BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ce kap. 7 f. 83-98
  • «Njerëzit-majmunë»: Ç’ishin ata?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Njerëzit-majmunë»: Ç’ishin ata?
  • Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Sa dëshmi fosile ekzistojnë?
  • Ku janë «hallkat lidhëse»?
  • «Trungu gjenealogjik»
  • Ç’pamje kishin ata?
  • Çfarë ishin ata?
  • Ngritja dhe rënia e «njeriut-majmun»
  • Familja njerëzore
  • Si është puna me datat?
  • Le t’ua lëmë fjalën gjetjeve fosile
    Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • A ka ardhur çdo formë jete nga një paraardhës i përbashkët?
    Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh
  • Mospajtime rreth evolucionit: Pse?
    Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Evolucioni
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
Shih më tepër
Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
ce kap. 7 f. 83-98

Kapitulli 7

«Njerëzit-majmunë»: Ç’ishin ata?

1, 2. Sipas pohimit të teorisë së evolucionit, cilët ishin të parët tanë?

PËR shumë e shumë vite është raportuar mbi gjetjen e mbetjeve fosile të njerëzve-majmunë. Literatura shkencore është plot e përplot me interpretime artistike të këtyre krijesave. A janë këto hallkat kalimtare në evolucionin e njeriut nga kafshët? A janë ata stërgjyshërit tanë? Shkencëtarët evolucionistë pohojnë se janë. Për këtë arsye, shpesh lexojmë shprehje të tilla si ky titull artikulli në një revistë shkencore: «Si u bë majmuni njeri.»1

2 Në të vërtetë, disa evolucionistë nuk mendojnë nëse këta stërgjyshër teorikë të njeriut duhen quajtur me të drejtë «majmunë». E megjithatë, disa nga kolegët e tyre nuk janë kaq të vendosur.2 Stefan Xhei Goulld thotë: «Njerëzit . . . evoluan nga paraardhësit majmunë.»3 Xhorxh Geilord Simpson thotë: «Të parët e përbashkët padyshim do të quheshin majmunë antropoidë apo majmunë në gjuhën e folur prej secilit që do t’i shihte. Pasi shprehjet majmun antropoid dhe majmun përcaktohen kështu në përdorimin e përgjithshëm, atëherë paraardhësit e njeriut ishin majmunë.»4

3. Pse konsiderohen të rëndësishme dëshmitë fosile në përcaktimin e paraardhësve të njeriut?

3 Pse dëshmitë fosile janë me kaq rëndësi në përpjekjet për të dokumentuar ekzistencën e stërgjyshërve majmunë të njeriut? Sepse bota e sotme e gjallë nuk për-mban asgjë që do ta përkrahte këtë ide. Siç u tregua në kapitullin 6, ekziston një humnerë shumë e madhe midis njeriut dhe kafshëve që jetojnë sot, duke përfshirë edhe familjen e majmunëve. Kështu, meqë bota e gjallë nuk siguron lidhje ndërmjet njeriut dhe majmunit, shpresohej se këtë do ta bënin dëshmitë fosile.

4. Pse është kaq e çuditshme mungesa e «njeriut-majmun» të gjallë nga pikëpamja evolucioniste?

4 Nga pikëpamja e evolucionit, humnera e padyshimtë midis njeriut dhe majmunit të sotëm është e çuditshme. Teoria e evolucionit pohon se ndërsa kanë përparuar në shkallët e evolucionit, kafshët janë bërë gjithnjë e më të afta për mbijetesë. Por, përse atëherë familja «inferiore» e majmunëve vazhdon të ekzistojë, ndërsa nuk gjendet asnjë nga format ndërmjetëse të supozuara, që mendohen si më të avancuara në rrugën e evolucionit? Sot ne shikojmë shimpanze, gorilla dhe orangutangë, por asnjë «njeri-majmun»? A ka të ngjarë që secila nga «hallkat» më të vona dhe më të avancuara midis majmunëve dhe njeriut duhej të shuhej dhe të mos e pësonin kështu majmunët më të ulët?

Sa dëshmi fosile ekzistojnë?

5. Ç’mendim të krijojnë tregimet mbi provat fosile për evolucionin njerëzor?

5 Nga tregimet në literaturën shkencore, në ekspozitat e muzeve dhe në televizion, duket sikur ekzistojnë vërtet prova të bollshme se njerëzit evoluan prej krijesave ngjashëm majmunit. A është me të vërtetë kështu? Për shembull, ç’prova fosile ekzistonin për këtë çështje në kohën e Darvinit? A ishte kjo provë e tillë që ta shtynte atë në formulimin e teorisë së tij?

6. (a) A ishin teoritë evolucioniste më të hershme rreth evolucionit njerëzor të bazuara në dëshmi fosile? (b) Pse u pranua evolucioni pa prova të sigurta?

6 Buletini i shkencëtarëve atomistë na informon: «Teoritë më të hershme të evolucionit njerëzor janë me të vërtetë të çuditshme, nëse ndalesh e i shikon me kujdes. David Pilbim i quan teoritë më të hershme si ‘pa fosile’. D.m.th., kishte teori mbi zhvillimin e njeriut për të cilat do të mendohej se do të duheshin disa dëshmi fosile, në fakt, kishte aq pak fosile, saqë nuk ndikonin në teori, apo nuk kishte fare fosile. Kështu, në mes të paraardhësve të supozuar të njeriut dhe fosileve të hershme të tij ekzistonte vetëm imagjinata e shkencëtarëve të shekullit të 19-të.» Ky botim shkencor tregon përse: «Njerëzit donin të besonin në evolucionin, në evoluimin e njeriut dhe kjo ndikoi në rezultatet e punës së tyre.»5

7-9. Sa dëshmi fosile ka sot mbi evolucionin e njeriut?

7 Pas më shumë se një shekulli kërkimesh, sa prova fosile të «njerëzve-majmunë» janë zbuluar? Riçard Laiki pohon: «Këto punime në këtë fushë japin kaq pak dritë për të nxjerrë konkluzione, sa kjo bën që shpesh këto konkluzione të ndryshojnë nga koha në kohë.»6 New Scientist komenton: «Duke gjykuar nga sasia e provave mbi të cilat mbështetet, studimi i fosileve njerëzore vështirë se meriton të jetë më shumë se një nëndisiplinë e paleontologjisë apo e antropologjisë. . . . Koleksioni është kaq shumë i pakompletuar dhe vetë modelet shpesh janë fragmentare dhe jo vendimtare.»7

8 Në mënyrë të ngjashme, libri Origjinat thotë: «Ndërsa ne ecim më përpara në rrugën e evolucionit drejt njerëzve, ecja bëhet veçanërisht e pasigurt, përsëri për shkak të sasisë së vogël të dëshmive fosile.»8 Revista Shkenca shton: «Dëshmia e parë shkencore është një pirg fare i vogël kockash, nga i cili duhet ndërtuar historia e evolucionit njerëzor. Një antropologjist e ka krahasuar këtë detyrë me atë të rindërtimit të subjektit të romanit Lufta dhe paqja në bazë të 13 faqeve të zgjedhura rastësisht.»9

9 Pra, sa e rrallë është dëshmia që japin fosilet mbi «njerëzit-majmunë»? Le të vërejmë Newsweek: «Të gjitha fosilet do të mund të mblidheshin mbi një tavolinë të vetme»,—tha Elvin Simons i Universitetit Duke.10 The New York Times: «Mbetjet e njohura fosile të të parëve njerëzorë do të mund të vendoseshin mbi një tavolinë bilardoje. Kjo përbën një bazë të varfër për t’u orientuar në mjegullën e këtyre pak miliona viteve të fundit.»11 Science Digest: «Është fakt i jashtëzakonshëm se të gjitha dëshmitë fizike që kemi në lidhje me evolucionin e njeriut mund të vendosen brenda një arkivoli dhe ende do të mbetej vend! . . . Për shembull, majmunët e sotëm duket sikur kanë dalë jashtë nga hiçi. Nuk kanë të kaluar dhe as dokumentacion fosil. Ndërsa origjina e vërtetë e njeriut modern, qenie e drejtë, lakuriqe, ndërtuese mjetesh, me tru voluminoz—nëse dëshirojmë të jemi të ndershëm me veten, është një çështje po aq e mistershme.»12

10. Ç’tregojnë dëshmitë mbi shfaqjen e llojeve moderne të njeriut?

10 Llojet moderne të njerëzve, me aftësi për të menduar, planifikuar, zbuluar, për të ndërtuar mbi diturinë e mëparshme dhe për të përdorur gjuhë të ndërlikuara, shfaqen papritmas në gjetjet fosile. Goulld, në librin e tij Matja e gabuar e njeriut (The Mismeasure of Man) vëren: «Ne nuk kemi asnjë dëshmi mbi ndryshimet biologjike në përmasat dhe ndërtimin e trurit që kur në dëshmitë fosile u shfaq Homo sapiensi, afro 50 mijë vjet më parë.»13 Prandaj, libri Universi përbrenda (The Universe Within) pyet: «Ç’e bëri evolucionin . . . të japë, si nga nata, njerëzit bashkëkohorë me trurin e tyre shumë të zhvilluar?»14 Evolucioni nuk mund të përgjigjet. Por, a mund të gjendet përgjigjja në krijimin e një krijese shumë të ndërlikuar dhe të veçantë?

Ku janë «hallkat lidhëse»?

11. Ç’është pranuar si «rregull» i dokumentacionit fosil?

11 Megjithatë, a nuk i kanë gjetur shkencëtarët «hallkat» e nevojshme që lidhin kafshët ngjashëm majmunit me njeriun? Faktet tregojnë se jo. Science Digest flet për «mosekzistencën e hallkave lidhëse që do të mund të shpjegonin shfaqjen relativisht të papritur të njeriut të sotëm».15 Newsweek vëren: «Hallka që mungon midis njeriut dhe majmunit . . . është gati më e çuditshmja nga gjithë hierarkia e krijesave fantazmë. Mungesa e hallkave lidhëse është një rregull në dokumentacionin fosil.»16

12. Çfarë ka sjellë mungesa e hallkave lidhëse?

12 Meqë nuk ka hallka lidhëse, është dashur të fabrikohen «krijesat fantazmë» në bazë të fakteve minimale dhe të merren sikur kanë ekzistuar me të vërtetë. Kjo shpjegon se si është paraqitur kontradikta vijuese, sipas raportit të një reviste shkencore: «Njeriu evoluoi gradualisht prej një stërgjyshi majmun dhe nuk ka kaluar papritur nga një formë në një tjetër, siç pohojnë disa shkencëtarë. . . . Por, antropologë të tjerë, duke punuar me po ato të dhëna, kanë nxjerrë konkluzione krejt të kundërta.»17

13. Cili ishte rezultati i pamundësisë për të gjetur «hallkat që mungojnë»?

13 Kështu mund të kuptojmë më mirë vërejtjen e anatomistit të nderuar Solli Zukerman, i cili në revistën Journal of the Royal College of Surgeons of Edinburgh shkroi: «Kërkimi i ‘hallkave lidhëse’ proverbiale në evolucionin e njeriut, të kësaj kupe të shenjtë të një sekti të pavdekshëm anatomistësh e biologësh, edhe sot lejon lulëzimin e spekulimeve dhe miteve, po aq këndshëm sa edhe 50 vjet më parë.»18 Ai vërejti se shumë shpesh faktet nuk përfilleshin e në vend të tyre paraqitej si e vërtetë ajo që ishte në modë, pavarësisht nga dëshmitë e kundërta.

«Trungu gjenealogjik»

14, 15. Ç’ndikim kanë dëshmitë mbi «trungun gjenealogjik» të evolucionit njerëzor?

14 Si rezultat i kësaj, «trungu gjenealogjik» që shpesh paraqitet në evoluimin e trilluar të njeriut nga kafshët më të ulëta, gjithnjë ndryshon. Për shembull, Riçard Laiki ka pohuar se një zbulim fosil më i vonë «e kthen në gërmadhë nocionin se të gjitha fosilet e mëparshme mund të radhiten në mënyrë të vazhduar, të njëpasnjëshme, duke pasqyruar kështu ndryshimet evolucioniste».19 Dhe një artikull gazete, duke pasur parasysh këtë zbulim, deklaron: «Çdo libër i veçantë mbi antropologjinë, çdo artikull mbi evolucionin e njeriut, çdo paraqitje e trungut gjenealogjik të njeriut do të duhet të flaket. Duket qartë se ato janë të gabuara.»20

15 Trungu gjenealogjik teorik i evolucionit njerëzor është i mbushur me pjella të «hallkave» të pranuara më parë. Një kryeartikull në The New York Times vërente që shkenca evolucioniste «lë kaq shumë vend për supozime, saqë teoritë mbi origjinën e njeriut duket sikur flasin më shumë për autorët sesa për temën. . . . Gjetësi i një kafke të re, shpesh duket se e rivizaton trungun gjenealogjik njerëzor, duke e vënë zbulimin e tij në linjën qendrore që të çon tek njeriu, ndërsa kafkat e të tjerëve në linjat anësore që nuk të çojnë gjëkundi».21

16. Pse nuk e fusin dy shkencëtarë në librin e tyre «trungun gjenealogjik» evolutiv?

16 Për librin Mitet e evolucionit të njeriut (The Myths of Human Evolution) të shkruar nga evolucionistët Nils Eldrixh dhe Jan Tetirsëll, revista Discover vëren se autorët kanë eliminuar çdo trung gjenealogjik evolucionist. Pse? Pasi vëren se «hallkat që paraqesin stërgjyshërit e llojit njerëzor vetëm mund të supozohen», kjo revistë vazhdon: «Eldrixh dhe Tetirsëll insistojnë se njeriu i kërkon më kot stërgjyshërit e vet. . . . ‘Po të ekzistonin dëshmitë,—thonë ata,—mund të pritej me besim që sa më shumë fosile hominide të gjendeshin, aq më e qartë do të bëhej historia e evolucionit njerëzor. Përkundrazi, nëse nuk gjendet gjë, ka ndodhur e kundërta.’ »

17, 18. (a) Si mund të «gjendet» ajo që disa evolucionistë e konsiderojnë «të humbur»? (b) Si e vërtetojnë këtë dëshmitë fosile?

17 Discover përfundon: «Llojet njerëzore dhe të gjitha llojet, do të mbeten në njëfarë mënyre jetime, sepse identiteti i prindërve të tyre ka humbur në të kaluarën.»22 Ndoshta «i humbur» nga pikëpamja e teorisë së evolucionit. Por, a nuk «i ka gjetur» alternativa që jep Zanafilla prindërit tanë, ashtu siç janë me të vërtetë në dokumentacionin fosil—plotësisht njerëzorë, pikërisht siç jemi edhe ne sot?

18 Dokumentacioni fosil zbulon një origjinë të veçantë dhe të ndarë për majmunët dhe për njerëzit. Ja, përse nuk ekzistojnë dëshmitë fosile të hallkave lidhëse midis njeriut dhe kafshëve ngjashëm majmunit. Në të vërtetë, hallkat nuk kanë ekzistuar kurrë.

Ç’pamje kishin ata?

19, 20. Në çfarë bazohen parafytyrimet e «njeriut-majmun»?

19 Megjithatë, nëse stërgjyshërit e njeriut nuk ishin majmunë, pse kaq shumë piktura e modele të «njeriut-majmun» kanë përmbytur botimet shkencore e muzetë në mbarë botën? Në çfarë bazohen ato? Libri Biologjia e racës (The Biology of Race) përgjigjet: «Mishi dhe flokët në të tilla konstruksione duhet të mbushen duke përdorur imagjinatën.» Ai shton: «Ngjyra e lëkurës; ngjyra, forma dhe shpërndarja e flokëve dhe forma e tipareve—për këto cilësi të njeriut parahistorik ne nuk dimë absolutisht asgjë.»23

20 Science Digest gjithashtu komenton: «Pjesa më e madhe e parafytyrimeve artistike bazohet më tepër në imagjinatë, sesa në dëshmi. . . . Artistët duhet të krijojnë diçka midis majmunit dhe njeriut; sa më i vjetër të thuhet se është modeli, aq më tepër ata e bëjnë të ngjashëm me majmunin.»24 Gjurmuesi i fosileve Donald Xhohenson pohon: «Askush nuk mund të jetë i sigurt se si dukej cilido hominid i zhdukur.»25

21. Çfarë janë në të vërtetë përshkrimet e «njeriut-majmun»?

21 Në të vërtetë, New Scientist raporton se nuk ka «dëshmi të mjaftueshme nga materiali fosil që ta nxjerrë teorizimin tonë nga fusha e fantazisë».26 Pra, përshkrimet e «njeriut-majmun», siç pohon një evolucionist, janë «shumë-shumë imagjinatë e pastër . . . shpikje e kulluar».27 Andaj, në veprën e Ivan Lisnerit Njeriu, Perëndia dhe Magjia (Man, God and Magic), komentohet: «Sikurse mësojmë dalëngadalë se njerëzit primitivë nuk janë domosdo të egër, ashtu tani duhet të kuptojmë se njerëzit e hershëm të Epokës së akullit nuk ishin as bisha të egra, as gjysmë majmunë e as budallenj. Që këtej vjen edhe budallallëku i madh i të gjitha përpjekjeve për të rikonstruktuar Neandertalin apo edhe njeriun e Pekinit.»28

22. Si janë gënjyer shumë përkrahës të evolucionit?

22 Nga dëshira për të gjetur dëshmi të «njeriut-majmun», disa shkencëtarë janë gënjyer nga mashtrime të hapura, siç ka qenë për shembull rasti me njeriun e Piltdaunit në vitin 1912. Për rreth 40 vjet ai është pranuar si i vërtetë nga ana e shumë evolucionistëve. Më në fund, më 1953-shin, mashtrimi është zbuluar, kur teknika moderne zbuloi se kockat e njeriut dhe të majmunit ishin vënë së bashku dhe ishin vjetëruar artificialisht. Në një rast tjetër, një «hallkë munguese» ngjashëm majmunit u vizatua dhe u paraqit në shtyp. Por, më vonë u pranua se «dëshmia» konsistonte vetëm në një dhëmb që i përkiste një forme të zhdukur derri.29

Çfarë ishin ata?

23. Çfarë ishin në të vërtetë disa fosile për të cilat supozohej se ishin paraardhës të njeriut?

23 Nëse rikonstruksionet e «njeriut-majmun» janë të pavlefshme, atëherë çfarë ishin këto krijesa të lashta, kockat fosile të të cilave janë gjetur? Një nga këta gjitarë më të lashtë, për të cilin pohohet se është paraardhës i njeriut, është një kafshë e vogël e ngjashme me një brejtës, që thuhet se ka jetuar 70 milionë vjet më parë. Në librin e tyre Lusi: Fillimet e njerëzimit (Lucy: The Beginnings of Humankind), Donald Xhohenson dhe Meitlend Edi, shkruajnë: «Ata ishin katërkëmbësh insektngrënës me madhësinë dhe formën e ketrit.»30 Riçard Laiki e quajti këtë gjitar «primat i ngjashëm me miun».31 Por, a ekziston ndonjë dëshmi e palëkundur se kjo kafshë e vogël ishte paraardhës i njeriut? Jo, përveç spekulimeve të dëshirueshme. Asnjë fazë ndërkalimtare nuk i ka lidhur ndonjëherë ata me diçka tjetër, veçse me ç’ishin vetë ata: gjitarë të vegjël brejtës.

24. Ç’probleme ngrihen kur kërkohet të pranohet Aegiptopitekus-i si një paraardhës i njerëzve?

24 Fosili tjetër në listën e pranuar përgjithësisht, me një hapësirë të pranuar kohore prej rreth 40 milionë vjetësh, është ai i gjetur në Egjipt dhe i quajtur Aegiptopitekus—majmuni i Egjiptit. Kjo krijesë thuhet se ka jetuar rreth 30 milionë vjet më parë. Revista, gazeta e libra kanë botur vizatime të kësaj krijese të vogël nën tituj si: «Krijesa e ngjashme me majmunin ishte paraardhësi ynë.» (Time)32 «Primati antropoid afrikan i quajtur paraardhës i përbashkët i njeriut dhe i majmunit.» (The New York Times)33 «Aegiptopitekus është një paraardhës, që e kemi të përbashkët me majmunët e gjallë.» (Origins)34 Por, ku janë hallkat lidhëse midis tij dhe brejtësit të mëparshëm? Ku janë hallkat lidhëse me pasuesin e tij në vazhdimësinë evolucioniste? Asnjë nga ato nuk është gjetur.

Ngritja dhe rënia e «njeriut-majmun»

25, 26. (a) Ç’pohohet për Ramapitekus-in? (b) Mbi cilat dëshmi fosile u rikonstruktua ai për t’u dukur si një «njeri-majmun»?

25 Pas një humnere tjetër gjigante në dokumentacionin fosil, një tjetër krijesë fosile paraqitet si majmuni i parë njerëzor. Ai thuhet se ka jetuar 14 milionë vjet më parë dhe u quajt Ramapitekus—majmuni i Ramës (Rama ishte një princ mitologjik i Indisë). Fosilet e tij u gjetën në Indi rreth gjysmë shekulli më parë. Nga këto fosile u konstruktua një krijesë si majmun, e ngritur në dy këmbë. Për të, në librin Origjinat shkruhet: «Për sa mund të thuhet tani për tani, ai është përfaqësuesi i parë i familjes njerëzore.»35

26 Cila ishte dëshmia fosile për këtë konkluzion? Në të njëjtin botim vërehet: «Dëshmitë në lidhje me Ramapitekus-in janë të konsiderueshme, edhe pse në kuptimin absolut ende janë tmerrësisht të pakta: pjesë të nofullave të sipërme e të poshtme dhe një koleksion dhëmbësh.»36 A mendon se kjo ishte një dëshmi mjaft «e konsiderueshme» për të rikonstruktuar një «majmun-njeri» të ngritur, paraardhës të njerëzve? Dhe kjo krijesë, nga më hipotetiket, u vizatua nga artistët si një «majmun-njeri» dhe figurat e saj përmbytën literaturën evolucioniste—e gjithë kjo në bazë të pjesëve të nofullave dhe dhëmbëve! Megjithatë, siç raporton The New York Times, për dekada të tëra Ramapitekus-i «qëndroi më i sigurt nga çdo gjë tjetër në bazë të trungut evolutiv gjenealogjik».37

27. Ç’kanë provuar dëshmitë e mëvonshme në lidhje me Ramapitekus-in?

27 Sidoqoftë, nuk është më kështu. Gjetjet fosile më të reja dhe më të plota kanë zbuluar se Ramapitekus-i i ngjan shumë familjes së sotme të majmunit. Kështu, New Scientist tani deklaron: «Ramapitekus-i nuk mund të jetë pjesëtari i parë në vijën e prejardhjes së njeriut.»38 Një informacion i tillë i ri nxiti pyetjen e mëposhtme në revistën Natural History: «Si mundi Ramapitekus-i, . . . i rikonstruktuar vetëm nga dhëmbët e nofullat—pa një legen të njohur, pa kocka gjymtyrësh apo kafkë—të futej vjedhurazi në procesionin që marshon në rrugën e njerëzimit?»39 Sigurisht që është dashur një dozë e madhe mendimi të ndërgjegjshëm për të bërë këtë tentativë, që dëshmitë të detyrohen të tregojnë atë që ato në fakt nuk e thonë.

28, 29. Ç’është deklaruar mbi Australopitekus-in?

28 Një tjetër humnerë me përmasa të mëdha shtrihet midis kësaj krijese dhe krijesës tjetër që u rendit pas saj si një paraardhës i «majmunit-njeri». Ky është quajtur Australopitekus—majmuni jugor. Fosilet e tij u gjetën së pari në Afrikën Jugore në vitin 1920. Ai ka një kafkë të vogël majmuni, kocka nofulle të mëdha dhe është vizatuar sikur ecën mbi dy këmbë, i kërrusur, leshtor dhe me pamje majmuni. Është thënë se ai ka jetuar tre apo katër milionë vjet më parë. Në kohën kur u zbulua e më vonë, ai u pranua pothuaj nga të gjithë evolucionistët si paraardhës i njeriut.

29 Për shembull, libri Marrëveshja shoqërore (The Social Contract) konstaton: «Duke përjashtuar një apo dy kërkues, të gjithë kompetentët e tjerë në këtë fushë tani pajtohen se australopitekët . . . janë paraardhësit e vërtetë të njeriut të sotëm.»40 The New York Times deklaron: «Australopitekusi është ai . . . që evoluoi në Homo sapiens, apo në njeriun e sotëm.»41 Edhe në librin Njeriu, koha dhe fosilet (Man, Time and Fossils), Rut Mur ka thënë: «Nisur nga të gjitha provat, njerëzit më në fund i takuan paraardhësit e tyre të hershëm, të panjohur prej një kohe shumë të gjatë.» Me eufori ajo deklaroi: «Dëshmitë u plotësuan . . . hallka lidhëse që mungonte prej kohësh, më në fund u gjet.»42

30, 31. Ç’tregojnë dëshmitë e mëvonshme mbi Australopitekus-in?

30 Por, kur dëshmia për gjithçka është aktualisht e brishtë apo nuk ekziston, apo është tërësisht e bazuar në mashtrim, herët a vonë deklarata mbi të rrëzohet. Kjo është provuar nga shumë shembuj të shkuar të të ashtuquajturve «njerëz-majmunë».

31 Kështu ndodhi edhe me Australopitekus-in. Kërkimet e mëtejshme kanë zbuluar se kafka e tij «ndryshon në shumë gjëra nga ajo e njeriut, një nga të cilat është se ai ka kapacitet më të vogël truri.»43 Anatomisti Zukerman shkroi: «Kur krahasohet me kafkën e njeriut dhe të majmunit, kafka e Australopitekus-it ngjan jashtëzakonisht me atë të majmunit—jo me të njeriut. Mendimi i kundërt është njëlloj si t’i thuash të zezës të bardhë.»44 Ai shton: «Gjetjet tona nuk lënë dyshim se . . . Australopitekus-i u ngjan majmunëve që jetojnë sot e jo Homo sapiens-it.»45 Donald Xhohenson gjithashtu tha: «Australopitekët nuk janë njerëz.»46 Riçard Laiki e quante «të pamundur që të parët tanë të drejtpërdrejtë të jenë pasardhës të evoluar të australopitekusit».47

32. Nëse të tilla krijesa do të jetonin akoma sot, si do të konsideroheshin?

32 Nëse do të gjendej sot ndonjë australopitek i gjallë, ai do të mbyllej në kopshtin zoologjik bashkë me majmunë të tjerë. Askush nuk do ta quante atë «njeri-majmun». Kjo është e vërtetë edhe me fosilet e tjera «kushërinj» që i ngjajnë, siç është një lloj më i vogël australopiteku i quajtur «Lusi». Robert Xhestrou thotë për të: «Ky tru nuk ishte zhvilluar në përmasën e duhur; ai ishte sa një e treta e madhësisë së një truri njerëzor.»48 Është e dukshme se edhe ky është një «majmun» i thjeshtë. Në të vërtetë, New Scientist thotë se «Lusi» ka një kafkë «shumë të ngjashme me shimpanzenë».49

33. Cilat lloje fosilesh mund të kenë qenë ndoshta njerëzore?

33 Një lloj tjetër fosili është quajtur Homo erectus—njeri i drejtë. Madhësia dhe forma e trurit të tij radhitet në kategorinë më të ulët të njeriut të sotëm. Encyclopædia Britannica vëren se «kockat e këmbëve, të zbuluara deri më tani, dallojnë shumë prej atyre të H[omo] sapiens-it».50 Megjithatë, nuk është e qartë nëse ishte njeri apo jo. Nëse po, atëherë ka qenë thjesht një degë e familjes njerëzore që u zhduk.

Familja njerëzore

34. Si kanë ndryshuar idetë mbi njeriun e Neandertalit?

34 Njeriu i Neandertalit (i quajtur kështu sipas krahinës gjermane Neander, ku për herë të parë u gjetën fosilet e tij), pa dyshim ishte njeri. Në fillim u pikturua si i kërrusur, me pamje budallai, leshtor dhe i ngjashëm me majmunin. Tani dihet se ky gabim në rikonstruktim u bazua në një skelet fosil të deformuar shumë nga sëmundja. Qysh atëherë janë gjetur shumë fosile Neandertale, të cilat kanë vërtetuar se ai nuk dallonte shumë nga njerëzit e sotëm. Në librin e tij Akulli (Ice) Fred Hoil shkroi: «Nuk ka dëshmi se njeriu i Neandertalit ishte në çfarëdo shikimi më i prapambetur në krahasim me ne.»51 Si rrjedhim, u bënë vizatime të reja të Neandertalit me një pamje më moderne.

35. Çfarë ishin llojet e Kromanjonit?

35 Një lloj tjetër i fosileve që paraqitet shpesh në literaturën shkencore është njeriu i Kromanjonit. Ai është emërtuar sipas një lokaliteti në Francën jugore, ku u zhvarrosën së pari eshtrat e tij. Këto modele «ishin me aq pak dallime nga njerëzit e sotëm, saqë edhe më skeptikëve iu desh të pranojnë se këto mbetje ishin njerëzore»,—thotë libri Lusi.52

36. Cilat janë faktet në lidhje me fosilet si majmunë të së kaluarës dhe fosileve njerëzore?

36 Pra, dëshmitë janë të qarta: besimi në «njeriun-majmun» është pa themel. Përkundrazi, njerëzit kanë të gjitha shenjat se janë krijuar—të ndarë dhe të dalluar nga çdo kafshë. Njerëzit shumohen vetëm brenda llojit të tyre. Ata bëjnë kështu sot dhe kështu kanë bërë gjithmonë në të kaluarën. Çdo krijesë ngjashëm majmunit që ka jetuar në të kaluarën ka qenë vetëm majmun e jo njeri. Edhe fosilet e njerëzve të lashtë, të cilët ndryshojnë paksa nga njerëzit e sotëm, tregojnë thjesht variacionet brenda familjes njerëzore, pikërisht sikur që sot ekzistojnë shumë varietete tek njerëzit që jetojnë krah për krah. Ekzistojnë njerëz të gjatë mbi dy metra dhe xhuxhë, me madhësi dhe forma të ndryshme skeleti. Por, të gjithë i përkasin të njëjtit «lloj» njerëzor e jo «llojit» të kafshëve.

Si është puna me datat?

37. Për sa kohë tregon kronologjia biblike se ka ekzistuar njeriu mbi Tokë?

37 Kronologjia biblike tregon se nga krijimi i njeriut ka kaluar një periudhë prej 6.000 vjetësh. Përse, atëherë, lexojmë shpesh për periudha shumë më të gjata kohore që nga shfaqja e llojeve të njohura të fosileve njerëzore?

38. A tregojnë datat e përcaktuara me zbërthim radioaktiv dhe që janë në konflikt me kronologjinë biblike, se Bibla është në gabim?

38 Para se të nxjerrësh përfundimin se kronologjia biblike është e gabuar, merr parasysh se metodat që përcaktojnë datat me ndihmën e elementeve radioaktive janë kritikuar rreptësisht nga disa shkencëtarë. Një revistë shkencore raportoi mbi studime që tregojnë se «datat e përcaktuara në bazë të zbërthimit radioaktiv të elementeve janë të gabuara—jo vetëm me disa vite, por në përmasa të mëdha». Ajo thotë: «Në vend se të ketë ecur në tokë 3,6 milionë vjet, njeriu mund të jetë në ekzistencë prej vetëm disa mijëra vitesh.»53

39. A është «ora» radiokarbonike gjithmonë e besueshme?

39 Shembull për këtë është «ora» radiokarbonike. Kjo metodë datimi me karbon radioaktiv u zhvillua gjatë dy shekujve nga shkencëtarë nga e gjithë bota. Ajo u pranua në përgjithësi si e saktë në përcaktimin e datimit të objekteve të bëra që nga historia e lashtë e njerëzve. Por, në një konferencë të ekspertëve nga e gjithë bota në radiokimi, arkeologji dhe gjeologji në Uppsala (Suedi) u krahasuan rezultatet. Raporti i kësaj konference tregoi se supozimet bazë në të cilat ishin themeluar matjet, pak a shumë ishin të pabesueshme. Për shembull, u gjet se shpejtësia e formimit të karbonit radioaktiv në atmosferë nuk ka qenë e njëjtë gjithmonë, prandaj kjo metodë nuk është e besueshme për caktimin e datave të objekteve nga periudha prej vitit 2.000 p.e.s. apo më herët.54

40. Si e përkrahin raportet historike kronologjinë biblike në lidhje me moshën e racës njerëzore?

40 Duhet mbajtur parasysh se dëshmitë e vërteta mbi aktivitetin njerëzor në Tokë ekzistojnë me mijëra e jo me miliona vjet. Për shembull, në librin Fati i Tokës (The Fate of the Earth) lexojmë: «Vetëm gjashtë apo shtatë mijë vjet më parë . . . u shfaq civilizimi që na bëri të mundur të ndërtojmë botën njerëzore.»55 Vepra Dy milionë vjetët e fundit (The Last Two Million Years) pohon: «Në botën e vjetër, pjesa më e madhe e hapave vendimtarë në revolucionin bujqësor janë ndërmarrë midis viteve 10.000 dhe 5.000 p.e.s.» Ai shton: «Vetëm për 5.000 vjetët e fundit njeriu ka lënë shënime të shkruara.»56 Fakti se gjetjet fosile tregojnë shfaqjen e papritur të njeriut të sotëm në Tokë dhe faktet e besueshme historike që po zbulohen tani së fundi, përputhen me kronologjinë biblike për jetën njerëzore mbi Tokë.

41. Çfarë tha për datat «parahistorike» një pionier në fushën e datimit me karbon radioaktiv?

41 Në lidhje me këtë, le të vërejmë se çfarë pohoi në revistën Science, W. F. Libi, fitues i çmimit Nobel në fizikën nukleare, një nga pionierët e metodës së datimit me karbon radioaktiv: «Kërkimet për zhvillimin e teknikës së datimit përbëhen nga dy etapa—caktimi i datave të objekteve nga epokat historike dhe nga ato parahistorike. Arnoldi [një bashkëpunëtor] dhe unë përjetuam goditjen e parë kur konsulentët tanë na informuan se historia shkonte prapa vetëm 5.000 vjet . . . Mund të lexohen deklarata se kjo shoqëri apo objekt arkeologjik është i vjetër 20.000 vjet. Por ne mësuam befas se këta numra, këto epoka të lashta, nuk njihen saktësisht.»57

42. Si komentoi një autor anglez mbi ndryshimin midis tregimit evolucionist dhe tregimit të Zanafillës?

42 Duke rishikuar një libër mbi evolucionin, autori anglez Malkolm Magiraixh, komentoi mungesën e dëshmive për evolucionin. Ai vërejti se spekulime të mëdha lulëzonin kudo. Më tej, ai tha: «Duke bërë krahasimin, tregimi i Zanafillës duket mjaft serioz e i kthjellët dhe të paktën ka meritën se lidhet mjaft arsyeshëm me atë që njohim ne rreth njerëzve dhe sjelljeve të tyre.» Përveç kësaj, ai tha se pohimet e pavërtetuara mbi miliona vjet të evolucionit njerëzor, si dhe «kërcimet boshe nga kafka në kafkë, nuk mund të mos duken fantazi e kulluar për cilindo që nuk ka ngecur në mitin [evolucionist]». Magiraixh përfundon: «Brezat e ardhshëm me siguri do të çuditen dhe shpresoj se do të zbaviten shumë, që teorizime të këtilla të parregullta dhe jobindëse kanë fituar lehtë mendjet e njerëzve të shekullit të njëzetë dhe janë zbatuar aq gjerësisht dhe me nxitim.»58

[Diçitura në faqen 84]

Përse majmunët antropoidë dhe majmunët «inferiorë» mbijetuan, ndërsa nuk gjendet asnjë «njeri-majmun» «superior»?

[Diçitura në faqen 85]

Teoritë më të hershme të evolucionit njerëzor ishin «imagjinata e shkencëtarëve të shekullit të 19-të»

[Diçitura në faqen 85]

«Dëshmia e parë shkencore është një pirg fare i vogël kockash»

[Diçitura në faqen 87]

«Kërkimi i ‘hallkave lidhëse’ proverbiale . . . lejon lulëzimin e spekulimeve dhe miteve»

[Diçitura në faqen 88]

«Çdo paraqitje e trungut gjenealogjik të njeriut do të duhet të flaket»

[Diçitura në faqen 90]

Nuk ka «dëshmi të mjaftueshme nga materiali fosil që ta nxjerrë teorizimin tonë nga fusha e fantazisë»

[Diçitura në faqen 93]

«Ramapitekusi nuk mund të jetë pjesëtari i parë në vijën e prejardhjes së njeriut»

[Diçitura në faqen 95]

«Nuk ka dëshmi se njeriu i Neandertalit ishte në çfarëdo shikimi më i prapambetur në krahasim me ne»

[Diçitura në faqen 98]

«Brezat e ardhshëm me siguri do të çuditen . . . që teorizime të këtilla të parregullta dhe jobindëse kanë fituar lehtë mendjet e shekullit të njëzetë»

[Kutia dhe figurat në faqen 94]

Dikur Australopitekusi u pranua si një paraardhës i njeriut, «hallka munguese». Tani, disa shkencëtarë pranojnë se kafka e tij ngjan «jashtëzakonisht me atë të majmunit—jo me të njeriut»

[Figurat]

Kafka e Australopitekusit

Kafka e shimpanzesë

Kafka e njeriut

[Figura në faqen 84]

Meqë bota e gjallë nuk siguron lidhje ndërmjet njeriut dhe kafshëve, shpresohej se këtë do ta bënin dëshmitë fosile

[Figura në faqen 86]

Një evolucionist pranon: «Ne nuk kemi asnjë dëshmi mbi ndryshimet biologjike në përmasat dhe ndërtimin e trurit që kur në dëshmitë fosile u shfaq Homo sapiensi»

[Figura në faqen 89]

Ku bazohen vizatimet e «njerëzve-majmunë»? Evolucionistët përgjigjen: «imagjinatë», «shumë-shumë imagjinatë e pastër», «shpikje e kulluar»

[Figurat në faqen 91]

Për një brejtës të vogël si mi thuhet se është një paraardhës i njeriut. Por nuk ka asnjë dëshmi fosile për një lidhje të tillë

Kjo krijesë ngjashëm majmunit është quajtur si një nga të parët tanë. Asnjë dëshmi fosile nuk ekziston për këtë pohim

[Figurat në faqen 92]

Duke u bazuar vetëm në dhëmbë dhe në pjesë të kockave të nofullës, Ramapitekusi u quajt «përfaqësuesi i parë i familjes njerëzore». Dëshmi të mëtejshme treguan se nuk ishte

[Figura në faqen 96]

Si edhe në rastin e dokumentacionit fosil, sot ka njerëz me përmasa dhe strukturë kockore të ndryshme. Por të gjithë i përkasin «llojit» njerëzor

[Figura në faqen 97]

Njerëzit kanë të gjitha shenjat se janë krijuar të ndarë dhe të dalluar nga majmunët

[Diagrami dhe figura në faqen 90]

Njeriu i Piltdaunit u pranua si një «hallkë munguese» për 40 vjet, derisa doli si një mashtrim. Pjesë të nofullës dhe dhëmbëve të një orangutangu ishin kombinuar me pjesët e një kafke njeriu

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Zonat e errëta janë fragmente të kafkës njerëzore

Të gjitha zonat e ndriçuara janë të bëra me allçi

Zonat e errëta janë fragmente të nofullës dhe dhëmbëve të orangutangut

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo