MËSIMI 46
Ilustrime të nxjerra nga rrethana të njohura
SIGURISHT është e rëndësishme që çfarëdo ilustrimi të përdorësh të jetë i përshtatshëm për materialin. Por, që ilustrimi të jetë edhe më i efektshëm, është po kaq e rëndësishme që të jetë i përshtatshëm edhe për auditorin.
Si mund të ndikojë lloji i auditorit në zgjedhjen e ilustrimeve që do të përdorësh kur flet para një grupi? Çfarë bëri Jezu Krishti? Qoftë kur u fliste turmave, qoftë kur u fliste dishepujve, Jezui nuk i merrte shembujt nga rrethana që ishin tipike për mënyrën e jetesës në vende të tjera jashtë Izraelit. Këta shembuj do të kishin qenë të panjohur për auditorin e tij. Për shembull, Jezui nuk e përmendi fare mënyrën e të jetuarit të familjes mbretërore të Egjiptit ose praktikat fetare të Indisë. Megjithatë, ilustrimet e tij bazoheshin në veprimtari që ishin të zakonshme për njerëzit e të gjitha vendeve. Ai foli për arnimin e rrobave, për kryerjen e një aktiviteti tregtar, humbjen e diçkaje të çmuar dhe pjesëmarrjen në dasma. E kuptonte se si reagonin njerëzit në rrethana të ndryshme dhe e shfrytëzoi këtë njohuri. (Mar. 2:21; Luka 14:7-11; 15:8, 9; 19:15-23) Meqenëse predikimi i tij publik i drejtohej veçanërisht popullit të Izraelit, më shpesh, ilustrimet e Jezuit përfshinin objekte dhe veprimtari që ishin pjesë e jetës së tyre të përditshme. Kështu, ai iu referua gjërave të tilla, si: bujqësia, mënyra se si i përgjigjen delet bariut të tyre dhe përdorimi i lëkurëve të kafshëve për të ruajtur verën. (Mar. 2:22; 4:2-9; Gjoni 10:1-5) Gjithashtu, ai përmendi shembuj të njohur nga historia—krijimin e çiftit të parë njerëzor, Përmbytjen e ditëve të Noesë, shkatërrimin e Sodomës dhe të Gomorrës dhe vdekjen e gruas së Lotit, për të përmendur vetëm disa. (Mat. 10:15; 19:4-6; 24:37-39; Luka 17:32) Në mënyrë të ngjashme, kur zgjedh ilustrimet a mendon me kujdes për veprimtaritë që janë të zakonshme për dëgjuesit e tu dhe për formimin e tyre kulturor?
Po sikur të mos jesh duke folur para një grupi të madh, por para një personi ose ndoshta para disa personave? Përpiqu të zgjedhësh një ilustrim që është veçanërisht i përshtatshëm për atë auditor të vogël. Kur i dha dëshmi një gruaje samaritane te një pus pranë Siharit, Jezui foli për ‘ujin e gjallë’, për ‘të mos pasur etje kurrën e kurrës’ dhe për «një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme»—të gjitha këto ishin figura letrare që lidheshin drejtpërdrejt me punën e asaj gruaje. (Gjoni 4:7-15) Gjithashtu, kur u foli disa burrave që po lanin rrjetat e peshkimit, figurat letrare që zgjodhi kishin të bënin me aktivitetin e peshkimit. (Luka 5:2-11) Në të dyja rastet, ai mund t’i ishte referuar bujqësisë, meqenëse jetonin në një vend bujqësor, por ishte shumë më e efektshme të krijonte tek ata një tablo mendore duke iu referuar veprimtarive të tyre personale. A përpiqesh edhe ti të bësh të njëjtën gjë?
Ndërkohë që Jezui e drejtoi vëmendjen te «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit», apostulli Pavël u dërgua jo vetëm në Izrael, por edhe te kombet johebreje. (Mat. 15:24; Vep. 9:15) A pati ndonjë ndikim kjo në mënyrën se si fliste Pavli? Po. Kur u shkroi të krishterëve në Korint, Pavli iu referua garave të vrapimit, përmendi praktikën e ngrënies në tempujt e idhujve dhe marshimet triumfuese, gjëra që ata johebrenj duhej t’i njihnin.—1 Kor. 8:1-10; 9:24, 25; 2 Kor. 2:14-16.
A je edhe ti po aq i kujdesshëm sa Jezui e Pavli kur zgjedh ilustrime dhe shembuj për t’i përdorur në mësimdhënie? A merr parasysh formimin dhe veprimtaritë e përditshme të dëgjuesve të tu? Natyrisht, bota ka ndryshuar që nga shekulli i parë. Shumë njerëz i marrin vesh lajmet nëpër botë me anë të televizorit. Shpesh ata i njohin fare mirë rrethanat e vendeve të huaja. Nëse është kështu edhe për zonën tënde, sigurisht që nuk do të ishte e gabuar t’i përdorje këto lajme si ilustrime. Megjithatë, gjërat që i prekin më thellë njerëzit zakonisht përfshijnë jetën e tyre personale: shtëpinë e tyre, familjen, punën, ushqimin që hanë, motin në zonën e tyre.
Në qoftë se ilustrimi yt kërkon shumë shpjegime, ndoshta je duke folur për diçka që nuk është e njohur për auditorin tënd. Një ilustrim i tillë mund ta errësojë fare lehtë pikën që doje të nxirrje në pah. Si rrjedhim, auditori mund ta kujtojë ilustrimin, por jo të vërtetën biblike që po përpiqeshe të përcillje tek ai.
Në vend që të bënte krahasime të ndërlikuara, Jezui përdori gjëra të thjeshta të jetës së përditshme. Ai përdori gjëra të vogla për të shpjeguar gjëra të mëdha dhe gjëra të thjeshta për t’i bërë të qarta gjërat e vështira. Duke i lidhur ngjarjet e jetës së përditshme me të vërtetat frymore, Jezui i ndihmoi njerëzit që t’i kuptonin më shpejt dhe t’i mbanin mend të vërtetat frymore që po u mësonte. Çfarë shembulli i shkëlqyer për t’u ndjekur!