BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/99 f. 7-10
  • Në kërkim të mirëqenies

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Në kërkim të mirëqenies
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ‘Si ia bënit më parë . . . ?’
  • Në ndjekje të kënaqësive
  • «Zbavitemi jashtë mase»
  • «Jo gjithçka që shkëlqen . . . »
  • Një ndryshim i rëndësishëm për mirë
    Zgjohuni!—1999
  • «Ndryshimet më rrënjësore»
    Zgjohuni!—1999
  • Tepër herët apo tepër vonë?
    Zgjohuni!—1999
  • Jehovai përgatit udhën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 12/99 f. 7-10

Në kërkim të mirëqenies

«Ndërsa shekulli i njëzetë ecte përpara, për shumë njerëz jeta e përditshme . . . ndryshonte si rezultat i zhvillimeve shkencore e teknologjike.»—The Oxford History of the Twentieth Century.

NJË nga ndryshimet e mëdha në këtë epokë ka të bëjë me popullsinë. Në asnjë shekull tjetër nuk ka pasur një rritje kaq të beftë të popullsisë botërore. Në fillim të viteve 1800, ajo arriti në rreth një miliard njerëz dhe në vitet 1900, afro 1,6 miliardë. Në vitin 1999, popullsia botërore arriti në gjashtë miliardë njerëz! E një numër gjithnjë e më i madh i kësaj popullsie në rritje ka dëshiruar të ketë të ashtuquajturat gjëra të mira në jetë.

Përparimet në mjekësi dhe mundësitë më të mëdha për kujdes shëndetësor, kanë kontribuar në këtë shtim të popullsisë. Në vende të tilla, si: Australia, Gjermania, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, jetëgjatësia mesatare është rritur nga mosha nën 50 vjeç në fillim të shekullit, në moshën mbi 70 vjeç sot. Gjithsesi, kjo prirje për mirë është më pak e dukshme gjetkë. Shumë njerëz që jetojnë në të paktën 25 vende, kanë ende një jetëgjatësi mesatare prej 50 vjetësh ose më pak.

‘Si ia bënit më parë . . . ?’

Të rinjtë disa herë nuk arrijnë ta kuptojnë se si ia bënin paraardhësit e tyre pa avionë, kompjutera e televizorë, mjete që sot në përgjithësi konsiderohen si gjëra të zakonshme, e madje prej njerëzve në vendet më të pasura, si të domosdoshme. Të shohim, për shembull, se si e ka ndryshuar jetën tonë makina. Ajo u shpik në fund të shekullit të 19-të, por revista Time kohët e fundit vërente: «Makina është një nga shpikjet që karakterizoi shekullin e 20-të që nga fillimi deri në fund.»

Në vitin 1975 u llogarit se nëse automjetet do të zhdukeshin papritmas, atëherë një në çdo dhjetë persona të fuqisë punëtore në Evropë do të ishte i papunë. Përveç efektit të dukshëm mbi vetë industrinë automobilistike, mjaft banka, komplekse dyqanesh e restorante të pajisura me vende parkimi, bashkë me institucione të tjera që varen prej klientëve që kanë makina, do t’i mbyllnin dyert e tyre. Pa pasur një mënyrë për të nxjerrë në treg prodhimet e bujqve, sistemet e shpërndarjes së ushqimit gradualisht nuk do të ekzistonin më. Punëtorët që banojnë në rrethinat e qytetit, do të ngeleshin pa punë. Autostradat me shumë korsi që përshkojnë kryq e tërthor peizazhin, nuk do të përdoreshin më.

Për të shtuar prodhimin e automjeteve dhe për të pakësuar shpenzimet, në fillim të këtij shekulli u futën në përdorim linjat e montimit, që sot janë diçka e zakonshme në shumicën e industrive. (Linjat e montimit bënë të mundur prodhimin në seri edhe të produkteve të tjera, të tilla si pajisjet e kuzhinës.) Aty nga fillimi i shekullit, makina ishte një luks i të pasurve në vetëm pak vende, por sot ato janë mjete transporti për njerëzit e zakonshëm në një pjesë të madhe të botës. Siç u shpreh një autor, «jeta në fundin e shekullit të 20-të është thuajse e paimagjinueshme pa automjetet».

Në ndjekje të kënaqësive

Më parë të udhëtoje do të thoshte të shkoje atje ku duhet të shkoje. Por gjatë shekullit të 20-të, gjërat ndryshuan, sidomos në vendet e zhvilluara. Ndërkohë që punët me rroga të mira shtoheshin dhe ndërkohë që java e punës shkurtohej në 40 orë a më pak, njerëzit kishin si paratë, ashtu edhe kohën për të udhëtuar. Të udhëtoje tani do të thoshte të shkoje atje ku dëshiroje të shkoje. Makina, autobusë dhe avionë e bënin më të lehtë kërkimin e zbavitjeve në vende të largëta. Turizmi në masë u bë një biznes i madh.

Sipas The Times Atlas of the 20th Century, turizmi «pati një ndikim të madh si mbi ato vende që prisnin turistët, ashtu edhe mbi vendet e tyre amëtare». Pjesërisht, ky ndikim ka qenë negativ. Mjaft shpesh turistët i kanë kontribuar pikërisht shkatërrimit të atyre gjërave të këndshme që i kishin tërhequr ata vetë.

Tani njerëzit kishin më shumë kohë edhe për të ndjekur sportet. Shumë u bënë pjesëmarrës në to. Të tjerë kënaqeshin duke qenë tifozë të zjarrtë, e disa herë sherrxhinj, të skuadrave dhe sportistëve të tyre të preferuar. Me daljen e televizionit, ngjarjet sportive kishte mundësi t’i ndiqte thuajse kushdo. Ngjarjet sportive në shkallë vendi e ato ndërkombëtare tërhiqnin qindra milionë tifozë teleshikues.

«Sporti dhe filmi krijuan strukturën e institucioneve publike për kalimin e kohës së lirë, të cilat përbëjnë tani një nga bizneset që punëson më shumë njerëz e që nxjerr më shumë fitime në botë»,—thuhet në The Times Atlas of the 20th Century. Njerëzit shpenzojnë çdo vit miliarda dollarë për zbavitje, duke përfshirë edhe bixhozin, një formë e preferuar argëtimi për shumë persona. Për shembull, një studim i bërë në vitin 1991 e radhiste bixhozin si të 12-in e bizneseve më të mëdha të Komunitetit Evropian, me një xhiro të përvitshme prej të paktën 57 miliardë dollarësh.

Ndërsa këto lloj zbavitjesh bëheshin të zakonshme, njerëzit filluan të kërkonin emocione të reja. Eksperimentimi me drogën, për shembull, ishte kaq i përhapur, saqë qysh nga mesi i viteve 90 fitimet e tregtisë së drogës kapnin shumën prej afro 500 miliardë dollarësh në vit, gjë që, siç thotë një burim, e bën atë «në mënyrë kategorike biznesin më fitimprurës në botë».

«Zbavitemi jashtë mase»

Teknologjia ndihmoi që bota të kthehej në një fshat global. Sot ndryshimet politike, ekonomike dhe kulturore ndikojnë thuajse menjëherë te njerëzit anembanë botës. «Vërtet, ka pasur edhe brezni të tjera gjatë të cilave kanë ndodhur trazira të pashembullta,—thoshte në vitin 1970 profesori Alvin Tofler, autor i librit Future Shock.—Por këto tronditje dhe trazira,—shtonte ai,—mbeteshin brenda kufijve të një kombi ose të një grupi kombesh fqinje. Duheshin breza të tërë, madje edhe shekuj, që ndikimi i tyre të përhapej matanë këtyre kufijve. . . . Sot rrjeti i lidhjeve shoqërore është kaq i ndërthurur, saqë pasojat e ngjarjeve bashkëkohore përhapen menjëherë në mbarë botën.» Televizioni satelitor dhe interneti kanë luajtur, gjithashtu, një rol duke ndikuar te njerëzit anembanë botës.

Disa thonë se televizioni ka qenë mjeti i komunikimit që ka pasur ndikimin më të madh gjatë shekullit të 20-të. Një shkrimtare komentoi: «Ndonëse disa e kritikojnë përmbajtjen e tij, askush nuk e vë në diskutim fuqinë e televizionit.» Por televizioni nuk është më i mirë sesa individët që krijojnë programet. Kështu që së bashku me fuqinë për të ndikuar për mirë, ai ka fuqi për të ndikuar edhe për keq. Ndërkohë që u kanë dhënë disa njerëzve atë që ata kanë dëshirë të shohin, programet me përmbajtje të cekët, të mbushura me dhunë e imoralitet, nuk kanë arritur t’i përmirësojnë marrëdhëniet njerëzore dhe mjaft shpesh i kanë keqësuar ato.

Në librin e tij Amusing Ourselves to Death (Zbavitemi jashtë mase), Nil Postman përmend një rrezik tjetër, duke thënë: «Problemi nuk është që televizioni na paraqet tema zbavitëse, por që çdo temë paraqitet si zbavitëse . . . Pavarësisht se çfarë përshkruhet ose se nga ç’këndvështrim bëhet kjo, mendimi mbizotërues është se ajo që shfaqet shërben për argëtimin dhe kënaqësinë tonë.»

Dora-dorës që njerëzit u jepnin përparësi më të madhe kënaqësive, vlerat shpirtërore dhe parimet morale binin me shpejtësi. «Gjatë shekullit të 20-të, në një pjesë të madhe të botës institucionet fetare e kanë humbur fuqinë e tyre»,—thuhet në The Times Atlas of the 20th Century. Ndërkohë që aspekti shpirtëror binte poshtë e më poshtë, kërkimit të kënaqësive i jepej një përparësi shumë më e madhe nga ç’ia vlente në të vërtetë.

«Jo gjithçka që shkëlqen . . . »

Shekulli i 20-të është karakterizuar nga shumë ndryshime pozitive, por siç thotë një shprehje: «Jo gjithçka që shkëlqen është ar.» Ndonëse shumë individë kanë përfituar nga rritja e jetëgjatësisë, shtimi i popullsisë botërore ka krijuar probleme të reja mjaft të mëdha. Kohët e fundit revista National Geographic vërente: «Shtimi i popullsisë mund të jetë çështja më urgjente që do të duhet të përballojmë ndërsa hyjmë në mijëvjeçarin e ri.»

Makinat janë të dobishme dhe sjellin kënaqësi, por janë edhe vdekjeprurëse, siç provojnë afro një çerek milion vdekjet që ndodhin çdo vit përreth botës nga aksidentet automobilistike. Gjithashtu, makinat janë një burim i madh ndotjeje. Autorët e librit 5000 Days to Save the Planet (5.000 ditë për të shpëtuar planetin) thonë se ndotja «tashmë është globale dhe po bën që të rrënohet ose të minohet funksionimi normal i ekosistemeve nga njëri pol në tjetrin». Ata shpjegojnë: «Ne kemi kapërcyer çdo kufi, duke dëmtuar kështu ekosistemet dhe kjo gjë po çrregullon tamam ato procese të cilat bëjnë që Toka të vazhdojë të jetë një vend i përshtatshëm për format më të larta të jetës.»

Gjatë shekullit të 20-të ndotja është bërë një problem që shekujt e mëparshëm zor se e njihnin. «Deri kohët e fundit askush nuk e mendonte se veprimet e njerëzve mund të ndikonin mbi botën në një shkallë mbarëbotërore,—thuhet në National Geographic.—Tani disa shkencëtarë mendojnë se për herë të parë në histori këto ndryshime po ndodhin.» Pastaj aty paralajmërohet: «Ndikimi i përbashkët i njerëzimit është kaq i madh, saqë një shfarosje në masë e gjallesave do të mund të ndodhte brenda një brezi njerëzor.»

Vërtet, shekulli i 20-të ka qenë unik. Njerëzit, të bekuar me mundësi të pashoqe për mirëqenie, tani shohin se është në rrezik jeta vetë!

[Harta dhe figurat në faqet 8, 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

1901

Markoni dërgon sinjalin e parë transatlantik me anë të radios

1905

Ajnshtajni boton teorinë e veçantë të relativitetit

1913

Ford-i vë në punë linjën e monti-mit të makinës së tij Model-T

1941

Lind TV për masat e gjera

1969

Njeriu ecën mbi Hënë

Turizmi në masë bëhet një biznes i madh

Interneti fiton popullaritet

1999

Popullsia e botës arrin në gjashtë miliardë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo