BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/99 f. 2-7
  • «Ndryshimet më rrënjësore»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ndryshimet më rrënjësore»
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Trazira politike
  • Një shekull luftërash
  • «Një nga spektaklet më dramatike»
  • Një ndryshim i rëndësishëm për mirë
    Zgjohuni!—1999
  • Si ishte bota 50 vjet më parë?
    Zgjohuni!—1996
  • Në kërkim të mirëqenies
    Zgjohuni!—1999
  • Mbretërit rivalë hyjnë në shekullin e 20-të
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 12/99 f. 2-7

«Ndryshimet më rrënjësore»

«Shekulli i 20-të ka parë ndryshimet më rrënjësore e me shtrirje më të madhe se çdo shekull tjetër në historinë e njerëzimit.»—The Times Atlas of the 20th Century.

NËSE do t’i hidhnin një vështrim shekullit të 20-të, shumë njerëz do të ishin pa dyshim të një mendjeje me Uollter Isaksonin, kryeredaktor i revistës Time, i cili tha: «Në rrjedhën e shekujve, shekulli ynë ka qenë nga më të çuditshmit: frymëzues, hera-herës i llahtarshëm, gjithmonë magjepsës.»

Ngjashëm, Gro Harlem Bruntland, ish-kryeministre e Norvegjisë, thotë se ky shekull është quajtur «shekulli i ekstremeve, . . . gjatë të cilit ligësia njerëzore arriti në nivele të pashoqe». Ajo vëren se ky ka qenë «një shekull progresi të madh [dhe në disa vende] një shekull rritjeje të paparë ekonomike». Por, njëkohësisht, zonat e varfëra urbane përballen me një të ardhme të zymtë, për shkak të «mbipopullimit dhe të probabilitetit të lartë për t’u sëmurur, i cili lidhet me varfërinë dhe ambientin jo të shëndetshëm».

Trazira politike

Në fillim të shekullit të 20-të, dinastia Mançu në Kinë, Perandoria Osmane dhe disa perandori të Evropës kishin nën kontroll një pjesë të madhe të botës. Vetëm Perandoria Britanike mbulonte një të katërtën e globit dhe 1 në çdo 4 persona ishte nën sundimin e saj. Shumë kohë para përfundimit të shekullit, të gjitha këto perandori kishin ngelur vetëm në librat e historisë. «Më 1945,—thuhet në The Times Atlas of the 20th Century,—epoka e sundimeve perandorake mori fund.»

Përfundimi i kolonializmit hapi rrugën që vala e nacionalizmit, e cila kishte përfshirë Evropën midis shekujve të 17-të dhe të 19-të, të kalonte në pjesë të tjera të botës. Në The New Encyclopædia Britannica thuhet: «Pas Luftës II Botërore, në shumë vende evropiane ethet e nacionalizmit u fashitën . . . Por, në Azi dhe në Afrikë nacionalizmi mori hov me të shpejtë, kryesisht si një kundërpërgjigje ndaj kolonializmit.» Përfundimisht, siç thuhet në The Collins Atlas of World History, «në skenën historike kishte dalë Bota e Tretë dhe epokës që kishte nisur pesë shekuj më parë me lindjen e ekspansionizmit evropian, tani i kishte ardhur fundi».

Ndërsa perandoritë binin, vendin e tyre e zinin shtete të pavarura, një numër i madh i të cilave kishin qeveri demokratike. Shpesh sundimi demokratik ndeshte kundërshtime të ashpra, si ato që vinin nga qeveritë e fuqishme totalitare në Evropë dhe Azi gjatë Luftës II Botërore. Këto regjime kufizonin lirinë e individit dhe mbanin nën kontroll të rreptë ekonominë, mediat dhe forcat e armatosura. Përpjekjet e tyre për të marrë sundimin në mbarë botën, përfundimisht u ndalën, por vetëm pas një humbjeje të jashtëzakonshme në para dhe jetë njerëzore.

Një shekull luftërash

Vërtet, ajo çka e dallon veçanërisht shekullin e 20-të nga tërë shekujt e mëparshëm, është lufta. Lidhur me Luftën I Botërore, historiani gjerman Guido Knop shkruan: «1 gusht 1914: Askush nuk e çonte nëpër mend se atë ditë përfundonte shekulli i 19-të, i cili kishte qenë për evropianët një periudhë e gjatë paqeje. Gjithashtu, askush nuk vërejti se shekulli i 20-të filloi në të vërtetë vetëm në atë kohë, me një periudhë luftërash që zgjati tri dekada e që tregoi se ç’mund t’u bëjnë njerëzit qenieve të tjera njerëzore.»

Hju Brogan, një profesor historie, rikujtonte se «ndikimi i asaj lufte në Shtetet e Bashkuara ishte i jashtëzakonshëm, tmerrues dhe ndihet ende sot [në vitin 1998]». Një profesor i historisë në Universitetin e Harvardit, Akira Irie, shkruante: «Lufta e Parë Botërore ishte në shumë mënyra një pikë kthese në historinë e Azisë Lindore dhe të Shteteve të Bashkuara.»

Me të drejtë në The New Encyclopædia Britannica dy luftërat botërore quhen «çastet e mëdha vendimtare të historisë gjeopolitike të shekullit të 20-të». Aty vërehet se «Lufta I Botërore çoi në rënien e katër dinastive të mëdha perandorake . . . , solli si rezultat Revolucionin Bolshevik në Rusi dhe . . . hodhi themelin për Luftën II Botërore». Në këtë enciklopedi thuhet edhe se luftërat botërore u shoqëruan me «masakra, kasaphana e shkatërrime vërtet të papara». Guido Knop po ashtu thotë: «Mizoria dhe brutaliteti i njeriut tejkaluan çdo gjë që mund të imagjinohej. Në llogore . . . u mbollën farat e një epoke, në të cilën njerëzit konsideroheshin si sende, jo si individë.»

Për të parandaluar luftëra të tjera katastrofike si këto, në vitin 1919 u formua Lidhja e Kombeve. Duke qenë se dështoi në synimin e saj për të ruajtur paqen botërore, atë e zëvendësuan Kombet e Bashkuara. Edhe pse pati sukses në parandalimin e një lufte të tretë botërore, OKB-ja nuk qe në gjendje ta parandalonte Luftën e Ftohtë, e cila për dekada të tëra kërcënoi të shpërthente në një holokaust bërthamor. E as nuk ka parandaluar konflikte më të vogla në mbarë botën, të tilla si ato në Ballkan.

Ndërsa numri i shteteve në botë është rritur, është rritur po ashtu edhe vështirësia e ruajtjes së paqes ndërmjet tyre. Krahasimi i një harte të kohës para Luftës I Botërore me një hartë të kohëve moderne zbulon se në fillim të shekullit, të paktën 51 vende të sotme të Afrikës dhe 44 të Azisë, nuk ekzistonin fare në atë kohë si të tilla. Nga 185 anëtarët e tanishëm të Kombeve të Bashkuara, 116 nuk ekzistonin si shtete të pavarura në kohën e themelimit të saj, në vitin 1945.

«Një nga spektaklet më dramatike»

Ndërsa shekulli i 19-të i afrohej fundit, Perandoria Ruse ishte fuqia më e madhe tokësore në botë. Por ajo po e humbte me shpejtësi fuqinë e saj. Sipas autorit Xhefri Ponton, shumë njerëz mendonin se «nevojitej një revolucion e jo një reformë». Ai shton: «Por u desh një luftë e madhe, Lufta I Botërore, dhe kaosi që solli ajo, që revolucioni të shpërthente vërtet.»

Në atë kohë, marrja e pushtetit në Rusi nga bolshevikët hodhi bazën për një perandori të re: komunizmin botëror, me promotor Bashkimin Sovjetik. Ndonëse lindi në mesin e një lufte globale, Perandorinë Sovjetike nuk e rrëzoi një breshëri plumbash. Në një libër të Majkëll Dobs (Down With Big Brother), pohohet se nga fundi i viteve 70, Bashkimi Sovjetik ishte «një perandori e paanë shumëkombëshe, që tashmë po shkonte drejt rrënimit të pakthyeshëm».

Gjithsesi, rënia e saj ishte e papritur. Në librin Europe—A History (Evropa: Një histori) nga Norman Deivis, komentohet se «shpejtësia e rënies së saj i ka tejkaluar gjithë rrëzimet e tjera të mëdha në historinë e Evropës» dhe se «ajo ndodhi për shkaqe natyrore». Vërtet, «ngritja, zhvillimi dhe rënia e Bashkimit Sovjetik», siç thotë Ponton, ishte «një nga spektaklet më dramatike të shekullit të njëzetë».

Në fakt, rënia e Bashkimit Sovjetik ishte vetëm një ndryshim nga seria e ndryshimeve rrënjësore në shekullin e 20-të, të cilat sollën pasoja me shtrirje të gjerë. Sigurisht, ndryshimet politike nuk janë aspak diçka e re. Ato ndodhin prej mijëra vjetësh.

Mirëpo njëri nga ndryshimet lidhur me qeveritë gjatë shekullit të 20-të, është veçanërisht i rëndësishëm. Se çfarë është ky ndryshim dhe se si ndikon mbi ne personalisht, do të diskutohet më pas.

Por më parë le të shqyrtojmë disa nga arritjet shkencore në shekullin e 20-të. Lidhur me to, profesori Majkëll Hauërd arrin në përfundimin: «Popujt e Evropës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut duket se kanë arsye të vlefshme për ta përshëndetur shekullin e 20-të si agimin e një epoke të re e më të lumtur në historinë e njerëzimit.» A do të çonin këto përparime drejt asaj që është quajtur mirëqenie?

[Tabela dhe figurat në faqet 2-7]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

1901

Mbretëresha Viktoria vdes pas 64 vjetësh mbretërimi

Popullsia e botës arrin në 1,6 miliard

1914

Vritet arkiduka Ferdinand. Shpërthen Lufta I Botërore

Cari i fundit, Nikolla II, me familjen e tij

1917

Lenini e udhëheq Rusinë në revolucion

1919

Formohet Lidhja e Kombeve

1929

Rënia e beftë e kursit në bursën e SHBA-së çon në Krizën e Madhe

Gandi vazhdon luftën për pavarësinë e Indisë

1939

Adolf Hitleri pushton Poloninë, fillon Lufta II Botërore

Uinston Çurçill bëhet kryeministër i Britanisë së Madhe në 1940-ën

Holokausti

1941

Japonia bombardon Perl Harborin

1945

Shtetet e Bashkuara hedhin bomba atomike mbi Hiroshimën dhe Nagasakin. Mbaron Lufta II Botërore

1946

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mban mbledhjen e parë

1949

Mao Ce Duni e shpall Kinën Republikë Popullore

1960

Krijohen shtatëmbëdhjetë vende të reja afrikane

1975

Përfundon lufta në Vietnam

1989

Rrëzohet Muri i Berlinit, ndërkohë që komunizmi e humbet fuqinë e tij

1991

Bashkimi Sovjetik copëtohet

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo