Studimi 11
Zhvillimi koherent i fjalimit
1 Një fjalim koherent është ai që për auditorin është e lehtë ta ndjekë. Nga ana tjetër, nëse mungon koherenca, vëmendja e tyre do të humbasë shpejt. Është e qartë, pra, se kur përgatit një fjalim, kjo çështje meriton vëmendje serioze; prandaj, «Koherenca me anë të shprehjeve lidhëse» përfshihet në fletushkën e Këshillave mbi oratorinë, si diçka që meriton një shqyrtim të vëmendshëm nga ana jote.
2 Koherencë do të thotë një lidhje e brendshme e ngushtë, një bashkim i pjesëve të kapura fort së bashku, duke formuar një të tërë të logjikshme. Disa herë, kjo gjë arrihet në një masë të madhe, thjesht me anë të një renditjeje logjike, në të cilën sistemohen pjesët. Por në shumicën e fjalimeve ka pjesë, lidhja e të cilave duhet të kalojë përtej sistemimit të thjeshtë të materialit. Në raste të tilla, koherenca kërkon një urë, për kalimin nga njëra pikë tek tjetra. Për të treguar marrëdhënien ndërmjet ideve të reja dhe atyre që u paraprijnë, përdoren fjalë ose fraza, duke mbushur kështu boshllëqet e formuara për shkak të ndryshimit në kohë ose këndvështrim. Kjo është koherenca me anë të shprehjeve lidhëse.
3 Për shembull, hyrja, trupi dhe përfundimi i fjalimit tënd, janë pjesë më vete të fjalimit dhe të dalluara nga njëra-tjetra, por megjithatë duhet të jenë të bashkuara ngushtësisht me anë të shprehjeve lidhëse. Përveç kësaj, në një fjalim pikat kryesore duhet të jenë të lidhura së bashku, veçanërisht nëse për sa i përket mendimit që përmbajnë, nuk janë të lidhura në mënyrë tepër të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre. Ose disa herë janë thjesht fjalitë apo paragrafët që kanë nevojë për shprehje lidhëse.
4 Përdorimi i shprehjeve kalimtare. Shpesh, ura ndërmjet ideve mund të ndërtohet thjesht me anë të përdorimit të përshtatshëm të fjalëve ose frazave lidhëse. Disa prej këtyre janë: gjithashtu, përveç kësaj, për më tepër, ngjashëm, në mënyrë të ngjashme, prandaj, pra, për këto arsye, si rrjedhim, duke pasur parasysh sa më sipër, kështu, kështu që, këtej e tutje, megjithatë, nga ana tjetër, përkundrazi, në të kundërt, më parë, deri tani, e të tjera. Fjalë të tilla i lidhin në mënyrë të efektshme fjalitë dhe paragrafët.
5 Megjithatë, kjo cilësi e të folurit, shpesh kërkon më shumë sesa lidhëza të tilla të thjeshta. Kur nuk mjafton një fjalë ose një frazë e vetme, atëherë kërkohet një kalim që e çon auditorin deri në anën tjetër, duke e kapërcyer plotësisht boshllëkun. Ky kalim mund të jetë një fjali e plotë ose edhe shtimi i një mendimi kalimtar, të shprehur në mënyrë më të plotë.
6 Një mënyrë në të cilën mund të lidhen boshllëqe të tilla, është përpjekja për ta bërë aplikimin e pikës pararendëse, pjesë të hyrjes së asaj që e pason. Kjo gjë bëhet shpesh në prezantimet tona nga shtëpia në shtëpi.
7 Për më tepër, të lidhura së bashku duhet të jenë jo vetëm pikat e njëpasnjëshme, por hera-herës edhe pikat më shumë të shkëputura të fjalimit. Për shembull, përfundimi i fjalimit duhet të jetë i lidhur me hyrjen. Ndoshta një ide apo ilustrim i prezantuar në fillim të fjalimit, në përfundim të tij mund të aplikohet në një mënyrë të tillë, që të nxitë apo të tregojë më tej marrëdhënien e ilustrimit apo idesë me qëllimin e fjalimit. Riprezantimi në këtë mënyrë i ndonjë aspekti të ilustrimit apo të idesë, shërben si shprehje lidhëse dhe krijon koherencë.
8 Koherencë në përshtatje me auditorin tënd. Se sa shumë shprehje lidhëse duhen përdorur, do të përcaktohet deri në njëfarë mase nga auditori yt. Jo se disa auditore nuk kanë fare nevojë për shprehje kalimtare. Përkundrazi, disa auditore kanë nevojë për më shumë të tilla, sepse nuk njohin mirë idetë që duhen lidhur me njëra-tjetrën. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait do ta lidhnin menjëherë një shkrim që trajton fundin e sistemit të tanishëm të lig të gjërave, me një shkrim që flet për Mbretërinë. Por për dikë që e konsideron Mbretërinë si një gjendje mendore apo si diçka në zemrën tënde, ky shoqërim shkrimesh nuk do të kapej në mënyrë kaq të menjëhershme dhe do të duhej të futeshin disa ide kalimtare, për ta bërë të qartë lidhjen. Vepra jonë nga shtëpia në shtëpi, kërkon vazhdimisht përshtatje të tilla.
**********
9 Një aspekt i lidhur ngushtë me oratorinë, është «Zhvillimi i logjikshëm dhe koherent», i cili, gjithashtu, është përfshirë në fletushkën e Këshillave. Ai është një kërkesë themelore e oratorisë bindëse.
10 Çfarë është logjika? Për qëllimin që kemi ne, mund të themi se logjika është shkenca e mënyrës korrekte të të menduarit apo e mënyrës së shëndoshë të të arsyetuarit. Ajo jep kuptueshmëri, sepse është mjeti me anë të të cilit shpjegohet një subjekt në pjesët e tij të lidhura. Logjika tregon se përse ato veprojnë së bashku dhe i përkasin njëra-tjetrës. Zhvillimi është koherent nëse mënyra e arsyetimit në të ndjek një rritje graduale, në mënyrë të tillë që të gjitha pjesët bashkohen në vijueshmëri. Një zhvillim logjik mund të jetë, për të përmendur disa mundësi të pakta, i renditur sipas rëndësisë, sipas kronologjisë ose duke kaluar nga problemi deri tek zgjidhja.
11 Në zhvillimin e argumentit, ka dy metoda bazë që mund të ndiqen. (1) Paraqitja e së vërtetës në mënyrë të drejtpërdrejtë përpara auditorit, duke dhënë fakte që e mbështetin. (2) Duke sulmuar ndonjë qëndrim të gabuar, i cili, duke u hedhur poshtë, do ta lërë të vërtetën që të pohohet vetë. Kështu që mbetet për t’u bërë vetëm aplikimi i përshtatshëm i të vërtetave që po trajtohen.
12 Nuk ka dy oratorë që të arsyetojnë tamam njësoj. Një shembull i përsosur i mënyrave të ndryshme të trajtimit të të njëjtit subjekt, gjendet në mënyrën e të shkruarit të katër ungjijve. Katër dishepuj të Jezuit, shkruan tregime të pavaruara mbi shërbimin e tij. Secili prej tyre është i ndryshëm, por megjithatë të gjithë kanë shkruar prezantime të arsyeshme dhe logjike. Secili e ka zhvilluar materialin, për të arritur një qëllim të veçantë dhe secili ka qenë i suksesshëm.
13 Në lidhje me këtë, këshilluesi duhet të identifikojë qëllimin tënd dhe të përpiqet të vlerësojë vijueshmërinë e mendimit, në bazë të faktit nëse qëllimi është arritur apo jo. Atë dhe auditorin, mund t’i ndihmosh duke e bërë të qartë qëllimin tënd, veçanërisht në mënyrën se si e paraqet materialin dhe pastaj aplikoje atë qëllim në përfundim.
14 Material me një renditje të arsyeshme. Së pari, gjatë sistemimit të materialit apo të skemës tënde, sigurohu që në të të mos paraqitet asnjë pohim apo ide, për të cilën nuk është hedhur ndonjë bazë paraprake. Vazhdo t’i drejtosh vetes këto pyetje: Cila është gjëja më e natyrshme për t’u thënë më pas? Pasi kam arritur këtu, cila do të ishte pyetja më logjike që mund të drejtohet? Pasi të kesh identifikuar këtë pyetje, jep thjesht përgjigjen e saj. Duhet që gjithmonë auditori yt të mund të thotë: «Nga ajo që ke thënë tashmë, mund të kuptoj që kjo pikë është kështu.» Nëse nuk është hedhur asnjë themel, atëherë zakonisht pika do të konsiderohet si jashtë vijueshmërisë logjike. Diçka mungon.
15 Gjatë sistemimit të materialit, duhet të marrësh në konsideratë ato pjesë që varen natyrshëm nga njëra-tjetra. Duhet të përpiqesh për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet pjesëve të tilla dhe pastaj t’i sistemosh ato në përputhje me këtë marrëdhënie. Është pak a shumë si ndërtimi i një shtëpie. Asnjë ndërtues nuk do të përpiqej t’i ngrinte muret, pa hedhur së pari themelin dhe as nuk do t’i instalonte tubacionet hidraulike, pasi të kishte suvatuar muret. Kështu duhet të jetë edhe me ndërtimin e një fjalimi. Secila pjesë duhet të japë kontributin e saj në ndërtimin e një të tëre, të qëndrueshme dhe kompakte, secila në një renditje të caktuar, secila t’i shtohet pjesës që e paraprin dhe t’u përgatisë rrugën atyre që e pasojnë. Duhet që gjithmonë të kesh një arsye për renditjen në të cilën i paraqet faktet në fjalimin tënd.
=16 Të përdoret vetëm materiali që i përket temës. Çdo pikë që përdor, duhet të jetë e lidhur ngushtë me fjalimin. Nëse nuk është kështu, do të duket pa lidhje dhe jo në përputhje me të; do të jetë një material që nuk i përket apo që nuk ka lidhje me çështjen që po trajtohet.
17 Megjithatë, këshilluesi yt nuk do ta quajë arbitrarisht si diçka që s’i përket temës, atë që në pamje të jashtme mund të duket e tillë, nëse lidhet në mënyrë të suksesshme me të. Ndoshta ti ke zgjedhur të përdorësh një pikë të tillë për një qëllim të veçantë dhe nëse ajo është në përputhje me temën, është bërë pjesë e fjalimit dhe është paraqitur në një vijueshmëri logjike, këshilluesi yt do ta pranojë.
18 Gjatë përgatitjes së fjalimit tënd, si mund të identifikohet shpejt dhe me lehtësi materiali që nuk i përket temës? Pikërisht në këtë pikë shërben me shumë efektshmëri një skemë për argumentin. Ajo ndihmon për ta klasifikuar informacionin. Përpiqu të përdorësh kartela ose diçka të ngjashme, duke vendosur në secilën prej tyre pjesët e lidhura të të gjithë materialit. Tani, risistemoji këto kartela sipas vijueshmërisë së natyrshme, në të cilën mendon se do të prezantoheshin normalisht. Kjo do të ndihmojë jo vetëm për të përcaktuar se si duhet trajtuar subjekti, por edhe për të identifikuar çdo gjë që nuk i përket temës. Ato pika që nuk i përshtaten vijueshmërisë së mendimeve, nëse janë të domosdoshme për argumentin, duhet të rregullohen në mënyrë që t’i përshtaten asaj. Por nëse nuk janë të domosdoshme, duhen eliminuar si pika që nuk i përkasin temës.
19 Nga kjo mund të kuptohet shpejt që tema e fjalimit tënd, e zgjedhur duke mbajtur parasysh auditorin dhe qëllimin, është baza, për të përcaktuar nëse një pikë i përket apo jo temës. Në disa rrethana, një pikë mund të jetë jetësore për përmbushjen e qëllimit tënd, në varësi nga formimi i auditorit, ndërsa për një auditor apo temë tjetër, mund të mos jetë e domosdoshme ose të mos i përkasë fare temës.
20 Duke pasur parasysh këtë, sa i plotë duhet të jetë trajtimi i materialit që të është caktuar? Zhvillimi logjik dhe koherent nuk duhet sakrifikuar që si e si të trajtohet çdo pikë që mund të jetë përfshirë në caktimin tënd. Megjithatë, do të ishte mirë që të zgjedhësh një rrethanë, e cila do të të lejonte të përfshish sa më shumë material praktik, meqenëse fjalimet e stërvitjes janë një pjesë mësimore e rregullimit të shkollës. Gjithsesi, ato ide thelbësore për zhvillimin e temës tënde, si pika kyçe nuk mund të hiqen.
21 Të mos hiqet asnjë ide kyçe. Si e di nëse një ide është kyçe apo jo? Ajo ide është thelbësore nëse pa të nuk mund ta arrish qëllimin e fjalimit tënd. Kjo është veçanërisht e vërtetë në zhvillimin logjik dhe koherent. Për shembull, si do t’ia bëje nëse një sipërmarrës do të të ndërtonte një shtëpi dykatëshe dhe s’do t’i bënte shkallë? Po kështu, një fjalim të cilit i hiqen disa pika thelbësore, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë logjik dhe koherent në zhvillimin e tij. Diçka mungon dhe një pjesë e auditorit do të humbasë. Por kjo nuk ndodh, nëse një fjalim është koherent dhe logjik në zhvillimin e tij.
[Pyetjet]
1-3. Çfarë roli ka koherenca në një fjalim dhe si mund të arrihet ajo?
4-7. Çfarë kuptohet me përdorim të shprehjeve kalimtare?
8. Si ndikon auditori në përdorimin e shprehjeve kalimtare, për të pasur koherencë?
9-13. Çfarë është zhvillimi logjik dhe cilat janë dy mënyrat bazë për të zhvilluar një argument?
14, 15. Trego se përse është kaq e rëndësishme që materialin ta kemi me një renditje të arsyeshme.
16-20. Si mund të jetë i sigurt një person se në fjalimin e tij ka vetëm material që i përket temës?
21. Përse është jetësore që të mos hiqet asnjë ide kyçe?