AMALEKU, AMALEKITËT
Biri që konkubina Timna i lindi Elifazit, të parëlindurit të Esaut. (Zn 36:12, 16) Amaleku, nip i Esaut, ishte një nga sheikët e Edomit. (Zn 36:15, 16) Emri i Amalekut përdorej edhe për fisin e përbërë nga pasardhësit e tij.—Lp 25:17; Gjy 7:12; 1Sa 15:2.
Sipas disave, amalekitët kishin origjinë shumë më të hershme dhe nuk ishin pasardhës të nipit të Esaut, Amalekut. Por kjo pikëpamje nuk bazohet në fakte. Ideja që amalekitët ekzistonin para Amalekut bazohet në këtë shprehje proverbiale të Balaamit: «Amaleku ishte i pari i kombeve, por fundi që e pret do të jetë zhdukja.» (Nu 24:20) Megjithatë, Balaami nuk po fliste për historinë në përgjithësi dhe për zanafillën e kombeve shtatë a tetë shekuj përpara. Ai po fliste vetëm për historinë që lidhej me izraelitët, të cilët ndodheshin në prag të Tokës së Premtuar dhe ai ishte paguar t’i mallkonte. Kështu, pasi përmendi Moabin, Edomin dhe Seirin si armiq të Izraelit, Balaami deklaroi se amalekitët në të vërtetë ishin ‘të parët e kombeve’ që u sulën kundër izraelitëve gjatë udhëtimit nga Egjipti drejt Palestinës, e për këtë arsye, fundi i Amalekut ‘do të ishte zhdukja’.
Prandaj, kur rrëfeu ngjarjet e kohës së Abrahamit, para lindjes së Amalekut, Moisiu përmendi «gjithë vendin e amalekitëve». Kjo nuk nënkuptonte se amalekitët ekzistonin para Amalekut, por duhet të ketë qenë një përshkrim i asaj zone sipas këndvështrimit të njerëzve të epokës së Moisiut. (Zn 14:7) Qendra e atij territori amalekit ishte në veri të Kadesh-Barneas, në shkretëtirën e Negebit, në jug të Palestinës, dhe kampet anësore shtriheshin deri në gadishullin e Sinait dhe në Arabinë Veriore. (1Sa 15:7) Dikur pushteti i amalekitëve ndoshta shtrihej deri te kodrat e Efraimit.—Gjy 12:15.
Pas Daljes nga Egjipti, kur izraelitët ndodheshin në Refidim pranë malit Sinai, amalekitët ishin ‘të parët e kombeve’ që u hodhën në sulm kundër tyre, edhe pse izraelitët nuk i provokuan. Si pasojë, Jehovai dekretoi se amalekitët do të shfaroseshin njëherë e mirë. (Nu 24:20; Da 17:8-16; Lp 25:17-19) Pas një viti, kur izraelitët u orvatën të hynin në Tokën e Premtuar në kundërshtim me fjalën e Jehovait, amalekitët i zmbrapsën. (Nu 14:41-45) Në ditët e gjykatësve, ata armiq të Izraelit morën pjesë dy herë në sulme kundër tij. Një rast ishte në kohën e Eglonit, mbretit të Moabit. (Gjy 3:12, 13) Pastaj, bashkë me midianitët dhe popujt e lindjes, e plaçkitën Izraelin për shtatë vjet, para se t’u jepte një goditje dërrmuese Gideoni me 300 njerëzit e vet.—Gjy 6:1-3, 33; 7:12; 10:12.
Për shkak të asaj urrejtjeje të pashuar, gjatë epokës së mbretërve, Jehovai ‘u kërkoi llogari’ amalekitëve, duke urdhëruar mbretin Saul që t’i godiste. Sauli i goditi «që nga Havilahu e deri në Shur, që gjendet përballë Egjiptit», por kurseu mbretin e tyre, Agagun, e kështu shkeli urdhrin e Jehovait. Mirëpo Perëndia nuk vihej në lojë; në fakt «Samueli e bëri Agagun copë-copë përpara Jehovait në Gilgal». (1Sa 15:2-33) Më pas, Davidi u hodh në mësymje edhe kundër fshatrave të amalekitëve. Kur ata ia kthyen dhe sulmuan Ziklagun, i rrëmbyen gratë e shumë plaçkë, Davidi me 400 burra i arriti dhe mori gjithçka që i vodhën. (1Sa 27:8; 30:1-20) Gjatë mbretërimit të Hezekisë, disa nga fisi i Simeonit shfarosën amalekitët e mbetur.—1Kr 4:42, 43.
Paskëtaj, amalekitët nuk përmenden më drejtpërdrejt në historinë biblike ose atë jobiblike. Gjithsesi, ‘Hamani, biri i . . . agagitit’ duhet të ketë qenë pasardhës i tyre, pasi ‘Agag’ ishte titulli ose emri i disa mbretërve amalekitë. (Es 3:1; Nu 24:7; 1Sa 15:8, 9) Kështu amalekitët, bashkë me popuj të tjerë të përmendur me emër, u shfarosën me qëllim që të bëhet e ditur se vetëm Perëndia, ‘që e ka emrin Jehova, është Më i Larti në tërë dheun’.—Ps 83:6-18.