BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be mësimi 23 f. 157-f. 159 par. 4
  • Nxjerrja në pah e vlerës praktike

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Nxjerrja në pah e vlerës praktike
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Material i ngjashëm
  • Material informativ, i prezantuar qartë
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
  • Informativ për auditorin
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Hyrja që ngjall interes
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Material i përshtatur për shërbimin në fushë
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be mësimi 23 f. 157-f. 159 par. 4

MËSIMI 23

Nxjerrja në pah e vlerës praktike

Çfarë duhet të bësh?

Ndihmoji ata që janë në auditor të kuptojnë se si ndikon në jetën e tyre argumenti që po trajton ose si mund ta përdorin në mënyrë dobiprurëse.

Pse ka rëndësi?

Po qe se njerëzit nuk e kuptojnë vlerën praktike të asaj që po u thua, mund të të thonë se nuk janë të interesuar ose mund ta heqin mendjen nga ti, duke u shpërqendruar.

QOFTË kur flet vetëm me një njeri, qoftë kur i flet një auditori më të madh, nuk është e mençur të mendosh se dëgjuesi do të ketë interes për argumentin tënd vetëm sepse ti ke interes për të. Mesazhi që po përcjell është i rëndësishëm, por nëse nuk e bën të qartë vlerën e tij praktike, ndoshta s’do të kalojë shumë dhe auditori do ta humbasë interesin.

Kjo është e vërtetë edhe për të pranishmit në auditorin e një Salle Mbretërie. Ata mund ta kenë mendjen aty kur ti përdor një ilustrim ose një përvojë që nuk e kanë dëgjuar më parë. Por ndoshta e heqin mendjen kur flet për gjëra që tashmë i dinë, sidomos po të mos arrish të ndërtosh duke u bazuar në to. Duhet t’i ndihmosh të kuptojnë pse dhe si ajo që po thua është vërtet e dobishme për ta.

Bibla na nxit të mendojmë për anën praktike të gjërave. (Prov. 3:21) Jehovai e përdori Gjon Pagëzorin për t’i drejtuar njerëzit «te mençuria praktike e të drejtëve». (Luka 1:17) Kjo mençuri i ka rrënjët në frikën e shëndoshë ndaj Jehovait. (Psal. 111:10) Ata që e çmojnë këtë mençuri ndihmohen për ta përballuar me sukses jetën tani dhe për të rrokur jetën e vërtetë, jetën e përjetshme që ka për të ardhur.​—1 Tim. 4:8; 6:19.

Bëje praktik fjalimin. Në rast se dëshiron që fjalimi yt të jetë praktik, duhet të mendosh mirë jo vetëm për materialin, por edhe për auditorin. Mos mendo thjesht për grupin në tërësi. Ai grup është i përbërë nga individë dhe familje. Ata mund të jenë shumë të rinj, adoleshentë, të rritur dhe disa të moshuar. Mund të ketë të sapointeresuar, si edhe persona që kishin filluar t’i shërbenin Jehovait para se ti të lindje. Disa mund të jenë të pjekur frymësisht; të tjerë mund të jenë ende të ndikuar fuqimisht nga disa qëndrime dhe praktika në botë. Pyet veten: ‘Si mund t’u sjellë dobi materiali që do të trajtoj atyre që janë në auditor? Si mund t’i ndihmoj që ta kapin pikën?’ Mund të vendosësh që t’u kushtosh vëmendje parësore vetëm një ose dy grupeve të njerëzve që u përmendën këtu. Megjithatë mos i harro fare të tjerët.

Po sikur të të kenë caktuar për të folur rreth një mësimi themelor të Biblës? Si mund ta bësh të dobishëm një fjalim të tillë për një auditor që tashmë e beson atë mësim? Përpiqu ta forcosh bindjen e tyre për të. Si? Duke arsyetuar rreth dëshmive biblike që e mbështetin. Gjithashtu, mund t’u thellosh çmueshmërinë që kanë për atë mësim biblik. Kjo mund të bëhet duke treguar se si mësimi është në harmoni me të vërtetat e tjera biblike dhe me vetë personalitetin e Jehovait. Përdor shembuj​—përvoja të jetës reale po të jetë e mundur​—që tregojnë se si kuptueshmëria për këtë mësim në veçanti u ka sjellë dobi njerëzve dhe ka ndikuar në pikëpamjen e tyre për të ardhmen.

Mos e kufizo zbatimin praktik vetëm me disa komente të shkurtra në fund të fjalimit. Që në fillim, çdo person në auditor duhet të mendojë ‘kjo më përket mua’. Pasi të kesh hedhur këtë themel, vazhdo të bësh zbatime praktike ndërsa zhvillon secilën nga pikat kryesore në trupin e fjalimit, e po kështu edhe në fund.

Kur tregon zbatimin e një shkrimi, sigurohu që ta bësh në përputhje me parimet e Biblës. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë ta bësh këtë në mënyrë të dashur dhe me empati. (1 Pjet. 3:8; 1 Gjon. 4:8) Edhe kur trajtoi probleme të vështira në Selanik, apostulli Pavël u sigurua që të nxirrte në pah anët pozitive të përparimit frymor të vëllezërve të krishterë dhe të motrave të krishtere atje. Gjithashtu, shprehu bindjen se për sa i përket çështjes që po diskutohej, ata do të dëshironin të bënin atë që ishte e drejtë. (1 Sel. 4:1-12) Ç’model i shkëlqyer për t’u imituar!

A ke si synim që me fjalimin tënd të nxitësh pjesëmarrjen në veprën për t’u predikuar dhe për t’u mësuar lajmin e mirë të tjerëve? Ndërto entuziazmin dhe çmueshmërinë për këtë privilegj. Sidoqoftë, ndërsa bën këtë, mbaj parasysh se masa në të cilën janë në gjendje njerëzit të marrin pjesë në këtë vepër ndryshon dhe Bibla e merr parasysh këtë. (Mat. 13:23) Mos i rëndo vëllezërit e tu me ndjenja faji. Hebrenjve 10:24 na bën thirrje që ‘të nxitim për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’. Në qoftë se nxitim për dashuri, rrjedhojat do të jenë vepra të bazuara në një motiv të mirë. Në vend që të përpiqesh t’i detyrosh të gjithë të arrijnë njëfarë standardi të caktuar, kupto që Jehovai dëshiron që ne të nxitim «bindjen me anë të besimit». (Rom. 16:26) Me këtë në mendje, përpiqemi të forcojmë besimin tonë dhe të vëllezërve tanë.

Ndihmoji të tjerët që të kapin pikën. Kur u jep dëshmi të tjerëve, gjithnjë nxirr në pah vlerën praktike të lajmit të mirë. Që ta bësh këtë duhet të marrësh parasysh atë që mendojnë njerëzit në territorin tënd. Si mund ta mësosh këtë? Dëgjo lajmet në radio ose në televizor. Shiko faqen e parë të gazetës. Gjithashtu, përpiqu të fillosh biseda me njerëzit dhe dëgjoji kur flasin. Ndoshta do të marrësh vesh se po luftojnë me probleme të ngutshme, si: humbja e punës, pagimi i qirasë, sëmundjet, vdekja e një pjesëtari të familjes, rreziku nga krimi, padrejtësia nga ana e dikujt me autoritet, prishja e martesës, mbajtja e fëmijëve të vegjël nën kontroll, e kështu me radhë. A mund t’i ndihmojë Bibla? Patjetër.

Kur fillon një bisedë, ka të ngjarë të kesh në mend një argument të caktuar. Megjithatë, nëse ai me të cilin po flet të lë të kuptosh se i intereson në mënyrë të ngutshme diçka tjetër, mos ngurro të flasësh për këtë në rast se ke mundësi ose thuaji se do të kthehesh një herë tjetër me informacione të dobishme. Natyrisht ne nuk ‘përzihemi në gjëra që nuk na takojnë’, por jemi të kënaqur t’u themi të tjerëve këshillat praktike që jep Bibla. (2 Sel. 3:11) Kuptohet, njerëzve do t’u bëjnë më shumë përshtypje ato këshilla të Biblës që kanë të bëjnë me jetën e tyre.

Në qoftë se njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë se si ndikon mesazhi ynë tek ata personalisht, mund t’i japin fund shpejt e shpejt bisedës. Edhe sikur të na lënë të flasim, duke mos u treguar vlerën praktike të argumentit, mesazhi ynë mund të ketë fare pak ndikim në jetën e tyre. Përkundrazi, nëse e bëjmë të qartë vlerën praktike të mesazhit, biseda jonë mund të jetë një pikë kthese në jetën e njerëzve.

Kur drejton studime biblike, vazhdo të nxjerrësh në pah zbatimin praktik të gjërave. (Prov. 4:7) Ndihmoji studentët që të kuptojnë këshillat, parimet dhe shembujt biblikë që u tregojnë atyre si të ecin në rrugët e Jehovait. Thekso dobitë që vijnë kur veprojmë kështu. (Isa. 48:17, 18) Kjo do t’i shtyjë studentët që të bëjnë ndryshimet e nevojshme në jetën e tyre. Kultivo tek ata dashurinë për Jehovain dhe dëshirën për t’i pëlqyer atij dhe lër që motivimi për të zbatuar këshillat e Fjalës së Perëndisë t’u burojë nga zemra.

SI TA BËSH?

  • Kur përgatit një fjalim, shqyrto jo vetëm materialin, por edhe auditorin. Paraqite materialin në mënyrë që t’i sjellë me të vërtetë dobi auditorit.

  • Zbatimi praktik nuk duhet të lihet për në fund. Ai duhet të jetë i dukshëm gjatë gjithë fjalimit.

  • Kur përgatitesh për të dhënë dëshmi, merr parasysh se çfarë mendojnë njerëzit në territorin tënd.

  • Kur jep dëshmi, dëgjoje me të vërtetë individin tjetër dhe përshtate prezantimin në varësi të asaj që thotë ai.

USHTRIM: Shqyrto numra të Shërbimi ynë i Mbretërisë që ke në dispozicion dhe zgjidh një ose dy prezantime që mendon se janë veçanërisht praktike për territorin tënd. Provoji në shërbimin në fushë.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo