BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 2/14 f. 12-13
  • Kostandini

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kostandini
  • Zgjohuni!—2014
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • KISHAT​—I LIGJËROI DHE I PËRDORI
  • FORMIMI I NJË FEJE TË RE
  • Kostandini i Madh: Një kampion i krishterimit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Si u zhvillua doktrina e Trinitetit?
    A duhet të besosh në Trinitet?
Zgjohuni!—2014
g 2/14 f. 12-13
Një statujë prej bronzi e Kostandinit

PORTRETE NGA E KALUARA

Kostandini

Kostandini ishte perandori i parë romak që u bë i krishterë. Në këtë mënyrë ai pati ndikim të thellë në historinë botërore. Përqafoi këtë fe që më parë ishte përndjekur dhe e futi në një udhë që çoi në formimin e të ashtuquajturit krishterim. Sipas një enciklopedie, ky krishterim u bë «elementi më i fortë shoqëror e politik» që ka ndikuar ndonjëherë në rrjedhën e historisë.​—The Encyclopædia Britannica.

PSE duhet të të interesojë një perandor romak i lashtësisë? Nëse të intereson krishterimi, duhet të dish se manovrat politike dhe fetare të Kostandinit kanë ndikuar në bindjet dhe praktikat e shumë kishave deri sot e kësaj dite. Le të shohim si.

KISHAT​—I LIGJËROI DHE I PËRDORI

Në vitin 313 të e.s., Kostandini sundoi mbi Perandorinë Romake të Perëndimit, kurse Licini dhe Maksimini sundonin mbi atë të Lindjes. Kostandini dhe Licini ua dhanë të gjithëve lirinë e adhurimit, madje edhe të krishterëve. Kostandini e mbrojti krishterimin me bindjen se feja do të unifikonte perandorinë e tij.a

Ja pse Kostandini u tmerrua kur pa se kishat ishin përçarë nga mosmarrëveshjet. Nga dëshira e madhe për të gjetur gjuhën e përbashkët, u përpoq të themelonte e pastaj të përforconte doktrinën «e duhur». Për të fituar miratimin e tij, peshkopët duhej të bënin kompromise fetare dhe ata që i bënin, përjashtoheshin nga taksat dhe fitonin përkrahje mjaft bujare. «Nxjerrja e versionit ‘të duhur’ të doktrinës së krishterë,—tha historiani Çarls Frimen,—u hapi dyert jo vetëm drejt parajsës në qiell, por edhe drejt pasurive të mëdha në tokë.» Kështu klerikët u bënë figura me pushtet në çështjet e botës. «Kisha kishte fituar një mbrojtës,—thotë historiani A. H. M. Xhons,—por edhe një padron.»

«Kisha kishte fituar një mbrojtës, por edhe një padron.»​—Historiani A. H. M. Xhons

FORMIMI I NJË FEJE TË RE

Si rezultat e aleancës së Kostandinit me peshkopët, doli një fe me doktrina që i përkitnin edhe krishterimit, edhe feve pagane. Zor se mund të ishte ndryshe, pasi perandori synonte pluralizmin fetar, jo të vërtetën fetare. Në fund të fundit, ai ishte sundimtari i një perandorie pagane. Për t’i bërë qejfin të dyja palëve, një historian shkroi se ai mbante «me vetëdije [një qëndrim] të paqartë në mënyrën si vepronte dhe qeveriste në përgjithësi».

Megjithëse thoshte se përkrahte krishterimin, Kostandini e kishte njërën këmbë në paganizëm. Për shembull, praktikonte astrologjinë dhe fallin, praktika spiritiste që Bibla i dënon. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Në Harkun e Kostandinit në Romë ai paraqitet duke u bërë flijime perëndive pagane. Vazhdoi të nderonte perëndinë-diell duke ia vënë figurën nëpër monedha dhe duke nxitur përhapjen e kultit të kësaj perëndie. Madje, aty nga fundi i jetës, ai lejoi që një qytet i vogël në Umbria të Italisë të ngrinte një tempull për të dhe familjen e tij dhe të caktonte priftërinj për të shërbyer atje.

Kostandini e shtyu pagëzimin e tij «të krishterë» deri pak ditë para se të vdiste në vitin 337 të e.s. Shumë studiues besojnë se ai e shtyu që të kishte përkrahjen politike si të të krishterëve, ashtu edhe të paganëve brenda perandorisë së tij. Sigurisht, vetë jeta dhe vonesa e pagëzimit të tij vënë në dyshim sinqeritetin e besimit të tij te Krishti. Megjithatë, një gjë është e sigurt: kisha që Kostandini ligjëroi, u bë një ent i fuqishëm politik dhe fetar, një kishë që i ktheu kurrizin Krishtit dhe përkrahu botën. Jezui tha për dishepujt e tij: «Nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14) Pikërisht nga kjo kishë, që tani ishte pjesë e botës, dolën grupe fetare të panumërta.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo për ne? Që nuk duhet t’i besojmë verbërisht mësimet e çfarëdolloj kishe, por duhet t’i shqyrtojmë nën dritën e Biblës.​—1 Gjonit 4:1.

a Sipas një vepre referimi, është diskutuar shumë nëse bindjet e krishtere të Kostandinit ishin të sinqerta, pjesërisht ngaqë «lejonte hapur kultet pagane, madje edhe në fund të sundimit të tij».

FAKTE SHKURT

  • Kostandini u bë perandori i Perandorisë Romake të Perëndimit në vitin 306 të e.s. dhe nga viti 324 deri më 337 sundoi i vetëm edhe mbi Perandorinë e Lindjes, edhe mbi Perandorinë e Perëndimit.

  • Kostandini thoshte se nëpërmjet një ëndrre a vegimi mori sigurinë se Perëndia i të krishterëve do ta ndihmonte në betejë.

  • Duke ia dhënë meritën Perëndisë për një fitore ushtarake, Kostandini «urdhëroi menjëherë» që të vihej një heshtë në formë kryqi në dorën e statujës së tij «në vendin më të frekuentuar në Romë».​—Historiani Pol Kerestesh.

  • Kostandini mbante titullin pagan pontifex maximus, që do të thotë kryeprift, dhe e konsideronte veten kryezot të të gjitha feve në perandorinë e tij.

Harku i Kostandinit

Harku i Kostandinit përkujton fitoren e tij në betejë

  • «Një perandor i mirë, madje edhe një i krishterë i mirë, në mënyrë të pashmangshme, do të gjendej para një zgjedhjeje: ose të humbte parajsën në qiell ose pushtetin. Kostandini sapo kishte hipur në fron, kështu që s’kishte ndër mend as të humbiste pushtetin, as të hiqte dorë nga mëkatet që duhej të bënte për ta mbajtur atë.»​—Riçard Rubenstajni, profesor për zgjidhjen e konflikteve dhe për çështjet publike.

  • «Nuk mund ta vëmë në dyshim që Kostandini ishte i krishterë të paktën në fund të jetës së tij, nëse nuk gjykojmë në bazë të cilësisë së tij si i krishterë.»​—Pol Keresteshi, profesor i historisë dhe i letërsisë klasike.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo