BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/3 f. 26-30
  • Kostandini i Madh: Një kampion i krishterimit?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kostandini i Madh: Një kampion i krishterimit?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kostandini historik
  • Feja në strategjinë e Kostandinit
  • A u bë ndonjëherë i krishterë ai?
  • Një «i shenjtë»?
  • Pasojat e përpjekjeve të tij
  • Ku është krishterimi i vërtetë?
  • Kostandini
    Zgjohuni!—2014
  • Si u zhvillua doktrina e Trinitetit?
    A duhet të besosh në Trinitet?
  • A duhet të besosh te Triniteti?
    Zgjohuni!—2013
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/3 f. 26-30

Kostandini i Madh: Një kampion i krishterimit?

Perandori romak Kostandin është mes njerëzve të paktë, emrin e të cilëve historia e ka zbukuruar me termin «i Madh». I ashtuquajturi krishterim ka shtuar shprehjet «i shenjtë», «apostulli i trembëdhjetë», «i barasshenjtë me apostujt» dhe «i zgjedhur nga Drejtimi hyjnor i Perëndisë, për të kryer kthimin më të madh në të gjithë botën». Nga një këndvështrim tjetër, disa e përshkruajnë Kostandinin si «të përgjakur dhe të damkosur nga mizori të panumërta dhe plot mashtrim, . . . një tiran shumë i neveritshëm, fajtor për krime të tmerrshme».

SHUMË të krishterëve të vetëshpallur u kanë mësuar se Kostandini i Madh ishte një prej bamirësve më të shquar të krishterimit. Ata i atribuojnë atij çlirimin e të krishterëve prej mjerimit të persekutimit romak dhe dhënien e lirisë fetare. Për më tepër, nga shumë veta mendohet se ai ishte një ithtar besimplotë në gjurmët e Jezu Krishtit, me një dëshirë të fortë për ta çuar përpara kauzën e krishterë. Kisha Ortodokse Lindore dhe Kisha Koptike e kanë shpallur si atë, ashtu edhe nënën e tij, Helenën, «të shenjtë». Festa e tyre kremtohet më 3 qershor ose, sipas kalendarit të kishës, më 21 maj.

Kush ishte me të vërtetë Kostandini i Madh? Cili qe roli i tij në zhvillimin e krishterimit pasapostolik? Mbi këto pyetje do të hidhet shumë dritë, nëse lëmë historinë dhe studiuesit që t’u përgjigjen.

Kostandini historik

Kostandini, biri i Kostanc Klorit, lindi në Naisus të Serbisë, rreth vitit 275 të e.s. Në vitin 293 të e.s., kur babai i tij u bë perandor i provincave perëndimore të Romës, ai po luftonte mbi Danub, nën urdhrat e perandorit Galeri. Kostandini rikaloi në anën e babait të tij që po vdiste në Britani, në vitin 306 të e.s. Pak pas vdekjes së babait, Kostandini u ngrit nga ushtria në pozitën e perandorit.

Në atë kohë, pesë individë të tjerë deklaruan se ishin Augustë. Periudha ndërmjet viteve 306 dhe 324 të e.s., pas së cilës Kostandini u bë perandori i vetëm, qe një kohë lufte të pandalur civile. Fitorja në dy fushatat luftarake i garantoi Kostandinit një vend në historinë romake dhe e bëri sundimtarin e vetëm të perandorisë romake.

Në vitin 312 të e.s., Kostandini mundi kundërshtarin e tij Maksenc në betejën e Urës së Milvit jashtë Romës. Apologjetët e krishterë deklaruan se gjatë asaj fushate, nën diell u shfaq një kryq i përflakur që mbante fjalët latine In hoc signo vinces, që do të thonë: «Në këtë shenjë fiton.» Gjithashtu, mendohet se në një ëndërr, Kostandinit iu tha të pikturonte në mburojat e trupave të tij, dy shkronjat e para të emrit të Krishtit në greqisht. Megjithatë, kjo histori vuan nga shumë anakronizma. Libri Një histori e krishterimit thotë: «Ekziston një konflikt dëshmish në lidhje me kohën, vendin dhe hollësitë e sakta të këtij vizioni.» Duke e mikpritur Kostandinin në Romë, një senat pagan e deklaroi kreun August dhe Pontifeks Maksim, domethënë kryeprift të fesë pagane të perandorisë.

Në vitin 313 të e.s., Kostandini organizoi një partneritet me perandorin Licinius, sundimtar të provincave lindore. Me anë të Dekretit të Milanit, ata të dy u dhanë lirinë e adhurimit dhe të drejta të barabarta të gjitha grupeve fetare. Megjithatë, shumë historianë, minimizojnë domethënien e këtij dokumenti, duke thënë se ai është thjesht një letër e zakonshme zyrtare dhe jo një dokument perandorak me rëndësi të madhe, që sinjalizon një ndryshim në politikën kundrejt krishterimit.

Brenda dhjetë vjetëve që pasuan, Kostandini mundi rivalin e fundit që i kishte mbetur, Liciniusin, dhe u bë sundimtari i padiskutueshëm i botës romake. Në vitin 325 të e.s., akoma i papagëzuar, ai drejtoi këshillin e parë të madh ekumenikal të kishës «së krishterë», i cili dënoi arianizmin dhe përpiloi një deklaratë të bindjeve themelore, të quajtur Kredoja Nicejane.

Kostandini u sëmur në mënyrë të pashërueshme në vitin 337 të e.s. Ai u pagëzua në shtratin e vdekjes dhe pastaj vdiq. Pas vdekjes së tij, senati e vendosi mes perëndive romake.

Feja në strategjinë e Kostandinit

Duke iu referuar qëndrimit të përgjithshëm që mbajtën ndaj fesë perandorët romakë të shekullit të tretë dhe të katërt, libri Istoria tou Ellinikou Ethnous (Historia e kombit grek) thotë: «Edhe kur ata që zunë fronin perandorak nuk patën prirje kaq të theksuara fetare, që ishin të dëshirueshme për mënyrën mbizotëruese të të menduarit të asaj epoke, e panë të domosdoshme që në kuadrin e projekteve të tyre politike, t’i jepnin përparësi fesë, t’i jepnin të paktën një erë fetare veprimeve të tyre.»

Sigurisht, Kostandini ishte një njeri që e dinte në ç’kohë jetonte. Në fillim të karrierës së tij, ai kishte nevojë për njëfarë kujdestarie «hyjnore» dhe kjo nuk mund të sigurohej nga perënditë romake që po veniteshin. Perandoria, përfshirë edhe feja me institucionet e tjera të saj, ishte në rënie, ndaj nevojitej diçka e re dhe fuqizuese për ta përforcuar. Enciklopedia Hidria thotë: «Kostandini interesohej veçanërisht për krishterimin, sepse ky mbështeste jo vetëm fitoren e tij, por edhe riorganizimin e perandorisë së tij. Kishat e krishtere që ekzistonin kudo, u bënë mbështetja e tij politike. . . . Ai u rrethua vetë nga prelatët e mëdhenj të asaj kohe . . . dhe kërkoi që ta mbanin të pacënuar unitetin e tyre.»

Kostandini e kuptoi se feja «e krishterë», edhe pse apostate dhe thellësisht e korruptuar në atë kohë, mund të përdorej me efektshmëri si një forcë rigjallëruese dhe bashkuese, për t’i shërbyer projektit të tij të madh për mbizotërim perandorak. Duke adoptuar themelet e krishterimit apostat për të fituar mbështetje në çuarjen përpara të qëllimeve të veta politike, ai vendosi ta njehsonte popullin në një fe «katolike» apo universale. Zakoneve dhe kremtimeve pagane iu dhanë emra «të krishterë». Gjithashtu, klerikëve «të krishterë» iu dha pozita, rroga dhe ndikimi influencues i priftërinjve paganë.

Duke kërkuar harmoni fetare për arsye politike, Kostandini shtypi me të shpejtë çdo zë përçarës, jo mbi bazën e së vërtetës doktrinale, por mbi bazën e pranimit nga shumica. Mosmarrëveshjet e thella dogmatike brenda kishës «së krishterë» të përçarë keqas, i dhanë mundësinë të ndërhynte si ndërmjetës «i dërguar nga Perëndia». Nëpërmjet lidhjeve të tij me donatistët në Afrikën Veriore dhe me ithtarët e Ariusit në pjesën lindore të perandorisë, ai zbuloi shpejt se për të formuar një besim të fortë dhe të njehsuar, nuk mjaftonte të mbushësh mendjen.a Pikërisht gjatë një orvatjeje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ariane, ai mblodhi këshillin e parë ekumenikal në historinë e kishës.—Shiko kutinë «Kostandini dhe Këshilli i Nicesë».

Në lidhje me Kostandinin, historiani Pol Xhonson thotë: «Një prej arsyeve kryesore për tolerimin e krishterimit, mund të ketë qenë se krishterimi i jepte atij vetë dhe shtetit mundësinë për të kontrolluar politikën e Kishës mbi ortodoksinë dhe trajtimin e heterodoksisë.»

A u bë ndonjëherë i krishterë ai?

Xhonson vëren: «Kostandini nuk e braktisi kurrë adhurimin e diellit dhe e mbajti diellin në monedhat e tij». Catholic Encyclopedia vëren: «Kostandini u tregoi favor të njëjtë të dyja feve. Si Pontefiks Maksim ai u kujdes për adhurimin pagan dhe mbrojti të drejtat e tij.» «Kostandini nuk u bë kurrë një i krishterë»,—pohon enciklopedia Hidria. Ajo shton: «Eusebiusi i Cezareas, i cili shkroi biografinë e Kostandinit, thotë se ai u bë i krishterë në momentet e fundit të jetës. Kjo gjë s’pi ujë, sepse një ditë përpara pagëzimit, i kishte bërë një flijim Zeusit, pasi edhe ai kishte titullin Pontifeks Maksim.»

Deri në ditën e vdekjes së tij në vitin 337 të e.s., Kostandini mbajti titullin pagan të Pontifeks Maksim-it, kreu suprem në çështjet fetare. Për sa i përket pagëzimit të tij, është e arsyeshme të pyesim: A u parapri ai nga një pendim i sinqertë dhe nga kthimi në besim, siç kërkohet nga Shkrimet? (Veprat 2:38, 40, 41) A ishte ai një zhytje e plotë në ujë, si simbol i dedikimit të Kostandinit ndaj Perëndisë Jehova?—Krahaso Veprat 8:36-39.

Një «i shenjtë»?

Encyclopædia Britannica thotë: «Kostandinit iu dha e drejta të quhej i Madh, më shumë për shkak të asaj që bëri sesa të asaj që ishte. Nëse do të vlerësohej sipas karakterit, ai në fakt qëndron mes atyre personave më pak të kualifikuar, të cilëve në kohët e lashta ose moderne iu dha epiteti [i Madh].» Gjithashtu, libri Një histori e krishterimit, na informon: «Ekzistojnë raporte të hershme mbi temperamentin e tij të dhunshëm dhe për mizorinë e tij në inat e sipër. . . . Ai nuk kishte fare respekt për jetën njerëzore . . . Ndërsa plakej, jeta e tij private bëhej e përbindshme.»

Me sa duket, Kostandini kishte probleme serioze me personalitetin e tij. Një kërkues në fushën e historisë thotë se «karakteri impulsiv ishte shpesh arsyeja e kryerjes së krimeve prej tij». (Shiko kutinë «Vrasje dinastike».) Kostandini nuk ishte një «karakter i krishterë», pohon historiani H. Fisher në librin e tij Histori e Evropës. Faktet nuk e karakterizojnë si një të krishterë të vërtetë, që kishte veshur «personalitetin e ri» dhe në të cilin mund të gjendeshin frytet e frymës së shenjtë të Perëndisë: dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli.—Kolosianëve 3:9, 10; Galatasve 5:22, 23, BR.

Pasojat e përpjekjeve të tij

Si pagani Pontifeks Maksim, pra kreu fetar i Perandorisë Romake, Kostandini u përpoq t’i fitonte peshkopët e kishës apostate. Ai u ofroi atyre pozita pushteti, rënie në sy dhe pasuri, si zyrtarë të fesë së shtetit romak. Catholic Encyclopedia pranon: «Disa peshkopë, të verbuar nga shkëlqimi i oborrit, shkuan madje deri aty sa i thurën lavde perandorit, si një engjëlli të Perëndisë, si një qenieje të shenjtë dhe profetizuan se ai, ashtu si Biri i Perëndisë, do të mbretëronte në qiell.»

Ndërsa krishterimi apostat shihej me sy të mirë nga qeveria politike, ai bëhej gjithnjë e më shumë pjesë e kësaj bote, e këtij sistemi botëror, dhe largohej nga mësimet e Jezu Krishtit. (Gjoni 15:19; 17:14, 16; Zbulesa 17:1, 2) Si rezultat, u bë një shkrirje e «krishterimit» me doktrinat dhe praktikat e rreme: Trinitetin, pavdekshmërinë e shpirtit, ferrin e zjarrtë, purgatorin, lutjet për të vdekurit, përdorimin e ruzareve, ikonave, shëmbëlltyrave dhe të tjera si këto.—Krahaso 2. Korintasve 6:14-18.

Nga Kostandini, kisha trashëgoi, gjithashtu, tendencën për të qenë autoritare. Studiuesit Henderson dhe Bëk, thonë: «Thjeshtësia e Ungjillit u prish; u futën rite dhe ceremoni pompoze; mësuesve të krishterimit iu dhanë nderime dhe shpërblime botërore, ndërsa Mbretëria e Krishtit, në një masë të madhe, u kthye në një mbretëri të kësaj bote.»

Ku është krishterimi i vërtetë?

Faktet historike zbulojnë të vërtetën që fshihet pas «madhështisë» së Kostandinit. Në vend që të themelohej nga Jezu Krishti, Kreu i kongregacionit të vërtetë të krishterë, i ashtuquajturi krishterim është pjesërisht rezultat i përshtatshmërisë politike dhe i manovrave dinake të një perandori pagan. Plotësisht me vend, historian Pol Xhonson pyet: «A iu dorëzua perandori krishterimit apo krishterimi iu kurvërua perandorit?»

Të gjithë ata që dëshirojnë me të vërtetë të aderojnë në krishterimin e kulluar, mund të ndihmohen për të njohur dhe për t’u shoqëruar me kongregacionin e vërtetë të krishterë sot. Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën janë më se të gatshëm t’i ndihmojnë njerëzit me zemër të ndershme, për të identifikuar krishterimin e vërtetë dhe për të adhuruar Perëndinë në një mënyrë të pranueshme për të.—Gjoni 4:23, 24.

[Shënimi]

a Donatizmi ishte një sekt «i krishterë» i shekullit të katërt dhe të pestë të e.s. Ata që aderonin në të deklaronin se vlefshmëria e sakramenteve varet nga karakteri moral i shërbëtorit të fesë dhe se kisha duhet të përjashtojë nga anëtarësia e saj njerëzit që janë fajtorë për mëkate serioze. Arianizmi ishte një lëvizje «e krishterë» e shekullit të katërt, që mohonte hyjninë e Jezu Krishtit. Ariusi mësonte se Perëndia është i palindur dhe pa një fillim. Biri, meqenëse është i lindur, nuk mund të jetë Perëndi në të njëjtin kuptim që është edhe Ati. Biri nuk ekziston që prej përjetësisë, por u krijua dhe ekziston me anë të vullnetit të Atit.

[Kutia në faqen 28]

Kostandini dhe Këshilli i Nicesë

Çfarë roli luajti perandori i papagëzuar Kostandin në Këshillin e Nicesë? Encyclopædia Britannica thotë: «Vetë Kostandini e kryesoi, duke u dhënë aktivisht drejtim diskutimeve . . . Me druajtje nga perandori, peshkopët, vetëm me dy përjashtime, nënshkruan kredon, gjë të cilën shumë prej tyre e bënë në një masë të madhe kundër prirjes së tyre.»

Pas dy muajsh debati fetar të tërbuar, ky politikan pagan ndërhyri dhe vendosi në favor të atyre që thanë se Jezui ishte Perëndi. Po pse? «Në thelb, Kostandini nuk kishte fare kuptueshmëri për çfarëdo pyetje që bëhej mbi teologjinë greke»,—thotë Një histori e shkurtër e doktrinës së krishterë. Ajo që kuptonte ai, ishte se përçarja fetare përbënte një kërcënim për perandorinë dhe ishte i vendosur ta forconte perandorinë e tij.

Në lidhje me dokumentin përfundimtar që u përpilua në Nice nën kujdesin e Kostandinit, Istoria tou Ellinikou Ethnous (Historia e kombit grek) vëren: «Ai tregon indiferencën [e Kostandinit] ndaj çështjeve doktrinale, . . . këmbënguljen e tij kokëfortë në përpjekjen për të rivendosur me çdo kusht unitetin brenda kishës dhe së fundi, bindjen se si ‘peshkop i atyre jashtë kishës’, ai kishte fjalën e fundit për çdo çështje fetare.» A ka mundësi që pas vendimeve të marra në atë këshill të ndodhej fryma e Perëndisë?—Krahaso Veprat 15:28, 29.

[Kutia në faqen 29]

Vrasje dinastike

Nën këtë titull, vepra Istoria tou Ellinikou Ethnous (Historia e kombit grek) përshkruan atë që e quan «krimet e neveritshme familjare që kreu Kostandini». Pak pasi themeloi dinastinë e tij, ai harroi se si t’i gëzonte arritjet e papritura dhe u bë i vetëdijshëm për rreziqet që e rrethonin. Duke qenë një person dyshues dhe ndoshta i shtyrë nga sahanlëpirësit, fillimisht iu shtua dyshimi për nipin e Licinianit, birin e bashkë-Augustit, që ai e kishte ekzekutuar tashmë, si një rival të mundshëm. Vrasja e tij u pasua nga ekzekutimi i birit të parëlindur të vetë Kostandinit, Krispit, me të cilin u mor njerka e tij, Fausta, sepse dukej një pengesë për pushtetin total të pasardhësve të saj.

Ky veprim i Faustës ishte së fundi arsyeja e vdekjes së saj dramatike. Duket se Augusta Helena, e cila pati ndikim mbi birin e saj, Kostandinin, deri në fund, mori pjesë në këtë vrasje. Emocionet e palogjikshme që kontrollonin shpesh Kostandinin i kontribuan, gjithashtu, morisë së ekzekutimeve të shumë miqve dhe ortakëve të tij. Libri Histori e Mesjetës, përfundon: «Ekzekutimi, për të mos thënë vrasja, e birit të vet dhe e gruas së vet, tregon se ai s’ishte i prekur nga asnjë ndikim frymor i krishterimit.»

[Figura në faqen 30]

Ky hark në Romë është përdorur për t’i thurur lavdi Kostandinit

[Burimi i figurës në faqen 26]

Muzeu i Luvrit, Paris

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo