KAPITULLI 17
Qëndro pranë organizatës së Jehovait
DISHEPULLI Jakov shkroi: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8) Po, Jehovai nuk është as tepër i lartë, as tepër larg, sa të mos i dëgjojë lutjet tona, pavarësisht se jemi të papërsosur. (Vep. 17:27) Si mund t’i afrohemi Perëndisë? Mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain duke iu lutur nga zemra. (Psal. 39:12) Gjithashtu mund të lidhim miqësi të ngushtë me Perëndinë duke studiuar rregullisht Fjalën e tij, Biblën. Në këtë mënyrë arrijmë ta njohim Perëndinë Jehova, qëllimet që ka dhe vullnetin e tij për ne. (2 Tim. 3:16, 17) Kështu mësojmë ta duam dhe zhvillojmë nderim të thellë për të me merakun që të mos i shkaktojmë pakënaqësi.—Psal. 25:14.
2 Megjithatë, marrëdhënia e ngushtë me Jehovain bëhet e mundur vetëm nëpërmjet Birit të tij, Jezuit. (Gjoni 17:3; Rom. 5:10) Më mirë se Jezui, asnjë njeri s’na ndihmon dot të kuptojmë si mendon Jehovai. Ai e njihte kaq mirë Atin, sa mund të thoshte: «Askush s’e njeh Birin përveç Atit, dhe askush s’e njeh Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur.» (Luka 10:22) Pra, kur studiojmë ungjijtë për të mësuar si mendonte e si ndihej Jezui, në fakt po mësojmë si mendon dhe si ndihet Jehovai. Kjo njohuri na jep mundësi t’i afrohemi edhe më shumë Perëndisë tonë.
3 Nën kryesinë e Birit të Perëndisë, zhvillojmë marrëdhënie të ngushtë me Jehovain duke qëndruar pranë pjesës së dukshme të organizatës së Tij, që na ndihmon të mësojmë si të bëjmë vullnetin e Tij. Siç ishte parathënë te Mateu 24:45-47, Zotëria, Jezu Krishti, ka emëruar ‘skllavin besnik dhe të mençur’ që të sigurojë «ushqim në kohën e duhur» për shtëpinë e besimit. Sot, skllavi besnik na siguron me bollëk ushqim. Nëpërmjet këtij kanali, Jehovai na këshillon ta lexojmë përditë Fjalën e tij, t’i ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere dhe të kemi një pjesëmarrje domethënëse në predikimin e ‘lajmit të mirë për Mbretërinë’. (Mat. 24:14; 28:19, 20; Jos. 1:8; Psal. 1:1-3) Nuk duhet ta shohim kurrë skllavin besnik nga një pikëpamje njerëzore. Duhet të përpiqemi fort të qëndrojmë pranë pjesës së dukshme të organizatës së Jehovait dhe të ndjekim drejtimin e saj. Kjo do të na afrojë më shumë me Perëndinë tonë, Jehovain, dhe do të na forcojë e do të na mbrojë, pavarësisht nga sprovat.
PSE PO SHTOHEN SPROVAT?
4 Ndoshta ke shumë vite në të vërtetën. Nëse po, me siguri e di ç’do të thotë të durosh sprovat e integritetit. Edhe sikur të kesh vetëm pak kohë që e njeh Jehovain dhe që bën pjesë në popullin e tij, e di mirë se Satana Djalli i kundërvihet cilitdo që i nënshtrohet sovranitetit të Jehovait. (2 Tim. 3:12) Sado të kesh duruar, pak ose shumë, s’ke pse të frikësohesh a të shkurajohesh. Jehovai premton se do të të mbështetë dhe do të të shpërblejë, duke të çliruar e duke të dhënë jetën e përhershme.—Hebr. 13:5, 6; Zbul. 2:10.
5 Të gjithë ne ndoshta do të hasim akoma sprova gjatë këtyre ditëve që i kanë mbetur sistemit të Satanait. Që kur Mbretëria e Perëndisë nisi të mbretërojë më 1914, Satanait nuk i është lejuar të hyjë në qiejt e Jehovait. Ai u hodh poshtë në tokë, ku është kufizuar bashkë me engjëjt e tij të ligj. Mjerimet që janë shtuar gjithnjë e më shumë në tokë, përfshirë edhe përndjekjen e intensifikuar të shërbëtorëve të kushtuar të Jehovait, janë pasojë e zemërimit të Satanait dhe vërtetojnë se po jetojmë në ditët e fundit të sundimit të tij të lig mbi njerëzimin.—Zbul. 12:1-12.
6 I tërbuar nga gjendja e tij e poshtëruar, Satanai e di se i ka mbetur vetëm pak kohë. Bashkë me demonët, ai bën çdo përpjekje që ta pengojë veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të shkatërrojë unitetin e shërbëtorëve të Jehovait. Si pasojë ndodhemi në frontin e luftës që përshkruhet jo si «një betejë me krijesat prej mishi e gjaku, por me qeveritë, me autoritetet, me sundimtarët botërorë të kësaj errësire, me forcat e liga qiellore lart në qiej». Nëse duam të dalim fitimtarë duke qëndruar në anën e Jehovait, nuk duhet të reshtim së luftuari, por duhet ta mbajmë të pacenuar armaturën tonë të figurshme. Duhet ‘të qëndrojmë të patundur përballë intrigave’ të Djallit. (Efes. 6:10-17) Kjo kërkon qëndrueshmëri.
TË ZHVILLOJMË QËNDRUESHMËRI
7 Qëndrueshmëria është «aftësia për t’i bërë ballë vështirësisë ose kundërshtimit». Në rastin tonë, është vendosmëria për të bërë atë që është e drejtë përballë vështirësisë, kundërshtimit, përndjekjes ose cilitdo faktor tjetër që ka si synim të na largojë nga udha e integritetit ndaj Perëndisë. Qëndrueshmëria e krishterë duhet zhvilluar. Kjo kërkon kohë. Aftësia për të treguar qëndrueshmëri rritet ndërsa afrohemi me Jehovain. Duke qëndruar në sprovat e vogla të besimit që i hasim në fillimet e udhës së krishterë, do të bëhemi më të fortë dhe do të jemi në gjendje të qëndrojmë në sprovat më të vështira që do të vijnë me siguri. (Luka 16:10) Nuk duhet të presim kohën kur të vijnë sprova të mëdha që të vendosim të qëndrojmë të patundur në besim. Duhet të jemi të vendosur patundshmërisht para se të vijnë sprovat. Për të theksuar se qëndrueshmëria duhet zhvilluar bashkë me cilësi të tjera hyjnore, apostulli Pjetër shkroi: «Bëni çmos që t’i shtoni besimit tuaj virtytin, virtytit njohurinë, njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë përkushtimin ndaj Perëndisë, përkushtimit ndaj Perëndisë përzemërsinë vëllazërore, përzemërsisë vëllazërore, dashurinë.»—2 Pjet. 1:5-7; 1 Tim. 6:11.
Qëndrueshmëria jonë zhvillohet ditë pas dite, ndërsa hasim dhe kapërcejmë sprova
8 Në letrën e tij, Jakovi theksoi sa e rëndësishme është të zhvillojmë qëndrueshmëri: «Konsiderojeni veç gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, sepse e dini se cilësia e besimit tuaj të sprovuar sjell qëndrueshmëri. Gjithashtu, lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt e të mos ju mungojë asgjë.» (Jak. 1:2-4) Jakovi thotë se të krishterët duhet t’i pranojnë sprovat e të gëzojnë për to, sepse na ndihmojnë të zhvillojmë qëndrueshmëri. A i ke parë sprovat nga ky këndvështrim? Jakovi thotë më tej se qëndrueshmëria ka një punë për të kryer: të na përsosë personalitetin e krishterë dhe të na bëjë plotësisht të pranueshëm për Perëndinë. Po, qëndrueshmëria jonë zhvillohet ditë pas dite, ndërsa hasim dhe kapërcejmë sprova. Qëndrueshmëria, nga ana e saj, prodhon cilësi të tjera të dëshirueshme që na nevojiten.
9 Jehovait i pëlqen qëndrueshmëria jonë. Falë saj, Jehovai do të na dhurojë si shpërblim jetën e përhershme. Jakovi tha më tej: «Lum kush tregon qëndrueshmëri kur has sprova, sepse kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Jehovai ua premtoi atyre që e duan pareshtur!» (Jak. 1:12) Po, ne qëndrojmë sepse nga kjo varet jeta jonë. Pa qëndrueshmëri, nuk mund të jemi në të vërtetën. Nëse dorëzohemi përpara presioneve të botës, bota do të na përpijë. Pa qëndrueshmëri, nuk do të kemi më frymën e Jehovait, e si pasojë nuk do të shfaqim frytin e saj në jetën tonë.
10 Që të vazhdojmë të jemi të qëndrueshëm në këto kohë të vështira, duhet të zhvillojmë pikëpamjen e duhur ndaj vuajtjeve që hasim si të krishterë. Kujto atë që shkroi Jakovi: «Konsiderojeni veç gëzim.» Kjo mund të mos jetë e lehtë, sepse sprovat mund të përfshijnë vuajtje fizike ose mendore. Por mos harro se është në lojë jeta jonë e përhershme. Një përvojë që patën apostujt na ndihmon të kuptojmë si mund të gëzojmë gjatë vuajtjeve. E gjejmë në librin e Veprave, ku lexojmë: «I thirrën apostujt, i rrahën dhe i urdhëruan të mos flitnin më në emër të Jezuit, pastaj i lanë të iknin. Kështu, apostujt ikën nga Sinedri të gëzuar, sepse ishin quajtur të denjë të çnderoheshin për emrin e tij.» (Vep. 5:40, 41). Ata e kuptuan që vuajtjet e tyre tregonin se i ishin bindur urdhrit të Jezuit dhe se kishin miratimin e Jehovait. Vite më vonë, kur shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar, Pjetri tha sa vlerë kishte të vuaje për hir të drejtësisë.—1 Pjet. 4:12-16.
11 Një rast tjetër ka të bëjë me Pavlin dhe me Silën. Kur po kryenin veprën misionare në Filipi, i arrestuan dhe i akuzuan se po turbullonin qytetin dhe po u mësonin zakone të paligjshme. Si pasojë i rrahën keqas dhe i futën në burg. Bibla thotë se, ndërsa ishin në burg me plagët akoma të pamjekuara, «aty nga mesi i natës, Pavli dhe Sila po luteshin e po lëvdonin Perëndinë me këngë. Të burgosurit po i dëgjonin». (Vep. 16:16-25) Pavli dhe Sila i shihnin siç duhej vuajtjet që hasnin për hir të Krishtit. Për ta ishin jo vetëm provë e integritetit të tyre para Perëndisë dhe njerëzve, por edhe një mënyrë për t’u dhënë dëshmi të mëtejshme atyre që mund ta pranonin lajmin e mirë. Pra përfshihej edhe jeta e të tjerëve. Po atë natë, roja e burgut dhe familja e tij dëgjuan dhe u bënë dishepuj. (Vep. 16:26-34) Pavli dhe Sila besuan te Jehovai, te fuqia dhe te gatishmëria e tij për t’i mbështetur gjatë vuajtjeve. Ata nuk u zhgënjyen.
12 Edhe sot, Jehovai na ka siguruar gjithçka që na duhet për të na mbështetur gjatë sprovave. Ai dëshiron që të tregojmë qëndrueshmëri. Na ka dhënë Fjalën e frymëzuar që të na pajisë me njohurinë e saktë për qëllimin e tij. Kjo na e forcon besimin. Kemi mundësi të shoqërohemi me bashkëbesimtarët dhe të bëjmë shërbim të shenjtë. Gjithashtu kemi privilegjin të mbajmë një miqësi të ngushtë me Jehovain nëpërmjet lutjes. Ai i dëgjon shprehjet tona të lëvdimit dhe kërkesat e zjarrta për ndihmë që të mbajmë një qëndrim të pastër para tij. (Filip. 4:13) Veç kësaj nuk duhet të nënvlerësojmë as forcën që marrim kur meditojmë për shpresën që kemi.—Mat. 24:13; Hebr. 6:18; Zbul. 21:1-4.
TË DUROJMË SPROVA TË NDRYSHME
13 Sprovat që hasim sot janë shumë të ngjashme me ato të dishepujve të hershëm të Jezu Krishtit. Në kohët tona, kundërshtarë të keqinformuar i kanë keqtrajtuar me fjalë dhe fizikisht Dëshmitarët e Jehovait. Ashtu si në ditët e apostujve, në shumicën e rasteve kundërshtimi nxitet nga fanatikë fetarë, mësimet dhe praktikat e rreme të të cilëve demaskohen në Fjalën e Perëndisë. (Vep. 17:5-9, 13) Ndonjëherë, shërbëtorët e Jehovait kanë gjetur lehtësim duke kërkuar njohjen e të drejtave ligjore të garantuara nga qeveritë. (Vep. 22:25; 25:11) Megjithatë, edhe qeveritarët e kanë ndaluar me ligj veprën tonë, në përpjekje për t’i dhënë fund shërbimit të krishterë. (Psal. 2:1-3) Në rrethana të tilla, ne ndjekim me guxim shembullin e apostujve besnikë që thanë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»—Vep. 5:29.
14 Ndërkohë që fryma e nacionalizmit intensifikohet anembanë tokës, predikuesit e lajmit të mirë hasin presione edhe më të mëdha për të hequr dorë nga shërbimi që u ka dhënë Perëndia. Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë e kuptojnë më qartë paralajmërimin e Zbulesës 14:9-12 për adhurimin e ‘bishës dhe të shëmbëlltyrës së saj’. Ne e dimë ç’kuptim kanë fjalët e Gjonit: «Këtu kërkohet qëndrueshmëri nga të shenjtët, që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe mbajnë fort besimin te Jezui.»
15 Sprovat që vijnë për shkak të luftërave, të revolucioneve ose të përndjekjes së drejtpërdrejtë dhe të ndalimeve zyrtare, mund të ta bëjnë të pamundur të adhurosh Jehovain në mënyrë të hapur. Ndoshta nuk mund të mblidheni si kongregacion. Lidhjet me zyrën e degës mund të shkëputen. Vizitat e mbikëqyrësve qarkorë mund të ndërpriten. Botimet mund të mos vijnë. Ç’duhet të bësh nëse ndodh ndonjë nga këto gjëra?
16 Përgjigjja është: bëj çdo gjë që mundesh dhe aq sa mundesh në rrethanat që ke. Mund të bësh studimin personal. Zakonisht mund të mblidhen grupe të vogla për të studiuar nëpër shtëpi. Si bazë për mbledhjet mund të përdoren botime të studiuara më parë dhe Bibla. Mos u shqetëso dhe mos u alarmo. Zakonisht, Trupi Udhëheqës do të gjejë ndonjë mënyrë për t’u lidhur me vëllezërit përgjegjës brenda një kohe të shkurtër.
17 Edhe sikur të gjendesh i izoluar nga të gjithë vëllezërit e tu të krishterë, mos harro se nuk je i izoluar nga Jehovai dhe nga Biri i tij, Jezu Krishti. Mund ta mbash të patundur shpresën. Jehovai mund t’i dëgjojë ende lutjet e tua dhe mund të të forcojë me frymën e tij. Drejtoju atij për udhëheqje. Mos harro se je shërbëtor i Jehovait dhe dishepull i Jezu Krishtit. Prandaj shfrytëzoji mirë mundësitë për t’u dëshmuar të tjerëve. Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tua dhe, shumë shpejt, të tjerë mund të bashkohen me ty në adhurimin e vërtetë.—Vep. 4:13-31; 5:27-42; Filip. 1:27-30; 4:6, 7; 2 Tim. 4:16-18.
18 Edhe sikur të gjendesh nën kërcënimin e vdekjes, siç ndodhi me apostujt dhe me të tjerë, ki besim te «Perëndia që sjell të vdekurit në jetë». (2 Kor. 1:8-10) Besimi se ai do të të ringjallë, mund të të ndihmojë të qëndrosh edhe përballë kundërshtimit më të ashpër. (Luka 21:19) Krishti Jezu na la shembullin. Ai e dinte se besnikëria e tij nën sprova do t’i forconte të tjerët të duronin. Po kështu, edhe ti mund të jesh burim force për vëllezërit e tu.—Gjoni 16:33; Hebr. 12:2, 3; 1 Pjet. 2:21.
19 Përveç përndjekjes dhe kundërshtimit, mund të të duhet të durosh edhe situata të tjera të vështira. Për shembull, disa janë shkurajuar për shkak të apatisë së njerëzve në territor. Të tjerë kanë përballuar sëmundje fizike ose emocionale, ose kanë duruar kufizime që vijnë nga papërsosmëria njerëzore. Edhe apostulli Pavël duroi një lloj sprove që e pengonte ose që ndonjëherë ia vështirësonte shërbimin. (2 Kor. 12:7) Gjithashtu, Epafroditi, një i krishterë i shekullit të parë nga Filipia, ‘ndihej përtokë, ngaqë miqtë e tij e morën vesh se kishte qenë sëmurë’. (Filip. 2:25-27) Papërsosmëritë tona dhe ato të të tjerëve mund të jenë shumë të vështira për t’u duruar. Mund të kemi përplasje personalitetesh me të bashkëkrishterët ose edhe me një familjar. Por, këto pengesa mund të durohen e të kapërcehen me sukses nga ata që u përmbahen këshillave të Fjalës së Jehovait.—Ezek. 2:3-5; 1 Kor. 9:27; 13:8; Kolos. 3:12-14; 1 Pjet. 4:8.
TË VENDOSUR PËR TË QËNDRUAR BESNIKË
20 Ne duhet të ndjekim nga afër atë që Jehovai e ka emëruar si Kreun e kongregacionit, Jezu Krishtin. (Kolos. 2:18, 19) Duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht me ‘skllavin besnik dhe të mençur’ dhe me ata që janë emëruar si mbikëqyrës. (Hebr. 13:7, 17) Duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturën teokratike dhe me ata që marrin drejtimin, do të jemi të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait. Duhet ta shfrytëzojmë plotësisht privilegjin e lutjes. Mos harro, as muret e burgut, as qelitë e izolimit nuk mund të na e ndërpresin komunikimin me Atin tonë të dashur qiellor ose të prishin unitetin që kemi me bashkadhuruesit.
21 Me vendosmëri e me qëndrueshmëri, le të bëjmë çmos për të kryer caktimin tonë të predikimit, duke ngulmuar në veprën që u dha Jezu Krishti i ringjallur dishepujve të tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20) Si Jezui, le të tregojmë qëndrueshmëri dhe le ta mbajmë të qartë në mendje shpresën e Mbretërisë dhe të jetës së përhershme! (Hebr. 12:2) Si dishepuj të pagëzuar të Krishtit, kemi privilegjin të marrim pjesë në përmbushjen e profecisë së Jezuit për ‘përfundimin e sistemit’. Ai tha: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:3, 14) Në qoftë se gjatë kësaj kohe përpiqemi me gjithë shpirt në këtë vepër, do të provojmë gëzim të madh kur të marrim jetën e përhershme në botën e re dhe të drejtë të Jehovait!