Studimi 7
Përdorimi i përsëritjes dhe i gjesteve
1 Qëllimi për të cilin flet, duhet të jetë ai i dhënies së një informacioni, të cilin auditori yt do ta mbajë mend dhe do të mund ta përdorë. Nëse e harrojnë, dobia humbet. Një prej mjeteve kryesore, me anë të të cilave mund t’i ndihmosh për ta ngulitur në mendje atë që thua, është përsëritja e pikave që janë më të rëndësishme. Në mënyrë të përshtatshme është thënë se përsëritja është nëna e kujtesës. Përsëritja është një prej teknikave kryesore të mësimdhënies. Ti ke mësuar tashmë vlerën e saj, në lidhje me përdorimin e shkrimeve. Por «Përsëritja për dhënien e emfazës» është renditur më vete në fletushkën tënde të Këshillave mbi oratorinë, sepse ajo u aplikohet edhe pjesëve të tjera të fjalimit.
2 Për të të ndihmuar që të bëhesh i aftë në përdorimin e përsëritjes për dhënien e emfazës, do ta shqyrtojmë çështjen në dy aspekte të ndryshme. Secili prej tyre ka të bëjë me një mjet të ndryshëm të përsëritjes; secili prej tyre ka një qëllim të ndryshëm për të arritur. Përsëritja e pikave kryesore shërben si një ndihmesë për kujtesën. Përsëritja e pikave që s’janë kuptuar, ndihmon për t’i kuptuar ato.
3 Në shqyrtimin e kësaj cilësie është jetësore jo vetëm mënyra e të shprehurit, por edhe përgatitja. Duhet të përcaktosh që më parë se cilat ide kërkojnë një përsëritje dhe se kur do të ishte më e mira ta bësh këtë.
4 Përsëritja e pikave kryesore. Përsëritja e pikave kryesore shpesh bëhet me ndonjë lloj përmbledhjeje. Ne do të trajtojmë dy lloje të tyre që dallohen, duke i quajtur ato përmbledhje «progresive» dhe përmbledhje «përmbyllëse».
5 Përmbledhja progresive ka të bëjë me rishikimin e aspekteve thelbësore të çdo pike kryesore, ndërsa merret në shqyrtim, duke futur në secilën përmbledhje pasuese aspektet thelbësore të pikave kryesore që e kanë paraprirë. Në këtë mënyrë, filli i fjalimit thuret vazhdimisht e më ngjeshur.
6 Në fund të fjalimit, janë përdorur apo jo përmbledhjet progresive, një përmbledhje përmbyllëse ndërthur çdo gjë bashkë dhe i gjithë fjalimi mund të rishikohet me anë të disa pohimeve të shkurtra. Ndonjëherë ajo do të ndihmojë për të përmendur numrin e saktë të pikave që do të rishikohen. Kjo është një ndihmesë e mëtejshme për kujtesën.
7 Një përmbledhje nuk duhet të jetë një përsëritje e thatë apo një ripohim i pikave ose ideve. Ajo mund të bëhet në mënyra të ndryshme: me anë të ilustrimit, me anë të përdorimit të një shkrimi, me anë të trajtimit të çështjes nga një këndvështrim i ndryshëm, me anë të krahasimeve apo kontrasteve, duke bërë paralelizma dhe duke përdorur sinonime ose pyetje. Për shembull, përmbledhja shumë praktike e një fjalimi publik mund të jetë një pjesë e shkurtër prej pesë minutash, duke përdorur shkrimet biblike bazë dhe argumentet kryesore të fjalimit. Në të, i gjithë fjalimi ndodhet në formë kompakte, diçka që pothuajse kujtdo mund t’i mbetet në mend e ta përdorë.
8 Lloji i përsëritjes përmbledhëse është veçanërisht i dobishëm në lidhje me fjalimet që përfshijnë arsyen e logjikën dhe intervali kohor ndërmjet trajtimit dhe rishikimit të shkurtër ndihmon në ngulitjen më thellë të mendimeve në mendjen e auditorit. Megjithatë, jo gjithmonë është e nevojshme t’i bësh përmbledhjen një pike. Shpesh, ajo thjesht mund të përsëritet më vonë, si një bazë e efektshme për një pikë tjetër që duhet zhvilluar.
9 Një mënyrë tjetër në të cilën mund të përsëriten pikat kryesore, është duke i përmendur ato në hyrjen e fjalimit dhe pastaj duke vazhduar me një zhvillim të zgjeruar të këtyre pikave në trupin e fjalimit. Kjo përsëritje i ngulit akoma më shumë mendimet në mendje.
10 Duke i njohur mirë këto mënyra të ndryshme të përsëritjes së pikave kryesore, mund të bëhet shumë që një fjalim të dalë interesant dhe i këndshëm, si dhe më i lehtë për t’u kuptuar.
11 Përsëritja e pikave që nuk janë kuptuar. Ta përsëritësh apo jo një pikë me qëllim që ajo të kuptohet, varet pothuajse krejtësisht nga auditori yt. Nëse është një pikë thelbësore dhe për ta nuk do të jetë e qartë nëse nuk u jepet mundësia për ta dëgjuar të thuhet më shumë se njëherë, duhet ta ritrajtosh në ndonjë mënyrë, përndryshe do të arrish në përfundim të fjalimit, pa qenë i ndjekur nga auditori. Nga ana tjetër, përsëritja e kotë, ajo që nuk përdoret për të dhënë emfazë, do ta bënte fjalimin fjalëshumë dhe jo interesant.
12 Kur përgatit fjalimin, mbaj parasysh auditorin tënd. Kjo do të të japë mundësinë që në njëfarë mase t’u paraprish problemeve të veçanta që mund të ketë auditori yt. Përgatitu që ide të tilla t’i përsëritësh në atë mënyrë, që ato të mund të shihen nga këndvështrime të ndryshme.
13 Si mund ta dish nëse po të kuptojnë apo jo? Shiko auditorin. Vëzhgo shprehjet e fytyrës ose, nëse je duke u folur një apo dy personave, drejto pyetje.
14 Por, vëre: Përsëritja e të njëjtave fjalë, jo gjithmonë do ta përmbushë qëllimin tënd. Për të dhënë mësim duhet më shumë se kaq. Nëse auditori yt nuk të kupton herën e parë, një përsëritje e thjeshtë e fjalëve nga e para, mund të mos jetë e mjaftueshme për të bërë që të kuptohesh më mirë. Ç’mund të bësh në lidhje me këtë? Duhet të bëhesh i adaptueshëm. Kjo mund të kërkojë që fjalimit tënd t’i bësh shtesa të atypëratyshme. Nga fakti se sa i mësuar je për t’i përmbushur nevojat e auditorit, do të përcaktohet në një masë të madhe efektshmëria jote si mësues.
**********
15 Edhe gjestet i japin më shumë emfazë asaj që thua dhe shpesh përforcojnë domethënien e fjalës së thënë. Në këtë mënyrë ato plotësojnë dhe gjallërojnë idetë. Praktikisht, askush nuk flet pa bërë ndonjë formë gjesti. Pra, nëse në podium nuk bën gjeste, auditori do ta marrë vesh se nuk ndihesh rehat. Por kur bën gjeste në mënyrë të natyrshme, auditori nuk do të mendojë për ty; ai do të mendojë për atë që po thua. Gjestet të ndihmojnë duke të dhënë gjallëri, duke nxitur ndjenjat e tua dhe duke i dhënë kështu gjallëri prezantimit tënd. Ato nuk duhet të merren nga ndonjë libër. Ti nuk ke studiuar kurrë se si të buzëqeshësh, të qeshësh apo të zemërohesh, kështu që nuk ka nevojë të kopjosh gjestet e dikujt tjetër dhe sa më natyrshëm dhe spontanisht që të vijnë ato, aq më mirë është. Shprehjet e fytyrës ecin dorë për dore me bërjen e gjesteve, për sa i përket shqiptimit me ndjenjë të fjalës së thënë.
16 Sipas natyrës së tyre, gjestet ndahen në dy klasifikime të përgjithshme: përshkruese dhe emfatike.
17 Gjeste përshkruese. Gjestet përshkruese shprehin veprim ose tregojnë dimension dhe vendndodhje. Këta janë ata që mësohen më lehtë. Kështu që, nëse ke probleme me bërjen e gjesteve në podium, provo në fillim gjestet e thjeshta dhe përshkruese.
18 Kur je duke punuar mbi këtë cilësi në shkollë, mos u kënaq vetëm me një ose dy gjeste. Përpiqu të bësh shpesh gjeste gjatë gjithë fjalimit. Për ta bërë këtë, kërko fjalë që tregojnë drejtim, largësi, madhësi, sipërfaqe, shpejtësi, vendndodhje, kontrast, pozicione relative ose krahasime. Nëse është e nevojshme, shënoji këto fjalë në ndonjë mënyrë në shënimet e tua, që të kujtohesh se në atë moment duhet të bësh gjeste. Vazhdo me këtë praktikë, edhe nëse herën e parë merr «M». Pas pak fjalimesh ke për të parë se nuk do të duhet më t’i shënosh gjestet apo të mendosh përpara për to dhe do t’i bësh natyrshëm.
19 Gjeste emfatike. Gjestet emfatike shprehin ndjenja dhe bindje. Ato theksojnë, u japin jetë dhe përforcojnë idetë. Prandaj gjestet emfatike janë thelbësore. Por, ki kujdes! Gjestet emfatike janë zakonisht ai lloj që bëhet një huq. Për të penguar një gjë të tillë, shmang gjestet e përsëritura.
20 Nëse problemi yt janë huqet në bërjen e gjesteve, për njëfarë kohe kufizoje veten vetëm në gjestet përshkruese. Pasi të jesh aftësuar në bërjen e gjesteve të këtij lloji, gjestet emfatike duhet të vijnë vetvetiu. Ndërsa fiton përvojë dhe ndihesh më rehat në podium, gjestet do t’i shprehin ndjenjat e tua të brendshme në mënyrë të natyrshme, duke demonstruar kështu bindjen dhe sinqeritetin tënd. Ato do ta bëjnë më domethënës fjalimin tënd.
[Pyetjet]
1-3. Përse përsëritja është një teknikë thelbësore e mësimdhënies?
4-6. Përshkruaj se si mund të përdoren përmbledhja «progresive» dhe ajo «përmbyllëse», për të përsëritur pikat kryesore.
7-10. Si mund të zhvillohet në mënyrë interesante përsëritja e pikave, e llojit përmbledhës?
11-14. Cilët faktorë kyç përfshihen në përsëritjen e pikave që nuk janë kuptuar?
15-18. Si mund të mësojë një person të përdorë gjestet përshkruese?
19-20. Cilit qëllim i shërbejnë gjestet emfatike?