MËSIMI 6
Theksi i duhur logjik
KUR flet ose kur lexon me zë, është e rëndësishme që jo vetëm t’i thuash saktë fjalët, por edhe të theksosh ato fjalë kyçe e shprehje që përmbajnë mendime, me qëllim që idetë të përcillen qartë.
Theksi i duhur logjik përfshin më tepër sesa t’u japësh më shumë emfazë disa ose shumë fjalëve. Duhen theksuar fjalët e duhura. Nëse theksohen fjalët e gabuara, kuptimi i asaj që thua mund të jetë i paqartë për auditorin, i cili, si pasojë mund të fillojë të mendojë për gjëra të tjera. Edhe pse materiali mund të jetë i mirë, një fjalim ku çalon theksi logjik do të jetë më pak i efektshëm për të motivuar auditorin.
Theksimi mund të arrihet në mënyra të ndryshme, të cilat shpesh përdoren të ndërthurura me njëra-tjetrën: me anë të volumit më të lartë, me më shumë forcë në ndjenjë, duke folur ngadalë dhe qartë, duke bërë një pauzë para ose pas një pohimi (ose të dyja) dhe me anë të gjesteve e shprehjeve të fytyrës. Në disa gjuhë theksimi mund të arrihet edhe duke ulur ose ngritur zërin. Merr parasysh materialin dhe rrethanat për të përcaktuar se çfarë do të ishte më e përshtatshme.
Kur vendos çfarë të theksosh shqyrto sa vijon: (1) Në çdo fjali, fjalët që duhen theksuar përcaktohen jo vetëm nga pjesa tjetër e fjalisë, por edhe nga konteksti. (2) Theksi logjik mund të përdoret për të theksuar se po fillon një mendim të ri, qoftë kjo një pikë kryesore, qoftë një ndryshim në arsyetim. Gjithashtu, ky lloj theksi mund të tërheqë vëmendjen te përfundimi i një arsyetimi. (3) Një orator mund ta përdorë theksin logjik për të treguar se si ndihet ai për një çështje të caktuar. (4) Theksi i duhur logjik mund të përdoret edhe për të nxjerrë në pah pikat kryesore të një fjalimi.
Që ta përdorë theksin logjik në këto mënyra, oratori ose lexuesi publik duhet ta kuptojë qartë materialin dhe të ketë një dëshirë të fortë që auditori ta përvetësojë atë. Lidhur me udhëzimet e dhëna në ditët e Ezdrës, te Nehemia 8:8 thuhet: «Ata vazhdonin të lexonin me zë nga libri, nga ligji i Perëndisë së vërtetë, duke e shtjelluar dhe duke i dhënë domethënie. Ata vazhduan të jepnin kuptueshmëri në lexim.» Është e dukshme se ata që po e lexonin dhe e shpjegonin Ligjin e Perëndisë në atë rast, e kuptonin se sa e rëndësishme ishte t’i ndihmonin dëgjuesit që të kapnin kuptimin e asaj që ishte lexuar, ta mbanin mend dhe ta zbatonin.
Çfarë mund të përbëjë një problem? Shumica e njerëzve janë në gjendje ta bëjnë të qartë atë që duan të thonë në bisedat e jetës së përditshme. Ndërsa kur lexojnë materiale që janë shkruar nga dikush tjetër, mund ta kenë të vështirë të përcaktojnë se cilat fjalë ose shprehje të theksojnë. Çelësi është që të kuptohet qartë materiali. Kjo gjë kërkon të studiohet me kujdes çfarë është shkruar. Prandaj, nëse të thuhet të lexosh ndonjë material në një mbledhje kongregacioni, duhet të përgatitesh mirë.
Disa njerëz përdorin atë që mund të quhet «theks periodik» në vend të theksit logjik. Theksojnë fjalë në intervale pothuajse të përcaktuara, pavarësisht nëse ka kuptim apo jo një gjë e tillë. Të tjerë theksojnë disa fjalë shërbyese në fjali, ndoshta duke theksuar në mënyrë të tepruar parafjalët dhe lidhëzat. Kur theksimi nuk ndihmon për ta qartësuar mendimin, ai kthehet fare lehtë në një huq që i shpërqendron të tjerët.
Duke u përpjekur të përdorin theksin logjik, disa oratorë e përdorin volumin e lartë në një mënyrë që e bën auditorin të ndihet sikur po e qortojnë. Natyrisht, një gjë e tillë rrallëherë jep frytet më të mira. Në rast se theksi logjik nuk është i natyrshëm, mund të jepet përshtypja sikur oratori po i flet auditorit nga një pozitë më e lartë. Është shumë më mirë që thjesht t’i bësh thirrje atij në bazë të dashurisë dhe ta ndihmosh të shohë se ajo që po thuhet është edhe biblike, edhe e arsyeshme.
Si të përmirësohesh? Shpesh një njeri që ka problem me theksin logjik nuk është i vetëdijshëm për këtë. Mund të nevojitet që dikush tjetër t’ia vërë në dukje. Nëse ke nevojë të përmirësosh në këtë fushë, mbikëqyrësi i shkollës do të të ndihmojë. Gjithashtu, ndihu i lirë të kërkosh ndihmë nga kushdo tjetër që është orator i mirë. Kërkoji të të dëgjojë me kujdes kur lexon e kur flet dhe pastaj të të japë sugjerime për të përmirësuar.
Si fillim, këshilluesi yt mund të të sugjerojë të përdorësh një artikull të Kullës së Rojës për t’u ushtruar. Pa dyshim, ai do të të thotë t’i analizosh fjalitë një nga një, me qëllim që të përcaktosh se cilat fjalë ose shprehje duhen theksuar për ta bërë të lehtë domethënien e materialit. Ai mund të të kujtojë t’u kushtosh vëmendje të veçantë disa fjalëve që janë me shkrim të pjerrët. Mbaj parasysh që fjalët në një fjali bashkëveprojnë me njëra-tjetrën. Shpesh, duhet theksuar një grup fjalësh dhe jo një fjalë e vetme. Në disa gjuhë, studentët mund të nxiten që t’u kushtojnë më shumë vëmendje shenjave që tregojnë se ku duhet vënë theksi.
Ndërsa mëson çfarë të theksosh, si një hap të dytë këshilluesi yt mund të të nxitë të shqyrtosh një kontekst më të gjerë se një fjali e vetme. Cilën ide qendrore zhvillon i gjithë paragrafi? Si duhet të ndikojë kjo ide në atë që do të theksosh në secilën fjali? Hidhi një sy titullit dhe nëntitullit me shkronja të zeza poshtë të cilave gjendet materiali yt. Si ndikojnë te ti kur zgjedh shprehjet që duhen theksuar? Të gjithë këta janë faktorë që duhen marrë parasysh. Por, kujdes të mos theksosh me forcë tepër fjalë.
Sido që të jetë pjesa që do të mbash, në një të folur spontan apo në një lexim, këshilluesi yt mund të të inkurajojë që në theksin logjik të ndikojë arsyetimi që do të bësh. Duhet të jesh i vetëdijshëm për pjesët ku mbaron një arsyetim ose ku kalohet nga një mendim i rëndësishëm te një tjetër. Auditori do ta vlerësojë nëse gjatë fjalimit i paralajmëron për këto pjesë. Kjo mund të bëhet duke theksuar fjalë të tilla, si: pikësëpari, më tej, së fundi, kështu dhe prandaj.
Këshilluesi yt do të ta drejtojë vëmendjen edhe te mendimet të cilat ti dëshiron t’i shprehësh me një ndjenjë të veçantë. Për të arritur këtë mund të theksosh fjalë të tilla, si: shumë, fare, në asnjë mënyrë, e pamendueshme, e rëndësishme dhe gjithmonë. Duke bërë kështu mund të ndikosh në ndjenjat e auditorit për atë që po thua. Për këtë do të flitet më shumë në mësimin 11, «Ngrohtësi dhe ndjenjë».
Për të përmirësuar theksin logjik, do të nxitesh edhe që të kesh të qarta në mendje pikat kryesore që dëshiron të mbahen mend nga auditori. Kjo do të trajtohet më gjerësisht për sa i përket leximit publik në mësimin 7, «Theksimi i ideve kryesore» dhe për sa i përket të folurit në mësimin 37, «Nxjerrja në pah e pikave kryesore».
Në qoftë se po përpiqesh të përmirësohesh në shërbimin në fushë, kushtoji vëmendje të veçantë mënyrës se si i lexon shkrimet. Bëje zakon të pyesësh veten: ‘Pse po e lexoj këtë shkrim?’ Për një mësues nuk është gjithmonë e mjaftueshme që thjesht të thotë fjalët siç duhet. Madje edhe leximi i tekstit me ndjenjë mund të mos mjaftojë. Nëse po i përgjigjesh një pyetjeje ose po i mëson dikujt një të vërtetë themelore, është mirë të theksosh në shkrim fjalët ose shprehjet që mbështetin atë që po trajtohet. Përndryshe, personi të cilit po i lexon mund të mos e kapë pikën ku do të dalësh.
Meqenëse theksi logjik përfshin të theksosh më shumë disa fjalë a shprehje, një orator pa përvojë mund të ketë prirjen t’i theksojë tepër ato. Përfundimi do të jetë pak a shumë si notat të cilave u bie një njeri që sapo ka filluar të mësojë një vegël muzikore. Megjithatë, nëse ai vazhdon të ushtrohet, «notat» të cilave u bie do të bëhen pjesë e një «muzike» të bukur shprehëse.
Pasi të kesh mësuar disa nga gjërat kryesore, do të jesh në gjendje të nxjerrësh dobi duke vëzhguar oratorët me përvojë. Shpejt do të kuptosh se ç’mund të arrihet duke ndërthurur me njëra-tjetrën shkallë të ndryshme theksimi. Gjithashtu, do të kuptosh vlerën e përdorimit të theksimit në mënyra të ndryshme për ta bërë të qartë domethënien e asaj që thuhet. Zhvillimi i aftësisë për të përdorur theksin logjik do ta përmirësojë shumë efektshmërinë e leximit dhe të të folurit tënd.
Mos u mjafto të mësosh për theksin logjik sa për të kaluar radhën. Që të flasësh me efektshmëri, vazhdo të punosh derisa të jesh aftësuar në përdorimin e theksit logjik dhe ta bësh këtë në mënyrë që të tingëllojë e natyrshme për të tjerët.