BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • bt kap. 7 f. 52-59
  • Shpallën «lajmin e mirë për Jezuin»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shpallën «lajmin e mirë për Jezuin»
  • ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Dishepujt që ishin shpërndarë» (Veprat 8:4-8)
  • «Ma jepni edhe mua këtë autoritet» (Veprat 8:9-25)
  • «A e kupton vërtet atë që po lexon?» (Veprat 8:26-40)
  • Filipi: Një ungjilltar i zellshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Filipi pagëzon një zyrtar etiopas
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Filipi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Të shfaqim frymën e pionierit
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2004
Shih më tepër
‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
bt kap. 7 f. 52-59

KAPITULLI 7

Shpallën «lajmin e mirë për Jezuin»

Filipi la shembullin si ungjillëzues

Bazuar te Veprat 8:4-40

1, 2. Si patën efekt të kundërt përpjekjet për ta shuar lajmin e mirë, në shekullin e parë?

NJË valë e egër përndjekjeje kishte përfshirë kongregacionin. Sauli po e «trajtonte mizorisht», shprehje që në gjuhën origjinale përshkruan barbarinë. (Vep. 8:3) Dishepujt u shpërndanë dhe disa mund të mendonin se Sauli do të arrinte ta zhdukte nga faqja e dheut krishterimin. Por, në të vërtetë ndodhi diçka e paparashikuar. Çfarë?

2 Dishepujt e shpërndarë nisën ‘të shpallnin lajmin e mirë të fjalës së Perëndisë’ në vendet ku shkonin. (Vep. 8:4) Mendo pak! Përndjekja jo vetëm që s’arriti ta shuante lajmin e mirë, po faktikisht e ndihmoi të përhapej. Duke i detyruar dishepujt të shpërndaheshin, pa dashje përndjekësit bënë që vepra e predikimit të zgjerohej në territore nga më të largëtat. Siç do të shohim, diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në ditët e sotme.

«Dishepujt që ishin shpërndarë» (Veprat 8:4-8)

3. (a) Kush ishte Filipi? (b) Pse në Samari lajmi i mirë pothuajse s’ishte predikuar, e megjithatë, ç’kishte parathënë Jezui për atë territor?

3 Filipi ishte një ndër «dishepujt që ishin shpërndarë».a (Vep. 8:4; shih kutinë «Filip ‘ungjillëzuesi’».) Ai shkoi në Samari, një qytet ku lajmi i mirë pothuajse s’ishte predikuar, pasi më parë Jezui i kishte udhëzuar apostujt: «Mos hyni në asnjë qytet samaritan, por shkoni vazhdimisht te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.» (Mat. 10:5, 6) Por Jezui e dinte se më vonë atje do të jepej dëshmi e plotë, sepse, para se të ngjitej në qiell, tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»—Vep. 1:8.

4. Si reaguan samaritanët ndaj predikimit të Filipit dhe ç’mund të ketë ndikuar në këtë?

4 Filipi e gjeti Samarinë «gati për korrje». (Gjoni 4:35) Mesazhi i tij ishte si një fllad freskues për banorët e atjeshëm, dhe mund të kuptohet kollaj përse. Judenjtë s’bëheshin me samaritanët, e madje shumë prej tyre i përbuznin. Por samaritanët kuptuan se mesazhi i lajmit të mirë u ofronte shpresë të gjithëve pa dallim, prandaj ndryshonte krejt nga mentaliteti i cekët i farisenjve. Duke u dëshmuar me zell e paanësi samaritanëve, Filipi tregoi se nuk ishte infektuar nga paragjykimi i atyre që i përbuznin. Prandaj, nuk habitemi fare që turma samaritanësh e dëgjuan Filipin me «vëmendje të madhe».—Vep. 8:6.

5-7. Jepni shembuj se si shpërndarja e të krishterëve ka sjellë si rezultat përhapjen e lajmit të mirë.

5 Sot, njësoj si në shekullin e parë, përndjekja nuk ia ka mbyllur gojën popullit të Perëndisë. Shpeshherë, kur të krishterët i kanë detyruar të ikin nga një vend në një tjetër (qoftë në burg, qoftë në një zonë tjetër), kjo vetëm sa ka ndihmuar që mesazhi i Mbretërisë të shkonte edhe atje. Për shembull, gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait patën mundësi t’u predikonin të tjerëve edhe në kampet naziste të përqendrimit. Një hebre që i takoi atje Dëshmitarët, tregon: «Qëndresa e të burgosurve Dëshmitarë të Jehovait më bindi se besimi i tyre bazohej te Shkrimet, kështu u bëra edhe unë Dëshmitar.»

6 Në disa raste, edhe përndjekësit kanë marrë dëshmi dhe kanë reaguar mirë. Për shembull, kur e transferuan në kampin e përqendrimit të Guzenit në Austri, një Dëshmitar me emrin Franc Desh pati mundësi të studionte Biblën me një oficer SS. Përfytyroni gëzimin e tyre kur u takuan përsëri, vite më vonë, në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait dhe që të dy ishin lajmëtarë të lajmit të mirë!

7 Diçka e ngjashme ka ndodhur kur përndjekja i ka detyruar të krishterët të ikin nga një shtet në një tjetër. Për shembull, në vitet 70, në Mozambik u dha një dëshmi e fuqishme kur Dëshmitarët e Malavisë u detyruan të iknin atje. Edhe pse më vonë në Mozambik nisi kundërshtimi, vepra e predikimit vazhdoi. Fransisko Koana thotë: «Vërtet, disa nga ne u kapën e u arrestuan disa herë ngaqë predikonim. Gjithsesi, meqë shumë veta e pranuan mesazhin e Mbretërisë, ishim të sigurt se Perëndia po na ndihmonte, siç kishte ndihmuar të krishterët e shekullit të parë.»

8. Si kanë ndikuar në veprën e predikimit ndryshimet ekonomike dhe politike?

8 Natyrisht, përndjekja nuk ka qenë e vetmja arsye e përhapjes së krishterimit në territoret e huaja. Dhjetëvjeçarët e fundit, edhe ndryshimet politike dhe ekonomike kanë krijuar mundësi që mesazhi për Mbretërinë të përhapet te njerëz të shumë gjuhëve e etnive. Disa kanë ikur nga zonat e luftës dhe nga vendet e varfra për në vende me më shumë stabilitet, ku kanë nisur të studiojnë Biblën. Mbërritja e shumë refugjatëve, ka krijuar territore të reja në gjuhë të huaj. A po përpiqesh edhe ti t’u dëshmosh njerëzve «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» në territorin tënd?—Zbul. 7:9.

«Ma jepni edhe mua këtë autoritet» (Veprat 8:9-25)

Ish-magjistari Simon me një qese parash i është afruar një apostulli, i cili ka vënë duart mbi supet e një të krishteri. Në sfond, një i krishterë tjetër po shëron një vajzë të çalë.

«Kur Simoni pa se fryma e shenjtë jepej me vënien e duarve nga apostujt, u ofroi pará.»—Veprat 8:18

9. Kush ishte Simoni dhe, me sa duket, çfarë i bëri përshtypje te Filipi?

9 Filipi bëri shumë shenja në Samari. Ndër të tjera, shëroi njerëz të paralizuar e të çalë e madje dëboi frymëra të liga. (Vep. 8:6-8) Këto dhurata të mrekullueshme të Filipit i bënë përshtypje sidomos një njeriu, Simonit, një magjistari me aq prestigj, saqë njerëzit thoshin për të: «Ky njeri është Fuqia e Perëndisë.» Kur Simoni pa me sytë e tij fuqinë e vërtetë të Perëndisë të shfaqur në mrekullitë që kryente Filipi, u bë besimtar. (Vep. 8:9-13) Por, më vonë, motivet e tij u vunë në provë. Si?

10. (a) Ç’bënë Pjetri dhe Gjoni në Samari? (b) Çfarë bëri Simoni pasi pa se dishepujt e rinj merrnin frymën e shenjtë kur Pjetri e Gjoni vinin duart mbi ta?

10 Kur morën vesh për rritjen që po ndodhte në Samari, apostujt dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin. (Shih kutinë «Pjetri përdor ‘çelësat e Mbretërisë’».) Me të mbërritur, dy apostujt vunë duart mbi dishepujt e rinj dhe ata morën frymën e shenjtë.b Kjo i zgjoi kureshtjen Simonit. «Ma jepni edhe mua këtë autoritet,—u tha apostujve,—që kushdo mbi të cilin të vë duart, të marrë frymë të shenjtë.» Madje, me shpresë se mund ta blinte këtë privilegj të shenjtë, u ofroi edhe pará.—Vep. 8:14-19.

11. Si e qortoi Pjetri Simonin dhe si reagoi ai?

11 Pjetri iu përgjigj prerazi Simonit: «Argjendi yt marrtë fund bashkë me ty, se mendove që mund ta blije me pará dhuratën e Perëndisë! Ti nuk do ta kesh këtë gjë, sepse Perëndia e sheh që zemra jote nuk është e drejtë.» Pastaj, Pjetri e nxiti Simonin të pendohej e të lutej për falje: «Përgjëroju Jehovait, që nëse është e mundur, ta falë qëllimin e keq të zemrës sate.» Me sa duket, Simoni s’ishte njeri i lig. Ai donte të bënte atë që ishte e drejtë, por për momentin po nxitej nga dëshirat e gabuara. Prandaj, iu lut apostujve: «Përgjërojuni Jehovait për mua, që të mos më bjerë asnjëra nga gjërat që thatë.»—Vep. 8:20-24.

12. Çfarë është «simonia» dhe si është kthyer në një grackë për krishterimin apostat?

12 Qortimi që i dha Pjetri Simonit është një paralajmërim për të krishterët sot. Në fakt, nga kjo ngjarje ka ardhur fjala «simoni». «Simonia» është blerja ose shitja e posteve, sidomos e atyre fetare. Historia e krishterimit apostat është plot e përplot me raste të kësaj praktike. Madje, në botimin e nëntë të Enciklopedisë britanike (1878) thuhej: «Një studim rreth historisë së konklavës papalec e bind studiuesin se asnjë zgjedhje nuk është bërë pa u ndotur nga simonia, madje në shumë raste kjo praktikë ka qenë nga më të rëndat, më të turpshmet dhe më ashiqaret.»

13. Si duhet të ruhen nga simonia të krishterët?

13 Të krishterët e vërtetë duhet të ruhen nga mëkati i simonisë. Për shembull, s’duhet të përpiqen të fitojnë favore duke i mbytur me lajka ose me dhurata të shumta ata që mund t’u japin të tjerëve privilegje në kongregacion. Nga ana tjetër, ata që mendohet se mund të bëjnë favore të tilla, duhet të ruhen që të mos i mbajnë me hatër të pasurit. Të dyja rastet janë forma të simonisë. Në të vërtetë, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të sillen ‘si të vegjël’, duke pritur që emërimet për privilegje shërbimi t’i bëjë fryma e Jehovait. (Luka 9:48) Në organizatën e Perëndisë s’ka vend për ata që përpiqen të kërkojnë «lavdinë e vetes».—Prov. 25:27.

PJETRI PËRDOR «ÇELËSAT E MBRETËRISË»

Jezui i tha Pjetrit: «Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së qiejve.» (Mat. 16:19) Ç’donte të thoshte me këtë? Përdorimi i fjalës «çelësat» tregon se Pjetri do t’u hapte dyert e njohurisë e të mundësisë për të hyrë në Mbretërinë mesianike, disa grupeve. Në cilat raste i përdori Pjetri këta çelësa?

  • Çelësin e parë e përdori në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur i nxiti judenjtë dhe prozelitët judenj të pendoheshin e të pagëzoheshin. Rreth 3.000 veta vepruan kështu dhe u bënë trashëgimtarë të ardhshëm të Mbretërisë.—Vep. 2:1-41.

  • Çelësi i dytë u përdor pak pas martirizimit të Stefanit. Në këtë rast, Pjetri dhe Gjoni vunë duart mbi samaritanët e sapopagëzuar, e pas kësaj ata besimtarë të rinj morën frymën e shenjtë.—Vep. 8:14-17.

  • Çelësin e tretë, Pjetri e përdori në vitin 36 të e.s. Atë vit ai u ofroi shpresën e trashëgimisë qiellore jojudenjve të parrethprerë. Kjo ndodhi kur apostulli i dha dëshmi Kornelit, jojudeut të parë të parrethprerë që u bë dishepull i krishterë.—Vep. 10:1-48.

«A e kupton vërtet atë që po lexon?» (Veprat 8:26-40)

14, 15. (a) Kush ishte ‘eunuku etiopas’ dhe si e gjeti Filipi? (b) Si iu përgjigj etiopasi mesazhit të Filipit dhe përse pagëzimi i tij nuk ishte një veprim impulsiv? (Shih shënimin.)

14 Tani engjëlli i Jehovait e udhëzoi Filipin të shkonte në rrugën që zbriste nga Jerusalemi për në Gazë. Çfarëdo pyetje që mund t’i kishte lindur Filipit për këtë udhëzim, mori përgjigje shpejt, pasi në atë rrugë takoi një eunuk etiopas, i cili «lexonte me zë librin e profetit Isaia». (Shih kutinë «‘Eunuk’, në ç’kuptim?».) Fryma e shenjtë e Jehovait e shtyu Filipin t’i afrohej karrocës ku ishte eunuku. Teksa vraponte përkrah karrocës, e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» «E si ta kuptoj, nëse dikush nuk ma shpjegon?»—ia ktheu etiopasi.—Vep. 8:26-31.

15 Ai e ftoi Filipin të hipte në karrocë. A mund ta përfytyrosh bisedën entuziaste që duhet të kenë bërë? Prej shumë kohësh kishte qenë mister se kush ishte «delja» ose «shërbëtori» i profecisë së Isaisë. (Isa. 53:1-12) Por, gjatë udhës, Filipi i shpjegoi eunukut etiopas se kjo profeci u përmbush te Jezu Krishti. Njësoj si ata që u pagëzuan në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., edhe etiopasi, që tashmë ishte prozelit jude, e kuptoi ç’duhej të bënte. «Ja, uji!—i tha Filipit.—Çfarë më pengon të pagëzohem?!» Filipi e pagëzoi etiopasin pa humbur kohë.d (Shih kutinë «Pagëzimi në ‘një vend me ujë’».) Më pas, fryma e Jehovait e çoi Filipin në një caktim të ri në Ashdod, ku vazhdoi të shpallte lajmin e mirë.—Vep. 8:32-40.

«EUNUK», NË Ç’KUPTIM?

Termi grek eunoúhos, i përkthyer «eunuk» mund t’i referohet ose një burri që i është hequr aftësia e riprodhimit, ose thjesht një zyrtari të lartë të oborrit mbretëror. Oborrtarët që mbikëqyrnin haremin e një mbreti ka mundësi të ishin të tredhur, por kjo nuk ishte kërkesë për zyrtarët e tjerë, si për shembull, për kupëmbajtësin e mbretit ose mbikëqyrësin e thesarit. Eunuku etiopas që pagëzoi Filipi, me sa duket ishte nga këta të dytët, pasi mbikëqyrte thesarin mbretëror. Me fjalë të tjera, ishte ministër i financave.

Veç kësaj, etiopasi ishte prozelit, pra një jojude që kishte pranuar adhurimin e Jehovait. Madje, sapo kishte qenë në Jerusalem për ta adhuruar. (Vep. 8:27) Nisur nga kjo, nxjerrim si përfundim se etiopasi s’mund të ketë qenë eunuk në kuptimin e mirëfilltë, pasi në Ligjin e Moisiut meshkujve të tredhur u ndalohej të bëheshin pjesë e kongregacionit të Izraelit.—Ligj. 23:1.

PAGËZIMI NË «NJË VEND ME UJË»

Si bëhet pagëzimi i krishterë? Disa besojnë se mjafton të spërkatësh kokën e një njeriu me ujë. Por eunuku etiopas u pagëzua në «një vend me ujë». Tregimi thotë: «Filipi me eunukun zbritën në ujë.» (Vep. 8:36, 38) Në qoftë se mjaftonte vetëm t’i hidhnin ujë në kokë ose ta spërkatnin, s’kishte nevojë që eunuku të ndalte karrocën në një vend me ujë. Do t’i kishte mjaftuar fare pak ujë, si për shembull uji i një caliku lëkure. Ka shumë mundësi që ai të ketë pasur një calik të tillë, pasi po udhëtonte në ‘një rrugë të shkretë’.—Vep. 8:26.

Sipas Fjalorit greqisht-anglisht, të autorëve Lidëll dhe Skot, fjala greke baptízo—nga e cila vjen fjala pagëzim—do të thotë «të futësh, të zhytësh». Referimet e tjera nga Bibla për pagëzimin janë në përputhje me këtë përkufizim. Gjoni 3:23 thotë se Gjon Pagëzori po «pagëzonte në Enon, pranë Salimit, sepse atje kishte shumë ujë». Po ashtu, për pagëzimin e Jezuit lexojmë: «Sapo doli nga uji, [Jezui] pa qiejt të hapeshin.» (Mar. 1:9, 10) Pra, sipas Shkrimeve, të krishterët e vërtetë pagëzohen duke u zhytur plotësisht në ujë.

16, 17. Si janë përfshirë engjëjt në veprën e predikimit sot?

16 Sot të krishterët kanë privilegjin të marrin pjesë në një vepër si ajo që bëri Filipi. Shpesh, u jepet mundësia t’u flasin për mesazhin e Mbretërisë atyre që takojnë në rrethana joformale, si për shembull kur udhëtojnë. Shumë herë del qartë se takimi me një njeri me zemër të sinqertë, nuk është rastësi. Kjo pritet, pasi Bibla tregon hapur se veprën e predikimit e drejtojnë engjëjt, me qëllim që mesazhi të arrijë ‘në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull’. (Zbul. 14:6) Jezui kishte parathënë qartësisht se engjëjt do të drejtonin veprën e predikimit. Në ilustrimin për grurin dhe egjrat, Jezui tha se në kohën e korrjes, pra në përfundim të sistemit, ‘korrësit do të ishin engjëjt’. Ai shtoi se këto krijesa qiellore ‘do të mblidhnin e do të nxirrnin nga Mbretëria e tij çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat, bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme’. (Mat. 13:37-41) Njëkohësisht, do të mblidhnin trashëgimtarët e ardhshëm qiellorë të Mbretërisë, e pastaj «një shumicë të madhe» ‘delesh të tjera’, të cilat Jehovai dëshiron t’i afrojë tek organizata e tij.—Zbul. 7:9; Gjoni 6:44, 65; 10:16.

17 Një provë të kësaj e shohim në rastet kur, disa nga ata me të cilët flasim në shërbim, na thonë se po i luteshin Perëndisë për ndihmë. Ja një eksperiencë me 2 lajmëtarë të Mbretërisë që ishin në shërbim bashkë me një fëmijë të vogël. Aty nga dreka, 2 Dëshmitarët po bëheshin gati të mbyllnin shërbimin, por fëmija çuditërisht këmbënguli të shkonte në shtëpinë tjetër. Madje shkoi vetë atje dhe trokiti në derë. Kur e hapi derën një zonjë e re, 2 Dëshmitarët e rritur u afruan t’i flitnin. Për habinë e tyre, gruaja u shpjegoi se në ato çaste po lutej që t’i shkonte dikush e ta ndihmonte të kuptonte Biblën. Me të u fillua një studim.

Një çift në shërbim duke i rënë ziles së shtëpisë së një gruaje ndërkohë që ajo është duke u lutur.

«O Zot, kushdo që të jesh, të lutem më ndihmo»

18. Pse s’duhet ta nënvlerësojmë kurrë shërbimin?

18 Si pjesëtar i kongregacionit të krishterë, ke privilegjin të punosh përkrah engjëjve në këtë vepër predikimi që po bëhet në një shkallë të paparë. Kurrë mos e nënvlerëso këtë privilegj. Ngulmo dhe do të gjesh shumë gëzim ndërsa vazhdon të shpallësh «lajmin e mirë për Jezuin».—Vep. 8:35.

FILIP ‘UNGJILLËZUESI’

Kur dishepujt e Krishtit u shpërndanë për shkak të përndjekjes, Filipi shkoi në Samari. Me sa duket, Filipi i raportonte trupit udhëheqës gjithçka që ndodhte aty, pasi, «kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin». Si rezultat, besimtarët e rinj në Samari morën falas dhuratën e frymës së shenjtë.—Vep. 8:14-17.

Filipi në karrocë me eunukun etiopas.

Pas ngjarjeve të dokumentuara në kapitullin 8 të Veprave, Filipi përmendet edhe një herë tjetër. Rreth 20 vjet pasi Filipi kishte nisur predikimin, apostulli Pavël dhe shokët e tij të shërbimit ishin në fund të udhëtimit të tretë misionar, drejt Jerusalemit. Grupi zbriti nga anija në Ptolemaidë. Luka tregon: «Të nesërmen u nisëm dhe mbërritëm në Cezare. Shkuam në shtëpinë e Filipit, ungjillëzuesit, i cili ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm me të. Ai kishte katër vajza të pamartuara, që profetizonin.»—Vep. 21:8, 9.

Me sa duket, Filipi kishte qëndruar në territorin ku e kishin caktuar të predikonte dhe kishte ngritur familje atje. Është domethënëse që Luka e quan ‘ungjillëzuesi’. Me këtë term, Shkrimet përshkruajnë ata që largoheshin nga shtëpia për të predikuar lajmin e mirë në zona të papredikuara. Është e qartë se Filipit nuk i ishte shuar zelli për shërbimin. Veç kësaj, fakti që kishte 4 vajza që profetizonin, tregon pa pikë dyshimi se Filipi e kishte mësuar familjen ta donte Jehovain e t’i shërbente atij.

a Ky nuk është apostulli Filip. Është një nga ‘shtatë burrat me reputacion të mirë’ që, sikurse u shpjegua në kapitullin 5, u caktuan të organizonin shpërndarjen e përditshme të ushqimit në Jerusalem, te vejushat që flitnin greqisht dhe tek ato që flitnin hebraisht.—Vep. 6:1-6.

b Me sa duket, në atë kohë dishepujt e rinj zakonisht miroseshin ose merrnin frymën e shenjtë në momentin e pagëzimit. Kjo u jepte shpresën të qeverisnin në të ardhmen në qiell si mbretër e priftërinj bashkë me Jezuin. (2 Kor. 1:21, 22; Zbul. 5:9, 10; 20:6) Por, në këtë rast të veçantë, dishepujt e rinj nuk u mirosën në momentin e pagëzimit. Marrja e frymës së shenjtë dhe e dhuratave të mrekullueshme që e shoqëronin, ndodhi vetëm pasi Pjetri dhe Gjoni vunë duart mbi të krishterët e sapopagëzuar.

c Mbledhja e kardinalëve për zgjedhjen e papës.

d Ky nuk ishte një veprim impulsiv. Meqë ishte prozelit jude, etiopasi tashmë i njihte Shkrimet, duke përfshirë edhe profecitë mesianike. Pasi mësoi edhe për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë, mund të pagëzohej pa humbur kohë.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo