Arra e Fildishit—A mund t’i shpëtojë elefantët?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË EKUADOR
JANË miq të çuditshëm. Njëra peshon disa gramë, tjetri disa tonë. Njëra është bimë, tjetri është kafshë. Jetojnë në kontinente të ndryshme. Megjithatë, arra e vockël e fildishit e Amerikës së Jugut ka mundur ta shpëtojë elefantin e fuqishëm afrikan prej masakrimit të shfrenuar. Por, çfarë është arra e fildishit dhe si është bërë një mike e elefantit?
Një palmë e pazakontë
Arra e fildishit është fara e një varieteti të pazakontë palme, që gjendet kryesisht në veri të Amerikës së Jugut. Këto pemë që rriten dalëngadalë, shpalosin gjethe të hijshme, të cilat duket sikur dalin nga toka. Për shumë vite, nuk shihet asnjë trung. Një palmë arre fildishi, trungu i së cilës ka arritur lartësinë prej dy metrash është të paktën 35 deri në 40 vjet e vjetër. Shpejt, poshtë gjetheve zhvillohen tufëza të mëdha fibroze. Një tufëz, që zakonisht peshon rreth 10 kilogramë, përbëhet nga fruta drusore të ngjeshura fort me njëra-tjetrën. Çdo frut përmban zakonisht katër deri në nëntë fara, të cilat kanë afërsisht madhësinë dhe formën e një veze pule. Fillimisht në zgavrat e farës gjendet një lëng etje-shuarës, i ngjashëm me lëngun e arrës së kokosit. Në një stad të dytë, lëngu mpikset, duke formuar një xhelatinë të ëmbël të ngrënshme. Në fazën e tretë dhe përfundimtare, xhelatina bëhet një substancë e fortë, e bardhë që i përngjet jashtëzakonisht shumë fildishit të kafshëve.
Përse një mike e elefantit?
Si një zëvendësuese e fildishit, arra e fildishit mund të quhet me të vërtetë mike e elefantit. Gjuetia e ndaluar mizore për të marrë fildishin e kafshëve, ka vënë në rrezik mbijetesën e elefantit afrikan. Mirëpo, arra e fildishit siguron një alternativë të vërtetë, duke qenë se fildishi i saj bimor i ngjan homologut të tij të kafshëve, është jashtëzakonisht i fortë, merr lustër të shkëlqyer dhe i thith kollaj bojërat. Kaq e madhe është ngjashmëria mes kësaj arre dhe fildishit të kafshëve, saqë artizanët shpesh lënë mbi prodhimet e tyre pak nga lëvozhga kafe, për të treguar se nuk po përdorin fildish elefanti, një material i ndaluar në shkallë ndërkombëtare.
Fildishi bimor s’është një zbulim i kohëve të fundit. Qysh në vitin 1750, murgu Huan de Santa Gertrudis, nga Amerika e Jugut, përmendte në kronikat e tij arrat e fildishit, duke i krahasuar me «topa mermeri» që përdoreshin për të gdhendur statujëza. Nga fillimi i viteve 1900, Ekuadori, vendburimi kryesor i arrave të fildishit, eksportonte çdo vit mijëra tonë nga këto arra, kryesisht për prodhim kopsash. Pas Luftës II Botërore, dalja në skenë e lëndëve të reja dhe jo të kushtueshme plastike, pothuaj i dha fund tregtisë së arrës së fildishit. Një tregues i ringjalljes së tregtimit të arrave të fildishit, është fakti që kohët e fundit, brenda një periudhe 18-mujore, janë eksportuar 1.650 tonë nga Ekuadori në Gjermani, Itali, Japoni, Shtetet e Bashkuara dhe në 18 vende të tjera.a Si përpunohet dhe përdoret sot arra e fildishit?
Arra e fildishit ka shumë përdorime
Farat lihen të thahen nën diellin tropikal për një deri në tre muaj, në varësi të sasisë së ujit që kanë brenda. Pas kësaj, ato futen në një makineri ku u hiqet lëvozhga, klasifikohen sipas madhësisë dhe priten në copa të holla që do të përdoren në prodhimin e kopsave. Në fakt, kopsat «e fildishta» të bëra nga kjo arrë zbukurojnë disa prej veshjeve të cilësisë më të lartë në botë. Megjithatë, arra e fildishit përdoret më shumë sesa thjesht për kopsa. Bizhuteri, gurë shahu, gjuhëza për vegla fryme, taste pianoje dhe doreza çadrash janë mes produkteve të shumëllojshme të bëra nga arra e fildishit.
Por palma e arrës së fildishit jep akoma më tepër! Pluhuri i imët që ngelet pas përpunimit, përdoret për t’i shtuar vlera ushqyese ushqimit të kafshëve. Ai shërben edhe si lëndë që digjet për të prodhuar qymyr druri. Me gjethet e palmës bëhen çati rezistente ndaj ujit. Veç kësaj, korrja e përpunimi, si edhe eksportimi i arrës së fildishit sigurojnë punë për shumë njerëz.
Mbi të gjitha, arra e fildishit mund të jetë vazhdimisht një ndihmesë për ruajtjen e elefantit afrikan. Kështu, nëse dëshironi luksin e fildishit, nuk duhet të vështroni drejt savanave të Afrikës. Mendoni për pyjet e shiut të Amerikës së Jugut, ku fildishi është kaq me bollëk, saqë rritet në pemë! Po, mendoni për arrën e fildishit, një mike e elefantit.
[Shënimi]
a Nga 1 janari 1994 deri më 15 qershor 1995.
[Figurat në faqet 24, 25]
1. Palmë e arrës së fildishit
2. Tufëz frutash e arrës së fildishit
3. Prerje tërthore që tregon farat
4. Fara e arrës së fildishit thahet për t’u bërë arrë e fortë
5. Kopsa nga arra e fildishit
6. Bizhuteri prej arrës së fildishit, zbukuruar me sedef
7. Statujëza me arrë fildishi