Çfarë ruan e ardhmja për ne?
NJERIU është vetëm pjesë e një panorame të madhe. Të gjitha krijesat në tokë kanë vendin e tyre sipas rolit që i ka dhënë Perëndia. Kemi shumë gjëra të përbashkëta me format e tjera të jetës përreth nesh, mbi të gjitha, mrekullinë e vetë jetës. Për këtë arsye, kur një formë jete zhduket, shumë njerëz nuk mund të mos provojnë një ndjenjë të fortë humbjeje.
Shkencëtari Antoni C. Janetos shkruante në revistën Consequences: «Shumë njerëz do të ishin të mendimit se si shoqëri ne kemi detyrimin etik për të mbrojtur planetin në mënyrë që të jetë i përshtatshëm për t’u banuar. Gjithashtu, kemi detyrimin për të vepruar si administratorë të përgjegjshëm të pasurive të tij biologjike për mirëqenien e njerëzimit tani dhe në të ardhmen. Për ta bërë këtë kërkohet që të jemi të vetëdijshëm për vlerën e shumëllojshmërisë biologjike—qoftë për atë që i jep botës së natyrës, qoftë për mënyrat se si ne mund ta përdorim—dhe të angazhohemi për ta ruajtur atë.»
Çfarë po bëhet?
Në të vërtetë, shqetësimi mbarëbotëror për humbjen e llojeve ka bashkuar përfaqësues nga qeveri dhe agjenci të ndryshme për të përpiluar një Marrëveshje mbi Shumëllojshmërinë Biologjike. Kjo marrëveshje, e cila përfshinte shumë çështje, pranoi se ruajtja e biodiversitetit është një shqetësim i përbashkët për të gjithë njerëzit.
Si një hap tjetër për të kuptuar biodiversitetin, biologët, ekologët dhe shkencëtarë të tjerë përreth botës e kanë shpallur vitin 2001-2002 Vitin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Biodiversitetit (IBOY). Diana Uolli, një biologe në Universitetin e Shtetit të Kolorados, e cila drejton IBOY-n, thotë: «Eksplorimi i biodiversitetit do t’i hapë rrugën shumë dobive nëpërmjet zbulimeve të gjeneve të reja dhe substancave kimike që mund të përdoren për ilaçe, për të përmirësuar prodhimet ose për të ripërtërirë tokën e ndotur.» Uolli shton: «Ç’është më e rëndësishmja, të mësojmë se ku janë llojet e reja, të mësojmë rolin e tyre në ruajtjen e ekosistemeve të shëndetshme dhe si mund t’i mirëmbajmë ato, është jetësore për të marrë vendime të bazuara në njohurinë për tokën tonë, lumenjtë dhe oqeanet.»
Nevojiten ndryshime rrënjësore
Ndonëse është bërë një përparim i lavdërueshëm, përpjekje të tilla janë drejtuar më shumë te simptomat, sesa te shkaqet. Sipas kërkuesve, në këtë pikë ku kemi arritur, njeriu nuk ka kohë të mjaftueshme. Duke menduar rreth asaj që e quajti «shterimi i mundshëm i shumëllojshmërisë biologjike», Ruth Patriku, e Akademisë së Shkencave Natyrore të Filadelfias, Pensilvani, SHBA, nxori përfundimin se «koha është vendimtare . . . Është tepër e nevojshme të ndërmerret një veprim i menduar thellë dhe urgjent». Për të ndalur prirjen drejt zhdukjes, ka nevojë për një ndryshim urgjent të mënyrës se si njeriu e trajton këtë planet dhe gjallesat në të. Kërkohet më shumë sesa të mbahen nën kontroll dëmtimet. «Problemet e ruajtjes së shumëllojshmërisë biologjike, si rrjedhim, nuk mund të ndahen nga çështjet më të mëdha të zhvillimit . . . social»,—deklaron Instituti i Burimeve Botërore.
Arritja e një synimi të tillë do të kërkonte medoemos një ndryshim rrënjësor në shoqërinë njerëzore. Libri Caring for the Earth bën të ditur se administrimi i përgjegjshëm kërkon «norma, ekonomi dhe shoqëri të ndryshme nga shumica e atyre që janë të përhapura sot».
Bibla e tregon qartë se njerëzit thjesht nuk janë të pajisur për të sjellë ndryshime të tilla. Jeremia 10:23 thotë: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Fjalët e urta 20:24) Kjo e vërtetë patjetër që është bërë e dukshme gjatë gjithë rrjedhës së historisë dhe pasojat e mospërfilljes së këtij parimi nga njeriu na kanë çuar ballë për ballë me ‘kohët kritike, të vështira për t’u përballuar’ për të cilat flitet te 2 Timoteut 3:1-5. Kjo seri vargjesh na tregon, gjithashtu, se kohët kritike shkaktohen nga mënyra e gabuar e të menduarit të njerëzve. Kështu, pra, derisa njerëzit të ndryshojnë, çdo lloj zgjidhjeje për problemet që hasim, sado e mirë, është e përkohshme.
Shkencëtarja me famë botërore, dr. Xhein Gudël, në një intervistë komentoi se shkatërrimi i habitatit «shpesh lidhet me lakminë ekonomike dhe materializmin në vendet e zhvilluara». Veç kësaj, botanisti Piter Reivëni, ish-sekretar i Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA-së, paralajmëroi se «padija, indiferentizmi, varfëria dhe lakmia po krijojnë probleme të ndërlidhura që kërcënojnë ta ndryshojnë Tokën rrënjësisht për keq». Si rrjedhim, disa nga normat që kanë nevojë për të ndryshuar përfshijnë egoizmin, lakminë, padijen, dritëshkurtësinë dhe egocentrizmin.
Mbrojtja më e mirë e shumëllojshmërisë
Siç mund të pritet, Krijuesi i jetës me shumëllojshmërinë e saj mahnitëse është jashtëzakonisht i interesuar për të ardhmen e krijimit të tij. Bibla na tregon se së shpejti Perëndia do të veprojë duke ‘shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.
A do të kthejë në jetë Perëndia format e jetës që janë zhdukur për shkak se njeriu po shkatërron tokën? Nëse Krijuesi dëshiron që llojet e zhdukura të kafshëve të rishfaqen në tokë, ai sigurisht që mund t’i rikrijojë në të ardhmen. E njëjta gjë është edhe me bimësinë e zhdukur. Por, përderisa Bibla nuk na e tregon, nuk do të ishte e mençur të spekulonim rreth kësaj çështjeje.
Ajo që garanton sundimi i Perëndisë është një bekim për çdo qenie të gjallë në tokë. «Le të gëzohet toka,—thotë psalmisti.—Le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të. Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi.»—Psalmi 96:11, 12.