Kush fshihet pas okultizmit?
BIBLA thotë për Krijuesin tonë: «Perëndia është dritë, dhe tek ai nuk ka kurrfarë errësire.» (1 Gjonit 1:5) Kjo është e vërtetë sidomos në lidhje me besimin. A mund të jetë, pra, Perëndia i vërtetë burimi i okultizmit? Apo ndoshta pas tij fshihet një forcë e ligë?
Ndër praktikat okulte spikatin falli dhe spiritizmi, ku përfshihen astrologjia, numerologjia, leximi i dorës, shtrigëria, si edhe komunikimi me «të vdekurit» e magjia. Këto praktika kanë një histori të gjatë dhe shumica zunë fill në Babiloninë e lashtë, rrënojat e së cilës ndodhen në Irak. (Isaia 47:1, 12, 13) Nga Babilonia, praktikat okulte u përhapën anekënd botës së lashtë dhe lëshuan rrënjë të thella në mjaft kultura e qytetërime.
Të ndalemi pak te një ngjarje që ndodhi në qytetin e Filipisë, në Maqedoninë e lashtë. Atje, një grupi të vogël të krishterësh, mes të cilëve edhe apostulli Pavël e mjeku Lukë, u doli para një vajzë me fuqi të mbinatyrshme. Shkrimtari biblik Lukë zbuloi burimin e fshehtë të fuqisë së saj. Ai shkroi: «Na doli para një shërbëtore që kishte një frymë, një demon falli. Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj me zanatin e parashikimit.»—Veprat 16:16-18.
Po, fuqia e asaj vajze nuk buronte nga Perëndia i vërtetë, Jehovai, por nga një demon, një frymë e ligë. Prandaj, Pavli dhe shokët e tij nuk donin ta dëgjonin. Mbase pyetni veten: «Po cilët janë demonët? Nga e kanë origjinën?» Sërish, le t’i marrim përgjigjet nga Bibla.
Cilët janë demonët?
Shumë kohë para se të krijonte njeriun, Jehovai bëri në qiell sa e sa krijesa frymore inteligjente, ‘bij të Perëndisë’. (Jobi 38:4, 7) Njësoj si njerëzit, ata kanë vullnet të lirë dhe, për një kohë të gjatë, i qëndruan besnikë Perëndisë që të gjithë. Mirëpo befas, ajo kohë e lumtur mori fund. Pse?
Pasi Perëndia krijoi njerëzimin, një krijesë frymore nisi të lakmonte diçka që nuk i takonte—adhurimin. Ashtu si një aktor që flet prapa një kukulle, ai engjëll i lig përdori një gjarpër që t’ia mbushte mendjen gruas së parë, Evës, të mos i bindej Krijuesit të saj. (Zanafilla 3:1-6) Bibla thotë se engjëlli rebel është «gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana». (Zbulesa 12:9) Jezui tregoi se ai ishte një «vrasës» që «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën», dhe shtoi: «Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.»—Gjoni 8:44.
Me kohë, edhe krijesa të tjera frymore, ‘bij të Perëndisë së vërtetë’, ndoqën Satanain dhe radhët e rebelëve u shtuan. (Zanafilla 6:1, 2) Më pas, për ta u shkrua se ishin ‘engjëjt që mëkatuan’ dhe «engjëjt që nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur», pra, vendin që u ishte caktuar në qiell. (2 Pjetrit 2:4; Juda 6) Ata u quajtën demonë. (Jakovi 2:19) Veç kësaj, këta janë të vendosur të largojnë sa më shumë nga adhurimi i vërtetë, siç ia dolën me mjaft izraelitë në kohët biblike. (Ligji i përtërirë 32:16, 17) Njësoj si në të kaluarën, edhe sot Satanai e demonët përdorin me mjeshtëri gënjeshtrat fetare.—2 Korintasve 11:14, 15.
Mbroni veten!
Edhe pse frymërat e liga kanë fuqi mbinjerëzore, falë ndihmës së Perëndisë mund ‘t’u kundërvihemi’ dhe të dalim fitimtarë. (1 Pjetrit 5:9) Mirëpo, që të marrim këtë ndihmë, duhet të mësojmë kërkesat e Perëndisë dhe të veprojmë sipas tyre. Apostulli Pavël shkroi për të krishterët e kohës së tij: «Ne nuk i ndalëm lutjet për ju dhe kërkesat që ju të jeni plot me njohuri të saktë të vullnetit të tij me çdo mençuri dhe kuptueshmëri frymore. Kështu do të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij.»—Kolosianëve 1:9, 10.
Mes atyre që fituan «njohuri të saktë», ishin edhe disa banorë të qytetit të Efesit që merreshin me magji. Si ndikoi tek ata njohuria për të vërtetën? Bibla thotë: «Mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve.» E pra, ata libra kushtonin «pesëdhjetë mijë monedha argjendi», një shumë me vlerë të madhe për atë kohë. (Veprat 19:17-19) Shembulli i tyre i guximshëm u shkrua për të mirën tonë.—2 Timoteut 3:16.
Parime që na mbrojnë
Mund të marrim edhe masa të tjera për t’u mbrojtur nga demonët. Vëreni këto udhëzime nga Bibla:
«Mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar, por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia.» (1 Gjonit 4:1) Disa pohime të astrologëve, fallxhorëve, mediumeve dhe atyre që yshtin, mund të jenë të vërteta. Për shembull, ishte e vërtetë ajo që tha vajza e demonizuar në Filipi për Pavlin dhe shokët e tij: «Këta njerëz, që po ju shpallin udhën e shpëtimit, janë skllevër të Më të Lartit Perëndi!» (Veprat 16:17) Gjithsesi, ata nuk e pranuan në shoqërinë e tyre. Përkundrazi, Pavli e urdhëroi frymën e ligë të dilte prej saj. Edhe ne duhet t’i vëmë në provë mësimet fetare, që pretendohet se vijnë nga Perëndia, duke i krahasuar me atë që thotë Bibla.—Veprat 17:11.
«Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) Demonët janë edhe armiqtë e Perëndisë, edhe armiqtë tuaj. Bëni kujdes që as të mos ju ngjallet kureshtja për udhët e tyre të errëta. Përkundrazi, nënshtrojuni Perëndisë duke ua vënë veshin urdhërimeve të tij të dashura, që nuk janë të rënda. (1 Gjonit 5:3) Për shembull, Perëndia i tha kombit të lashtë të Izraelit: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12) Pikëpamja e Perëndisë nuk ka ndryshuar.—Galatasve 5:19, 20.
«S’ka yshtje që të sjellë kob kundër [shërbëtorëve të Jehovait].» (Numrat 23:23) Të gjithë ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, nuk kanë pse të frikësohen nga demonët. Në fakt, ato frymëra të liga «dridhen» para Perëndisë dhe fuqisë së tij të pamposhtshme, pasi e dinë se në fund do ta përdorë për t’i shkatërruar. (Jakovi 2:19) Perëndia do ta tregojë «forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër» dhe «nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet».—2 Kronikave 16:9; Psalmi 55:22.
«Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Fjala e Perëndisë mëson se të vdekurit janë thjesht të vdekur. S’ka pse t’i kemi frikë, sepse nuk i bëjnë dot keq askujt. (Isaia 26:14) Për të na mashtruar, demonët nganjëherë hiqen si shpirtrat e të vdekurve, dhe kjo mund të shpjegojë pse njerëzve u duket sikur «shpirti» i një njeriu dikur mirëdashës ngjan ndryshe nga ai njeri që njihnin.
«Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.» (1 Korintasve 10:21, 22) Të gjithë ata që e duan vërtet Jehovain, u rrinë larg librave, filmave dhe lojërave kompjuterike që i kanë rrënjët tek okultizmi ose që nxitin praktika e bindje okulte.a «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër»,—thuhet te Psalmi 101:3. Për më tepër, zbavitjet me okultizëm shpesh lartësojnë dhunën e imoralitetin që janë të patolerueshme për ‘ata që duan Jehovain’.—Psalmi 97:10.
Demonët përherë janë orvatur t’ua fshehin njerëzve natyrën e vërtetë, por nuk ia kanë dalë mbanë gjithmonë. Me anë të Biblës, Jehovai ka zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë si gënjeshtarë dashakeqës dhe armiq mizorë të njerëzimit. Sa ndryshe janë nga Krijuesi ynë, Perëndia Jehova! Siç tregon artikulli vijues, ai na do, na thotë gjithnjë të vërtetën dhe dëshiron të jetojmë të lumtur pafundësisht.—Gjoni 3:16; 17:17.
[Shënimi]
a Ndërgjegjja e dikujt mund të jetë më e ndjeshme se e një tjetri, në varësi të formimit fetar dhe pjekurisë frymore. E rëndësishme është të ruajmë ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe të mos lëndojmë ndërgjegjen e të tjerëve, përfshirë edhe të familjarëve tanë. Te Romakëve 14:10, 12 thuhet: «Të gjithë do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë.»