Kapitulli 15
Përse shumica pranon evolucionin?
1, 2. Cila është një arsye për të cilën shumë veta i besojnë evolucionit?
NGA sa kemi parë, sasia e provave në favor të krijimit është e pafund. Përse, pra, shumë veta e refuzojnë krijimin dhe pranojnë evolucionin? Një arsye është ajo që u mësohet atyre në shkollë. Tekstet shkencore mbështetin pothuajse gjithmonë opinione evolucioniste. Rrallë, për të mos thënë asnjëherë, studenti informohet mbi argumentet e kundërta. Madje, zakonisht punët rregullohen në atë mënyrë që argumentet në dëm të evolucionit të mos shfaqen fare nëpër tekstet e shkollave.
2 Duke shkruar në revistën American Laboratory, një biokimist pohoi sa vijon në lidhje me edukimin shkollor të fëmijëve të tij: «Djalit, evolucioni nuk i prezantohet si një teori. Qysh në librat shkencorë të përdorur në klasat e para (bazohem mbi ato që kam lexuar në librat e tekstit të fëmijëve të mi) bëhen pohime të mbuluara. Evolucioni paraqitet si një realitet, jo si një koncept që mund të vihet në diskutim. Në këtë mënyrë, autoriteti i sistemit edukativ imponon që të besohet kështu.» Në lidhje me mësime evolucioniste në shkollat e larta, ky biokimist thotë: «Studentit nuk i lejohet të ketë bindje personale apo t’i shprehë ato: nëse vepron kështu, bëhet objekt talljesh e kritikash nga ana e mësuesit. Shpesh, studenti rrezikon të humbasë klasën, pasi pikëpamjet e tij apo të saj nuk janë ‘të sakta’ dhe i ulet nota.»1
3. Në ç’mënyrë kushtëzohen disa për të pranuar evolucionin?
3 Idetë evolucioniste përshkojnë jo vetëm shkollat, por të gjithë mësimin shkencor dhe fusha të tjera si historia dhe filozofia. Libra, artikuj gazetash, filma dhe programe televizive flasin për të si për një fakt të sigurt. Shpesh, dëgjojmë apo lexojmë fraza të tilla: «Kur njeriu evoluoi nga kafshët më të ulëta» ose «Miliona vjet më parë, kur jeta evoluoi nga oqeanet». Në këtë mënyrë, njerëzit kushtëzohen që të pranojnë evolucionin si një fakt dhe provat e kundërta kalojnë pa u vënë re.
Pesha e autoritetit
4. Si kërkohet të ruhet pesha e autoritetit në favor të evolucionit?
4 Nëse shkencëtarë dhe docentë të famshëm pohojnë se evolucioni është një fakt dhe lënë të kuptohet se vetëm një i paaftë nuk do të mund t’i besonte, sa profanë do të guxonin t’i kundërshtonin? Kjo peshë autoriteti që kërkohet të ruhet në emër të evolucionit është një nga arsyet kryesore që ai pranohet prej një numri të madh njerëzish.
5. (a) Cili shembull tregon se si e përdorin disa shkencëtarë autoritetin e tyre? (b) Përse janë të gabuara këto pohime?
5 Një shembull tipik i pikëpamjeve që shpesh frikësojnë profanët, është kjo deklaratë e Riçard Doukins: «Teoria darviniane ka tani mbështetjen e të gjitha dëshmive përkatëse që disponohen dhe vërtetësia e saj nuk vihet në dyshim nga asnjë biolog serioz modern.»2 Por, a është me të vërtetë kështu? Aspak! Një kërkim i vogël do të zbulonte se shumë shkencëtarë, duke përfshirë edhe ‘biologë seriozë modernë’, jo vetëm që e vënë në dyshim evolucionin, por as që i besojnë fare.3 Ata mendojnë se dëshmitë në favor të krijimit janë shumë e shumë më të forta. Prandaj, pohime të tilla të pabazuara, si këto të Doukins, janë të gabuara. Por janë tipike për ata që mundohen t’i mbyllin gojën opozitës, duke iu drejtuar deklaratave të tilla. Duke e vërejtur këtë, një vëzhgues shkroi në New Scientist: «A thua Riçard Doukins ka kaq pak besim në provat që mbështetin evolucionin, sa është i detyruar të përdorë pohime të pabazuara e të përgjithshme, për të eliminuar ata që nuk pajtohen me opinionin e tij?»4
6. Përse dogmatizmi i evolucionistëve është në kundërshtim me praktikën shkencore?
6 Me të njëjtin ton, libri Një pamje e jetës, i evolucionistëve Luria, Goulld dhe Singer, pohon se «evolucioni është një fakt» dhe thotë: «Ne mund të dyshojmë edhe për faktin se toka rrotullohet përreth diellit apo se uji përbëhet nga hidrogjen dhe oksigjen.»5 Pohon, gjithashtu, se evolucioni është një fakt, ashtu si edhe ekzistenca e forcës së gravitetit. Por, ndërsa mund të tregohet eksperimentalisht se toka rrotullohet përreth diellit, se uji përbëhet nga hidrogjen dhe oksigjen dhe se forca e gravitetit ekziston, evolucioni nuk mund të tregohet eksperimentalisht. Përkundrazi, po këta evolucionistë pranojnë se «proceset dhe mekanizmat e evolucionit mbeten akoma argumente të një debati të ndezur».6 Por, a bëhen ende debate të ndezura mbi faktin se toka rrotullohet përreth diellit, se uji përbëhet nga hidrogjen dhe oksigjen apo se ekziston forca e gravitetit? Jo. Deri në ç’pikë, pra, është i arsyeshëm pohimi se evolucioni është një fakt, si edhe këto gjëra?
7. Përse shkencëtarët nuk i bazojnë gjithmonë përfundimet e tyre mbi fakte?
7 Në parathënien e origjinalit anglisht të librit të Xhon Ridërit, Hallkat që mungojnë, David Pilbim shkruan se shkencëtarët nuk i bazojnë gjithmonë përfundimet e tyre mbi fakte. Sipas Pilbim, një arsye është se edhe shkencëtarët «janë njerëz dhe çmimi i vënë në lojë është i konsiderueshëm, pasi mund të arrihen avantazhe të shkëlqyera nën formën e famës dhe të publicitetit». Libri pranon se evolucioni është një disiplinë «e sunduar nga individë ambiciozë» dhe flet për «paragjykime . . . të lidhura ngushtë me personalitetin dhe aftësinë bindëse të atij që i mbështet». Për shembull, thotë: «Kur paragjykimet . . . priten me një entuziazëm të tillë dhe përshtaten deri në atë pikë me dëshmitë, si në rastin e njeriut të Piltdaunit, atëherë shkenca zbulon një predispozicion më të madh ndaj teorisë, sesa ndaj kërkimit.» Autori shton: «[Evolucionistët] modernë, si edhe kërkuesit e parë, sigurisht që nuk janë më pak të prirur që të jepen pas të dhënave të gabuara, mjaft që të mbështetin paragjykimet e tyre . . . [përfaqësues të të dyja grupeve] nuk pranuan vlerësime objektive në favor të gjërave, të cilat nuk ‘donin’ t’i besonin.»7 Pra, pasi janë të dedikuar ndaj evolucionit dhe duke dashur të bëjnë karrierë, disa shkencëtarë nuk janë të gatshëm të pranojnë mundësinë se janë në gabim. Në vend se të pranojnë fakte që mund të japin rezultate jo të favorshme, kërkojnë të gjejnë elemente në mbështetje të ideve të tyre me paragjykime.
8. Përse e qortoi W. R. Tompson kthimin në masë ndaj teorisë së evolucionit?
8 Ky qëndrim joshkencor u vu re dhe u qortua nga W. R. Tompson në parathënien që i bëri librit Prejardhja e llojeve të Darvinit, në njëqindvjetorin e botimit të tij. Tompson tha: «Nëse argumentet nuk u qëndrojnë analizave, nuk është rasti që të japim miratimin dhe një kthim në masë mbi bazën e argumentimeve të pavlefshme duhet konsideruar i qortueshëm.» Dhe shtoi: «Faktet dhe interpretimet mbi të cilat bazohej Darvini nuk të bindin më. Kërkimet e gjera mbi trashëgiminë dhe variacionin kanë minuar pozicionin darvinian.»8
9. Çfarë tha Tompson në lidhje me përpjekjet e disa shkencëtarëve për t’i mbytur kritikat ndaj evolucionit?
9 Më tej Tompson vërejti: «Një ndikim i papëlqyeshëm dhe i zgjatur i suksesit të Prejardhja e llojeve ka qenë se biologët janë mësuar me spekulime të paverifikueshme. . . . Suksesi i darvinizmit është shoqëruar nga rënia e integritetit shkencor.» Dhe përfundoi: «Kjo gjendje, në të cilën njerëz të shkencës rreshtohen në mbrojtje të një doktrine që nuk janë në gjendje ta përcaktojnë shkencërisht e aq më pak ta demonstrojnë me rigorozitet shkencor, në përpjekje për të ruajtur kredibilitetin e saj në publik nëpërmjet shtypjes së kritikës dhe eliminimit të pengesave, është anormale dhe e padëshirueshme për shkencën.»9
10. Përse shumë shkencëtarë e pranojnë evolucionin si një «fakt»?
10 Në mënyrë të ngjashme, Antoni Ostrik, docent i antropologjisë, i ka kritikuar kolegët e tij shkencëtarë se kanë përcaktuar si «një fakt» pasardhjen e njeriut nga krijesa ngjashëm majmunëve. Ai tha se «në rastin më të mirë bëhet fjalë vetëm për një hipotezë, e cila as që është e dokumentuar mirë». Ai bën të ditur se «nuk ka asnjë provë që njeriu të mos ketë mbetur në thelb po ai që ishte qysh nga gjurmët e para të shfaqjes së tij». Ky antropolog thotë se pjesa më e madhe e atyre që janë rreshtuar me mbështetësit e evolucionit, e kanë bërë «nga frika se mos nuk konsiderohen si studiues seriozë apo që të mos i mbajnë jashtë rretheve akademike me peshë».10 Në lidhje me këtë, edhe Hoili dhe Uikramasinge vërejnë: «Ose duhet t’u besosh koncepteve të tilla, ose të damkosin patjetër si heretik.»11 Një pasojë e kësaj është fakti se shumë shkencëtarë nuk janë treguar të gatshëm për të shqyrtuar pa paragjykime alternativën e krijimit. Në një letër për drejtorin e Hospital Practice, një lexues shkruan: «Shkenca është mburrur gjithmonë për objektivitetin e saj, por kam frikë se ne shkencëtarët po biem viktimë e po atij mentaliteti me paragjykime dhe të ngushtë, të cilin e kemi dënuar aq shumë.»12
Dështimi i fesë
11. Në ç’mënyrë dështimi i fesë i ka kontribuar pranimit të evolucionit?
11 Një arsye tjetër, për të cilën shumë e besojnë evolucionin, është se fetë e zakonshme japin rezultate të pakënaqshme si për mësimet ashtu edhe për sjelljen, përveç faktit që nuk shpjegojnë siç duhet tregimin biblik për krijimin. Njerëzit e informuar janë plotësisht të vetëdijshëm për hipokrizinë fetare, për shtypjet dhe inkuizicionet me sfond fetar. Kanë parë klerin të mbështesë diktatorë gjakatarë. E dinë se miliona njerëz të së njëjtës fe kanë vrarë njëri-tjetrin nëpër luftëra, ndërsa kleri ofronte mbështetjen e tij për të dyja palët ndërluftuese. Prandaj nuk shohin asnjë arsye për të cilën duhet të interesohen për Perëndinë që këto fe thonë se përfaqësojnë. Në këtë largim kanë kontribuar edhe disa doktrina absurde dhe në kundërshtim me Biblën. Koncepte si ai i mundimit të përhershëm, sipas të cilit Perëndia i torturon në përjetësi disa krijesa të tij, në një ferr të vërtetë të zjarrtë, u sjellin neveri njerëzve të arsyeshëm.
12. Nga duket në fakt dështimi i feve të kësaj bote?
12 Sidoqoftë, mësime dhe sjellje të tilla fetare nuk u sjellin neveri vetëm njerëzve të arsyeshëm, por siç tregon Bibla, ato i sjellin neveri edhe Perëndisë. Në të vërtetë, Bibla e demaskon hapur hipokrizinë e disa krerëve fetarë. Për shembull, u thotë atyre: «Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.» (Mateu 23:28, Dio) Jezui i tha popullit se kleri i tyre përbëhej nga «prijës të verbër», të cilët nuk mësonin fjalën e Perëndisë, por përkundrazi «doktrina që janë urdhërime nga njerëzit». (Mateu 15:9, 14, Dio) Në mënyrë të ngjashme, Bibla i dënon ata fetarë që «publikisht deklarojnë se e njohin Perëndinë, por [që] e mohojnë atë me veprat e tyre». (Titit 1:16) Prandaj, pavarësisht se ç’pretendojnë ato, fetë që kanë inkurajuar apo lejuar hipokrizinë dhe gjakderdhjen nuk janë nga Perëndia dhe as që e përfaqësojnë atë. Janë quajtur «profetë të rremë» dhe janë krahasuar me drurë që prodhojnë «fruta të këqija».—Mateu 7:15-20; Gjoni 8:44; 13:35; 1. Gjonit 3:10-12.
13. Si është e dukshme se feja nuk jep drejtimin e duhur?
13 Përveç kësaj, shumë fe kanë ngritur duart përpara evolucionit, duke i lënë kështu besimtarët e tyre pa asnjë alternativë. Për shembull, New Catholic Encyclopedia pohon: «Evolucioni i përgjithshëm, madje edhe ai i trupit të njeriut, duket shpjegimi shkencor më i mundshëm për origjinën.»13 Në një mbledhje të Vatikanit, 12 dijetarë, përfaqësues të trupit më të lartë shkencor të Kishës Katolike, arritën në këtë përfundim: «Jemi të bindur se grumbullimi i provave na lejon përtej çdo kundërshtimi serioz që ta aplikojmë konceptin e evolucionit për njeriun dhe për primatët e tjerë.»14 Me këtë mbështetje të fesë, sa mundësi ka që besimtarë të painformuar të kundërshtojnë, madje edhe kur, siç është në këtë rast, «grumbullimi i provave» nuk mbështet evolucionin, por përkundrazi krijimin?
14. Si mbushet shpesh boshllëku i krijuar nga feja e rreme?
14 Boshllëku që krijon kjo gjë, shpesh mbushet nga agnosticizmi dhe ateizmi. Duke braktisur besimin tek Perëndia, njerëzit pranojnë si alternativë evolucionin. Sot, në disa vende, ateizmi i bazuar mbi evolucionin është pozita zyrtare e shtetit. Përgjegjësia për këtë frymë antifetare bie në radhë të parë mbi fetë e botës.
15. Cilat koncepte të tjera të gabuara fetare nuk inkurajojnë besimin në Perëndinë e në Biblën?
15 Ekzistojnë pastaj edhe disa doktrina fetare që i shtyjnë njerëzit të besojnë se Bibla përmban mësime antishkencore dhe të mos e pranojnë si rrjedhojë Perëndinë e Biblës. Për shembull, siç është thënë në një nga kapitujt e parë, disa pohojnë gabimisht se toka na qenka krijuar në gjashtë ditë të njëmendëta 24 orëshe dhe se na paska një moshë vetëm 6.000 vjeçare. Por Bibla këtë gjë nuk e mëson.
‘Ta shoh, pa ta besoj’
16. Përse e kundërshtojnë disa idenë e një Krijuesi?
16 Disa njerëz, në bazë të thënies ‘ta shoh, pa ta besoj’, me sinqeritet e kundërshtojnë idenë e një Krijuesi. Ndoshta mendojnë se diçka që nuk mund të shihet apo të matet në ndonjë mënyrë, do të thotë që nuk ekziston. Është e vërtetë se në jetën e përditshme pranojnë ekzistencën e shumë gjërave që nuk shihen, si elektriciteti, magnetizmi, valët e radios dhe forca e gravitetit. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon mendimin e tyre, pasi të gjitha këto gjëra mund të maten apo të zbulohen me ndonjë tjetër mjet fizik. Por nuk ekziston asnjë mjet fizik për të parë apo për të matur Krijuesin, Perëndinë.
17, 18. (a) Cilat dëshmi të dukshme vërtetojnë ekzistencën e një Krijuesi të padukshëm? (b) Përse nuk është logjik pretendimi për të parë Perëndinë?
17 Megjithatë, siç kemi parë në kapitujt e mëparshëm, ka arsye të vlefshme për të besuar në ekzistencën e një Krijuesi të padukshëm, pasi mund të vëzhgojmë dëshmitë e dukshme, rezultatet fizike të veprës së tij. Ato i shohim në përsosmërinë teknike dhe në ndërlikimin e strukturës së atomit, në universin e organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme, në planetin e mrekullueshëm Tokë, në mënyrën e çuditshme në të cilën janë bërë gjallesat, si edhe në trurin mahnitës të njeriut. Janë të gjitha pasoja që duhet të kenë kërkuar një shkak. Vetë materialistët e pranojnë parimin e shkakut e të pasojës në të gjitha fushat e tjera. Përse nuk u dashka të vlejë ky parim edhe për universin fizik?
18 Në këtë pikë, është shumë i qartë arsyetimi i thjeshtë që bën Bibla: «Cilësitë e tij të padukshme [të Krijuesit], fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë.» (Romakëve 1:20, Dio) Me fjalë të tjera, Bibla niset nga pasoja për të shkuar tek shkaku. Krijimi i dukshëm, «veprat» e mrekullueshme, përbëjnë një pasojë të dukshme që kërkon një shkak inteligjent. Ky shkak i padukshëm është Perëndia. Dhe si Krijues i universit, ai zotëron pa dyshim një fuqi kaq të madhe, saqë njerëzit prej mishi e gjaku nuk mund të pretendojnë që të shohin Perëndinë e të vazhdojnë të jetojnë. Siç thotë Bibla, ‘asnjë njeri nuk mund ta shohë Perëndinë e të jetojë’.—Të Dalët 33:20.
Një arsye tjetër edhe më e madhe për mosbesim
19. Cila është një arsye tjetër e rëndësishme për të cilën shumë veta pranojnë evolucionin?
19 Ekziston edhe një arsye tjetër e rëndësishme për të cilën shumë veta e braktisin besimin te Perëndia dhe pranojnë evolucionin. Janë vuajtjet e shumta që ekzistojnë. Në vazhdën e shekujve kanë parë mjaft padrejtësi, vrasje, kriminalitet, luftëra, sëmundje e vdekje. Shumë nuk kuptojnë se përse kanë pllakosur mbi familjen njerëzore gjithë këto vështirësi. Mendojnë se një Krijues i plotfuqishëm nuk duhej t’i kishte lejuar. Dhe pasi këto kushte ekzistojnë, ata nxjerrin përfundimin se Perëndia nuk ekziston. Në teorinë e evolucionit, pra, ata shohin alternativën e vetme të mundshme dhe shpesh e pranojnë pa bërë shumë hetime.
20. Cilat pyetje kërkojnë një përgjigje?
20 Përse, pra, atëherë i ka lejuar gjithë këto vuajtje një Krijues i plotfuqishëm? A do të jetë gjithmonë kështu? Pasi të kemi kuptuar përgjigjen e këtij problemi, do të mund të kuptojmë arsyen themelore, motivin e vërtetë, për të cilin në ditët tona teoria e evolucionit është përhapur kaq shumë.
[Diçitura në faqen 179]
Rrallë, studenti informohet mbi argumentet e kundërta
[Diçitura në faqen 180]
Mësimi evolucionist përshkon shkencën e fusha të tjera
[Diçitura në faqen 180]
Shumë docentë e shkencëtarë thonë ose lënë të kuptohet, se vetëm një i paaftë nuk do të mund t’i besonte evolucionit
[Diçitura në faqen 182]
«Shkenca [evolucioniste] zbulon një predispozicion më të madh ndaj teorisë, sesa ndaj kërkimit»
[Diçitura në faqen 182]
«Faktet dhe interpretimet mbi të cilat bazohej Darvini nuk të bindin më»
[Diçitura në faqen 183]
‘Shtypja e kritikës . . . është anormale dhe e padëshirueshme për shkencën’
[Diçitura në faqen 185]
Shpesh, boshllëku i krijuar nga gabimi fetar, çon në pranimin e evolucionit
[Diçitura në faqen 187]
Ekzistenca e vuajtjeve i shtyn shumë veta të braktisin besimin te Perëndia dhe të pranojnë evolucionin
[Figurat në faqen 181]
A bëhen ende debate të ndezura mbi faktin se toka rrotullohet përreth diellit, se uji përbëhet nga hidrogjen dhe oksigjen apo se ekziston forca e gravitetit?
Orbita
Uji
Graviteti
[Figura në faqen 184]
Mbështetja që kleri u ka dhënë palëve ndërluftuese, mungesa e tolerancës dhe doktrinat e rreme si ajo e ferrit të zjarrtë largojnë shumë veta
[Figurat në faqen 186]
Ekzistenca e një Krijuesi është e dukshme nga «veprat»