Shkatërrimet natyrore—A janë një shenjë e kohëve?
«DO TË ngrihet komb kundër kombit dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve të vuajtjes.» Me këto fjalë Jezu Krishti u shpjegoi dishepujve të tij 19 shekuj më parë, se ngjarje të tilla shkatërruese, së bashku me rritjen e paligjshmërive dhe predikimin botëror të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, do të paraqitnin një shenjë të përbërë që do të shënonte «përfundimin e sistemit të gjërave».—Mateu 24:3-14, BR.
Duke menduar mbi këtë ne mund të pyesim: A po shohim tërmete katastrofike, stuhi, përmbytje, thatësira dhe zi buke më shumë se në brezat e kaluar? Dhe me gjithë zhvillimin e shkencës dhe të teknologjisë, a vuajnë një pjesë edhe më e madhe e njerëzve si rezultat i kësaj?
Shumica e përgjigjeve është po. Për shembull, revista New Scientist paralajmëron se «bota mund të presë më shumë shkatërrime në vitet ’90 se në dekadat e kaluara». Në mënyrë të ngjashme, në UN Cronicle të qershorit 1991, drejtori i Organizatës Botërore Meteorologjike deklaroi: «Prirja është krejtësisht e qartë. Nga 1960-a deri në 1980-ën, shpeshtësia e shkatërrimeve të mëdha natyrore është pesëfishuar dhe humbjet e plota ekonomike janë trefishuar.» Duke parashikuar një perspektivë të vogël mbi çështjen, World Health revista e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vuri në dukje: «Shembujt e katastrofave natyrore dhe efektet e tyre shkatërruese mund të lënë gjurmë në të gjithë historinë. Megjithatë, ndërsa shekulli i 21-të po afrohet, ne ballafaqohemi me një ndryshim të përzier të kushteve demografike, ekologjike dhe teknologjike, gjë që i bën shumë popullsi më të dobëta ndaj ndikimit të katastrofave natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njerëzit.»
Kushdo që i kushton vëmendje ngjarjeve të sotme nuk çuditet nga një deklaratë e tillë. Në mjetet e informacionit nuk mungojnë kurrë lajmet e bujshme, si një shpërthim vullkanik në Filipine, një tërmet në Kaliforni, përmbytje në Bangladesh, zi buke në Somali, tufan në Havai, vërshime të detit në Nikaragua. Vështirë se kalon një muaj pa pasur një raport shkatërrimi në një vend të botës apo në një tjetër.
Disa njerëz e quajnë këtë si një vogëlsirë. Ata argumentojnë se rritja e dukshme e shkatërrimeve në kohën tonë është thjesht për shkak të raporteve më të mira apo të mbajtjes më të mirë të shënimeve. Ata, gjithashtu, argumentojnë se shumë veta kanë vuajtur nga shkatërrimet, thjesht sepse sot ekzistojnë shumë njerëz. A janë bindëse këto argumente?
Vërej se çfarë thotë artikulli i New Scientist rreth kësaj: «Janë raportuar 523 shkatërrime në 1960-ën dhe 767 në 1970-ën. Prej 1980-ës, numri ka arritur në 1387.» Ai vazhdon të shpjegojë se «një pjesë e rritjes së dukshme gjatë dekadës së kaluar mund të jetë për shkak të sinqeritetit më të madh në raportin e shkatërrimeve në Kinë dhe Bashkimin Sovjetik». Pastaj ai shton: «Megjithatë, numri po rritet.» Rritja marramendëse e numrit të katastrofave nuk mund të shpjegohet vetëm me raportet më të mira apo mbajtjen më të mirë të shënimeve.
Gjithashtu, UN Cronicle e marsit 1992 raporton: «Gjatë dy dekadave të kaluara, afërsisht 3 milion njerëz kanë humbur jetën e tyre dhe 800 milion të tjerë janë prekur nga ‘shkatërrimet, vuajtjet dhe dhimbjet’ e shkaktuara nga katastrofat natyrore.» Kjo bën që rreth 1 në çdo 7 persona që jetojnë mbi tokë të jetë i prekur nga disa lloje të katastrofave apo tragjedive. Është vërtet e dhimbshme dhe lë pak vend për të dyshuar se ky është një shekull i trazirave dhe i shqetësimeve.
Pasi Bibla e ka parathënë një kohë të tillë të brengave të mëdha, a do të thotë kjo se Perëndia është përgjegjës për fatkeqësitë dhe vuajtjet që rrjedhin prej tyre? Shumë njerëz mendojnë kështu. Por çfarë tregojnë faktet? Dhe ç’është më e rëndësishme, çfarë tregon Bibla?
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kapaku: W. Faidley/Weatherstock
[Burimet e figurave në faqen 3]
Fotoja e mesit: Mark Peters/Sipa Press
OBSH/Lidhja e Kryqit të Kuq