BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ce kap. 11 f. 142-151
  • Projekti i çuditshëm i gjallesave

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Projekti i çuditshëm i gjallesave
  • Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Gjëra të vogla
  • Bashkëpunim
  • «Fabrika» natyrore
  • Pjalmi—Pluhuri i jetës
    Zgjohuni!—2007
  • Përse bashkëpunimi është jetësor?
    Zgjohuni!—2005
  • Pjalmi: Kërcënim apo mrekulli?
    Zgjohuni!—2003
  • Bota mahnitëse e insekteve
    Zgjohuni!—2000
Shih më tepër
Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
ce kap. 11 f. 142-151

Kapitulli 11

Projekti i çuditshëm i gjallesave

1, 2. (a) Çfarë tregon se shkencëtarët e pranojnë nevojën e një projektuesi? (b) Megjithatë, si bien ata në kundërshtim me veten?

KUR antropologët, duke gërmuar tokën, gjejnë një gur stralli të mprehtë, nxjerrin përfundimin se duhet të jetë projektuar nga dikush që ka pasur si qëllim ta bënte majë shigjete. Këto objekte të projektuara me një qëllim, pohojnë shkencëtarët, nuk mund të jenë fryt i rastësisë.

2 Por, shpesh, kur bëhet fjalë për gjallesa nuk ndiqet e njëjta logjikë. Projektuesi nuk është më i nevojshëm. Por, organizmi më i thjeshtë njëqelizor apo edhe vetëm ADN-ja e kodit të tij gjenetik, është shumë më i ndërlikuar se një gur stralli me formë. Megjithatë, evolucionistët këmbëngulin, duke thënë se këto gjëra nuk kanë pasur një projektues, por janë formuar si rezultat i një serie ngjarjesh të rastësishme.

3. Çfarë nevoje pranoi Darvini dhe si u përpoq ta përmbushte atë?

3 Gjithsesi, Darvini e pranoi nevojën e një force projektuese dhe këtë detyrë ia veshi seleksionimit natyror. «Seleksionimi natyror,—tha ai,—çdo ditë dhe çdo orë shqyrton me hollësi, në të gjithë botën, variacionet më të parëndësishme; duke hedhur ato që janë të këqija dhe duke ruajtur e shumuar të gjitha ato që janë të mira.»1 Megjithatë, tashmë kjo pikëpamje po humb terren.

4. Çfarë ndryshimesh po ndodhin në pikëpamjet mbi seleksionimin natyror?

4 Siç raporton Stefen Goulld, tani shumë evolucionistë mbështetin faktin se «sasi thelbësore të ndryshimeve gjenetike mund të mos jenë objekt i seleksionimit natyror dhe mund të shpërndahen rastësisht brenda popullsive të ndryshme».2 Gordon Teilor është dakort dhe thotë: «Seleksionimi natyror shpjegon një pjesë të vogël të asaj që ndodh; pjesa më e madhe mbetet e pashpjeguar.»3 Gjeologu Deivid Reiap thotë: «Aktualisht, një alternativë e rëndësishme për seleksionimin natyror ka të bëjë me efektet e rastit të thjeshtë.»4 Por «rasti i thjeshtë» mos është vallë projektues? A është në gjendje ai të prodhojë strukturat e ndërlikuara të jetës?

5. Çfarë pranon një evolucionist në lidhje me projektin dhe projektuesin?

5 Evolucionisti Riçard Leiuantin pranoi se organizmat «duket sikur janë projektuar me art dhe kujdes», aq sa disa shkencëtarë i konsiderojnë ato si «prova më e madhe e ekzistencës së një Arkitekti Suprem».5 Do të jetë i dobishëm shqyrtimi i disa aspekteve të kësaj prove.

Gjëra të vogla

6. A janë me të vërtetë të thjeshtë organizmat njëqelizorë?

6 Le të fillojmë me organizmat më të vegjël të gjallë, me njëqelizorët. Sipas një biologu, kafshët njëqelizore janë në gjendje të «sigurojnë ushqimin, ta tretin, të eliminojnë mbeturinat, të lëvizin, të ndërtojnë shtëpi, të zhvillojnë një aktivitet seksual», ndonëse «pa inde, organe, zemër dhe mendje, ata kanë gjithçka që kemi edhe ne».6

7. Si dhe për ç’qëllim prodhojnë diatomat një substancë të qelqtë dhe sa të rëndësishme janë ato për jetën në det?

7 Diatomat, organizma njëqelizorë, e përdorin silicin dhe oksigjenin e ujit të detit, për të prodhuar një substancë të qelqtë me të cilën ndërtojnë «kutiza» të vogla ku mbajnë klorofilin e tyre të gjelbër. Një studiues, duke lavdëruar bukurinë dhe rëndësinë e tyre, tha: «Këto gjethe të gjelbra, të mbyllura në kuti diamanti, përbëjnë nëntë të dhjetat e ushqimit bazë të çdo gjëje që jeton në dete.» Vlera ushqyese e diatomave, në pjesën më të madhe i detyrohet vajit që prodhojnë, i cili i ndihmon që të pluskojnë pranë sipërfaqes ku klorofili i tyre mund të ngrohet nga drita e diellit.

8. Me çfarë formash të ndërlikuara e mbulojnë diatomat veten?

8 Mbulesat e tyre të mrekullueshme prej xhami, thotë po ky studiues, paraqiten me një «varietet hutues formash: rrathë, katrorë, rombe, trekëndësha, vezakë, katërkëndësha, gjithmonë të zbukuruara me shije, me gdhendje gjeometrike. Janë filigrane prej xhami të kulluar, me një finesë të tillë që, për të hyrë në hapësirat boshe, një fije floku e njeriut duhet të ndahet në katërqind pjesë për së gjati».7

9. Sa të ndërlikuara janë disa nga shtëpitë që ndërtojnë radiolarët?

9 Një grup kafshësh që banojnë nëpër oqeane, radiolarët, prodhojnë edhe ato një substancë xhami, me të cilën ndërtojnë «formacione silicore me një kurorë rrezesh, me elemente të gjata dhe të holla në formë gjembash, të tejdukshme, që rrezatohen nga një sferë qendrore prej kristali». Ose «shufra xhami formojnë gjashtëkëndësha që mbështetin kube të thjeshta gjeodezike». Në lidhje me një ndërtues të veçantë mikroskopik është thënë: «Këtij superarkitekti nuk i mjafton vetëm një kub gjeodezik; ai ka tri kube prej xhami të qëndisura si dantellë, njëri brenda tjetrit.»8 Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar këto vizatime të mrekullueshme: duhet t’i shohësh.

10, 11. (a) Çfarë janë sfungjerët dhe çfarë ndodh me çdo qelizë kur një sfungjer ndahet plotësisht? (b) Cilat pyetje mbi skeletet e sfungjerëve nuk gjejnë përgjigje nga evolucionistët, por çfarë dimë ne?

10 Sfungjerët janë të formuar nga miliona qeliza, që fare pak ndryshojnë nga njëri lloj në tjetrin. Një tekst universitar shpjegon: «Qelizat nuk janë të organizuara në inde apo organe, edhe pse midis tyre mund të ekzistojë ndonjë lloj sistemi njohjeje që i mban të bashkuara dhe të organizuara.»9 Nëse do ta shkonim një sfungjer nëpërmjet një site shumë të hollë, duke e ndarë në këtë mënyrë në milionat e qelizave të tij, këto qeliza do të riorganizoheshin dhe do ta riformonin sfungjerin. Disa lloj sfungjerësh ndërtojnë skelete prej xhami me një bukuri të madhe. Një nga më të jashtëzakonshmit është Euplektela.

11 Në lidhje me të një studiues tha: «Kur vërejmë skeletin e përbërë të një sfungjeri, si ai që formohet nga trupa silicorë me majë, i njohur me emrin Euplektela, imagjinata jonë çoroditet. Si është e mundur që qeliza mikroskopike, gati të pavarura, të kenë bashkëpunuar në sekretimin e një milion fragmenteve xhamore dhe të kenë ngritur një strukturë kaq të bukur e të përbërë? Nuk e dimë.»10 Por një gjë e dimë: nuk ka mundësi që projektuesi të jetë rastësia.

Bashkëpunim

12. Çfarë është simbioza dhe cilët janë disa shembuj?

12 Njihen shumë raste organizmash që duken sikur janë projektuar për të jetuar së bashku si çifte. Ky bashkëpunim është quajtur simbiozë (bashkëjetesë). Disa lloje fiqsh dhe disa lloje bletësh kanë nevojë për njëri-tjetrin, që të mund të riprodhohen. Termitet hanë drurin, por për ta tretur kanë nevojë për protozoarë që jetojnë në trupin e tyre. Në mënyrë të ngjashme, buaj, dhi e deve nuk do të mund të tretnin celulozën e barit pa ndihmën e baktereve dhe protozoarëve që jetojnë në to. Në një revistë shkencore lexojmë: «Pjesa e stomakut të një lope, ku kryhet kjo tretje e veçantë, ka një volum prej gati 136 litrash dhe përmban 10 miliardë mikroorganizma për çdo pikë.»11 Shoqërimi i një alge me një kërpudhë u jep jetë likeneve. Vetëm në këtë mënyrë mund të rriten mbi shkëmbinjtë e zhveshur dhe të fillojnë ta shndërrojnë në dhe.

13. Çfarë pyetjesh lindin nga bashkëpunimi midis disa milingonave dhe akacies?

13 Disa milingona të gjinisë Pseudomyrma jetojnë nëpër gjembat me zgavra të akacieve. Ato mbajnë larg pemëve insektet gjethengrënëse dhe presin e vrasin bimët zvarritëse që përpiqen të rrethojnë pemën. Si këmbim, pema sekreton një lëng të sheqerosur që u pëlqen milingonave dhe prodhon edhe fruta të rreme të vogla, të cilat milingonat i përdorin si ushqim. A filloi milingona të mbronte pemën dhe pastaj kjo e shpërbleu me frutat? Apo pema prodhoi frutat për milingonën dhe pastaj kjo e falënderoi, duke e mbrojtur? Apo të dyja gjërat ndodhën së bashku rastësisht?

14. Çfarë masash dhe mekanizmash përdorin lulet për të tërhequr insektet për pllenimin?

14 Ekzistojnë shumë shembuj të një bashkëpunimi të tillë midis insekteve dhe luleve. Insektet pllenojnë lulet dhe në këmbim lulet i ushqejnë insektet me polen dhe nektar. Disa lule prodhojnë dy lloje poleni. Njëri pllenon farat, tjetri është steril, por ushqen insektet që vizitojnë lulen. Shumë lule kanë shenja dhe aroma të veçanta që i udhëheqin insektet deri tek nektari. Rrugës, insektet pllenojnë lulen. Disa lule janë të pajisura me mekanizma shkrehës. Kur insektet prekin kapësen, mekanizmi shkrehet dhe ato goditen nga pjalmoret që përmbajnë polenin.

15. Në ç’mënyrë e siguron Aristolochia pllenimin e kryqëzuar dhe çfarë pyetjesh lind kjo?

15 Për shembull, Aristolochia nuk mund të pllenohet vetë, por ka nevojë që insektet t’i çojnë polenin prej një luleje tjetër. Lulja e kësaj bime ka një kurorë gypore të mbuluar me dyll. Insektet, të tërhequra nga aroma e lules, ulen mbi kurorën dhe lëshohen në pjesën e rrëshqitshme, duke përfunduar në shtratin e lules, në fund. Thekët e pjekur marrin polenin që u sjell insekti dhe kështu ndodh pllenimi. Por, për tri ditë të tjera, insektet mbeten në këtë grackë midis fijeve dhe faqeve të mbuluara me dyll. Në këtë kohë, poleni i lules arrin pjekurinë dhe i pluhuros insektet. Vetëm atëherë fijet varen dhe pista e rrëshqitshme përkulet derisa të hapet. Insektet dalin dhe me një rezervë të re poleni fluturojnë mbi një lule tjetër të të njëjtit lloj për ta pllenuar. Insekteve nuk u vjen keq për këtë vizitë triditëshe, pasi mund t’ia shtrojnë me nektarin që është ruajtuar aty për to. A ka ndodhur e gjithë kjo rastësisht? Apo merita i duhet dhënë një projektuesi inteligjent?

16. Çfarë bëjnë disa orkide të gjinisë Ophrys dhe Coryanthes për t’u çiftëzuar?

16 Petalet e disa orkideve të gjinisë Ophrys riprodhojnë tiparet e një grerëze femër, të pajisur me sy, antena dhe krahë. Nxjerrin madje edhe aromën e një femre që është gati për t’u çiftëzuar! Mashkulli shkon të çiftëzohet, ndërsa në fakt pllenon lulen. Një tjetër orkide, nga gjinia Coryanthes, prodhon një nektar të fermentuar që e bën bletën t’i merren këmbët; insekti rrëshqet në një kovëz të vogël me lëng dhe për të dalë është i detyruar të zvarritet nën një të dalë që e spërkat me polen.

«Fabrika» natyrore

17. Në ç’mënyrë bashkëpunojnë gjethet dhe rrënjët për të ushqyer bimët?

17 Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, gjethet e gjelbra të bimëve ushqejnë botën. Por ato nuk mund të funksionojnë pa ndihmën e rrënjëve të holla. Miliona rrënjë të vogla, secila e pajisur me një kësulë mbrojtëse të lubrifikuar me vaj, hapin rrugën në dhè. Qimet e rrënjëve të vendosura prapa kësulës vajore, thithin ujë dhe minerale, të cilat, duke kaluar kanale të vogla në urrë, shkojnë tek gjethet. Në gjethe prodhohen sheqerna dhe aminoacide e këto substanca ushqyese dërgohen në të gjithë pemën, duke përfshirë edhe rrënjët.

18. (a) Si ngjitet uji nga rrënjët tek gjethet dhe nga se duket që ky sistem është më se i përshtatshëm? (b) Çfarë është transpirimi dhe si kontribuon ky në ciklin e ujit?

18 Disa karakteristika të sistemit të qarkullimit të pemëve dhe bimëve janë kaq të çuditshme, saqë shumë shkencëtarë i konsiderojnë gati një mrekulli. Para së gjithash, në ç’mënyrë pompohet uji deri në lartësinë prej 60-90 metrash nga toka? Fillimisht ngjitet nga presioni të cilit i nënshtrohet në rrënjë, por në trung ndërhyn një mekanizëm tjetër. Molekulat e ujit ngjiten me lidhje. Falë kësaj lidhjeje, ndërsa uji avullon nga gjethet, kolonat e dobëta të ujit ngrihen si litarë që shkojnë nga rrënjët deri tek gjethet, me një shpejtësi gati 60 metra në orë. Mendohet se ky sistem do të mund ta ngrinte ujin në një pemë më të lartë se tre kilometra! Ndërsa uji i tepërt avullon prej gjetheve (proces që quhet transpirim), miliarda tonelata ujë kthehen në ajër, për të rënë poshtë përsëri në formën e shiut: një sistem i projektuar për mrekulli!

19. Çfarë shërbimi jetësor kryen bashkëpunimi midis disa rrënjëve dhe disa baktereve?

19 Por, ka akoma. Për të prodhuar aminoacidet e nevojshme, gjethet kanë nevojë të thithin nga dheu nitrate dhe nitrite. Pjesërisht, këto grumbullohen në dhè falë vetëtimave dhe disa baktereve të lira. Edhe disa përbërje azoti prodhohen në sasi të përshtatshme nga bishtajore si bizelet, tërfili, fasulet dhe bari mjekësor. Disa baktere depërtojnë në rrënjët e tyre, të cilat sigurojnë karbohidrate, ndërsa bakteret transformojnë apo fiksojnë azotin e dheut në nitrate dhe nitrite të përdorshme, duke prodhuar çdo vit rreth 225 kilogram.

20. (a) Çfarë bën fotosinteza, ku ndodh ajo dhe kush e kupton procesin? (b) Si e shikon një biolog këtë? (c) Si mund të quhen bimët e gjelbra, në ç’fusha shkëlqejnë ato dhe cilat pyetje janë me vend?

20 Ka edhe më. Gjethet e gjelbra e përdorin energjinë e diellit, dyoksidin e karbonit të ajrit dhe ujin e thithur nga rrënjët, për të prodhuar sheqerin dhe për të çliruar oksigjenin. Ky proces është quajtur fotosintezë dhe ndodh në elementet qelizore të quajtura kloroplaste, aq të vogla, sa mbi pikën në fund të kësaj fjalie do të qëndronin 400.000 prej tyre. Ky proces nuk kuptohet plotësisht nga shkencëtarët. «Fotosinteza përmban nja shtatëdhjetë reaksione të ndryshme kimike,—thotë një biolog.—Është diçka me të vërtetë e mrekullueshme.»12 Bimët e gjelbra janë përcaktuar si «fabrika» të natyrës: të bukura, të heshtura, nuk ndotin, prodhojnë oksigjen, riqarkullojnë ujin dhe i shuajnë botës urinë. A janë vallë vepër e rastit? A është i besueshëm një pohim i tillë?

21, 22. (a) Çfarë thanë dy shkencëtarë të famshëm, duke dëshmuar mbi inteligjencën në botën e natyrës? (b) Si arsyeton Bibla mbi këtë çështje?

21 Disa nga shkencëtarët më të famshëm të botës nuk përpiqen t’i besojnë. Ata shohin në botën e natyrës vulën e një inteligjence. Robert A. Millikan, fitues i çmimit Nobel në fizikë, edhe pse beson në evolucionin, tha në një kongres të shoqatës American Physical: «Ekziston një Hyjni që u jep formë qëllimeve tona . . . Një filozofi krejtësisht materialiste, sipas meje është kulmi i mosinteligjencës. Njerëzit e mençur të të gjitha epokave kanë parë gjithmonë aq shumë, sa të tregojnë të paktën një frymë plot nderim.» Në fjalimin e tij ai citoi fjalët e famshme të Albert Ajnshtajnit, i cili tha se ishte përpjekur «përulësisht të kuptonte një pjesë qoftë edhe pafundësisht të vogël të inteligjencës së shfaqur në natyrë».13

22 Kudo përreth nesh shohim dëshmitë e një projekti, me një pafundësi varietetesh dhe me ndërlikim të jashtëzakonshëm, që tregojnë ekzistencën e një inteligjence superiore. Ky përfundim thuhet gjithashtu edhe në Bibël, e cila ia jep meritën e këtij projekti një Krijuesi, «cilësitë e padukshme [të të cilit], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia, duken qartësisht që nga krijimi i botës, sepse kuptohen nga gjërat e bëra, kështu që janë të pafalshëm».—Romakëve 1:20.

23. Çfarë përfundimi të arsyeshëm shprehu psalmisti?

23 Me gjithë këto dëshmi të një projekti në forma të ndryshme të jetës, duket me të vërtetë «e pafalshme» t’ia japim meritën për gjithë këtë rastit të verbër. Sigurisht që është e arsyeshme nga ana e psalmistit që ia jep meritën një Krijuesi inteligjent, kur thotë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! I ke bërë të gjitha me dituri. Toka është plot me prodhimet e tua. Sa për këtë det kaq të madh e të gjerë, atje ndodhen gjëra që lëvizin të panumërta, të vogla dhe të mëdha.»—Psalmi 104:24, 25.

[Diçitura në faqen 151]

«Fotosinteza përmban nja shtatëdhjetë reaksione të ndryshme kimike. Është diçka me të vërtetë e mrekullueshme»

[Kutia dhe figurat në faqet 148, 149]

Projekti i çuditshëm i farave

Fara të pjekura dhe gati për t’u nisur!

Një varietet mekanizmash të zgjuar sigurojnë shpërndarjen e farave. Farat e orkides janë kaq të lehta, saqë pluskojnë në ajër si thërrmija pluhuri. Farat e lules qumështore janë të pajisura me parashuta. Farat e panjës kanë krahë dhe fërfëllojnë si fluturat. Disa bimë ujore prodhojnë fara të pajisura me pluskues me ajër që u lejojnë atyre të lundrojnë.

Disa bimë kanë bishtaja që duke u hapur përnjëherësh i hedhin farat si me katapultë. Farat e lajthive, fillimisht shtrydhen dhe pastaj flaken jashtë nga fruti, si farat e shalqinjve, me të cilat fëmijët zbaviten duke i shtypur midis gishtit të madh dhe atij tregues. Edhe stërkungulli shfrytëzon një parim hidraulik. Duke u rritur, faqet zmadhohen nga përbrenda, duke e shtypur gjithnjë e më shumë anën e lëngët qendrore; kur farat piqen, presioni është i tillë që e hedh bishtajën si tapën e një shisheje dhe farat lëshohen jashtë.

[Figurat]

Qumështorja

Panja

Stërkungulli

Fara që matin sasinë e shiut

Farat e disa bimëve njëvjeçare në shkretëtirë refuzojnë të mbijnë, derisa të mos bjerë të paktën 12 milimetra shi. Duket sikur dinë edhe se nga vjen uji: nëse vjen nga lart mbijnë, nëse vjen nga poshtë jo. Në dhè ka kripëra që nuk i lejojnë farat të mbijnë. Për të tretur këto kripëra duhet shi. Uji që vjen nga poshtë nuk mund t’i shkrijë.

Nëse këto bimë njëvjeçare të shkretëtirës do të fillonin të rriteshin pas një shiu të imët, atëherë do të vdisnin. Për të mbrojtur bimët nga periudha të gjata thatësire, duhet një shi i fortë që ta lagë mjaftueshëm dheun. Kështu që ato presin derisa ky të vijë. Rastësi apo projektim?

Një gjigant brenda një pakoje të vogël

Një prej farave më të vogla mban brenda organizmin e gjallë më të madh mbi tokë: sekuonë gjigante. Ajo është më shumë se 90 metra e lartë. Pak më shumë se një metër nga toka ajo mund të ketë një diametër prej 11 metrash. Vetëm një trung i kësaj peme mund të sigurojë dru të mjaftueshëm për të ndërtuar 50 shtëpi me gjashtë dhoma secila. Lëkura e saj, e trashë rreth gjashtëdhjetë centimetra, përmban tanin, një përbërje që mban larg insektet dhe struktura e saj si sfungjer dhe fibroze e bën të durueshme ndaj zjarrit, gati si edhe amianti. Rrënjët e saj shtrihen për më tepër se një hektar. Ajo jeton më se 3.000 vjet.

E megjithatë, farat që sekuoja i lëshon me miliona, nuk janë më të mëdha se koka e një gjilpëre, e rrethuar me pendë të vogla. Një njeri, duke qëndruar në këmbë në rrëzë të sekuosë, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të admirojë në qetësi madhështinë e saj hijerëndë. A ka kuptim të besojmë se ky gjigant madhështor dhe fara e vogël që e mban brenda të mos jenë projektuar nga dikush?

[Kutia dhe figurat në faqen 150]

Muzikantë virtuozë

Zogu përqeshës është i famshëm si imitues. Një i tillë imitoi 55 zogj të tjerë brenda një ore. Por ajo që të magjeps janë cicërimat melodike që ky zog i krijon spontanisht dhe që patjetër i tejkalojnë ato pak nota të thjeshta që shërbejnë për të deklaruar të drejtat e veta territoriale. A janë vallë ato për kënaqësinë e tyre dhe tonën?

Disa cinxaminj këngëtarë të Amerikës Jugore janë po kaq të habitshëm. Çiftet e tyre, si edhe zogj të tjerë tropikalë, këndojnë duete. Në lidhje me ekzekutimet e tyre të shkëlqyeshme muzikore, një enciklopedi vëren: «Femra dhe mashkulli mund të këndojnë të njëjtat melodi së bashku, melodi të ndryshme apo pjesë të ndryshme të së njëjtës melodi në mënyrë të alternuar; mund të jenë kaq të sinkronizuar, saqë e tërë melodia duket sikur këndohet nga një zog i vetëm.»a Sa të bukur janë këta dialogë delikatë muzikorë midis çifteve të cinxaminjve! A është thjesht një gjë e rastit?

[Figurat në faqen 142]

Ka dashur një projektues

Nuk ka dashur një projektues?

[Figurat në faqen 143]

Skelete qelqore të bimëve mikroskopike

Diatoma

[Figurat në faqen 144]

Skelete qelqore të kafshëve mikroskopike: radiolarët

Euplektela

[Figura në faqen 145]

Shumë lule kanë sinjale që i udhëheqin insektet tek nektari i fshehur

[Figurat në faqen 146]

Disa lule kanë faqe me dyll që zënë në grackë insektet, në mënyrë që të bëjnë pllenimin

Përse kjo orkide i ngjan një grerëze femër?

[Figura në faqen 147]

Mendohet se lidhja midis molekulave të ujit do të mund ta çonte ujin në një pemë më të lartë se tre kilometra!

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo