AMONIMËT
[popujt].
Te 2 Kronikave 20:1, teksti masoretik thotë se disa prej «amonimëve [heb., ʽammohním]» u bashkuan me bijtë e Moabit dhe me bijtë e Amonit për të luftuar kundër Jehozafatit, mbretit të Judës. Përkthimi Diodati i Ri shton fjalën «të tjerë» dhe vargu thotë «bijtë e Moabit, bijtë e Amonit dhe të tjerë me ta së bashku me Amonitët». Kurse versione të tjera e përkthejnë këtë shprehje «disa nga amonitët» (MR, JP, Dy), ndonëse kjo duket e palogjikshme, meqë amonitët përmenden tashmë brenda vargut. Sipas përkthimit Biblia Hebraica Stuttgartensia (shën.) dhe shumicës së përkthimeve të sotme (Ro, Mo, AT, RS, JB), bëhet fjalë për meunimët e 2 Kronikave 26:7. Kjo mbështetet në hamendjen se, si pasojë e një gabimi gjatë kopjimit, dy bashkëtingëlloret e para (מע) të fjalës hebraike meʽuním u këmbyen me njëra-tjetrën, e kështu doli fjala ʽammohním. Lidhja me meunimët mund të ketë për bazë faktin që më tej në historinë e luftës kundër Jehozafatit tregohet se me forcat ushtarake të amonitëve dhe moabitëve u bashkuan bijtë e «rajonit malor të Seirit» (në vend të «amonimëve»). (2Kr 20:10, 22, 23) Për të përkthyer këtë term hebraik te 2 Kronikave 20:1, përkthyesit e Septuagintës përdorën po atë fjalë greke (minaíon) që përdorën në vargjet për meunimët, duke treguar kështu se mendonin që bëhej fjalë për të njëjtin popull.—Shih MEUNIMËT.
Sidoqoftë, përderisa kjo çështje mbetet e mjegullt, disa përkthime, si ai i Isak Liserit dhe Përkthimi Bota e Re, parapëlqejnë që thjesht ta transliterojnë këtë term, duke iu përmbajtur kështu tekstit masoretik.