ABNERI
[ati është llambë].
Bir i Nerit, nga fisi i Beniaminit. Te 1 Samuelit 14:50, 51 duket se shprehja ‘ungj i Saulit’ i referohet Abnerit, ndonëse në hebraisht mund t’i referohet ose Abnerit, ose Nerit, babait të tij. Jozef Flavi thotë se Abneri ishte kushëri i Saulit dhe se baballarët e tyre, Neri dhe Kishi, ishin vëllezër. (Antikitete judaike, VI, 129, 130 [vi, 6]) Megjithatë, te 1 Kronikave 8:33 dhe 9:39 tregimi i frymëzuar duket se mbështet fort tezën se Kishi ishte biri i Nerit, pra, vëlla i Abnerit. Sipas kësaj, Abneri ishte ungji i Saulit.—Shih edhe tabelën tek ABIELI nr. 1 në botimin anglisht.
Abneri ishte në krye të ushtrisë së Saulit, e cila me raste arrinte përmasa mjaft të mëdha: deri në më shumë se 200.000 luftëtarë. (1Sa 15:4) Në raste të veçanta, ai ulej pranë mbretit në tryezë. (1Sa 20:25) Megjithëse pa dyshim i fortë dhe trim, Abneri u qortua nga Davidi kur ishte i arratisur në shkretëtirën e Zifit, sepse nuk e kishte ruajtur mirë Saulin, zotërinë e tij dhe «të mirosurin e Jehovait».—1Sa 26:14-16.
Pas vdekjes së Saulit në humbjen dërrmuese që izraelitët pësuan nga filistinët, Abneri u tërhoq në Mahanaim, në anën tjetër të Jordanit, në rajonin e Galaadit, duke marrë me vete edhe Ish-Boshethin, djalin e Saulit. Megjithëse fisi i Judës kishte shpallur mbret në Hebron Davidin, Abneri vendosi Ish-Boshethin si mbret rival në Mahanaim. Ishte e qartë se pas pushtetit të Ish-Boshethit qëndronte Abneri, i cili me kohë i siguroi mbretit mbështetjen e të gjitha fiseve përveç Judës.—2Sa 2:8-10.
Në fund ushtritë e dy mbretërve kundërshtarë u përballën për të matur forcën afër rezervuarit të Gibeonit, në territorin e Beniaminit, që ishte rreth një e treta e distancës nga Hebroni në Mahanaim. Pasi ushtritë studiuan njëra-tjetrën, Abneri propozoi që nga secila palë të ndesheshin 12 luftëtarë të rinj. Luftëtarët e zgjedhur ishin aq të fortë sa shfarosën njëri-tjetrin, dhe kjo çoi në përleshjen mes dy ushtrive. Raporti i të vrarëve ishte 18 luftëtarë të Abnerit për 1 luftëtar të Joabit, dhe në fund, Abneri me trupat e tij u tërhoqën drejt shkretëtirës.—2Sa 2:12-17, 30, 31.
Në ndjekje të Abnerit u vu Asaheli këmbëshpejtë, vëllai i Joabit. Për të shmangur një përleshje që do t’i kushtonte jetën Asahelit, Abneri i tha disa herë të mos e ndiqte, por ai nuk pranoi. Atëherë Abneri e goditi fort dhe e vrau me pjesën e prapme të heshtës, duke ia shpuar barkun tejpërtej. (2Sa 2:18-23) Në perëndim të diellit, Joabi e ndali ndjekjen me kërkesë të Abnerit dhe dy ushtritë u tërhoqën në drejtim të kryeqyteteve të tyre. Mund të krijojmë një ide të rezistencës së këtyre burrave po të mbajmë parasysh se ushtria e Abnerit marshoi më shumë se 80 km në këmbë. Iu desh të zbriste në basenin e Jordanit, të kalonte lumin duke i rënë nga vau, pastaj të ngjitej nëpër luginën e Jordanit deri te kodrat e Galaadit për të arritur në fund në Mahanaim. Pasi varrosën Asahelin në Betlehem (mbase të nesërmen), burrat e Joabit marshuan për më shumë se 22 km nëpër male derisa arritën në Hebron.—2Sa 2:29-32.
Abneri e mbështeti regjimin e Ish-Boshethit që ishte tashmë në rënie dhe njëkohësisht forcoi pozitën e vet, ndoshta me synimin për të marrë fronin pasi, në fund të fundit, ai ishte vëllai i babait të Saulit. Kur Ish-Boshethi e qortoi që kishte kryer marrëdhënie me një nga konkubinat e Saulit (akt që i lejohej vetëm trashëgimtarit të mbretit pas vdekjes), tërë zemërim Abneri tha se do të kalonte në anën e Davidit. (2Sa 3:6-11) Ai u përpoq të afrohej me Davidin, duke i mëshuar faktit se ai ishte udhëheqësi i vërtetë i gjithë Izraelit, përveç Judës. Pasi ia plotësoi kërkesën Davidit për t’i kthyer të shoqen, Mikalën, Abneri iu drejtua privatisht krerëve të 11 fiseve të ndara nga Juda për t’i bindur që të mbështetnin Davidin, mbretin e emëruar nga Jehovai. (2Sa 3:12-19) Më pas, ai u mirëprit ngrohtësisht nga Davidi në kryeqytetin e tij, në Hebron, dhe po atë ditë u nis të bindte të gjitha fiset të bënin besëlidhje me Davidin. Mirëpo, Joabi që u kthye nga një sulm, e akuzoi Abnerin si spiun dhelparak, e thirri vetëm për vetëm e me dredhi e futi në një rrëzë ku e vrau.—2Sa 3:20-27.
Me vdekjen e Abnerit, Ish-Boshethi humbi të gjitha shpresat për mbështetje dhe shpejt përfundoi i vrarë nga tradhtarët. Kështu, mori fund njëherë e përgjithmonë sundimi i shtëpisë së Saulit.—2Sa 4:1-3, 5-12.
Shumë vite më vonë, kur i ishte afruar koha e vdekjes, Davidi e kujtoi vdekjen e Abnerit (si edhe të Amasës) dhe ngarkoi Solomonin të fshinte nga shtëpia e Davidit njollën e gjakut të derdhur nga Joabi. (1Mb 2:1, 5, 6) Pak më pas, vrasësi i Abnerit, Joabi, u ekzekutua me urdhër të Solomonit.—1Mb 2:31-34.
Përmendet vetëm një bir i Abnerit, Jasieli, i cili ishte kreu i fisit të Beniaminit gjatë mbretërimit të Davidit. (1Kr 27:21) Te 1 Kronikave 26:28 përmenden edhe kontributet që dha Abneri për tabernakullin nga plaçka që kishte fituar si kreu i ushtrisë.