Studimi 13
Theksimi i kuptimit dhe modulimi
1 Theksimi i kuptimit dhe modulimi, kombinohen për ta bërë një fjalim domethënës dhe të gjallë. Pa ta, shtrembërohen mendimet dhe bie interesi. Meqenëse nga të dy, më i lehti për t’u zotëruar është zakonisht theksimi i kuptimit, së pari po i kushtojmë atij vëmendje.
2 Mbaj parasysh se çfarë duhet të kryejë theksimi i kuptimit. Ai duhet të theksojë fjalët ose mendimet, në një mënyrë të tillë që ato të transmetojnë domethënien e saktë dhe t’i tregojnë auditorit rëndësinë e tyre relative. Disa herë theksimi që nevojitet është thjesht i fortë ose i butë, por ka edhe raste kur kërkon nuanca më të holla.
3 Theksimi i fjalëve shprehëse në fjali. Dhënia e theksit është në thelb çështja se cilat fjalë janë theksuar. Ajo përfshin njohjen e atyre fjalëve që transmetojnë mendimin dhe, me anë të emfazës apo theksimit të përshtatshëm, nxjerrjen e tyre në pah në lidhje me fjalët rreth e rrotull. Nëse veç fjalëve që transmetojnë mendimin theksohen edhe të tjera, domethënia do të errësohet ose do të shtrembërohet.
4 Pjesa më e madhe e personave, në të folurin normal të përditshëm e bëjnë të qartë kuptimin e asaj që duan të thonë. Nëse nuk ke ndonjë huq të veçantë, të tillë si theksimi i parafjalëve, ky aspekt nuk duhet të paraqesë asnjë problem të vërtetë. Çdo dobësi që bie në sy në lidhje me dhënien e theksit, është zakonisht rezultat i ndonjë huqi të tillë. Nëse ky është problemi yt, puno me zell në lidhje me të. Zakonisht, të tilla zakone nuk mund të hiqen me një apo dy fjalime, kështu që këshilluesi mund të mos të të kthejë, nëse dhënia e gabuar e theksit nuk është kaq e fortë sa të shtrembërojë domethënien. Por për të folurin më me forcë dhe më të efektshëm, vazhdo të punosh derisa ta kesh zotëruar plotësisht dhënien e duhur të theksit.
5 Zakonisht, theksimit të kuptimit i duhet kushtuar më shumë vëmendje e vetëdijshme gjatë përgatitjes për leximin publik, sesa për një të folur thjesht të atypëratyshëm. Kjo është e vërtetë për leximin e shkrimeve gjatë një fjalimi, ashtu siç është e vërtetë edhe për leximin e paragrafëve gjatë studimit të Kullës së Rojës në kongregacion. Arsyeja se përse theksimit të kuptimit i duhet kushtuar më shumë vëmendje kur na duhet të lexojmë, është se materiali që lexohet zakonisht është shkruar nga dikush tjetër. Prandaj duhet ta studiojmë me kujdes, duke analizuar mendimin që përmban dhe duke përsëritur shprehjet vetë, derisa për ne të bëhen të natyrshme.
6 Si arrihet emfaza ose theksimi i kuptimit? Ka mjete të ndryshme, shpesh të përdorura të kombinuara: me anë të volumit më të lartë, me më shumë intensitet ose ndjenjë, me anë të uljes së zërit, me anë të rritjes së tonit, me anë të të shprehurit të ngadaltë dhe të matur, me anë të rritjes së ritmit, me anë të bërjes së pauzave para ose pas një pohimi (ose të dyja bashkë), me anë të gjesteve dhe shprehjeve të fytyrës.
7 Në fillim interesohu kryesisht nëse emfaza është dhënë siç duhet dhe në një shkallë të mjaftueshme, për t’i nxjerrë në pah fjalët kyçe. Pra, gjatë përgatitjes së materialit, nëse do ta lexosh, nënvizo fjalët kyçe. Nëse do të flasësh në mënyrë të atypëratyshme, qartësoji mendimet në mendjen tënde. Përdor fjalët kyçe që ndodhen në shënimet e tua dhe pastaj theksoji ato.
8 Theksimi i ideve kryesore të fjalimit. Ky është aspekti i theksimit të kuptimit, që mungon më shpesh. Në raste të tilla, në fjalim nuk ka pika kulmore. Asgjë nuk del në pah mbi të tjerat. Kur ka mbaruar fjalimi, shpesh është e pamundur të kujtosh diçka si të spikatur. Edhe nëse pikat kryesore janë përgatitur siç duhet për t’i bërë të dalin në pah, fakti që nuk u jepet emfaza e duhur në të shprehur, mund t’i dobësojë deri në atë pikë sa mund të humbasin.
9 Për ta kapërcyer këtë problem, duhet që së pari ta analizosh me kujdes materialin tënd. Cila është pika më e rëndësishme e fjalimit? Po pas saj, cila është më e rëndësishme? Nëse do të të kërkohej ta thoshe esencën e fjalimit me një apo dy fjali, çfarë do të thoshe? Kjo është një prej mënyrave më të mira për të identifikuar pikat kulminante. Pasi t’i kesh njohur ato, shënoji në shënimet apo dorëshkrimin tënd. Tani mund të ndërtosh drejt këtyre pikave si kulme. Ato janë kulmet e fjalimit tënd dhe nëse materiali është përmbledhur mirë dhe ti e mban me një shkallë të lartë emfaze, idetë kryesore do të kujtohen. Ky është qëllimi yt kur flet.
**********
10 Theksimi i thjeshtë i kuptimit i jep auditorit mundësinë për të kuptuar atë që thua, por shumëllojshmëria në theksim që ofron modulimi, mund ta bëjë për ta, diçka të këndshme për t’u dëgjuar. A e përdor mirë modulimin në shërbimin në fushë dhe në fjalimet që ke privilegjin të mbash në kongregacion?
11 Modulimi është një ndryshim i herëpashershëm i tonit, ritmit dhe fuqisë së zërit, që ka si qëllim të mbajë gjallë interesin dhe të tregojë mendimet dhe emocionet e tua progresive si orator. Që të të shërbejë më së miri, modulimi duhet të mbulojë të gjithë gamën e gjallërisë që lejon materiali i çdo fjalimi të veçantë. Në gamën më të madhe të modulimit mund të kesh, në një shkallë zbritëse, zjarr, entuziazëm dhe interes të thellë. Në gamën e mesme ka interes mesatar, ndërsa në gamën e ulët, seriozitet dhe solemnitet.
12 Në asnjë rast nuk duhet të dukesh teatral, me anë të ekstremeve në të shprehur. I foluri ynë duhet të jetë i gjallë, jo përshpirtmërisht solemn, si ai i klerit ortodoks, as histerikisht i dhunshëm, si ai i evanngjelistit, që e mban mbledhjen nën tendë. Dinjiteti dhe respekti i duhur për mesazhin e Mbretërisë, do të pengojnë çdo qëndrim të tillë jo të krishterë.
13 Shumëllojshmëria në fuqi. Ndoshta mënyra më e thjeshtë për të arritur modulimin, është ndryshimi i fuqisë së zërit tënd. Kjo është një mënyrë për ndërtimin e pikave kulmore dhe për theksimin e pikave kryesore të fjalimit tënd. Megjithatë, thjesht ngritja e volumit nuk do të bëjë gjithmonë që pikat të dalin në pah. Në disa raste, ai mund t’i bëjë ato më të spikatura, por fuqia më e madhe me të cilën shprehen ato, mund ta prishë qëllimin tënd. Ndoshta ato pika kërkojnë më shumë ngrohtësi dhe ndjenjë, sesa një ton të gjallëruar. Në këtë rast, ul volumin, por rrit intensitetin. E njëjta gjë do të ishte e vlefshme, nëse do të shprehje ankth ose frikë.
14 Edhe pse shumëllojshmëria në fuqi është thelbësore për modulimin, duhet ushtruar kujdes që të mos flitet me zë aq të ulët, sa disa të mos dëgjojnë fare. Gjithashtu, volumi nuk duhet ngritur deri në atë pikë, sa të bëhet i pakëndshëm.
15 Shumëllojshmëri në ritëm. Të paktë janë oratorët fillestarë që e ndryshojnë ritmin në podium. Ne e bëjmë vazhdimisht këtë gjë në të folurin tonë të përditshëm, sepse fjalët na rrjedhin spontanisht, ashtu siç i mendojmë apo siç na nevojiten. Por oratori i ri në podium, zakonisht nuk ia lejon vetes një gjë të tillë. Ai i përgatit fjalët dhe fjalitë e tij me një kujdes të tepërt, kështu që të gjitha fjalët i dalin me të njëjtën shpejtësi. Duke folur i bazuar në një skemë, ndihmohet për ta korrigjuar këtë dobësi.
16 Gjatë fjalimit, normalisht duhet të mbash një ritëm të matur. Pikat më pak të rëndësishme, tregimi, pjesa më e madhe e ilustrimeve dhe kështu me radhë, do të të lejojnë të nxitosh. Argumentet më me peshë, pikat kulminante dhe ato kryesore, zakonisht kërkojnë një të shprehur më të ngadaltë. Në disa raste, për emfaza veçanërisht të forta, mund të përdorësh theksimin e ngadaltë e të matur. Madje mundet edhe që të ndalesh plotësisht, me një pauzë, e cila është një ndryshim total i ritmit.
17 Pak fjalë, për të pasur kujdes. Mos fol asnjëherë aq shpejt, sa të vuajë diksioni. Një ushtrim i shkëlqyer për ta provuar vetëm, është përpjekja për të lexuar me zë të lartë aq shpejt sa mundesh, pa t’u marrë goja. Përsërite disa herë të njëjtin paragraf, duke e rritur vazhdimisht ritmin, pa e vështirësuar ose pa e mbytur nyjëtimin tënd. Pastaj përpiqu ta lexosh sa më ngadalë që të jetë e mundur, du-ke zgja-tur za-no-ret në vend se të cungosh fjalët. Pastaj shpejtoje dhe ngadalësoje me alternim dhe me spazmë, derisa zëri yt të bëhet elastik dhe të bëjë atë që do ti. Tani, kur të flasësh, ndryshimet në ritëm do të vijnë automatikisht, sipas kuptimit të asaj që po thua.
18 Shumëllojshmëri në ton. Ndryshimi i tonit është ndoshta mjeti më i vështirë i modulimit, domethënë në shkallë absolute. Sigurisht, ne i theksojmë vazhdimisht fjalët me anë të ngritjes së lehtë të tonit, të shoqëruar zakonisht nga një rritje e lehtë e fuqisë së zërit. Kështu ne, si të thuash, godasim fjalën.
19 Por nëse do të nxjerrësh dobinë maksimale nga ky aspekt i modulimit, nga ty kërkohet më shumë ndryshim në ton. Përpiqu të lexosh me zë të lartë Zanafillën 18:3-8 dhe 19:6-9. Vëre shumëllojshmërinë e madhe si në ritëm, ashtu dhe në ton, që kërkohet në këto vargje. Zjarri dhe entuziazmi shprehen gjithmonë me një ton më të lartë sesa keqardhja apo ankthi. Kur në materialin tënd shfaqen këto emocione, shprehi në përputhje me to.
20 Njëra prej shkaqeve kryesore të dobësisë në këtë aspekt të të folurit, është mungesa e një game të mjaftueshme në zë. Nëse ky është problemi yt, puno me të. Provo një ushtrim të ngjashëm me atë të sugjeruar më parë në këtë studim. Por në këtë rast, puno me ngritjen dhe uljen e tonit, në vend se me ndryshimin e ritmit.
21 Modulimi në përputhje me mendimin apo emocionin. Nga trajtimi që i kemi bërë deri tani kësaj cilësie, është bërë fare e qartë se ndryshimet e zërit nuk mund të bëhen thjesht për të arritur shumëllojshmërinë. Mënyrat e të shprehurit duhet të jenë në përputhje me gjendjen emocionale që përmban ajo që thua. Pra, ku fillon modulimi? Është e qartë se fillon bashkë me materialin që ke përgatitur për të mbajtur. Nëse s’ke gjë tjetër veç argumentimit apo nxitjes në fjalimin tënd, do të kesh pak shumëllojshmëri në të shprehur. Prandaj, pasi ta kesh mbaruar skemën, analizoje dhe sigurohu se i ke të gjitha pjesët përbërëse për një prezantim, si të gjallë, ashtu dhe kuptimplotë.
22 Por hera-herës, kur ndodhesh në mes të fjalimit, ti ndien nevojën e ndryshimit të ritmit. E ndien se fjalimi yt po hiqet zvarrë. Ç’mund të bësh? Edhe këtu, përparësinë e ka mënyra e atypëratyshme e të shprehurit. Ndërsa vazhdon, mund të ndryshosh natyrën e materialit tënd. Si? Një mënyrë është të ndalësh së foluri dhe të fillosh të lexosh një shkrim nga Bibla. Ose mund ta kthesh ndonjë pohim në pyetje, me një pauzë për emfazë. Ndoshta mund të fusësh një ilustrim, duke ia përshtatur një argumenti të skemës tënde.
23 Këto teknika të përdorura gjatë fjalimit, sigurisht që janë për oratorët me përvojë. Por të njëjtat ide mund t’i përdorësh, gjatë përgatitjes paraprake të materialit, për caktimin që të është dhënë.
24 Thuhet se modulimi është erëza në një fjalim. Nëse përdoret lloji i duhur dhe në masën e duhur, ajo do t’i japë shije të gjithë materialit tënd dhe do ta bëjë një kënaqësi për auditorin.
[Pyetjet]
1, 2. Çfarë bën theksimi i kuptimit për një fjalim?
3-7. Trego se si mund të fitohet theksimi i mirë i kuptimit.
8, 9. Përse është e rëndësishme që të theksohen idetë kryesore?
10-12. Shpjego se ç’do të thotë modulim.
13, 14. Ç’do të thotë shumëllojshmëri në fuqi?
15-17. Si e përmirëson një fjalim, shumëllojshmëria në ritëm?
18-20. Shpjego se si mund të fitohet shumëllojshmëria në ton?
21-24. Përse modulimi duhet të përputhet me mendimin ose emocionin?