Një vështrim rreth botës
Në Gjermani, 7 në 10 foshnja kanë tashmë profilin e tyre në internet. Prindërit krijojnë profile dhe adresa email-i për ta ose vendosin fotografi a ekografi. Megjithatë, ekspertët këshillojnë të bëhet kujdes, pasi fotografitë në internet mund ta shoqërojnë fëmijën për gjithë jetën.—BABY UND FAMILIE, GJERMANI.
Sipas statistikave qeveritare, çdo vit në Rusi vdesin 14.000 gra për shkak të dhunës në familje.—RIA NOVOSTI, RUSI.
Dëbora që bie në malin Everest në 6.858-7.752 m lartësi përmban nivele arseniku dhe kadmiumi që konsiderohen të rrezikshme për ujin e pijshëm. Mendohet se fajin për këtë e ka ndotja e shkaktuar nga njeriu.—SOIL SURVEY HORIZONS, SHBA.
E vetmja kompani e autorizuar për të shtypur Bibla në Kinë, kohët e fundit nxori kopjen e saj të 80 miliontë. Kompania nxjerr 1 milion Bibla në muaj—çerekun e gjithë Biblave që janë shtypur kohët e fundit në mbarë botën.—XINHUA, KINË.
«Pak më shumë se 10 për qind e amerikanëve të rritur si katolikë (10,1 për qind) e kanë braktisur Kishën Katolike.»—NATIONAL CATHOLIC REPORTER, SHBA.
Katastrofat natyrore të 2010-s
Një kompani e njohur sigurimesh regjistroi 950 katastrofa natyrore në mbarë globin gjatë atij viti. Kjo shifër e tejkalon mesataren prej 785 katastrofash në vit gjatë dekadës së fundit. Pesë katastrofat më të rënda ishin tërmetet në Haiti, Kili dhe Kinë, përmbytjet në Pakistan dhe vala e të nxehtit në Rusi, ku vdiqën dhjetëra mijë njerëz nga vapa dhe ndotja e ajrit. Në Evropën veriore, reja e hirit të një vullkani në Islandë nuk solli shumë dëme të drejtpërdrejta, por pothuajse paralizoi trafikun ajror. Në Australi dy stuhi breshëri shkaktuan një dëm që i tejkalonte 2 miliardë dollarët. «Humbjet ekonomike në total, duke përfshirë edhe humbjet që nuk mbulohen nga sigurimet, nga 50 miliardë dollarë vitin e kaluar u rritën në 130 miliardë dollarë»,—thotë The Telegraph e Londrës.
A ishin neandertalët si ne?
«Mendimi që ka ekzistuar nga shumë kohë se njeriu neandertal ishte inferior nga njeriu Homo sapiens po ndryshon, pasi po zbulohet se aftësitë që mendoheshin si unike për Homo sapiens i kanë edhe neandertalët»,—thotë revista New Scientist. Zbulimet e fundit tregojnë se neandertalët ndërtonin banesa, vatra zjarri, kontrollonin zjarrin, vishnin rroba, gatuanin, bënin vegla dhe shpikën ngjitës për të vënë majat e mprehta nëpër heshta. Gjithashtu, ka prova se ata kujdeseshin për të sëmurët, mbanin zbukurime me simbole dhe varrosnin të vdekurit. Sipas Erik Trinkausit, profesor i antropologjisë fizike në Universitetin e Uashingtonit, Sent-Luis, Misuri, SHBA, «neandertalët ishin si ne dhe mund të kenë pasur të njëjtën larmi aftësish mendore».