MËSIMI 24
Nuk mbajnë premtimin
Jehovai i tha Moisiut: ‘Eja tek unë lart në mal. Unë do t’i shkruaj ligjet e mia në pllaka guri e do të t’i jap.’ Moisiu u ngjit në mal dhe qëndroi atje për 40 ditë dhe 40 net. Ndërkohë, Jehovai i shkroi Dhjetë Urdhërimet në dy pllaka guri e ia dha Moisiut.
Ngaqë kaloi ca kohë, izraelitët menduan se Moisiu i kishte braktisur. Ata i thanë Aronit: ‘Duam një udhëheqës. Bëj një perëndi për ne!’ Aroni u tha: ‘Më jepni arin tuaj.’ Ai e shkriu arin dhe bëri statujën e një viçi. Populli tha: ‘Ky viç është Perëndia ynë që na nxori nga Egjipti!’ Ata filluan ta adhuronin viçin e artë dhe bënë një festë. A ishte e gabuar kjo? Po, sepse populli kishte premtuar të adhuronte vetëm Jehovain. Por tani nuk po e mbanin premtimin.
Jehovai pa çfarë po ndodhte dhe i tha Moisiut: ‘Shko te populli. Ata nuk po më binden dhe po adhurojnë një perëndi të rremë.’ Moisiu zbriti nga mali bashkë me dy pllakat.
Teksa i afrohej kampit, Moisiu dëgjoi popullin që këndonte. Kur pa që po kërcenin e po i përkuleshin viçit, Moisiu u nxeh shumë. I hodhi pllakat përtokë dhe ato u bënë copë-copë. Ai e shkatërroi menjëherë statujën. Më pas pyeti Aronin: ‘Si ta mbushi mendjen populli të bëje këtë gjë të keqe?’ Aroni iu përgjigj: ‘Mos u nxeh. Ti e di si janë këta njerëz. Ata donin një perëndi, prandaj arin e tyre e hodha në zjarr dhe doli ky viç!’ Aroni nuk duhej ta kishte bërë këtë. Moisiu u kthye në mal dhe iu përgjërua Jehovait ta falte popullin.
Jehovai i fali ata që ishin gati t’i bindeshin. E shikon sa rëndësi kishte që izraelitët të ndiqnin drejtimin e Moisiut?
«Sa herë të marrësh një zotim para Perëndisë, mos vono ta mbash, sepse ai nuk kënaqet me të pamendët. Zotimin që merr, mbaje.»—Eklisiastiu 5:4