Të çmendur pas dhunës
BOTA sot është e fiksuar pas dhunës. Në të vërtetë, dhuna ka qenë gjithmonë pjesë e zbavitjes. Megjithatë, sipas një organizate, «vitet e fundit diçka ka ndryshuar në lidhje me dhunën në media. Së pari, shfaqet më shpesh». (Media Awareness Network) Së dyti, shfaqet «shumë më hapur, shumë më sadiste dhe me natyrë më seksuale». Mendoni për fushat e mëposhtme.
Muzika: Sipas së njëjtës organizatë, këngët me tekste gjithnjë e më të dhunshme «konsiderohen si normale në industrinë e muzikës». Duke përdorur fjalë të ndyra, disa këngë lartësojnë vrasjen dhe përdhunimin, madje edhe të bashkëshorteve e nënave.
Videolojërat: «Është shqetësues fakti që në videolojëra vërehet mania për gjakderdhje»,—thoshte një revistë britanike për të apasionuarit e videolojërave. Ajo shtonte: «Deri në njëfarë mase, kush do videolojërat, duhet të dojë dhunën.» Për shembull, një lojë e famshme i nxit lojtarët të bëjnë sikur po i rrahin gratë për vdekje me shkopa bejzbolli. Disa autoritete besojnë se, ngaqë kërkojnë pjesëmarrjen e lojtarit, videolojërat mund të ndikojnë te fëmijët shumë më keq sesa televizori.
Filmat: Studimet tregojnë se dhuna, seksi dhe gjuha vulgare janë rritur ndjeshëm nëpër filma, dhe simbolet që tregojnë se për çfarë moshe është një film, mund të mos jenë të besueshme. Për më tepër, nuk janë të dhunshëm vetëm «personazhet negative». Sipas një studimi, pothuajse gjysma e dhunës në televizor, në filma dhe në videoklipe kryhet nga «personazhet pozitive».
Lajmet: «Nëse ka gjakderdhje, ka sukses.» Kjo është motoja e shumë producentëve të lajmeve në televizion. Lajmet janë një industri fitimprurëse, dhe gazetarët e dinë se dhuna tërheq teleshikuesit e numri i lartë i teleshikuesve tërheq agjencitë e reklamave, që financojnë programet televizive në shumë vende.
Sitet në Internet: Në Internet gjen imazhe virtuale dhe të vërteta torturash, gjymtimi, sakatimi dhe vrasjeje. Në këto site hyjnë fëmijë të panumërt.
A ndikon te ju dhuna në media?
A ndikon te njerëzit dhuna që shfaqet në televizor, filma, libra, muzikë dhe në lloje të tjera zbavitjesh? Sigurisht, ata që përfitojnë nga dhuna në media, shpesh thonë se prodhimet e tyre nuk janë të dëmshme. Por, mendoni pak: për të ndikuar në mendjen e njerëzve, bota e biznesit investon miliarda dollarë për reklamat, që mund të zgjatin edhe vetëm 30 sekonda. Atëherë, a është e arsyeshme të mendojmë se një film prej 90 minutash, heronjtë e të cilit janë imoralë e të dhunshëm, do të ndikojë pak ose aspak, sidomos në mendjen e fëmijëve që thith çdo gjë?
Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, e njeh natyrën njerëzore shumë më mirë se ne. Çfarë na ka thënë ai për shoqërimin me njerëz të dhunshëm—përfshirë, në parim, edhe shoqërimin me ata që na zbavitin nëpërmjet mediave? Le të shohim vargjet e mëposhtme nga Bibla:
● «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.»—Psalmi 11:5.
● «Mos ki shoqëri me njeriun zemërak, dhe mos u përziej me njeriun që ka shpërthime zemërimi, që të mos mësohesh me shtigjet e tyre dhe t’i vësh lak shpirtit tënd.»—Proverbat 22:24, 25.
Kuptohet që nuk mund t’i shmangim të gjitha ndikimet e këqija. Por zgjedhjen e zbavitjes dhe të njerëzve me të cilët shoqërohemi, e kemi në dorë vetë. Prandaj pyeteni veten: «Çfarë njeriu dua të jem?» Pastaj shoqërohuni me këta lloj njerëzish, me njerëz që kanë vlerat dhe synimet që doni të keni.—Proverbat 13:20.
Zgjedhja e shoqërisë dhe e zbavitjes mund të ndikojë në qëndrimin tonë ndaj dhunës. Por, ka edhe faktorë të tjerë. Cilët janë ata?
[Figura në faqen 4]
Zgjedhja e zbavitjes mund të ndikojë në qëndrimin tonë ndaj dhunës