

Pantaneiro ka një pikëpamje optimiste për jetën. Dëshirat e tij janë të pakta dhe puna që bën është dëfrimi i tij. Ai largohet nga shtëpia në të aguar dhe kthehet natën, duke fituar pagën minimale (rreth 100 $ në muaj), si edhe vend për të ndenjur e ushqim. Ai, gjithashtu, mund të hajë mish sa t’i dojë zemra. «Në fermën time,—thotë një fermer,—pantaneiro ha çfarë të dojë dhe sa të dojë. Ai nuk është një skllav. Nëse nuk është i kënaqur, ai mund të thotë: ‘Bos, më jep paratë e mia. Unë po largohem.’»

Një kopsht zoologjik pa kafaze

Shtëpia-hotel e fermës, në të cilën qëndruam është, gjithashtu, banesa e shumë zogjve dhe e shumë kafshëve të tilla, si: papagallët gjigandë, papagallët e zakonshëm, papagallët trupvegjël, jabirutë, jaguarët, kapibarat (Hydrochoerus capybara) dhe drerët. Një pasardhës i fisit indian Guaná, familja e të cilit ka jetuar në Pantanal për 100 vjet, na tregoi: «Ne ushqejmë shpendët këtu. Shumë prej tyre iu konfiskuan nga policia pyjore atyre që dyshohej se ishin gjuetarë pa leje.» Gruaja e tij tha se në fillim kishin vetëm 18 papagallë trupvegjël, por tani kanë rreth 100. «Synimi ynë është që t’i kthejmë përsëri në habitatin e tyre»,—thotë ajo.

Në këtë kopsht zoologjik pa kafaze, ne bëmë fotografi të papagallëve gjigandë që hanin qetësisht pranë derrave dhe pulave. Turistë nga gjithë bota ndihen të kënaqur me bollëkun e shpendëve e të kafshëve dhe me peizazhin e Pantanalit. Gjithashtu, perëndimet janë mahnitëse! Një ditë, një vajzë turiste japoneze kishte mbetur gojëhapur nga tufat e zogjve që ktheheshin drejt çerdheve të tyre në perëndim të diellit. Pastaj thirrja e një punëtori ferme: «Zonjushë, kini kujdes. Ka jaguarë atje!», e bëri t’ia mbathte me vrap për në dhomën e saj. Megjithatë, ditën tjetër ajo e kishte kapërcyer frikën dhe po ushqente me biskota të thata papagallët gjigandë. Ne e fotografuam madje ndërsa mbante me gojë një biskotë të thatë, që njëri prej tyre ta kapte me sqep. Ajo nuk kishte më frikë!

Një mëngjes, para se të lindte dielli, dolëm përjashta për të vështruar yjet. Dukej sikur mund të zgjatnim dorën dhe t’i preknim. Një pamje e papërshkrueshme! Këtu në Pantanal, ne pothuaj mund «të dëgjonim» heshtjen. Panoramat dhe tingujt na nxitën të falënderonim Krijuesin për këtë pamje parajsore. Në një fletëpalosje reklame thuhej: «Në qoftë se dikush ju pyet ndonjë ditë nëse ekziston parajsa, ju mund t’i thoni: ‘Pa dyshim, Pantanali është një pjesë e saj.’»

Një rezervat ekologjik ndotet

Gjatë 20 vjetëve të fundit, shtypi i ka dedikuar shumë hapësirë diskutimit të kërcënimit i kanoset Pantanalit. Në librin e tij Pantanal, Aroldu Palu i Riu shkruan rreth mënyrave në të cilat po ndotet ekosistemi i Pantanalit. Shkurt, në to përfshihen:

◼ Mbushja me lym e lumenjve. «Vitet e fundit, lumi Takuari është mbushur kaq shumë me lym, sa është e pamundur të lundrosh pranë grykës së tij, gjë që izolon... ata që jetojnë në brigjet e lumit. I njëjti proces po ndodh në lumenjtë e tjerë që rrjedhin në pellgun ujor të Pantanalit.»

◼ Cikli i thatësirës. «Kam frikë se nëse . . . do të kemi një cikël thatësire prej 15 ose 20 vjetësh, siç ka ndodhur së fundi, mund të vijnë pasoja katastrofike për florën dhe faunën e rajonit.»

◼ Herbicide dhe mërkur. «Bujqësia e mekanizuar që kryhet jashtë Pantanalit përfshin përdorimin e herbicideve, të cilat depërtojnë në ujërat nëntokësore dhe çojnë në ndotjen e lumenjve që rrjedhin aty pranë. Ose ato transportohen nga ujërat sipërfaqësore së bashku me dheun, duke bërë që lumenjtë të mbushen me lym. Në Pokone Pantanal, një kërcënim tjetër i madh janë punimet në minierat e arit, të cilat e ndotin ujin me mërkur.»

◼ Gjuetia. «Ndonëse e ndaluar me ligj, ajo praktikohet në pjesën më të madhe të Pantanalit në mënyrë të pakontrolluar. Me përjashtim të disa fermerëve që e kuptojnë problemin e po mbrojnë pasuritë e tyre natyrore dhe të disa personave të tjerë që i ruajnë ato për interesa ekonomike, që t’i shfrytëzojnë për turizëm, jeta shtazore dhe peizazhi janë në mëshirë të interesave egoiste.»

Kthimi në xhunglën reale

Çfarë kontrasti vërejmë kur kthehemi në San Paulo! Në vend të ipês të verdha e të purpurta dhe të sherbelës së kuqe, na del përballë një xhungël grataçielash. Në vend të ujërave të pastra e të tejdukshme që gëlonin nga peshqit, lumenj të shndërruar në kanale ujërash të zeza. Në vend të këngëve melodioze të zogjve, zhurma shurdhuese e mijëra kamionëve dhe makinave që u bien borive. Në vend të qiellit të kthjellët e të kaltër, shenja që na lajmërojnë: «Gjendja e ajrit: e keqe». Në vend të paqes midis njerëzve dhe kafshëve, frika nga grabitqarët njerëz.

Ne qëndruam dy javë në Pantanal, një kohë shumë e shkurtër për të njohur rajonet e ndryshme me emrat e tyre ekzotikë të tillë, si: Pokone, Nekolandia, Abobral, Nabileke dhe Paiaguas, çdonjëri me karakteristikat e veta. Por ishte një përvojë e paharrueshme. Flora dhe fauna janë si një balsam për sytë, një simfoni për veshët dhe një bar përtëritës për zemrën.

[Hartat në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Paraguaj

Bolivi

Brazil

PANTANALI

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 16]

Një bishtdallëndyshe e verdhë

[Figura në faqet 16, 17]

Një jaguar

[Figura në faqen 17]

Çafka të mëdha të bardha

[Burimi]

Georges El Sayegh

[Figura në faqen 17]

Një anakondë dhe një aligator

[Burimi]

Georges El Sayegh

[Figura në faqen 18]

Një papagall gjigand

[Burimi]

Georges El Sayegh

[Figura në faqen 18]

Këto pirana 15-centimetërshe kanë dhëmbë jashtëzakonisht të mprehtë

[Burimi]

© Kjell B. Sandved/Visuals Unlimited

[Burimi i figurës në faqen 15]

Georges El Sayegh

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo