BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be f. 56-f. 61 par. 3
  • Aftësohu si mësues

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Aftësohu si mësues
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mbështetu te Jehovai
  • Ndero Jehovain
  • ‘Të dallojnë’
  • Nxiti dëgjuesit të mendojnë
  • Përpiqu të prekësh zemrën
  • Trego se si zbatohet
  • Lër shembullin e mirë
  • Përpiqu të prekësh zemrën
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Mëso me mendjehollësi dhe aftësi bindëse
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • ‘Shpëtoni veten dhe ata që ju dëgjojnë’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Mesazhi që duhet të shpallim
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be f. 56-f. 61 par. 3

Aftësohu si mësues

CILI është synimi yt si mësues? Po qe se je bërë kohët e fundit lajmëtar i Mbretërisë, pa dyshim që dëshiron të mësosh se si të drejtosh studime biblike në shtëpi, pasi Jezui u dha ithtarëve të tij caktimin për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Në rast se ke përvojë në këtë vepër, ndoshta synimi yt është që të jesh më i aftë për t’u prekur zemrën atyre që po përpiqesh të ndihmosh. Në qoftë se je prind, sigurisht që dëshiron të jesh mësues që i motivon fëmijët e tu t’ia kushtojnë jetën Perëndisë. (3 Gjon. 4) Nëse je një plak ose synon të jesh i tillë, ndoshta dëshiron të jesh një orator publik që mund të ngulitë te dëgjuesit çmueshmëri më të thellë për Jehovain dhe për udhët e tij. Si mund t’i arrish këto synime?

Mëso nga Mësuesi i Madh, Jezu Krishti. (Luka 6:40) Qoftë kur fliste me një turmë njerëzish në faqe të malit, qoftë kur fliste vetëm me disa njerëz përgjatë rrugës, ajo që thoshte Jezui dhe mënyra se si e thoshte linte mbresa të pashlyeshme. Jezui nxiste mendjen dhe zemrën e dëgjuesve të tij dhe bënte zbatime praktike që mund t’i kuptonin. A mund të bësh edhe ti kështu?

Mbështetu te Jehovai

Në aftësinë e Jezuit për të mësuar të tjerët ndikonte shumë marrëdhënia e ngushtë që kishte me Atin e tij qiellor, si edhe bekimi i frymës së Perëndisë. A i lutesh me ngulm Jehovait që të kesh mundësi të drejtosh me efektshmëri një studim biblik në shtëpi? Nëse je prind, a lutesh rregullisht që të kesh udhëheqjen hyjnore për të mësuar fëmijët e tu? A lutesh me gjithë zemër kur përgatitesh të mbash fjalime ose të drejtosh mbledhje? Kjo mbështetje te Jehovai nëpërmjet lutjes do të të ndihmojë të bëhesh mësues më i efektshëm.

Tregojmë se varemi nga Jehovai edhe duke u mbështetur te Fjala e tij, Bibla. Mbrëmjen e fundit të jetës së tij si njeri i përsosur, Jezui i tha Atit të tij në lutje: «U kam dhënë atyre fjalën tënde.» (Gjoni 17:14) Ndonëse kishte përvojë të madhe, Jezui nuk foli kurrë nga vetja e tij. Tha gjithnjë atë që i mësoi Ati i tij, duke lënë kështu një shembull për ne. (Gjoni 12:49, 50) Fjala e Perëndisë, e ruajtur në Bibël, ka fuqi të ndikojë te njerëzit​—te veprimet, te mendimet më të thella dhe te ndjenjat e tyre. (Hebr. 4:12) Duke marrë më shumë njohuri për Fjalën e Perëndisë dhe duke mësuar ta përdorësh mirë në shërbim, do të zhvillosh atë aftësi të mësimdhënies që i tërheq njerëzit drejt Perëndisë.​—2 Tim. 3:16, 17.

Ndero Jehovain

Të jesh mësues siç ishte Krishti nuk do të thotë vetëm të jesh në gjendje të mbash fjalime interesante. Vërtet, njerëzit mrekulloheshin nga «fjalët plot hir» të Jezuit. (Luka 4:22) Por, ç’qëllim kishte Jezui që fliste mirë? Ai e bënte këtë për të nderuar Jehovain, jo për ta tërhequr vëmendjen te vetja. (Gjoni 7:16-18) Ai i nxiti ithtarët e tij: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mat. 5:16) Kjo këshillë duhet të ndikojë në mënyrën se si i mësojmë të tjerët. Synimi ynë duhet të jetë të shmangim çdo gjë që mund të na largojë nga ajo që duam të arrijmë. Prandaj, kur mendojmë çfarë do të themi ose si do ta themi, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A do ta thellojë kjo çmueshmërinë për Jehovain apo do ta tërheqë vëmendjen drejt meje?’

Për shembull, ilustrimet dhe shembujt nga jeta reale mund të përdoren me efektshmëri për t’i mësuar të tjerët. Megjithatë, kur bën ndonjë ilustrim të gjatë ose kur e tregon një përvojë me tepër hollësi, mund të humbasë pika kryesore. Po ashtu, të tregojmë histori vetëm sa për zbavitje na largon nga qëllimi i shërbimit tonë. Në të vërtetë, mësuesi po e tërheq vëmendjen drejt vetes, në vend që të arrijë qëllimin e vërtetë të arsimimit teokratik.

‘Të dallojnë’

Që të bëhet me të vërtetë dishepull, një njeri duhet ta kuptojë qartë atë që po mëson. Duhet ta dëgjojë të vërtetën dhe të kuptojë se si ndryshon ajo nga bindjet e tjera. Diçka që mund të ndihmojë është përdorimi i kontrasteve.

Herë pas here Jehovai e nxiti popullin e tij të ‘dallonte’ atë që ishte e pastër nga ajo që ishte e papastër. (Lev. 10:9-11) Ai tha se ata që do të shërbenin në tempullin e tij të madh frymor do t’i mësonin njerëzit ‘të bënin dallimin ndërmjet një gjëje të shenjtë dhe një gjëje profane’. (Ezek. 44:23) Libri i Proverbave është plot me kontraste ndërmjet drejtësisë e ligësisë, ndërmjet mençurisë e marrëzisë. Edhe gjërat që nuk janë të kundërta mund të dallohen nga njëra-tjetra. Apostulli Pavël përdori kontrastin ndërmjet një njeriu të drejtë dhe një njeriu të mirë, siç tregohet te Romakëve 5:7. Në librin e Hebrenjve, ai tregoi epërsinë e shërbimit të Krishtit si kryeprift mbi atë të Aaronit. Në të vërtetë, siç shkroi pedagogu i shekullit të 17-të Jan Amos Komenski: «Të mësosh nuk do të thotë asgjë më tepër sesa të tregosh se si ndryshojnë gjërat nga njëra-tjetra në qëllim, formë dhe origjinë. . . . Prandaj ai që e shpjegon mirë ndryshimin ndërmjet gjërave, mëson mirë.»

Merr, për shembull, rastin kur po i mëson dikujt për Mbretërinë e Perëndisë. Në qoftë se ai nuk e kupton çfarë është Mbretëria, mund t’i tregosh se si ndryshon ajo që thotë Bibla nga ideja që Mbretëria e Perëndisë është një gjendje në zemrën e njeriut. Ose mund t’i tregosh se si ndryshon Mbretëria nga qeveritë njerëzore. Por, kur ke të bësh me njerëz që i njohin këto të vërteta themelore, mund të hysh më në hollësi. Këtyre mund t’u tregosh se si ndryshon Mbretëria mesianike nga sovraniteti universal i Jehovait që përshkruhet në Psalmin 103:19 ose nga ‘mbretëria e Birit të dashurisë së Perëndisë’ që përmendet te Kolosianëve 1:13, ose nga ‘administrimi’ për të cilin flitet tek Efesianëve 1:10. Përdorimi i kontrasteve mund ta ndihmojë auditorin që ta ketë plotësisht të qartë këtë mësim të rëndësishëm të Biblës.

Jezui e përdori vazhdimisht këtë metodë të mësuari. Ai tregoi dallimin ndërmjet kuptueshmërisë së përgjithshme të njerëzve për Ligjin e Moisiut dhe domethënies së vërtetë të Ligjit. (Mat. 5:21-48) Tregoi dallimin ndërmjet përkushtimit të vërtetë hyjnor dhe veprave hipokrite të farisenjve. (Mat. 6:1-18) Tregoi edhe ndryshimin ndërmjet frymës së atyre që ‘silleshin si padronë’ ndaj të tjerëve dhe frymës vetsakrifikuese që duhej të shfaqnin ithtarët e tij. (Mat. 20:25-28) Në një rast tjetër që tregohet te Mateu 21:28-32, Jezui i ftoi dëgjuesit e tij ta bënin vetë dallimin midis atyre që hiqeshin si të drejtë dhe atyre që pendoheshin vërtet. Kjo na çon në një tipar tjetër të rëndësishëm të mësimdhënies së mirë.

Nxiti dëgjuesit të mendojnë

Te Mateu 21:28 lexojmë që Jezui e filloi krahasimin duke pyetur: «Ç’mendoni?» Mësuesi i aftë nuk mjaftohet vetëm duke treguar fakte ose duke dhënë përgjigje. Përkundrazi, ai i nxit dëgjuesit të vënë në punë aftësinë për të menduar. (Prov. 3:21; Rom. 12:1) Pjesërisht kjo bëhet me anë të pyetjeve. Siç tregohet te Mateu 17:25, Jezui pyeti: «Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Prej bijve të tyre apo prej të huajve?» Pyetjet e Jezuit që nxitnin të menduarit e ndihmuan Pjetrin të arrinte vetë në përfundimin e duhur për pagimin e taksës së tempullit. Në mënyrë të ngjashme, kur iu përgjigj njeriut që e pyeti «Kush është në të vërtetë i afërmi im?», Jezui bëri dallimin ndërmjet veprimeve të një prifti e të një leviti me ato të samaritanit. Pastaj, bëri këtë pyetje: «Cili prej këtyre të treve të duket se u bë i afërm i njeriut që ra mes kusarëve?» (Luka 10:29-36) Edhe këtu, nuk ishte Jezui që mendoi në vend të dëgjuesit, por e ftoi t’i përgjigjej pyetjes që vetë i kishte bërë.​—Luka 7:41-43.

Përpiqu të prekësh zemrën

Mësuesit që e kapin kuptimin e Fjalës së Perëndisë janë të vetëdijshëm që adhurimi i vërtetë nuk do të thotë vetëm të mësosh përmendësh disa fakte dhe t’u përmbahesh disa rregullave. Ai ndërtohet mbi marrëdhënien e mirë me Jehovain dhe mbi çmueshmërinë për rrugët e tij. Ky adhurim përfshin zemrën. (Ligj. 10:12, 13; Luka 10:25-27) Në Shkrime, termi ‘zemër’ shpesh bën fjalë për personin e brendshëm në tërësinë e tij, duke përfshirë gjëra të tilla, si: dëshirat, përzemërsitë, ndjenjat dhe motivet.

Jezui e dinte se njerëzit shohin pamjen e jashtme, kurse Perëndia sheh zemrën. (1 Sam. 16:7) Shërbimi që i bëjmë Perëndisë duhet të motivohet nga dashuria për të, jo nga përpjekjet për t’u bërë përshtypje të tjerëve. (Mat. 6:5-8) Nga ana tjetër, farisenjtë bënin shumë gjëra sa për t’u dukur. I jepnin shumë rëndësi zbatimit të hollësive të Ligjit dhe përputhjes me rregullat që ata vetë i kishin nxjerrë. Por nuk shfaqnin në jetën e tyre cilësitë që do t’i identifikonin si shërbëtorë të Perëndisë të cilin pohonin se adhuronin. (Mat. 9:13; Luka 11:42) Jezui mësoi se, ndonëse bindja ndaj kërkesave të Perëndisë është e rëndësishme, vlera e kësaj bindjeje përcaktohet nga ajo që kemi në zemër. (Mat. 15:7-9; Mar. 7:20-23; Gjoni 3:36) Mësimi ynë do të ketë më shumë efekt po të imitojmë shembullin e Jezuit. Vërtet që është e rëndësishme t’i ndihmojmë njerëzit që të mësojnë se çfarë kërkon Perëndia prej tyre. Por është e rëndësishme edhe që ata ta njohin dhe ta duan Jehovain si person, me qëllim që sjellja e tyre të tregojë se sa e vlerësojnë pasjen e një marrëdhënieje të miratuar me Perëndinë e vërtetë.

Natyrisht, që të nxjerrin dobi nga ky mësim, njerëzit duhet të pranojnë ndershmërisht se çfarë kanë në zemër. Jezui i nxiti njerëzit që të analizonin motivet dhe të shqyrtonin ndjenjat e tyre. Kur ndreqte ndonjë pikëpamje të gabuar, ai i pyeste dëgjuesit përse mendonin, flitnin ose vepronin në atë mënyrë të caktuar. Megjithatë, që të mos e linte me kaq, Jezui e pasonte pyetjen me një pohim, ilustrim ose veprim që i nxiste ata të kishin pikëpamjen e duhur. (Mar. 2:8; 4:40; 8:17; Luka 6:41, 46) Kështu, edhe ne mund t’i ndihmojmë dëgjuesit tanë duke u sugjeruar t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: ‘Pse më tërheq kjo mënyrë të vepruari? Pse veproj kështu kur jam në këtë rrethanë?’ Pastaj motivojini që t’i shohin gjërat nga këndvështrimi i Jehovait.

Trego se si zbatohet

Mësuesi i mirë e di se «mençuria është gjëja parësore». (Prov. 4:7) Mençuria është aftësia që ta zbatojmë siç duhet njohurinë për të zgjidhur problemet, për të shmangur rreziqet, për të arritur synimet dhe për të ndihmuar të tjerët. Mësuesi ka përgjegjësinë që t’i ndihmojë studentët ta bëjnë këtë, por nuk duhet të marrë vendime në vend të tyre. Kur trajton parime të ndryshme biblike, ndihmoje studentin që të arsyetojë. Mund të përmendësh një rrethanë nga jeta e përditshme dhe pastaj ta pyesësh studentin se si mund ta ndihmonte parimi biblik që sapo keni studiuar, po të gjendej në një rrethanë të tillë.​—Hebr. 5:14.

Fjalimi i apostullit Pjetër në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. është një shembull për sa i përket zbatimit praktik që ndikon në jetën e njerëzve. (Vep. 2:14-36) Pasi trajtoi tri pjesë nga Shkrimet që turma pohonte se i besonte, Pjetri i përdori ato pjesë duke u përqendruar te ngjarjet që ata kishin parë me sytë e tyre. Si pasojë, turma ndjeu nevojën për të vepruar në përputhje me atë që kishin dëgjuar. A ka mësimdhënia jote ndikim të ngjashëm te njerëzit? A mjaftohesh vetëm duke treguar faktet apo i ndihmon njerëzit të kuptojnë psenë e gjërave? A i nxit të shqyrtojnë se si duhet të ndikojnë në jetën e tyre gjërat që po mësojnë? Ndoshta nuk do të thonë «Çfarë të bëjmë?», siç bëri turma në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, por në qoftë se ti i ke përdorur siç duhet shkrimet, do të nxiten të mendojnë për të vepruar në përputhje me to.​—Vep. 2:37.

Kur lexoni Biblën me fëmijët, ju prindër keni mundësi të mirë t’i ndihmoni që të mendojnë se si zbatohen praktikisht parimet biblike. (Efes. 6:4) Për shembull, mund të zgjidhni disa vargje nga leximi i Biblës që është programuar për javën, të flitni rreth domethënies së tyre dhe pastaj të bëni pyetje si këto: ‘Në ç’mënyrë kjo është udhëheqje për ne? Si mund t’i përdorim këto vargje në shërbim? Çfarë na zbulojnë për Jehovain dhe për mënyrën e tij të të vepruarit dhe si na bën kjo që të kemi më shumë çmueshmëri për të?’ Nxiti pjesëtarët e familjes të komentojnë rreth këtyre gjërave gjatë trajtimit të pikave kryesore të Biblës në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ka të ngjarë që vargjet për të cilat komentojnë të jenë ato që do të mbajnë mend.

Lër shembullin e mirë

Nuk i mësojmë të tjerët vetëm me atë që themi, por edhe me atë që bëjmë. Me veprimet tona japim një shembull praktik se si zbatohen gjërat që themi. Është kjo mënyra se si mësojnë fëmijët. Kur imitojnë prindërit, ata tregojnë se duan të jenë si prindërit e tyre. Duan të dinë se çfarë ndjenjash provohen kur veprohet si veprojnë prindërit. Ngjashëm, kur ata që ti mëson ‘bëhen imituesit e tu, ashtu si ti je i Krishtit’, fillojnë të përjetojnë bekimet që vijnë kur ecën në rrugët e Jehovait. (1 Kor. 11:1) E provojnë vetë dorën e Perëndisë në jetën e tyre.

Kjo na bën të mendojmë mirë sa e rëndësishme është të lëmë shembullin e duhur. Për njerëzit që mësojmë, ‘lloji i personave që jemi në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor’ do të jetë shfaqje konkrete e mënyrës se si zbatohen parimet biblike. (2 Pjet. 3:11) Në rast se e nxit studentin e Biblës që ta lexojë Fjalën e Perëndisë rregullisht, ji i zellshëm për ta lexuar vetë rregullisht. Në qoftë se dëshiron që fëmijët të mësojnë t’u përmbahen parimeve biblike, sigurohu që ata të kuptojnë se veprimet e tua janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Nëse e udhëzon kongregacionin që të jetë i zellshëm në shërbim, kujdesu që ti vetë të marrësh pjesë plotësisht në këtë vepër. Kur e zbaton atë që u mëson të tjerëve, ke më shumë mundësi për t’i motivuar ata.​—Rom. 2:21-23.

Me synimin për të përmirësuar mësimdhënien tënde, pyet veten: ‘Kur mësoj të tjerët, a e bëj këtë në mënyrë që të ndikojë në qëndrimet, fjalët dhe veprimet e tyre? Për t’i bërë gjërat të qarta, a e veçoj një ide ose një mënyrë të vepruari nga një tjetër? Çfarë bëj për t’i ndihmuar studentët, fëmijët e mi ose auditorin në mbledhje që ta kujtojnë atë që u them? A u tregoj qartë dëgjuesve të mi se si ta zbatojnë atë që po mësojnë? A mund ta shohin atë në shembullin që lë unë? A e kuptojnë se si mund të ndikojë në marrëdhënien e tyre me Jehovain reagimi që kanë ndaj asaj që po trajtohet?’ (Prov. 9:10) Vazhdo t’u kushtosh vëmendje këtyre gjërave ndërsa përpiqesh të aftësohesh si mësues. «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»​—1 Tim. 4:16.

QË TË JESH I EFEKTSHËM KUR MËSON TË TJERËT

  • Mbështetu te Jehovai, jo te aftësia jote

  • Vlerëso fuqinë e Fjalës së Perëndisë dhe përdore mirë

  • Vendos si synim të nderosh Jehovain, jo të tërheqësh vëmendjen te vetja

  • Përdor kontrastet për t’i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë qartë

  • Nxiti dëgjuesit të mendojnë

  • Nxiti të tjerët që të shqyrtojnë motivet dhe ndjenjat e tyre

  • Nxiti dëgjuesit të shqyrtojnë se si duhet të ndikojë në jetën e tyre njohuria biblike

  • Ji shembull i denjë për t’u imituar

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo