TIMNA
1. Konkubina e Elifazit, birit të Esaut, dhe e ëma e Amalekut. (Zn 36:10-12) Në gjenealogjinë që gjendet te 1 Kronikave 1:36, renditen në fillim pesë bijtë e Elifazit, birit të Esaut. Më pas përmenden «Timna dhe Amaleku». Profesori K. F. Kajl thotë për këtë: «Vendosja e dy emrave Timna dhe Amalek te Kronikat duket se është thjesht një shkurtim i tekstit, që autori mund t’ia lejonte mjaft mirë vetes, duke qenë se lexuesit e tij i njihnin pasardhësit e Esaut nga libri i Zanafillës. Edhe emri Timna, në formën femërore, nuk mund t’i linte vend idesë se ishte gjithashtu një bir i Elifazit, siç thonë disa komentues modernë.» (Commentary on the Old Testament, 1973, vëll. III, 1 Kronikave, f. 53) Kështu, ishin renditur gjashtë bijtë e Elifazit, por me sqarimin se një prej tyre, Amaleku, ishte bir i Timnës, konkubinës së Elifazit. Nuk duhet harruar se Amaleku u bë një komb që urrente popullin e Perëndisë dhe për të cilin Jehovai tha: «Jehovai do të jetë në luftë me Amalekun brez pas brezi.» (Da 17:8-16) Pra, si tregimi i Zanafillës, edhe ai i Kronikave, na jep këtë hollësi për origjinën e Amalekut. Ndoshta është Timna nr. 2.
2. Bijë e Seirit, horitit, pra motër e Lotanit dhe e bijve të tjerë të Seirit. (Zn 36:20-22; 1Kr 1:39) Ndoshta Timna nr. 1.
3. Emri i parë në listën e 11 «sheikëve të Esaut» ose të Edomit. (Zn 36:40-43; 1Kr 1:51-54) Sipas shumë përkthyesve, Timna dhe emrat e tjerë të renditur në këto vargje janë emra individësh. (BR, Dio, DSF, Kris) Megjithatë mendohet gjerësisht se shprehja «sipas familjeve të tyre, sipas vendeve të tyre» tregon se bëhet fjalë për një fis ose një zonë. Prandaj disa përkthime parapëlqejnë shprehje të tilla si «kreu i Timnës». (JP, AT) Në fakt, te Zanafilla 36:41, në të njëjtën listë shfaqet emri i një gruaje, Oholibamës, dhe kjo lë vend për shpjegimin se emri Timna ishte emër gruaje. Eusebi dhe Jeronimi e lidhin Timnën me një vend edomit të quajtur «Tamna» që ekzistonte në kohën e tyre. (Onomastika, 96, 24-27) Mirëpo, aktualisht nuk dihet vendndodhja e një rajoni të tillë me emrin Timna.