MËSIMI 35
Përsëritja për të theksuar
MËSIMDHËNIA e efektshme përfshin përdorimin e përsëritjes. Kur një pikë e rëndësishme pohohet më shumë se një herë, ka më shumë të ngjarë që ata në auditor ta mbajnë mend. Në qoftë se ideja pohohet përsëri në një mënyrë paksa të ndryshme, ata mund të arrijnë madje ta kuptojnë më qartë.
Nëse dëgjuesit e tu nuk e kujtojnë atë që u thua, fjalët e tua nuk do të ndikojnë në atë që besojnë ose në mënyrën se si jetojnë. Ka të ngjarë që të vazhdojnë të mendojnë për pikat që ti thekson në mënyrë të veçantë.
Jehovai, Mësuesi ynë i Madh, jep shembullin për sa i përket përdorimit të përsëritjes. Ai i dha Dhjetë Urdhërimet kombit të Izraelit. Nëpërmjet një zëdhënësi engjëllor bëri që kombi t’i dëgjonte ato urdhërime në malin Sinai. Më vonë ia dha ato Moisiut në formë të shkruar. (Dal. 20:1-17; 31:18; Ligj. 5:22) Nën drejtimin e Jehovait, Moisiu ia përsëriti ato urdhërime kombit para se të hynin në Tokën e Premtuar dhe nëpërmjet frymës së shenjtë, Moisiu e dokumentoi këtë, siç e gjejmë te Ligji i përtërirë 5:6-21. Ndër urdhërimet që iu dhanë Izraelit ishte edhe kërkesa që ta donin dhe t’i shërbenin Jehovait me gjithë zemrën, shpirtin dhe me gjithë forcën jetësore. Edhe kjo kërkesë u pohua në mënyrë të përsëritur. (Ligj. 6:5; 10:12; 11:13; 30:6) Përse? Sepse, siç tha Jezui, ai ishte «urdhërimi më i madh dhe i pari». (Mat. 22:34-38) Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai i kujtoi popullit të Judës më shumë se 20 herë seriozitetin e bindjes ndaj tij në të gjitha gjërat që u kishte urdhëruar. (Jer. 7:23; 11:4; 12:17; 19:15) Gjithashtu, nëpërmjet Ezekielit Perëndia pohoi më shumë se 60 herë që kombet «kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai».—Ezek. 6:10; 38:23.
Edhe në dokumentimin e shërbimit të Jezuit vërejmë përdorimin e efektshëm të përsëritjes. Për shembull kemi katër Ungjijtë dhe në secilin prej tyre përmenden ngjarje të rëndësishme që janë raportuar edhe në një ose më shumë Ungjij të tjerë, por duke i parë nga këndvështrime disi të ndryshme. Në mësimdhënien e tij, Jezui trajtoi të njëjtin mësim themelor në më shumë se një rast, por në mënyra të ndryshme. (Mar. 9:34-37; 10:35-45; Gjoni 13:2-17) Gjithashtu, kur ishte në Malin e Ullinjve disa ditë para se të vdiste, Jezui përdori përsëritjen për të theksuar këtë këshillë jetësore: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.»—Mat. 24:42; 25:13.
Në shërbimin në fushë. Kur u jep dëshmi njerëzve, ti shpreson që ata ta mbajnë mend atë që thua. Përdorimi i efektshëm i përsëritjes mund të të ndihmojë ta arrish këtë synim.
Shpesh, përsëritja e një ideje gjatë kohës kur po trajtohet ndihmon që ajo t’i ngulitet në mendje personit. Kështu, pasi të lexosh një shkrim mund ta theksosh atë duke iu referuar një pjese kryesore të tij dhe duke pyetur: «A i vutë re fjalët që përdoren në këtë shkrim?»
Edhe fjalitë e fundit të një bisede mund të përdoren me efektshmëri. Për shembull, mund të thuash: «Pika kryesore që shpresoj ta mbani mend nga biseda jonë është . . . » Pastaj, thjesht përsërit pikën. Kjo mund të jetë diçka, si: «Qëllimi i Perëndisë është që toka të kthehet në parajsë. Ky qëllim ka për t’u realizuar me siguri.» Ose ndoshta mund të thuash: «Bibla tregon qartë që po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi. Në qoftë se duam të mbijetojmë në fundin e tij, duhet të mësojmë çfarë kërkon Perëndia prej nesh.» Ose një mundësi tjetër: «Siç e kemi parë, Bibla na jep këshilla praktike se si t’i përballojmë problemet e jetës familjare.» Në disa raste mund të përsëritësh thjesht një citim nga Bibla si pikë për t’u mbajtur mend. Natyrisht, për ta bërë këtë me efektshmëri kërkohet parapërgatitje.
Në rivizita, duke përfshirë edhe studimet, si përsëritje mund të përdorësh pyetjet për rishikim.
Kur një njeri e ka të vështirë ta kuptojë ose ta zbatojë një këshillë biblike, mund të jetë e nevojshme që ta trajtosh argumentin më shumë se një herë. Përpiqu ta trajtosh duke e parë nga këndvështrime të ndryshme. Diskutimet nuk duhet të jenë të gjata, por duhet ta nxitin studentin që të vazhdojë të mendojë për çështjen në fjalë. Mos harro, Jezui e përdori këtë lloj përsëritjeje për t’i ndihmuar dishepujt e tij që të mposhtnin dëshirën për të qenë të parët.—Mat. 18:1-6; 20:20-28; Luka 22:24-27.
Kur mban fjalime. Nëse mban fjalime nga podiumi, pikësynimi yt nuk është vetëm që të paraqesësh informacionin. Ti dëshiron që auditori ta kuptojë, ta mbajë mend dhe ta zbatojë atë. Për ta arritur këtë, përdore me efektshmëri përsëritjen.
Megjithatë, në rast se i përsërit pikat kryesore shumë shpesh, auditori mund ta largojë vëmendjen nga ti. Zgjidhi me kujdes pikat që meritojnë të theksohen në mënyrë të veçantë. Zakonisht, këto janë pikat kryesore rreth të cilave është ndërtuar fjalimi yt, por mund të përfshijnë edhe mendime të tjera që do të jenë me vlerë të veçantë për auditorin tënd.
Për të përdorur përsëritjen, së pari duhet t’i paraqesësh pikat kryesore në hyrje. Bëje këtë me anë të fjalive të shkurtra, të cilat përmbledhin në vija të trasha atë që do të trajtosh, me anë të pyetjeve ose me anë të shembujve të shkurtër që nxjerrin në pah probleme që duhen zgjidhur. Mund të tregosh se sa pika kryesore janë dhe t’i renditësh me numër. Pastaj zhvilloje secilën prej atyre pikave gjatë fjalimit. Mund ta përdorësh më tepër emfazën në trupin e fjalimit, duke e përsëritur secilën pikë kryesore para se të kalosh te tjetra. Ose mund ta arrish duke përdorur një shembull që përfshin zbatimin e pikës kryesore. Më tej, mund t’i theksosh pikat kryesore duke përdorur një mbyllje që i ripohon ato, që i nxjerr në pah nëpërmjet kontrasteve, që u përgjigjet pyetjeve të bëra ose që tregon shkurtimisht zgjidhjen e problemeve që u ngritën.
Përveç asaj që u tha më sipër, oratori me përvojë vëzhgon me kujdes individët që përbëjnë auditorin e tij. Nëse disa prej tyre e kanë të vështirë ta kapin njëfarë ideje, oratori e kupton. Po qe se pika është e rëndësishme, e trajton përsëri. Megjithatë, thjesht përsëritja e të njëjtave fjalë mund të mos e ndihmojë ta arrijë qëllimin. Mësimdhënia përfshin më shumë se kaq. Ai duhet të jetë elastik. Mund të jetë e nevojshme të bëjë shtesa të atypëratyshme në fjalimin e tij. Në qoftë se edhe ti mëson t’i përmbushësh nevojat e auditorit në këtë mënyrë, kjo do të përcaktojë në një masë të madhe efektshmërinë tënde si mësues.