MËSIMI 47
Përdorimi i efektshëm i mjeteve ndihmëse pamore
PSE duhet të përdorësh mjete ndihmëse pamore kur mëson të tjerët? Sepse kjo mund ta bëjë më të efektshme mësimdhënien tënde. Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti përdorën mjete ndihmëse pamore dhe ne mund të mësojmë prej tyre. Kur këto mjete ndërthuren me fjalët, informacioni merret nëpërmjet dy shqisave. Kjo mund ta ndihmojë auditorin që të qëndrojë i përqendruar dhe mund të përforcojë mbresën e lënë. Si mund t’i përfshish mjetet ndihmëse pamore në prezantimet e lajmit të mirë? Si mund të sigurohesh se po i përdor me efektshmëri?
Si i përdorën mjetet ndihmëse pamore Mësuesit më të mëdhenj? Jehovai përdori mjete ndihmëse pamore të paharrueshme për të dhënë mësime jetësore. Një mbrëmje ai e nxori jashtë Abrahamin dhe i tha: «Ngriji sytë, të lutem, drejt qiellit dhe numëro yjet, nëse je në gjendje t’i numërosh. . . . Kështu do të bëhet fara jote.» (Zan. 15:5) Ndonëse ajo që i premtoi Jehovai dukej e pamundur nga pikëpamja njerëzore, Abrahami u prek thellë dhe besoi tek ai. Në një rast tjetër, Jehovai e dërgoi Jereminë në shtëpinë e një poçari dhe i tha të hynte në punishten e tij për të parë se si i jepte formë argjilës. Çfarë mësimi i paharrueshëm për autoritetin që ka Krijuesi mbi njerëzit! (Jer. 18:1-6) Edhe Jonai mori një mësim të paharrueshëm për mëshirën, mësim që Jehovai ia dha nëpërmjet bimës së kungullujësit. (Jon. 4:6-11) Madje Jehovai u tha profetëve të tij që të demonstronin mesazhe profetike duke përdorur disa objekte të përshtatshme. (1 Mbret. 11:29-32; Jer. 27:1-8; Ezek. 4:1-17) Veçoritë e tabernakullit dhe të tempullit janë në vetvete paraqitje që na ndihmojnë për të kuptuar realitetet qiellore. (Hebr. 9:9, 23, 24) Gjithashtu, Perëndia përdori në masë të madhe vegimet për të përcjellë informacione të rëndësishme.—Ezek. 1:4-28; 8:2-18; Vep. 10:9-16; 16:9, 10; Zbul. 1:1.
Si i përdori Jezui mjetet ndihmëse pamore? Kur farisenjtë dhe ithtarët e partisë së Herodit u përpoqën ta zinin në grackë me fjalët e tij, Jezui kërkoi një denar dhe tregoi figurën e Cezarit që ishte në monedhë. Pastaj shpjegoi që gjërat e Cezarit duhet t’i jepen Cezarit, kurse gjërat e Perëndisë duhet t’i jepen Perëndisë. (Mat. 22:19-21) Për të dhënë mësimin se duhet ta nderojmë Perëndinë me gjithçka që kemi, Jezui foli për një të ve të varfër në tempull, e cila hodhi si kontribut dy monedha të vogla që ishin gjithçka kishte për të jetuar. (Luka 21:1-4) Në një rast tjetër ai përdori si shembull një fëmijë të vogël për të treguar se ç’do të thotë të jesh i përulur, pa ambicie. (Mat. 18:2-6) Gjithashtu e demonstroi personalisht domethënien e përulësisë duke u larë këmbët dishepujve.—Gjoni 13:14.
Si t’i përdorësh mjetet ndihmëse pamore? Ndryshe nga Jehovai, ne nuk mund të komunikojmë me anë të vegimeve. Megjithatë në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait gjenden shumë figura që të bëjnë të mendosh. Përdori ato për t’i ndihmuar njerëzit e interesuar që të përfytyrojnë Parajsën tokësore, të premtuar në Fjalën e Perëndisë. Gjatë një studimi biblik në shtëpi mund ta drejtosh vëmendjen e studentit te një figurë që ka lidhje me atë që po studioni dhe ta pyesësh se çfarë shikon. Vlen të përmendet fakti që kur Jehovai i dha profetit Amos disa vegime, e pyeti: «Çfarë sheh, Amos?» (Amo. 7:7, 8; 8:1, 2) Edhe ti mund të bësh pyetje të ngjashme ndërsa ua drejton vëmendjen njerëzve te figurat që janë vendosur si mjete ndihmëse pamore në mësimdhënie.
Në qoftë se i hedh me shkrim llogaritjet matematikore ose përdor një tabelë kronologjike që tregon radhën e ngjarjeve të rëndësishme, kjo mund t’i ndihmojë të tjerët që t’i kuptojnë më lehtë profeci të tilla, si ‘shtatë kohët’ e Danielit 4:16 dhe ‘shtatëdhjetë javët’ e Danielit 9:24. Këto mjete ndihmëse pamore gjenden në disa prej botimeve që përdorim për studim.
Kur bën studimin biblik familjar, diskutimi i argumenteve të tilla, si tabernakulli, tempulli në Jerusalem dhe tempulli i vegimit të Ezekielit, mund të kuptohet më lehtë në rast se përdor një figurë ose një skicë. Këto mund të gjenden në vëllimet Mendjehollësi mbi Shkrimet, në shtojcën e Përkthimit Bota e Re, me referime dhe në numra të ndryshëm të Kullës së Rojës.
Kur lexon Biblën me familjen, përdori mirë hartat gjeografike. Ndiqni Abrahamin në udhëtimin e tij nga Uri në Haran dhe më pas deri poshtë në Bethel. Shqyrtoni itinerarin që ndoqi Izraeli si komb kur doli nga Egjipti dhe udhëtoi drejt Tokës së Premtuar. Gjeni zonën që iu dha secilit fis të Izraelit si trashëgimi. Vini re shtrirjen e sundimit të Solomonit. Ndiqni itinerarin e Elisë kur iku nga Jezreeli për t’u fshehur në shkretëtirën matanë Beer-Shebës pasi u kërcënua nga Jezebela. (1 Mbret. 18:46–19:4) Gjeni qytetet dhe fshatrat ku predikoi Jezui. Ndiqni udhëtimet e Pavlit që përshkruhen në librin e Veprave.
Mjetet ndihmëse pamore janë të dobishme kur u shpjegon studentëve të Biblës si funksionon kongregacioni. Mund t’i tregosh studentit programin e shtypur të një asambleje ose kongresi dhe t’i shpjegosh se çfarë informacioni trajtohet në to. Shumë vetave u ka lënë mbresa kur kanë bërë një vizitë në Sallën e Mbretërisë ose në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo mund të jetë një mënyrë e efektshme për të larguar konceptet e gabuara rreth veprës sonë dhe qëllimit të saj. Kur shoqëron dikë për një vizitë në Sallën e Mbretërisë, tregoji se si ndryshon ajo nga vendet e tjera të adhurimit. Nxirr në pah thjeshtësinë e mjediseve të Sallës që e bëjnë të përshtatshme si vend për të mësuar. Tregoji gjërat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimin tonë publik: repartin e literaturës, hartat e territorit dhe kutitë e kontributeve (pra, që nuk bëhet mbledhje parash).
Nëse ke në dispozicion video të përgatitura nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, përdori ato për të ndërtuar besimin te Bibla, për t’i njohur studentët me veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për t’i inkurajuar shikuesit që të jetojnë në harmoni me parimet biblike.
Përdorimi i mjeteve ndihmëse pamore për grupe më të mëdha. Kur përgatiten mirë dhe paraqiten me mjeshtëri, mjetet ndihmëse pamore mund të jenë mjete të efektshme për të mësuar edhe grupe më të mëdha. Këto mjete ndihmëse pamore sigurohen në forma të ndryshme nga klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur.
Materiali i studimit në Kullën e Rojës zakonisht përfshin mjete ndihmëse pamore në formë figurash që drejtuesi mund t’i përdorë për të theksuar pika të rëndësishme. Kjo është e vërtetë edhe për botimet që përdoren në Studimin e Librit të Kongregacionit.
Disa skema fjalimesh publike mund të duken të përshtatshme që të përdorësh mjete ndihmëse pamore për të ilustruar disa pika. Megjithatë, rezultatet më të mira arrihen zakonisht duke e përqendruar vëmendjen tek ajo që thotë Bibla, të cilën shumica e të pranishmëve do ta kenë në dorë. Në qoftë se në ndonjë rast mund të jetë e nevojshme të përdoret një figurë ose një skemë e shkurtër e pikave kryesore për të shprehur një ose disa pika kryesore të një fjalimi, sigurohu paraprakisht që mjeti ndihmës pamor të shihet (ose të lexohet) qartë edhe në fund të sallës. Këto mjete duhen përdorur me masë.
Qëllimi për të cilin përdorim mjete ndihmëse pamore kur flasim dhe mësojmë të tjerët nuk është që t’i argëtojmë. Kur përdoret një mjet ndihmës pamor dinjitoz, ai duhet të përforcojë me anë të shikimit idetë që meritojnë të theksohen në mënyrë të veçantë. Këto mjete ndihmëse i shërbejnë një qëllimi të vlefshëm kur ndihmojnë për të qartësuar atë që thuhet me fjalë, duke e bërë më të lehtë për ta kuptuar ose kur japin dëshmi të forta për vlefshmërinë e asaj që thuhet. Kur përdoret siç duhet, një mjet ndihmës pamor i përshtatshëm mund të lërë mbresa kaq të thella, saqë ai dhe pika që u theksua mund të mbahen mend për shumë vjet.
Të dëgjuarit dhe të parit luajnë të dy një rol të rëndësishëm në aftësinë për të mësuar. Kujto se si i kanë përdorur këto dy shqisa Mësuesit më të mëdhenj dhe përpiqu t’i imitosh ndërsa përpiqesh të komunikosh me të tjerët.