SI TË PËRBALLOSH RRITJEN E ÇMIMEVE
Menaxhoji paratë me mençuri
Rritja e çmimeve është problem për të gjithë. Megjithatë nuk ke pse të ndihesh i pashpresë. Edhe në këtë rast, mund të arrish të bësh diçka për ta përmirësuar situatën tënde.
PSE KA RËNDËSI
Nëse nuk përpiqesh të menaxhosh paratë, situata jote ekonomike mund të të ikë nga duart, dhe kjo vetëm sa do të ta shtojë ankthin. Edhe nëse të ardhurat e tua janë të kufizuara, prapëseprapë mund të bësh diçka për t’i menaxhuar.
ÇFARË MUND TË BËSH
Shtri këmbët sa ke jorganin. Kur nuk shpenzon përtej mundësive ekonomike, do ta kesh më të lehtë për të mbajtur nën kontroll gjendjen tënde financiare dhe për të përballuar shpenzimet e paparashikuara.
Që të mos shpenzosh më tepër seç ke mundësi, bëj një buxhet—një plan ku të shënosh të ardhurat dhe shpenzimet. Teksa bën këtë, përcakto me kujdes gjërat që të nevojiten vërtet. Pastaj bëj çmos që t’i përmbahesh këtij plani, duke bërë edhe përshtatjet e nevojshme kur të ardhurat ose çmimet ndryshojnë. Sigurisht, nëse je i martuar, mos harro të përfshish edhe bashkëshortin në çdo vendim që do të marrësh.
Provo këtë: Në vend që të blesh me kartë, paguaj cash. Shumë veta e kanë parë këtë si një mënyrë më të efektshme për të menaxhuar buxhetin dhe për të shmangur borxhet. Veç kësaj lër kohë për të parë hyrje-daljet e llogarisë sate bankare. Kur e di sa pará ke gjendje, do të kesh më pak stres.
Mund të jetë e vështirë të jetosh brenda mundësive të tua ekonomike. Ama, një buxhet praktik dhe i menduar mirë do të të ndihmojë goxha. Kështu do të jesh edhe më i qetë.
Ruaj burimin e të ardhurave. Ç’hapa praktikë mund të bësh që të ruash vendin e punës? Ja disa: ji i përpiktë. Mbaj një pikëpamje pozitive për punën. Ji aktiv dhe puno fort. Trego respekt. Zbato rregullat dhe përpiqu të përmirësosh aftësitë.
Mos i shpërdoro paratë. Pyet veten: «A e kam zakon të harxhoj për gjëra që s’më duhen ose që më bëjnë dëm?» Për shembull, shumë njerëz i shpenzojnë paratë që kanë fituar me djersën e ballit, duke abuzuar me drogën, bixhozin, duhanin ose me alkoolin. Këto vese jo vetëm të zbrazin xhepat, por edhe të rrezikojnë shëndetin e punën.
Kurse për një të papritur. Kur ke mundësi, hiq mënjanë një shumë të vogël parash për ndonjë rast të papritur ose emergjencë. Këto pará do të të japin njëfarë sigurie nëse humbet punën, nëse një familjar sëmuret a ndodh diçka tjetër e paparashikuar.