AMORITËT
«Amoriti» renditet mes bijve të Kanaanit, por gjetkë ky term, që në tekstin hebraik del gjithmonë në njëjës, përdoret si term përgjithësues për fisin kananit që vinte nga amoriti i parë. Pra ishte një fis me prejardhje nga Kami.—Zn 10:6, 15, 16; 1Kr 1:13, 14.
Në kohën e Abrahamit, mbreti i Elamit dhe tre mbretër të tjerë në aleancë me të sulmuan në jug të Kanaanit dhe mundën amoritët e Hazazon-Tamarit, që mendohet se ndodhej në jugperëndim të Detit të Vdekur. Tre amoritë që jetonin në Hebron ose aty pranë ishin asokohe «aleatë të Abramit», ndaj e ndihmuan t’i ndiqte këmba-këmbës mbretërit pushtues dhe t’i mundte, duke shpëtuar kështu Lotin, nipin e Abrahamit. (Zn 14) Gjithsesi, pas njëfarë kohe, Perëndia i bëri të ditur Abrahamit se kur amoritët ‘ta mbushnin kupën’ me fajet e tyre, pasardhësit e Abrahamit do të ktheheshin në Kanaan nga një dhé i huaj dhe do të shtinin në dorë vendin e amoritëve.—Zn 15:13-21.
Pak kohë para se të vdiste në Egjipt, patriarku Jakob i premtoi Jozefit: «Unë po të jap një copë tokë më shumë se vëllezërve të tu, atë që u mora amoritëve me shpatën dhe me harkun tim.» (Zn 48:22) Meqë fjala hebraike e përkthyer «copë» në këtë shkrim është shekhém, disa pohojnë se Jakobi e kishte fjalën për ngastrën e tokës që kishte blerë afër Sikemit (heb., Shekhém). (Zn 33:18, 19) Mirëpo ajo tokë u ble paqësisht dhe nuk ka asnjë të dhënë që Jakobi të ketë luftuar për ta marrë në zotërim. Paçka se më vonë bijtë e Jakobit e sulmuan egërsisht popullin e Sikemit, Jakobi e bëri të qartë atëherë se nuk kishte gisht në atë akt (Zn 34:30); pastaj, kur ishte në shtratin e vdekjes, e mallkoi zemërimin e Simeonit dhe të Levit që çoi në atë sulm. (Zn 49:5-7) Pra, duket më logjike që premtimi i Jakobit ishte një profeci, në të cilën ai përfytyronte me besim pushtimin e ardhshëm të Kanaanit sikur të kishte ndodhur tashmë dhe sikur Jakobi vetë ta kishte ‘marrë vendin e amoritëve’ me shpatën dhe harkun e pasardhësve.
Fis mbizotërues në Kanaan. Sipas disa komentuesve, në raste të tilla si Zanafilla 15:16 dhe 48:22, termi «amoritët» përfaqëson popujt e Kanaanit në tërësi. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, duket se amoritët ishin vërtet fisi kryesor ose mbizotërues në Kanaan. (Krahaso Lp 1:6-8, 19-21, 27; Js 24:15, 18; Gjy 6:10.) Kjo do të shpjegonte pse hera-herës fiset e tjera nën varësinë e tij ose të afërta me të quheshin me emrin e fisit mbizotërues të amoritëve. Kështu, te Numrat 14:44, 45 thuhet se izraelitët e pësuan disfatën e parë në luftë me «amalekitët» dhe «kananitët», kurse në kapitullin e 1-rë të Ligjit të përtërirë, Moisiu i tregon ngjarjet përmbledhtas dhe thotë se u mundën nga «amoritët». (Lp 1:44) Po ashtu, te Josiu 10:5 thuhet se në Jerusalem sundonte një mbret amorit (krahaso Ezk 16:3, 45), ndërsa tjetërkund thuhet se atje banonin jebusitët. (Js 15:8, 63; Gjy 1:21; krahaso edhe rastin e Gibeonit te Js 9:7 dhe 2Sa 21:2.) I ngjashëm është rasti i Judës, njërit nga fiset e kombit të Izraelit, emri i të cilit nisi të nënkuptonte gjithë izraelitët, duke e përdorur fjalën «jude» si përgjithësuese.
Gjithsesi, amoritët përmenden edhe veçmas mes fiseve të pavarura kananite. (Da 3:8; 23:23, 24; 34:11-15) Ata ishin një nga ‘shtatë kombet më të mëdha e më të fuqishme’ se Izraeli, që do të shfaroseshin të tërë. Me ta Izraeli nuk duhej të bënte besëlidhje, nuk duhej të lidhte krushqi dhe as të merrte pjesë në adhurimin e rremë.—Lp 7:1-4.
Të 12 zbuluesit që dërgoi Moisiu në Kanaan panë se amoritët, hititët dhe jebusitët banonin në rajonin malor, ndërsa amalekitët jetonin në Negeb dhe kananitët banonin afër detit e përgjatë Jordanit. (Nu 13:1, 2, 29) Ashtu si dikur në epokën e Abrahamit, amoritët banonin ende në Hebron dhe në qytete të tjera lart në male, në perëndim të Jordanit. (Js 10:5) Megjithatë, në kohën e daljes së Izraelit nga Egjipti, ata kishin mësyrë në territoret moabite e amonite në lindje të Jordanit dhe kishin zaptuar viset nga lugina e përroit të Arnonit në jug (që më vonë u bë kufiri i Moabit) deri në luginën e përroit të Jabokut në veri (kufiri i Amonit). (Nu 21:13, 24, 26; Js 12:2; Gjy 11:22) Ky ishte territori i mbretit amorit Sihon, që historiani jude, Jozefi, e përshkruan si «një rajon mes tre lumenjsh [Jordanit, Arnonit dhe Jabokut], e prandaj ngjason gati-gati me një ishull». (Antikitete judaike, IV, 95 [v, 2]) Veç kësaj, në veri të mbretërisë së Sihonit ndodhej një tjetër mbretëri e amoritëve, që kishte si qendër Bashanin, ku sundonte mbreti Og. Kufiri jugor i asaj mbretërie duket se puqej me kufirin e territorit të Sihonit dhe me atë të amonitëve, pra shtrihej nga Jaboku në jug deri në malin e Hermonit në veri.—Lp 3:1, 8.
Pushtimi nga Izraeli. Izraeli ndodhej në afërsi të Tokës së Premtuar dhe ishte urdhëruar nga Perëndia të mos shkelte në territoret e Moabit dhe të Amonit (Lp 2:9, 37). Prandaj i kërkoi leje kalimi mbretit Sihon, i cili ndodhej në kryeqytetin e vet, në Heshbon, e i dha garanci të forta: «Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd. Nuk do të kthehemi as në ara e as në vreshta. Nuk do të pimë ujë në asnjë pus. Do të ecim në rrugën e mbretit, gjersa të kalojmë territorin tënd.» Megjithatë, Sihoni mobilizoi forcat dhe e goditi Izraelin, por u shpartallua menjëherë në Jahaz, jo larg Heshbonit. Krejt territorin e tij e shtiu në dorë Izraeli. (Nu 21:21-32; Lp 2:24-36; shih SIHONI.) Si shkeli territorin fqinj të mbretit Og, Izraeli e mposhti edhe atë sundimtar amorit dhe mori 60 qytete të fortifikuara. (Nu 21:33-35; Lp 3:1-7; shih OGU.) Kur ato mbretëri të fuqishme amorite ranë para Izraelit, Moabin e pushtoi tmerri (Nu 22:2-4), e po ashtu edhe popullin e Kanaanit, siç kuptohet nga fjalët që u tha Rahaba zbuluesve izraelitë. (Lp 2:24, 25; Js 2:9-11) Territori i dy mbretërve të mundur amoritë u bë trashëgimia e fiseve të Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut.—Nu 32:31-33, 39; Lp 3:8-13.
Kurse amoritëve në perëndim të Jordanit «iu mpak zemra» kur dëgjuan se izraelitët e kishin kaluar Jordanin falë një mrekullie. Ajo mrekulli, tok me fitoret e bujshme që kishte korrur gjer atëherë Izraeli, ndoshta ishte një arsye pse amoritët nuk e sulmuan kampin e Izraelit ndërsa meshkujt izraelitë ishin rrethprerë ose gjatë festimit të Pashkës. (Js 5:1, 2, 8, 10) Mirëpo, pas shkatërrimit të Jerikosë dhe të Ait, mbarë fiset e Kanaanit lidhën aleancë për të luftuar si një trup i vetëm kundër Izraelit. (Js 9:1, 2) Kur hivitët e Gibeonit zgjodhën të bënin paqe me Izraelin, «pesë mbretër të amoritëve» i sulmuan në çast dhe shpëtuan nga shkatërrimi vetëm sepse ushtria e Josiut marshoi tërë natën për t’u vajtur në ndihmë dhe sepse Jehovai ndërhyri me një mrekulli.—Js 10:1-27; 11:19.
Pas asaj beteje dhe fushatës ushtarake që ndërmori më pas Josiu anembanë vendit, amoritët në jug të Palestinës u thyen. Prapëseprapë, amoritët e viseve veriore lidhën aleancë me fise të tjera dhe luftuan kundër Izraelit në ‘ujërat e Meromit’. Si u shpartalluan keqas, amoritët nuk u përmendën më kurrë si ndonjë rrezik i madh për Izraelin. (Js 11:1-9) Ata mbetën të paktë në numër, territori iu zvogëlua mjaft dhe me kalimin e kohës bënin punë të detyruar nën sundimin e Izraelit. (Js 13:4; Gjy 1:34-36) Disa izraelitë u martuan me gra amorite, dhe kjo çoi në apostazi. (Gjy 3:5, 6) Në përgjithësi, amoritët duket se vazhduan t’i hapnin telashe Izraelit për njëfarë kohe, sepse thuhet që në ditët e Samuelit, pas një disfate përfundimtare të filistinëve, «mes Izraelit dhe amoritëve pati paqe». (1Sa 7:14) Gjatë mbretërimit të Solomonit, amoritët ishin sërish mes atyre që rekrutoheshin për punë të detyruar. (1Mb 9:20, 21) Idhujtaria dhe ligësia e tyre, që duket se karakterizonte gjithë kananitët, ishte me nam. (1Mb 21:26; 2Mb 21:11) Martesa me gra amorite u bë problem shqetësues edhe mes izraelitëve të kthyer nga mërgimi në Babiloni. (Ezd 9:1, 2) Mirëpo përfundimisht populli amorit, dikur më i shquari në mbarë Kanaanin, u zhduk njëherë e mirë, si një pemë e lartë madhështore që i flaket fryti dhe i shkatërrohen rrënjët.—Am 2:9, 10.
«Amurru». Në përgjithësi, historianët i lidhin amoritët e Biblës me popullin e quajtur amurru në dokumentet e lashta akadiane (asiro-babilonase) me shkrim kuneiform. Për atë popull thuhet se zaptoi Mesopotaminë në fillim të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. dhe se kishte një mbretëri në Babiloni për disa shekuj. Shpesh thuhet se Hamurabi, një ligjdhënës me famë i asaj epoke, kishte prejardhje «amorite».
Gjithsesi, dëshmitë në lidhje me amurru nuk duket se i përligjin përfundimet e prera se ata ishin pa pikë dyshimi amoritët e Biblës. Në dokumentet e hershme me shkrim kuneiform, fjala amurru në thelb kishte kuptimin «perëndim», duke iu referuar rajonit në perëndim të Mesopotamisë. A. H. Seisi thotë se emri amurru është «thjesht një tregues gjeografik se nga vinin, e parë kjo nga këndvështrimi i Mesopotamisë, dhe nuk përcjell asnjë informacion rreth formimit të tyre etnik a rreth emrit të tyre të vërtetë». (The International Standard Bible Encyclopedia, nga Xh. U. Broumëli, 1979, vëll. 1, f. 113) Edhe pse historianët e sotëm e konsiderojnë Marin, një qytet të lashtë pranë Eufratit në Mesopotaminë Veriore, si qendër të popullsisë amurru, e cila kishte shkuar deri në Mesopotami, mijëra pllakat e zbuluara atje ishin thuajse të gjitha në gjuhën semitike akadiane (asiro-babilonase) dhe kishin disa emra me origjinë semitike perëndimore. Mirëpo, siç e kemi parë, amoritët e Biblës nuk kishin prejardhje semitike, por kamitike. Ndonëse nuk përjashtohet që ndonjë degëzim i tyre të ketë përvetësuar një gjuhë semitike, ka po aq të ngjarë që ata amurru të lashtësisë të ishin thjesht «perëndimorë» që jetonin mes popujve semitikë në perëndim të Babilonisë. Profesori Xhon Brajt thotë: «Për disa shekuj [mes fundit të mijëvjeçarit të tretë dhe fillimit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s.], në dokumentet me shkrim kuneiform, popullsia e Mesopotamisë Veriperëndimore dhe e Sirisë Veriore quhej amurru, d.m.th. ‘perëndimorë’. Me sa duket, ky u bë një term i përgjithshëm që përdorej për folësit e dialekteve semitike veriperëndimore në atë zonë, mes të cilëve ka shumë të ngjarë që përfshiheshin paraardhësit e hebrenjve, si edhe të aramaitëve.»—A History of Israel, 1981, f. 49.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
TERRITORI I AMORITËVE
Deti i Madh
M. Hermon
AMORITËT
AMORITËT
MBRETËRIA AMORITE E OGUT
Lumi Jordan
L. p. të Jabokut
MBRETËRIA AMORITE E SIHONIT
Deti i Kripur
L. p. të Arnonit
MOAB
AMON