Kapitulli 5
Le t’ua lëmë fjalën gjetjeve fosile
1. Ç’janë fosilet?
FOSILET janë mbetje të formave të lashta të jetës, të ruajtura në koren e tokës. Ato mund të jenë skelete apo pjesë të tyre, si kocka, dhëmbë apo guaska. Gjithashtu, fosil mund të jetë një gjurmë e veprimtarisë së gjallesave të zhdukura, si p.sh. një shenjë apo një gjurmë. Shumë fosile nuk përmbajnë më materialin e tyre origjinal, por përbëhen nga depozita mineralesh që kanë depërtuar në to dhe që kanë marrë formën e tyre.
2, 3. Pse kanë rëndësi fosilet për teorinë e evolucionit?
2 Pse kanë rëndësi fosilet për evolucionin? Gjenetisti G. L. Staibins jep një arsye kryesore: «Asnjë biolog nuk ka parë aktualisht lindjen me evolucion të një grupi të madh organizmash.»1 Pra, sot gjallesat në botë nuk duket se evoluojnë në diçka tjetër. Përkundrazi, ato janë krejtësisht të plota në formë dhe dallohen nga format e tjera. Siç ka vërejtur gjenetisti Teodozius Dobzhanski: «Bota e gjallë nuk është një varg i vetëm . . . i lidhur me një seri shkallëzimesh të pandërprera.»2 Edhe Çarls Darvini pranoi se «dallimi i prerë i formave specifike dhe mospërzierja e tyre me njëra-tjetrën nëpërmjet lidhjeve kalimtare të panumërta, përbën një vështirësi të madhe».3
3 Kështu, pra, varietetet e ndryshme të formave të sotme jetësore nuk e përkrahin teorinë e evolucionit. Ja, përse gjetjet fosile bëhen kaq të rëndësishme. Dukej se të paktën fosilet do të siguronin vërtetimin për të cilin ka nevojë teoria e evolucionit.
Çfarë të kërkojmë?
4-6. Nëse evolucioni do të ishte i vërtetë, ç’do të kishin treguar dëshmitë fosile?
4 Nëse evolucioni do të ishte një fakt, dëshmitë fosile do të kishin zbuluar me siguri një ndryshim gradual të kalimit nga një lloj gjallese në një tjetër. Dhe kështu duhej të ishte, duke u nisur se nga cila teori e ndryshme evolucioniste do të pranohej. Edhe shkencëtarët që besojnë në ndryshimet më të shpejta, të përfshira në teorinë e «ekuilibrit të ndërprerë», pranojnë se prapëseprapë duhet të kenë kaluar mijëra vjet gjatë të cilave këto ndryshime ndoshta kanë ndodhur. Prandaj, do të ishte e paarsyeshme të besohej se nuk kishte fare nevojë për fosile ndërmjetëse lidhëse.
5 Gjithashtu, nëse evolucioni do të mbështetej në fakte, duhej pritur që gjetjet fosile të tregonin fillimet e strukturave të reja të qenieve të gjalla. Duhet të kishte së paku disa fosile me duar, këmbë, krahë, sy, eshtra e organe të tjera në zhvillim. Për shembull, do të duhej të ekzistonin fletë peshku që shndërrohen në këmbë amfibësh me shputë e gishta dhe velëza që shndërrohen në mushkëri. Duhej të kishte reptilë me gjymtyrë të përparme që shndërrohen në krahë zogu, luspa që shndërrohen në pendë dhe gojë që shndërrohen në sqepa brinorë.
6 Në lidhje me këtë, revista britanike New Scientist tha për teorinë në fjalë: «Ajo parashikon se një dokumentacion i plotë fosilesh duhet të përmbajë organizma të lidhur që paraqesin një ndryshim gradual të vazhdueshëm në periudha të gjata kohore.»4 Vetë Darvini pohoi: «Më i madh duhet të jetë dhe numri i varieteteve ndërmjetëse, që kanë ekzistuar në të shkuarën.»5
7. Ç’duhej të tregonin dëshmitë fosile nëse është i vërtetë raporti i Zanafillës mbi krijimin?
7 Nga ana tjetër, nëse është i vërtetë raporti i Zanafillës mbi krijimin, dëshmitë fosile nuk duhet të tregojnë kalimin e një lloji të jetës në një lloj tjetër. Ato duhet të pasqyrojnë atë që thotë Zanafilla, se çdo lloj i veçantë i qenieve të gjalla riprodhohet vetëm «sipas llojit të tyre». (Zanafilla 1:11, 12, 21, 24, 25) Gjithashtu, nëse qeniet e gjalla erdhën në jetë me anë të një akti krijimi, atëherë në dëshmitë fosile s’do të kishte eshtra apo organe të pjesshme dhe të pambaruara. Të gjitha fosilet do të ishin krejtësisht të plota dhe shumë komplekse, ashtu siç janë sot qeniet e gjalla.
8. Nëse qeniet e gjalla janë krijuar, ç’duhej të tregonin tjetër gjetjet fosile?
8 Për më tepër, nëse qeniet e gjalla janë të krijuara, duhet pritur shfaqja e tyre e befasishme në dokumentacionin fosil, e palidhur me asnjë formë më të hershme. Dhe si i bëhet, nëse kjo provohet si e vërtetë? Darvini me sinqeritet pranoi: «Në qoftë se një numër i madh llojesh . . . janë shfaqur me të vërtetë përnjëherë, kjo do të ishte shkatërruese për teorinë e evolucionit.»6
Sa i plotë është dokumentacioni?
9. Ç’ka thënë Darvini për dëshmitë që ekzistonin në kohën e tij?
9 Sidoqoftë, a janë dëshmitë e fosileve aq të plota, sa të bëjnë të mundur një vlerësim të sinqertë në përkrahje të krijimit apo evolucionit? Para më se një shekulli Darvini nuk mendonte kështu. Çfarë «çalonte» në dëshmitë fosile të kohës së tij? Ato nuk përmbanin hallkat kalimtare që duheshin për të mbështetur teorinë e tij. Kjo situatë e shtyu të thoshte: «Por përse, atëherë, nuk është plot me hallka të tilla ndërmjetëse çdo shtresë e çdo formacioni gjeologjik? Gjeologjia, sigurisht, nuk na zbulon një seri organike të shkallëzuar mirë dhe kjo përbën, ndofta, kundërshtimin më të dukshëm e më serioz që mund t’i bëhet teorisë.»7
10. Çfarë zhgënjimi tjetër përmend Darvini?
10 Dëshmitë fosile e zhgënjyen Darvinin edhe në një mënyrë tjetër. Ai shpjegonte: «Mënyra e papritur në të cilën befasisht u shfaqën grupe të tëra të llojeve në formacione të caktuara, është trajtuar nga shumë paleontologë . . . si një kundërshtim fatal ndaj besimit në transmutacionin e llojeve.» Ai shton: «Ka edhe një vështirësi tjetër të ngjashme, që është shumë më serioze. E kam fjalën për mënyrën në të cilën llojet që i përkasin disa prej ndarjeve kryesore të mbretërisë së kafshëve shfaqen përnjëherë në shkëmbinjtë fosiliferë më të lashtë që njihen. . . . Problemi deri sot mbetet i pashpjegueshëm dhe fare mirë mund të shërbejë si një argument serioz kundër pikëpamjeve [evolucioniste] të parashtruara këtu.»8
11. Si është përpjekur Darvini të shpjegojë vështirësitë?
11 Darvini u përpoq ta shpjegonte këtë problem kaq të madh duke sulmuar dëshmitë fosile. Ai tha: «Unë i kundroj arkivat gjeologjike . . . si një histori e ruajtur pjesërisht të rruzullit»9 Ai dhe të tjerët, pohonin se me kalimin e kohës, hallkat fosile që mungonin, me siguri do të zbuloheshin.
12. Sa është zgjeruar sot dëshmia që japin fosilet?
12 Tani, pas më tepër se një shekulli gërmimesh intensive, janë zbuluar një numër i madh fosilesh. A janë akoma dëshmitë e tyre kaq ‘të pjesshme’? Libri Procese të evolucionit organik (Processes of Organic Evolution) komenton: «Dokumentacioni i formave të kaluara të jetës tani është mjaft i pasur dhe pasurohet vazhdimisht ndërsa paleontologët gjejnë, përshkruajnë dhe krahasojnë fosile të reja.»10 Shkencëtari Porter Kaier i Smithsonian Institution shton: «Ka njëqind milionë fosile, të gjitha të shënuara në katalogë dhe të identifikuara, në muzetë e mbarë botës.»11 Më tej, libri Treguesi i historisë së Tokës (A Guide to Earth History) shton: «Me ndihmën e fosileve, paleontologët tani mund të na japin një tablo të shkëlqyer të jetës në kohërat e shkuara.»12
13, 14. Pse janë zhgënjyer evolucionistët nga zgjerimi i dëshmisë së fosileve?
13 Pasi ka kaluar gjithë kjo kohë e pasi janë mbledhur miliona fosile, ç’tregojnë tani dëshmitë e tyre? Evolucionisti Stivën Stenli thotë se këto fosile «zbulojnë gjëra të reja dhe befasuese mbi origjinën tonë biologjike».13 Libri Një pamje e jetës (A View of Life), i shkruar nga tre evolucionistë, shton: «Dokumentacioni fosil është plot devijime që kanë qenë të pamundura të shpjegohen nga paleontologët.»14 Ç’kanë gjetur evolucionistët që të jetë kaq «befasuese» dhe «e pamundur të shpjegohet»?
14 Ajo që i ngatërron këta shkencëtarë është fakti se dëshmia masive e fosileve tashmë zbulon qartë po atë gjë që tregonte në kohën e Darvinit: llojet bazë të qenieve të gjalla u shfaqën befas dhe nuk ndryshuan për periudha të gjata kohore. Asnjë hallkë kalimtare nuk është gjetur kurrë, midis llojeve kryesore të qenieve të gjalla. Pra, ajo që tregon dokumentacioni fosil është pikërisht e kundërta e asaj që pritej.
15. Çfarë konkluzioni nxori një shkencëtar nga studimi i tij mbi dëshmitë fosile?
15 Botanisti suedez Heribert Nilson, pas 40 vjet kërkimesh e paraqiti situatën kështu: «Nuk është e mundur, madje as të bëjmë një karikaturë të evolucionit duke u mbështetur në faktet paleobiologjike. Materiali fosil është kaq i kompletuar, saqë . . . pengesa e serive kalimtare nuk mund të shpjegohet më me mungesën e materialit. Mungesat janë reale, ato nuk do të mbushen kurrë.»15
Jeta shfaqet befas
16. (a) Ç’duhej pritur nga dëshmitë e hershme fosile sipas një shkencëtari? (b) A kanë dhënë ato atë që pritej?
16 Le t’i shikojmë dëshmitë më me kujdes. Në librin e tij Gjigantët e kuq dhe xhuxhët e bardhë (Red Giants and White Dwarfs) Robert Xhestrou pohon: «Dikur në biliona vitet e para, jeta u shfaq në sipërfaqen e tokës. Dëshmitë fosile tregojnë se gradualisht organizmat e gjallë ngjitën shkallët nga format e thjeshta tek ato më të zhvilluarat.» Duke u nisur nga ky përshkrim, dikush do të priste që dëshmitë fosile të vërtetonin një evolucion gradual nga format e para «të thjeshta» të jetës deri në ato të ndërlikuara. Por, i njëjti libër thotë: «Miliarda vitet e para kritike, gjatë së cilave filloi jeta, janë faqe të zbrazëta në historinë e tokës.»16
17. A mund të quhen «të thjeshta» format e para jetësore?
17 Dhe pastaj, a mund të përshkruhen vërtet këto lloje të para të jetës si «të thjeshta»? «Duke u kthyer prapa në kohë, deri në epokën e shkëmbinjve më të vjetër,—thotë libri Evolucion nga hapësira,—mbetjet fosile të formave të vjetra jetësore, të gjetura në shkëmbinjtë, nuk zbulojnë një fillim të thjeshtë. Megjithëse ne mund të pretendojmë që t’i mendojmë fosilet e baktereve, fosilet e algave apo të mikrokëpurdhave si qenie të thjeshta në krahasim me një qen apo me një kalë, niveli i informatave mbi to mbetet jashtëzakonisht i lartë. Pjesa më e madhe e kompleksitetit biokimik të jetës ka qenë e pranishme edhe në kohën e formimit të shkëmbit më të vjetër të Tokës.»17
18. A ka dëshmi fosile se krijesat njëqelizore evoluan në ato shumëqelizore?
18 Duke u nisur që këtej, a mund të gjendet qoftë edhe një provë se organizmat njëqelizorë evoluan në shumëqelizorë? «Dokumentacioni fosil nuk përmban asnjë gjurmë të këtyre hapave paraprakë në zhvillimin e organizmave shumëqelizorë»,—thotë Xhestrou.18 Përkundrazi, ai pohon: «Dëshmitë e shkëmbinjve përmbajnë shumë pak, përveç baktereve dhe bimëve njëqelizore, derisa, para një miliard vjetësh e pas tre miliardë vjetësh zhvillimi të padukshëm, shfaqet një ndarje e madhe. Në tokë u shfaqën qeniet e para shumëqelizore.»19
19. Çfarë ka ndodhur në fillim të asaj që quhet periudhë Kambriane?
19 Prandaj, në fillim të asaj që quhet periudha Kambriane, dokumentacioni fosil merr një kthesë dramatike të pashpjegueshme. Një lloj i madh krijesash deti të zhvilluara plotësisht, shumë prej të cilave me guaskë të jashtme të fortë, u shfaqën kaq papritur, sa shpesh kjo kohë quhet një «shpërthim» i qenieve të gjalla. Libri Një pamje e jetës e përshkruan atë: «Duke filluar nga periudha Kambriane dhe duke u shtrirë për rreth 10 milionë vjet, të gjitha grupet e mëdha të jovertebrorëve me skelet u shfaqën për herë të parë në mënyrën më spektakulare që mund të vërehet ndonjëherë në planetin tonë.» U shfaqën kërmij, sfungjerë, yje deti, kafshë të ngjashme me gaforren, të quajtura trilobite dhe shumë krijesa të tjera të ndërlikuara deti. Është interesante se i njëjti libër vëren: «Në fakt, disa trilobite të zhdukura kanë zhvilluar sy më të ndërlikuar dhe më të aftë se çdo antropod.»20
20. A ekziston ndonjë hallkë lidhëse midis qenieve të periudhës Kambriane dhe asaj që ka ekzistuar më parë?
20 A ka hallka lidhëse fosile midis këtyre qenieve dhe asaj jete që ekzistonte para tyre? Në kohën e Darvinit, këto hallka nuk ekzistonin. Ai pranoi: «Për sa i përket pyetjes pse nuk gjejmë ne depozitime të pasura ngurosjesh të këtyre periudhave të hershme para epokës kembriane, unë nuk mund të jap ndonjë përgjigje të kënaqshme.»21 A ka ndryshuar situata sot? Paleontologu Alfred S. Romer vërejti deklaratën e Darvinit mbi «mënyrën e papritur në të cilën grupe të tëra të llojeve u shfaqën befasisht», dhe shkroi: «Poshtë kësaj [periudhës Kambriane], ekzistojnë shtresa shumë të trasha sedimentesh në të cilat duhej të priteshin paraardhësit e formave Kambriane. Por ne nuk i gjejmë ata; shtresëzimet më të vjetra janë pothuaj pa shenja jete dhe në mënyrë të arsyeshme mund të themi se tabloja e përgjithshme përputhet me idenë e një krijimi special në fillim të kohëve Kambriane. ‘Për sa i përket pyetjes pse nuk gjejmë ne depozitime të pasura ngurosjesh të këtyre periudhave të hershme para epokës Kambriane,—tha Darvini—unë nuk mund të jap ndonjë përgjigje të kënaqshme.’ Edhe ne sot nuk mund të gjejmë një përgjigje të tillë»,—thotë Romeri.22
21. Cilat argumente nuk kanë ndihmuar dhe përse?
21 Disa sjellin si argument se shkëmbinjtë Prekambrianë ndryshuan shumë nga nxehtësia dhe presioni, aq sa nuk ishte e mundur të ruanin hallkat e fosileve, apo se në detet e cekëta nuk ishin depozituar shkëmbinj ku të mbaheshin fosilet. «As këto argumente nuk na ndihmojnë»,—thonë evolucionistët Salvador E. Luria, Stefan Xhei Goulld dhe Sem Singer. Ata shtojnë: «Gjeologët kanë zbuluar shumë sedimente prekambriane të pashkatërruara, por ato nuk përmbajnë fosile të organizmave të ndërlikuar.»23
22. Nën dritën e këtyre fakteve, çfarë komentesh bëri një biokimist?
22 Këto fakte e shtynë biokimistin D. B. Gauer të bëjë këtë koment në revistën Times: «Tregimi i Zanafillës mbi krijimin dhe teoria e evolucionit janë të papajtueshme. Njëra duhet të ketë të drejtë dhe tjetra duhet të jetë e gabuar. Historia e fosileve pajtohet me tregimin e Zanafillës. Në shkëmbinjtë më të vjetër ne nuk gjejmë një seri fosilesh që të mbulojë ndryshimet graduale nga krijesat më primitive në format e zhvilluara. E për më tepër, në këta shkëmbinj shfaqen papritur lloje të zhvilluara. Midis çdo lloji ekziston një zbrazëtirë e plotë e fosileve ndërmjetëse.»24
23. Ç’përfundim nxori një zoolog?
23 Zoologu Harold Kofin përfundon: «Nëse është i vërtetë evolucioni progresiv nga e thjeshta tek e ndërlikuara, paraardhësit e këtyre krijesave të gjalla me zhvillim të plotë duhej të gjendeshin në Kambrian; por ata nuk janë gjetur dhe shkencëtarët pranojnë se ka pak të ngjarë që ata të gjenden ndonjëherë. Duke u bazuar vetëm në fakte dhe në atë se ç’është gjetur aktualisht në tokë, teoria e aktit të papritur të krijimit, me të cilin u shfaqën format kryesore të jetës, përputhet më së miri me realitetin.»25
Vazhdojnë shfaqjet e menjëhershme, ndryshime të vogla
24. A është e njëjtë dëshmia që japin fosilet e shtresave mbi atë të periudhës Kambriane?
24 Në shtresat sipër atyre Kambriane, në të cilat ka shpërthim të jetës, dëshmia e fosileve përsëritet: lloje të reja kafshësh e bimësh shfaqen befas, pa lidhje me asgjë të krijuar më parë. Dhe me t’u shfaqur në skenë, ato përparojnë me ndryshime shumë të vogla. The New Evolutionary Timetable përmend: «Dëshmitë tashmë zbulojnë se llojet tipike kanë mbijetuar qindra mijëra breza, apo edhe për miliona a më shumë breza, pa evoluar shumë . . . Shumica e llojeve përsërisin origjinën e vet derisa shuhen, duke pësuar pak ndryshime.»26
25. Çfarë stabiliteti të mrekullueshëm tregojnë insektet?
25 Insektet, për shembull, shfaqen në gjetjet fosile papritmas dhe të plota, pa paraardhës që kanë evoluar. Deri më sot, pak kanë ndryshuar. Duke konsideruar një gjetje fosile të një mize, që vlerësohet «40 milionë vjet», Dr. Xhorxh Poinër i Ri ka thënë: «Anatomia e brendshme e këtyre krijesave është jashtëzakonisht e ngjashme me ato që gjejmë tek mizat e sotme. Krahët, këmbët, koka, madje edhe qelizat e brendshme duken bashkëkohore.»27 Edhe në raportin e revistës The Globe and Mail nga Toronto komentohet: «Pasi kanë ngjitur për 40 milionë vjet shkallën e evolucionit, ato pothuaj nuk kanë bërë ndonjë përparim të dukshëm.»28
26. Si shfaqin të njëjtin stabilitet bimët dhe kafshët?
26 Tabloja është e ngjashme edhe me bimët. Nëpër shkëmbinj janë gjetur fletë fosile të shumë pemëve dhe shkurreve, të cilat paraqesin ndryshime shumë të vogla nga gjethet e bimëve të sotme: lisit, arrës, arrës së hindit, hardhisë, manjolës, palmës e shumë të tjerave. Llojet e kafshëve ndjekin po këtë rrugë. Paraardhësit e këtyre krijesave, sot shfaqen papritur në gjetjet fosile dhe janë shumë të ngjashëm me ekuivalentët e tyre të gjallë. Ekzistojnë shumë varietete, por të gjitha identifikohen lehtësisht se «ç’lloji» i përkasin. Revista Discover jep një shembull të tillë: «Thundrakët e egër . . . kanë ekzistuar në tokë praktikisht të pandryshuar për 200 milionë vjet.»29 Edhe ato lloje që u zhdukën kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Dinosaurët, për shembull, shfaqen befas në dëshmitë fosile dhe pa asnjë hallkë lidhëse me ndonjë paraardhës. Ata u shumëzuan mjaft e pastaj u zhdukën.
27. Ç’thotë një botim shkencor rreth «përmirësimeve» evolucioniste?
27 Në lidhje me këtë, Buletini i Muzeut të Historisë së Natyrës në Çikago, thotë: «Llojet shfaqen krejt papritmas në një vazhdimësi, duke treguar ndryshime të pakta apo kurrfarë ndryshimesh gjatë ekzistencës së tyre në raportin e fosileve e pastaj zhduken papritmas. Dhe nuk është gjithmonë e qartë, në fakt rrallëherë është e qartë, se a janë pasardhësit me të vërtetë të adaptuar më mirë nga paraardhësit e tyre. Me fjalë të tjera, është vështirë të provohet përmirësimi biologjik.»30
Asnjë formë kalimtare
28. A janë gjetur ndonjëherë forma kalimtare të eshtrave apo organeve?
28 Një vështirësi tjetër për evolucionin është fakti se askund në gjetjet fosile nuk janë gjetur eshtra apo organe pjesërisht të formuara, të cilat do të mund të konsideroheshin si fillim i veçorive të reja. Për shembull, ekzistojnë fosile të llojeve të ndryshme të krijesave fluturuese—zogj, lakuriqë nate, pterodaktile të zhdukura. Sipas teorisë së evolucionit, ato duhet të evoluonin nga paraardhës kalimtarë. Por, asnjë nga këto forma kalimtare nuk është gjetur. Nuk ka asnjë hije të tyre. A ekziston ndonjë fosil xhirafe me qafë të gjatë qoftë edhe sa dy të tretat apo sa treçereku i atyre të sotme? A ekziston ndonjë fosil që të tregojë se një sqep zogu u zhvillua nga një nofull zvarraniku? A ekziston ndonjë dëshmi fosile se një legen amfibi u zhvillua prej peshkut apo që tregon zhvillimin e një flete peshku në këmbë e gishta amfibi? Është fakt se kërkimi i formave të tilla të zhvilluara në gjetjet fosile, është provuar si një punë pa fryte.
29. Çfarë pranojnë tani evolucionistët rreth formave kalimtare të supozuara?
29 New Scientist vëren se evolucioni «parashikon se një dokumentacion i plotë fosil do të përbëhej nga hallka organizmash, që tregojnë ndryshime graduale dhe të vazhdueshme në periudha të gjata kohore». Mandej, pohon: «Mjerisht, dokumentacioni fosil nuk vërteton atë që pritej, sepse lloje të veçanta të fosileve rrallë paraqiten të lidhura me ndonjë lloj tjetër me forma ndërmjetëse të njohura. . . . Llojet fosile që njihen me të vërtetë tregojnë se nuk kanë evoluar, as gjatë miliona viteve.»31 Edhe gjenetisti Staibins shkruan: «Nuk njihen fare forma kalimtare midis asnjërit prej llojeve kryesore të kafshëve apo bimëve.» Ai flet për «humnerat e mëdha që ekzistojnë midis shumë kategorive kryesore të organizmave».32 «Në fakt,—përmend The New Evolutionary Timetable,—gjetjet fosile nuk dokumentojnë në mënyrë bindëse asnjë kalim të vetëm nga një lloj në një tjetër. Për më shumë, llojet zgjaten për periudha jashtëzakonisht të gjata kohore.»33
30. Çfarë ka vërtetuar një studim i gjerë?
30 Këto përfundime pajtohen me studimin e gjerë të bërë nga Shoqata Gjeologjike e Londrës dhe Shoqëria Paleontologjike e Anglisë. Profesori i shkencave natyrore Xhon N. Mur raporton mbi rezultatet: «Rreth 120 shkencëtarë, të gjithë specialistë, kanë përgatitur 30 kapitujt e një pune madhështore prej më se 800 faqesh, për të paraqitur dokumentacionin mbi fosilet e bimëve dhe kafshëve të ndara në rreth 2.500 grupe. . . . Çdo formë kryesore apo lloj i bimëve apo i kafshëve ka një histori të veçantë dhe të dalluar nga të gjitha format apo llojet e tjera. Grupet e bimëve dhe të kafshëve paraqiten papritmas në dokumentacionin fosil. . . . Balenat, lakuriqët e natës, kuajt, primatët, elefantët, lepujt, ketrat etj., të gjithë në paraqitjen e tyre të parë janë plotësisht të njëjtë me ata sot. Nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë paraardhësi të përbashkët e aq më pak të një lidhjeje me ndonjë zvarranik, paraardhësi i supozuar.» Mandej, Mur shton: «Asnjë formë kalimtare nuk është gjetur në dëshmitë fosile dhe ka shumë të ngjarë për shkak se ato as që kanë ekzistuar kurrë në epokën e fosileve. Ka shumë të ngjarë që kalimi në mes të llojeve shtazore, ashtu si edhe midis llojeve bimore, të mos ketë ndodhur kurrë.»34
31. A tregojnë sot dëshmitë fosile ndonjë gjë tjetër nga ç’tregonin në kohën e Darvinit?
31 Pra, ajo që ishte e vërtetë në kohën e Darvinit, është po aq e vërtetë edhe sot. Dëshmitë që japin fosilet janë akoma ashtu siç i ka përshkruar zoologu D’Arsi Tomson disa vite më parë në librin e tij Mbi zhvillimin dhe formën (On Growth and Form): «Evolucioni darvinian nuk na mëson se si zogjtë rrjedhin prej zvarranikëve, sisorët nga katërkëmbëshat më të hershëm, katërkëmbëshat prej peshqve, apo kurrizorët nga jovertebrorët. . . . Të kërkosh urëkalimet për kapërcimin e humnerave midis tyre, do të thotë të kërkosh më kot, përgjithmonë.»35
Si qëndron çështja me kalin?
32. Çfarë është paraqitur shpesh si një shembull klasik i evolucionit?
32 Megjithatë, shpesh është thënë se, të paktën kali është një shembull klasik i evolucionit që është gjetur në dokumentacionin fosil. Siç thotë The World Book Encyclopedia: «Kuajt janë ndër shembujt e dokumentuar fare mirë të zhvillimit të evolucionit.»36 Ilustrimi i këtij mendimi fillon me një kafshë shumë të vogël dhe mbaron me kalin e madh të sotëm. Por, a e përkrahin me të vërtetë këtë gjë dëshmitë fosile?
33. A e përkrahin vërtet dëshmitë fosile evolucionin e kalit?
33 Encyclopœdia Britannica komenton: «Evolucioni i kalit nuk ka qenë kurrë në vijë të drejtë.»37 Me fjalë të tjera, asgjëkundi nuk ekziston një dëshmi fosile që tregon zhvillim gradual nga kafsha e vogël deri tek kali i madh. Evolucionisti Hiçing thotë kështu për këtë model shembullor të evolucionit: «Ajo që dikur për-shkruhej si një shembull i thjeshtë e i drejtpërdrejtë, tani del kaq e koklavitur, sa duket sikur pranimi i njërit apo tjetrit version është më shumë një çështje besimi sesa një zgjidhje racionale. Eohipusi, kali më i hershëm i supozuar dhe që thuhet nga ekspertët se është zhdukur prej kohësh e njihet prej nesh vetëm nëpërmjet fosileve, mund të ishte në të vërtetë i gjallë e i shëndoshë dhe aspak një kalë, por një kafshë e druajtur, në madhësinë e një dhelpre që quhet daman dhe që jeton në kaçubat e Afrikës.»38
34, 35. (a) Përse tani disa e vënë në dyshim rolin e Eohipusit? (b) A është gjetur ndonjë paraardhës për varietetet e kuajve fosilë?
34 Vendosja e Eohipusit si paraardhës i kalit të trondit përfytyrimin, veçanërisht po të shohim se ç’thotë The New Evolutionary Timetable: «Është pranuar gjerësisht se [Eohipusi] ngadalë, por me vendosmëri është shndërruar në një kafshë që i afrohet më shumë kalit.» Por, a e përkrahin faktet këtë supozim? «Llojet fosile të [Eohipusit] tregojnë modifikime evolucioniste fare të vogla»,—përgjigjet ky libër. Prandaj, duke marrë parasysh dëshmitë fosile, përfundohet si vijon: «Ai ka dështuar në dokumentimin e të gjithë historisë së zhvillimit të familjes së kalit.»39
35 Tani, disa shkencëtarë thonë se Eohipusi i vogël nuk ka qenë kurrë një lloj kali apo ndonjë paraardhës i tij. Dhe çdo lloj fosili i vendosur në linjën e kalit, tregon një stabilitet të dallueshëm, pa forma kalimtare midis tij dhe fosileve të tjera që mendohej se ishin paraardhës të evoluar. Por, nuk duhet të na habisë fakti se ka fosile kuajsh të formave dhe dukjeve të ndryshme. Edhe sot e kësaj dite, kuajt ndryshojnë që nga ata më të vegjlit, deri në kuajt e mëdhenj për tërheqje. Por, të gjitha këto janë varietete brenda familjes së kuajve.
Ç’tregon në të vërtetë dokumentacioni fosil
36. Ç’tregon në të vërtetë dokumentacioni fosil?
36 Kur ia lëmë fjalën dokumentacionit fosil, vërejmë se ai nuk na orienton nga evolucioni. Përkundrazi, dëshmia e tij na orienton nga krijimi. Ai tregon se shumë lloje të qenieve të ndryshme të gjalla u shfaqën papritmas. Megjithëse ka varietete të shumta brenda secilit lloj, ato nuk lidhen me paraardhës nga të cilët janë zhvilluar me evolucion. Ato nuk kanë hallka lidhëse as me lloje të tjera të qenieve të gjalla që kanë ardhur më pas. Llojet e ndryshme të qenieve të gjalla mbijetuan për periudha të gjata kohe, derisa disa prej tyre u zhdukën e disa të tjera mbijetuan gjer më sot.
37. Si e pranon këtë një evolucionist?
37 «Koncepti i evolucionit nuk mund të konsiderohet një shpjegim i fortë shkencor mbi praninë e formave të ndryshme të jetës»,—përfundon evolucionisti Edmund Samuel në librin e tij Rendi: Në jetë (Order: In Life). Po, përse kështu? Ai shton: «Asnjë analizë e imët e shpërndarjes biogjeografike apo e gjetjeve fosile nuk mund ta përkrahë drejtpërdrejt evolucionin.»40
38. Në çfarë konkluzioni do të çonte një shqyrtim i paanshëm?
38 Është e qartë se një shqyrtim i paanshëm do të çonte në konkluzionin se fosilet nuk e përkrahin teorinë e evolucionit. Nga ana tjetër, dëshmitë fosile mbështetin mjaft mirë argumentet mbi krijimin. Siç thotë zoologu Kofin: «Shkencëtarëve laikë, fosilet, si dëshmitare të jetës në të kalurën, u paraqesin gjyqin e fundit dhe më të lartë të apelimit, sepse dokumentacioni fosil është e vetmja dëshmi autentike e historisë mbi jetën në zotërim të shkencës. Nëse kjo histori e fosileve nuk pajtohet me teorinë evolucioniste—dhe ne kemi parë se ajo nuk pajtohet—ç’na mëson ky fakt? Ky na tregon se bimët dhe kafshët u krijuan sipas llojeve të tyre themelore. Faktet kryesore të dëshmive fosile përkrahin krijimin dhe jo evolucionin.»41 Astronomi Karl Sagan pohon me sinqeritet në librin e tij Kozmosi (Cosmos): «Dëshmitë fosile pajtohen mirë me idenë e një Krijuesi të Madh.»42
[Diçitura në faqen 54]
«Asnjë biolog nuk ka parë aktualisht lindjen me evolucion të një grupi të madh organizmash»
[Diçitura në faqen 57]
Darvin: «Në qoftë se një numër i madh llojesh . . . janë shfaqur me të vërtetë përnjëherë, kjo do të ishte shkatërruese për teorinë e evolucionit.»
[Diçitura në faqen 59]
Dokumentacioni fosil thotë të kundërtën e asaj që ka predikuar teoria evolucioniste
[Diçitura në faqen 60]
«Mbetjet fosile të formave të vjetra jetësore, të gjetura në shkëmbinjtë, nuk zbulojnë një fillim të thjeshtë»
[Diçitura në faqen 61]
Darvin: «Grupe të tëra të llojeve u shfaqën befasisht»
[Diçitura në faqen 62]
«Në mënyrë të arsyeshme mund të themi se tabloja e përgjithshme përputhet me idenë e një krijimi special»
[Diçitura në faqen 62]
«Ekziston një zbrazëtirë e plotë e fosileve ndërmjetëse»
[Diçitura në faqen 66]
«Evolucioni i kalit nuk ka qenë kurrë në vijë të drejtë»
[Diçitura në faqen 67]
«Grupi Equus, që përfshin të gjithë kuajt e gjallë . . . shfaqet papritur në dokumentacionin fosil . . . origjina e tyre nuk është dokumentuar nga dëshmi të njohura fosile»b
[Diçitura në faqen 70]
«Koncepti i evolucionit nuk mund të konsiderohet një shpjegim i fortë shkencor mbi praninë e formave të ndryshme të jetës»
[Kutia në faqen 55]
Teoria tradicionale Modeli i krijimit para-
evolucioniste parashikonte shikonte një dokumentacion
një dokumentacion fosil që përmban:
fosil që përmban:
1. Forma shumë të thjeshta 1. Forma të ndërlikuara të
të jetës, të shfaqura jetës të shfaqura papritmas
gradualisht
2. Forma të thjeshta që 2. Forma të ndërlikuara
ndryshojnë gradualisht të jetës që shumëzohen
në ato të ndërlikuara «sipas llojeve të tyre»
(familjeve biologjike),
megjithatë duke lejuar
variacione
3. Shumë «hallka» kalimtare 3. Asnjë «hallkë» kalimtare
midis llojeve të ndryshme midis familjeve të
ndryshme biologjike
4. Fillime të veçorive të 4. Asnjë veçori të pjesshme
reja trupore si gjymtyrë, trupore; të gjitha pjesët
kocka dhe organe e trupit të kompletuara
[Kutia dhe figura në faqen 56]
Një libër mbi evolucionin përmban një vizatim të tillë, me shkrimin poshtë tij: «NGA PESHKU TE NJERIU». Ai thotë se ilustrimi «tregon se si evoluan kockat e pendës së peshkut në kocka të krahut dhe dorës së njeriut». Ai pohon gjithashtu: «Dokumentacioni fosil dokumenton shumë shtresa ndërmjetëse në këtë kalim.» Por, a është në të vërtetë kështu?a
[Diagrami]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Pulsi
Parakrahu
Bërryli
Krahu
Shpatulla
[Kutia dhe figurat në faqet 68, 69]
Çfarë thonë dëshmitë fosile . . . mbi origjinën e jetës:
Mbi origjinën e qenieve të gjalla
«Pothuaj treçereku i faqeve të librit të epokave të varrosura në koren e tokës, janë të zbrazëta.»—The World We Live In c
«Hapat fillestarë . . . nuk njihen . . . s’ka mbetur asnjë gjurmë e tyre.»—Red Giants and White Dwarfs ç
Mbi jetën shumëqelizore:
«Çështja se si lindën kafshët shumëqelizore dhe nëse kjo fazë u shfaq një herë apo më tepër dhe në një a më shumë mënyra, mbetet e vështirë dhe me pyetje gjithmonë të debatuara, që janë . . . ‛në analizë të fundit, krejt të pazgjidhshme.’ »—Science d
«Dokumentacioni fosil nuk përmban asnjë gjurmë të këtyre fazave paraprake në zhvillimin e organizmave shumëqelizorë.» —Red Giants and White Dwarfs dh
Mbi jetën bimore:
«Shumica e botanistëve i shikojnë gjetjet fosile si burim lehtësimi. Por . . . kjo nuk i ka ndihmuar aspak . . . Nuk ka asnjë dëshmi mbi prejardhjen.» —The Natural History of Palms e
Mbi insektet:
«Gjetjet fosile nuk japin ndonjë informatë mbi origjinën e insekteve.»—Encyclopædia Britannica ë
«Nuk ka fosile të njohura që të tregojnë se ç’pamje kishin paraardhësit fillestarë të insekteve.»—The Insects f
Mbi kafshët kurrizore:
«Gjetjet fosile, megjithatë, nuk japin informata mbi prejardhjen e kurrizorëve.»—Encyclopædia Britannica g
Mbi peshqit:
«Me sa njohim ne, asnjë ‛hallkë’ nuk i lidh këto kafshë të reja me ndonjë formë të mëparshme të jetës. Peshku është shfaqur papritmas.»—Marvels and Mysteries of Our Animal World gj
Mbi shndërrimin e peshkut në amfib:
«Si dhe pse ata e bënë këtë, me sa duket ne nuk do ta mësojmë kurrë saktësisht.»—The Fishes h
Mbi shndërrimin e amfibëve në zvarranikë:
«Një nga aspektet zhgënjyese të dokumentacionit fosil mbi historinë e kurrizorëve, është se ai tregon shumë pak mbi evolucionin e zvarranikëve në periudhën e tyre më të hershme, kur u zhvillua veza me lëvozhgë.»—The Reptiles i
Mbi shndërrimin e zvarranikëve në gjitarë:
«Nuk ekziston asnjë hallkë [lidhëse] në mes të gjitarëve dhe zvarranikëve.»—The Reptiles j
«Mjerisht, fosilet zbulojnë shumë pak për krijesat që ne i konsiderojmë gjitarët e parë të vërtetë.» —The Mammals k
Mbi shndërrimin e zvarranikëve në zogj:
«Kalimi nga zvarranikët tek zogjtë është edhe më pak i dokumentuar.»—Processes of Organic Evolution l
«Akoma nuk është gjetur asnjë fosil i ndonjë zvarraniku të tillë që i ngjan zogut.»—The World Book Encyclopedia ll
Mbi majmunët:
«Mjerisht, dokumentacioni fosil që duhej të na ndihmonte për të gjurmuar shfaqjen e majmunëve, ende nuk është i plotë.» —The Primates m
«Për shembull, majmunët e sotëm duket sikur kanë dalë jashtë nga hiçi. Nuk kanë të kaluar dhe as dokumentacion fosil.» —Science Digest n
Nga majmuni tek njeriu:
«Asnjë fosil apo dëshmi tjetër fizike nuk e lidh drejtpërdrejt njeriun me majmunin.»—Science Digest nj
«Familja njerëzore nuk përbëhet prej një vije të veçuar pasardhësish, që të çon nga një formë majmunoide deri në llojin tonë.»—The New Evolutionary Timetable o
[Figura në faqen 58]
Miliona fosile janë gjetur dhe ndodhen muzeve e laboratorëve në të gjithë botën
[Figurat në faqen 61]
Në fillim të asaj që quhet periudha Kambriane, fosilet e grupeve më të mëdha të jovertebrorëve shfaqen në një «shpërthim» spektakular të gjallesave, pa asnjë lidhje me ndonjë paraardhës të evoluar
Sfungjer
Trilobite
Kandil deti
[Figurat në faqen 63]
Forma të ndryshme dhe shumë të ndërlikuara jete shfaqen papritur dhe plotësisht të zhvilluara
Kali
Tamia
Flutura
Fieri
Trëndafili
Peshku
[Figurat në faqen 64]
Teoria e evolucionit pohon se krijesat fluturuese evoluan nga paraardhës kalimtarë; por asnjë prej tyre nuk është gjetur
Çafka
Kolibri
Shqiponja
[Figura në faqen 65]
Asnjë fosil xhirafe nuk është gjetur me qafë sa dy të tretat apo sa treçereku i atyre të sotme
[Figurat në faqen 67]
Thuhet se kjo kafshë e ngjashme me një brejtës, është e njëjtë me Eohipusin, paraardhësi i supozuar i kalit. Por nuk ka asnjë dëshmi që Eohipusi të ketë evoluar në diçka më të ngjashme se kali